Ballina Aktualitet Besar Durmishi u zgjodh kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, seanca...

Besar Durmishi u zgjodh kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, seanca u transmetua drejtpërdrejt në faqen e komunës (VIDEO+FOTO)

Besar Durmishi nga Lëvizja Besa u zgjodh si kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Durmishi u zgjodh në mbledhjen e parë të këtij këshilli, i cili me 16 vota për dhe 14 të përmbajtura i dhanë këtë funksion Durmishit. Në favor të këtij vendimi u radhitën këshilltarët nga Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët, VMRO-DPMNE-ja dhe nisma “Më mirë për Tetovën”, të përmbajtur votuan këshilltarët nga BDI, LSDM, PDSH dhe këshilltari nga Alternativa. Për herë të parë, seanca e këshillit u transmetua direkt në faqen e komunës në facebook, shkruan Portalb.mk.

Besar Durmishi ishte i vetmi kandidat i propozuar si këshilltar nga komisioni për çështje mandatorë, zgjedhje dhe emërime. Para se të kalohej në votim, këshilltarja nga “Më mirë për Tetovën”, Elmedina Abullai tha se vota e këshilltarëve nga kjo listë do të varren nga ajo nëse kandidati i propozuar për këshillin komunal do të zotohet se do i pranojë të njëjtat.

“Pikat bazohen në tre pikat kryesore të platformës tonë që janë transparenca dhe llogaridhënia, ambient i pastër dhe qytet me plan. Që është në përputhje me programin dhe premtimet parazgjedhore të partisë në fjalë. Do të lus kryesuesin e këshillit dhe kryetarin e komunës të zotohen se do ti plotësojnë këto pika.” tha Abdullai.

Ndërkaq pas kësaj, kandidati për kryetar të këshillit dhe Bilall Kasami pranuan propozimin nga Abdullai, dhe u zotuan për të njëjtën.

“Dy pika prej këtyre pesë pikave të cilat ju i keni propozuar ne vetëm se i kemi bërë kështu që edhe ato tre pikat tjera zotohemi që do i përfundojmë deri në fund të mandatit, do e ndjekim rrugën ligjore, gjithçka që ka të bëjë me shkelje të ligjit ne nuk do e thyejmë ligjin, çdo vendim që është kundër qytetarëve ne nuk do e sjellim.” tha Besar Durmishi.

“Çdo iniciativë që është në përputhje me ligjin dhe e cila është në interes të qytetarëve ta përkrahim bashkërisht për të cilën unë zotohem. “ tha Bilall Kasami.

Pas kësaj, pika e rrëndit të ditës u vendos në votim dhe kaloi me 16 vota për, 14 të përmbajtur dhe asnjë kundër. Pas kalimit të kësaj pike, Durmishi morri funksionin e tij dhe u drejtua me këto fjalë:

“Uroj që nga sot të marrim vendime dhe të jemi të bashkuar në të mirë të qytetit tonë pasi që këtu jemi falë qytetarëve të cilët na e dhanë këtë mundësi që ne të jemi katër vite këtu. Rruga të cilën ne e nisim sot është rrugë plot sfida, bashkë me ju do të gjejmë zgjidhje për secilin problem, bashkë me ju do të sjellim vendime të mira për të gjithë qytetarët. Unë zotohem se do të jem në përpikshmëri dhe në përputhje me ligjin dhe dispozitat të cilat i ka rregullorja dhe statuti i këshillit komunal në nivel republikan dhe lokal.”

Në sallë të pranishëm ishin 30 këshilltarë, mungoi Pajtim Thaçi nga PDSH, i cili është tërhequr nga mandati i tij si këshilltar, kjo gjithashtu u pranua nga këshilli. Në vend të tij do të vijë Isniije Vejseli.

Çfarë thanë këshilltarët pas votimit të kryetarit të këshillit?

Blerim Osmani, bartës i listës së këshilltarve nga BDI tha se votuan sit ë përmbajtur, pasi siç tha ai “u pa një skenar i parapërgatitur”.

Visar Palloshi, këshilltar nga PDSH tha se votoi si i përmbajtur pasi nuk kishte propozim tjetër edhe nga partitë më të vogla që të shihnin se kush tjetër do të ishte kandidat i mundshëm.

Si të përmbajtur votuan edhe këshilltarët nga LSDM, Ilija Dimitrieski tha se në këshill do të votojnë për të gjitha punët që janë në të mire të qytetit.

Na “Më mire për Tetovën” Elmedina Abdullai tha se është e arsyeshme që kryetari i komunës dhe kryesuesi i këshillit për mbarëvajtjen e procesit të jenë nga e njëjta parti.

“Kjo nuk domethënë se vota do të jetë pro çdo propozimi të udhëheqsisë aktuale, ne do ta vlerësojmë çdo pikë veç e veç. Votuam sepse u zotuan se do ti përmbushin pikat që ne i propozuam, nuk ka asnjë marrëveshje jashtë këshillit, gjithçka do të bëhet në seancat e këshillit.” tha Abdullai.

Ndërkaq këshilltarët e Aleancës, VMRO-së dhe Alternativës nuk dhanë prononcim para gazetarëve pasi u larguan.

Në këtë seancë të parë të këshillit i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, Bilall Kasami i cili në fjalimin e tij tha se do të punojnë bashkërisht me këshilltarët dhe me të gjithë grupet e interesit me çdo qytetar të Komunës së Tetovës ka të bëjë për përmirësimin e jetës të përbashkët dhe ofrimin në kohë dhe kualitet të të gjitha shërbimeve të cilat ka komuna dhe institucionet përcjellëse.

“Në këtë drejtim që në seancën e parë janë përgjegjësit e sektorëve dhe drejtuesit e ndërmarrjeve me të cilët dhe nga të cilët ne do të kërkojmë raport dhe llogaridhënie permanente për punët të cilat janë në interes të qytetarëve dhe sigurisht do të kërkojmë në vazhdimësi të jenë në krye të detyrës. Ajo është edhe si përkushtim i joni ka të bëjë edhe me hapjen e institucionit të komunës për opinionin publik me të cilën ne sot mbajmë edhe seancën e parë të këshillit të hapur ku kemi një përcjellje të drejtpërdrejte të seancës.” tha Bilall Kasami.

Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë, prej të cilëve 10 janë nga BDI, tetë nga Lëvizja Besa, katër nga VMRO-DPMNE, tre nga koalicioni Aleanca- Alternativa, dy nga Më mirë për Tetovën, dy nga LSDM, dhe dy nga PDSH.

@tn.lajmelokale
@tetovanews