Ballina Kronika Prof. Hasan Sami Saiti humbi jetën te Maja e Zezë, nesër varrimi...

Prof. Hasan Sami Saiti humbi jetën te Maja e Zezë, nesër varrimi në Xhepçisht

Është konfirmuar identiteti i personit që humbi jetën sot gjatë një aktiviteti malor në zonën e njohur si Maja e Zezë, në malet e Tetovës.

Bëhet fjalë për profesorin Hasan Sami Saiti nga Xhepçishti, një arsimtar me karrierë shumëvjeçare dhe kontribut të njohur në edukimin e brezave të rinj.

Sipas informacioneve që Tetova News siguroi më herët, prof. Saiti kishte dalë në mal së bashku me një grup personash nga Xhepçishti, të cilët gjatë fundjavave organizojnë ecje malore, alpinizëm dhe piknik. Gjatë qëndrimit në zonën e Majës së Zezë, atij i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe më pas ka ndërruar jetë.

Për shkak të terrenit malor, për tërheqjen e trupit është angazhuar një helikopter. Sipas informacioneve të Tetova News, trupi i të ndjerit është transportuar nga zona malore dhe më pas u është dorëzuar familjarëve.

Identiteti i të ndjerit është bërë publik edhe përmes një njoftimi të Xhamisë së Xhepçishtit.

“Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”, thuhet në njoftim, ku bëhet e ditur se ka ndërruar jetë prof. Hasan Sami Saiti, babai i Dashmirit dhe Jetmirit Saiti.

Video bonus

Sipas njoftimit, varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, më 21 shtator 2026, pas namazit të drekës.

Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta kanë pasuar edhe mesazhe ngushëllimi dhe reagime nga ish-kolegë dhe institucioni ku ai kishte punuar për shumë vite.

QRAPT “Mosha Pijade” në Tetovë njoftoi se prof. Hasan Saiti kishte shërbyer për vite me radhë në këtë shkollë me përkushtim dhe profesionalizëm, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në edukimin e shumë brezave.

Sipas shkollës, pas një karriere të gjatë në arsim, Hasan Saiti kishte dalë në pension para disa vitesh, por kishte mbetur i respektuar dhe i kujtuar nga kolegët dhe ish-nxënësit.

“Ka shërbyer për vite me radhë me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri të pakufishme në shkollën tonë ‘Mosha Pijade’, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme dhe një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të tërë”, thuhet në reagimin e shkollës.

Drejtoria, stafi mësimor dhe punonjësit e shkollës i kanë shprehur ngushëllime familjes Saiti, të afërmve dhe miqve, duke theksuar se kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten të paharruara.

Edhe Burim Dauti, në një reagim publik, e ka përshkruar prof. Saitin si një nga profesorët e dalluar të drejtimit të bujqësisë në Qendrën Shkollore “Mosha Pijade” në Tetovë.

Sipas Dautit, Hasan Saiti ishte ndër profesorët e parë të këtij drejtimi dhe përmes punës së tij shumëvjeçare kontribuoi në formimin e shumë kuadrove dhe agronomëve.

Ai ka theksuar se kontributi i prof. Saitit në arsim, e veçanërisht në arsimin shqip, do të mbetet në kujtesën e kolegëve, nxënësve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të.

Për rrethanat e plota të ngjarjes dhe shkakun zyrtar të vdekjes pritet ende njoftimi i SPB Tetovë.

Tetova News i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Saiti, të afërmve, miqve, kolegëve dhe ish-nxënësve të prof. Hasan Saitit.