Ballina Kronika 10 punëtorë shqiptarë drejt dëbimit nga Britania e Madhe

10 punëtorë shqiptarë drejt dëbimit nga Britania e Madhe

Shtatëmbëdhjetë punëtorë ndërtimi do të dëbohen nga Britania e Madhe pasi autoritetet e emigracionit zbuluan se ishin të paligjshëm. Sipas mediave britanike, 10 prej tyre janë shqiptarë kurse pjesa tjetër indianë. Të gjithë u shoqëruan në polici.

Autoritetet britanike sqaruan se disa prej tyre kishin hyrë ilegalisht në Britani të Madhe, kurse të tjerë kishin tejkaluar afatin e qëndrimit. Aktualisht janë në pritje të deportimit drejt vendeve të tyre të origjinës.

Shqiptarët dhe indianët u zbuluan nga Zyra e Emigracionit duke punuar në një zonë të Sussex ku po ndërtohen më shumë se 140 apartamente. Punëtorët shqiptarë ishin të moshës nga 18 deri në 31 vjeç, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme. Kurse indianët ishin të moshës 28-63 vjeç.

“Nëntë shqiptarë dhe dy indianë kishin hyrë ilegalisht në Britani, kurse një shqiptar dhe pesë indianë kishin tejkaluar afatin e vizës”, tha zëdhënësi.

Të gjithë emigrantët, shqiptarë e indianë, janë aktualisht në paraburgim dhe po shqyrtohen procedurat për deportimin e tyre nga vendi.

@tn.lajmelokale
@tetovanews