Ballina Lajme Si e tërhoqën shkodranët pa kuaj, karrocën e Luigj Gurakuqit!

Si e tërhoqën shkodranët pa kuaj, karrocën e Luigj Gurakuqit!

Që nga themelimi në shek IV para Erës së Re, deri në fillim të shek XX, Shkodra ka qenë një nga qytetet më të rëndësishëm jo vetëm e hapsirës ilire e më pas arbërore e shqiptare, por e gjithë Gadishullit Ballkanik.

Sipas të dhënave të dokumentuara, në vitet 1830-1912 Shkodra ka qenë qyteti me popullsinë më të madhe ndër 57 qytetet e hapësirës shqiptare dhe një qendër shumë e rëndësishme ekonomike, politike e kulturore.

Në vitin 1912 Shkodra kishte 40 mijë banorë që përbënin 11.4% të popullsisë urbane të Shqipërisë dhe kishte 2500 dyqane që përbënin 15.4% të dyqaneve që funksiononin në të gjithë qytetet shqiptare.

Duke qenë më e hapur ndaj ndikimeve të kulturave perëndimore të orientimit katolik, veçanërisht ndaj kulturës italiane, sidomos përgjatë shekujve XV-XIX, Shkodra u bë një nga qendrat më të rëndësishme të Ballkanit që përthithte më shpejt risitë në zhvillimet perëndimore në të gjithë veprimtaritë politike e arsimore, ekonomike e kulturore, shkencore e artistike.

Shkodra është vendlindja e mjaft personaliteteve të shquara të kulturës, të politikës e të artit ku përmendim Marin Barleti, Pashko Vasa, Zef Jubani, Filip Shiroka, Migjeni, Ernest Koliqi, Frederik Shiroka, etj.

Tetova News në YouTube:

Ndër personalitete të tilla të Shkodrës vend të veçantë zë edhe Luigj Gurakuqi (1879-1925).

Për ndihmesën e tij në dobi të çështjes kombëtare që në vitet e para të veprimtarisë politike, arsimore, publicistike etj, ai u rrethua me aureolë nderimi të veçantë.

Për këtë mjafton të citojmë një fragment nga monografia “Luigj Gurakuqi”, e shkruar nga Piro Tako, i cili ndër të tjera përshkruan edhe pritjen që iu bë Luigj Gurakuqit në vitin 1908 në Shkodër.

“Populli i Shkodrës i bëri një pritje që Noli do ta quante të denjë për një “Mesi”. Ardhja e tij u mësua më parë, kështu që në skelën e vogël të liqenit të Shkodrës ishin mbledhur një mizeri njerëzish. Kur ai zbriti nga lundra, këmbët i zunë dhe, u dëgjuan thirrje gëzimi dhe këngë.

Njerëzit shtyheshin, i dilnin përpara njëri-tjetrit që ta shikonin e t’i jepnin dorën. Ai se priste një takim të tillë e ndihej i emocionuar. Mezi mundën ta fusnin në një karrocë. Në Parrucë ndodhi diçka e papritur. Turma e gëzuar i hoqi kuajt karrocës dhe disa të rinj e tërhoqën vetë derisa arritën në Lulishten Popullore që gjendej në qendër të qytetit.

Nga emocionet ai mezi e nisi fjalën e tij që më pas buroi si një lumë i rrëmbyer.

Djemuria e Shkodrës, nga më të arsimuarit në hapësirën shqiptare të asaj kohe, duke e tërhequr vetë karrocën e Luigj Gurakuqit në mjedisin më publik në zemër të qytetit të Shkodrës, demonstroi nderim të veçantë për të, çka konkretizohet në këto mesazhe kryesore:

– Populli i Shkodrës kishin nderim të veçantë për bashkëkombasit e ditur e të mirëarsimuar, të cilët braktisnin një jetë më të rehatshme në vendet më të urbanizuara të Perëndimit dhe ktheheshin në mëmëdhe.

– Veçanërisht përgjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, populli shqiptare nderonte shumë ata burra të dijes që e shndërronin penën në armë për çlirimin e mëmëdheut nga pushtuesit turq dhe për përparimin e arsimit dhe të kulturës.

– Ky gjest i rrallë dëshmontë simbolikisht edhe nderimin e veçantë për politikanët, ose më saktësisht, për prijësit popullorë të cilët shkrinë pasuritë dhe energjitë vetjake, sakrifikuan gjithçka, deri edhe jetën për lirinë dhe përparimin e popullit shqiptar.

Fan Noli e ka portretizuar veprimtarinë e Luigj Gurakuqit në një elegji poetike, të shkruar pak kohë pas vra.sjes së tij nga element antishqiptarë, prej të cilës po citojmë disa vargje:

Nënë moj ma qaj në Vlorë,
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë,
Ti si dhe as var.r për hor.

Nënë moj, çështë përpjekur,
Gojëmjalt e zemërhekur
Syrgjyngjall e syrgjynvd.ekur
Ky vigan Liberator.