Ballina Aktualitet Lajme (VIDEO) DËMSHPËRBLIMI I SOPOTASVE NË DORË TË MINISTRIT TË DREJTËSISË

(VIDEO) DËMSHPËRBLIMI I SOPOTASVE NË DORË TË MINISTRIT TË DREJTËSISË

Nëse ankthi i sopotasve të pafajshëm do të vazhdojë edhe më tej ose do të mbyllet së shpejti, tani varet nga Ministria e Drejtësisë. Pas shpalljes si të pafajshëm nga Gjykata Penale, tani ministria e Drejtësisë do të duhet sa më shpjet të vendosë për kërkesën për dëmshpërblimin e tyre prej 2,5 milion euro. Ministria tani ka të drejtë që tre muaj të shqyrtojë kërkesën e sopotasve si dhe materialet e kësaj lënde në gjykatë. Avokati Vullnet Paçuku thotë se tani presin përgjigjen e Ministrisë, por thekson se nga praktika e deritanishme, Ministria  asnjëherë nuk u është përgjigjur rasteve të këtilla.

VULLNET PAÇUKU, AVOKAT I SOPOTASVE

“Sipas ligjit për procedurë penale, tani Ministria e Drejtësisë duhet të dalë me përgjigje ose me ofertë për kërkesën tonë. Por sipas praktikës së deritanishme, në raste të këtilla kur është kërkuar dëmshpërblim nga shteti, Ministria e Drejtësisë asnjëherë nuk është përgjigjur dhe nuk ka bërë oferta”.

Mirëpo sipas procedurave, nëse Ministria e Drejtësisë nuk del me përgjigje apo nëse jepë ofertë të papranueshme, atëherë sopotasit do të duhet të ngrejnë padi në gjykatë. Mirëpo, sipas avokatit Vullnet Paçuku, kjo do të zvarritej me vite të tëra dhe do t’u kushtonte shumë shtrenjtë banorëve të Sopotit të cilët për 15 vite qëndruan të pafajshëm në burg.

VULNET PAÇUKU, AVOKAT I SOPOTASVE

“Në gjykatë, sipas praktikave që kanë ndodhur deri më tani, kjo procedurë do të zgjasë së paku dy vite, gjë e cila është e palogjikshme, por edhe shumë e kushtueshme, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të sopotasve pas 15 vite burg. Nëse kërkesa jonë nuk mbyllet në Ministrinë e Drejtësisë atëherë për secilin prej gjashtë sopotasve që kërkojnë dëmshpërblim, procesi gjyqësor do të kushtojë së paku 5000 euro, ose shumëzuar në gjashtë persona, 30 mijë euro. E ku do ti gjejnë gjithë këto para për procedura gjyqësore, sopotasit të cilët qëndruan 15 vite në burg?”.

Denimin me burg për vendosjen e minës në fshatin Sopot e vuajtën Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani dhe Zenel Klaiqi, ndërsa njëri nga të akuzuarit, Samet Limani, nuk arriti që të pres përfundimin e procesit gjyqësor pasi ndërroi jetë. Pas dorëzimit të kërkesës për dëmshpërblim ata thanë se paratë janë vetëm për t’ua zbutur gjendjen ekonomike që gjatë qëndrimit të tyre në burg është përkeqësuar por dhe formë simbolike për pafajësinë.

Mefail Ismaili /SHENJA/ 

@tn.lajmelokale
@tetovanews