Ballina Aktualitet Shqipëri Tirana me teknologjinë më të fundit, Veliaj: Taksi dhe autobusë 100% elektrik...

Tirana me teknologjinë më të fundit, Veliaj: Taksi dhe autobusë 100% elektrik dhe hibrid deri në 2030

Qytetarët e Tiranës do të kenë mundësinë të monitorojnë në kohë reale, nga aplikacioni “Tirana ime”, edhe cilësinë e ajrit në kryeqytet. Matësat inteligjentë, që do ta bëjnë të mundur këtë, duke shënuar kështu një tjetër hap të rëndësishëm drejt realizimit të Tirana Smart City.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se falë këtyre matësve të rinj inteligjentë, që janë vendosur në qytet, do të mund të merren të dhëna të sakta për cilësinë e ajrit, që më pas shfaqen në aplikacionin “Tirana Ime”. “Një nga gjërat që dua të vlerësoj jashtë mase është se kemi marrë teknologjinë më të fundit, që nuk ka tjetër në rajon. Sot planifikojmë lançimin e aplikacionit që mat ndotjen e ajrit në Tiranë në kohë reale, në mënyrë që çdo qytetar, ashtu siç ka akses te kamerat e qytetit, raportimet, trafiku, të ketë akses edhe në këtë informacion. Vendimmarrja për të gjithë ne bëhet më e lehtë nëse të vërtetën e dimë të gjithë”, tha ai.

Matësat e parë që po testohen, janë vendosur në zonën e Kasharit, te “21 dhjetori”, te Rr. e “Elbasanit” dhe te Sheshi “Skënderbej”. Sensorëve inteligjentë do të përçojnë të dhëna në kohë reale, nëpërmjet rrjetit, drejtpërsëdrejti në aplikacionin “Tirana Ime”. Ky informacion, nga njëra anë do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për një aspekt kaq të rëndësishëm të jetës sonë, siç është cilësia e ajrit, por do t’u shërbejë edhe institucioneve përkatëse si indikator për zhvillimin e strategjive që synojnë uljen e ndotjes së ajrit, mbrojtjen e mjedisit, pra përmirësimin e cilësisë së jetesës në kryeqytet.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Veliaj pasqyroi rezultatet e shënuara nga aplikacioni “Tirana ime” në këto 3 vite, duke renditur mbi 90,000 shkarkime, 3 milionë vizita në app, 23,000 raportime nga qytetarët.

Ndërkaq, për të ulur nivelin e ndotjes në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po punon paralelisht edhe me nisma të tjera si projekti për mbjelljen e 2 milionëve pemëve të reja deri në 2030 apo “Ditët pa Makina”. Veliaj shprehu nevojën që të paktën një ditë në muaj në kryeqytet të kemi një ditë tërësisht pa makina.

“Çdo muaj duhet të kemi të paktën një ditë pa makina, vetëm që qyteti të marrë oksigjen dhe të rikuperojë ndotjen që vjen nga makinat. Propozimi i parë është që datat 5 maj dhe 1 qershor, pra Ditën e Dëshmorëve dhe Ditën e Fëmijëve, ta bëjmë ditë pa makina. Janë data të shënuara, por janë edhe sebepe për të pasur një ditë pa makina kushtuar këmbësorëve”, deklaroi ai.

Për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, Tirana do të transformojë të gjithë shërbimin e transportit publik. Në prezantimin e shërbimeve të reja të aplikacionit “Tirana Ime”, Veliaj tha se synon që flota e taksive në kryeqytet të jetë 100% elektrike ose hibride, të cilat sjellin më pak ndotje.

“Përveç 2 milion pemëve, kemi vendosur si target që 100% e taksive të jenë elektrike ose hibride brenda vitit 2025. Në fakt, mbi gjysma e taksive që operojnë sot në Tiranë janë elektrike ose hibride. Ndaj, besoj se do ta kapim targetin e OBSH-së shumë më herët”, theksoi ai. Ndryshim do të pësojë edhe transporti urban, ku shumë shpejt në rrugët e kryeqytetit do të lëvizë flota e autobusëve elektrikë. “100% e autobusëve do të jenë elektrik brenda vitit 2030, një operacion që e fillojmë tani dhe kemi 11 vite kohë ta realizojmë”, tha Veliaj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews