Ministrja kroate Gabriela Zhalac, e cila të shtunën e kaluar e ka goditur me makinë një fëmijë dhe në atë çast nuk ka pasur patentë të vlefshme shoferi, ka ofruar dorëheqje, por kryeministri i qeverisë kroate Andrej Plenkovic nuk ia ka pranuar.
“Më e rëndësishmja është se vajza është mirë”, ka thënë Plenkovic.
“Sa i përket patentës së shoferit, ky është lëshim, pakujdesi. Mirëpo, kjo nuk është vepër penale, është kundërvajtje. Ajo e ka paguar dënimin, do ta nxjerrë patentën e re”, ka thënë Plenkovic, duke pohuar se ministrja ka ofruar dorëheqje dhe ai ka menduar për këtë nga e shtuna.
Mediet e rajonit kanë bërë të ditur se aksidenti është shkaktuar pasi që vajza 10 vjeçare ka vrapuar pa kujdes në rrugë dhe kështu ka ardhur deri te ndeshja me makinën e ministres. Sa i përket patentës së shoferit, ajo në fakt e ka pasur, por të skaduar, ka thënë se ka harruar ta marrë të renë.