Ballina Aktualitet 45 trupat e pajetë, viktima të autobusit në Bullgari, mbërrijnë në Shkup...

45 trupat e pajetë, viktima të autobusit në Bullgari, mbërrijnë në Shkup (VIDEO)

Trupat e 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Bullgari mbërritën këtë paradite rreth aeroportin e Shkupit.

Procesi i identifikimit të tyre përfundoi një ditë më parë, ndërsa sot familjarët do të marrin trupat e pajetë nga aeroporti. Ata kanë refuzuar homazhet që ishin planifikuar të bëheshin në kryeqytetin maqedonas, me marshimin drejt sheshit “Skëndërbeu” dhe kanë kërkuar që t’i marrin menjëherë nga aeroporti viktimat.

Pjesë e ceremonisë janë zyrtarë të lartë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.

Në procesin shumëditor dhe të vështirë të identifikimit, duke përdorur metodën e ADN- së, morën pjesë specialistë dhe profesorë të Mjekësisë Ligjore nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Mes 45 të vdekurve janë 12 fëmijë.

Deri më sot nuk ka asnjë konstatim zyrtar se pse zjarri në autobusin në lëvizje u shkaktua dhe u përhap aq shpejt sa shumica dërrmuese e pasagjerëve vdiqën tragjikisht.

Hetimet paraprake për rastin e licencave dhe funksionimit të agjencisë turistike “Besa Trans”, kompania që kishte në pronësi autobusin që u shkrumbua nga flakët, po i kryen Prokuroria e Shkupit, pasi është konstatuar se automjeti ishte nisur për jashtë vendit i pakompletuar me dokumente.

Gjithashtu u bë e ditur se dy shoferët e punësuar për të drejtuar autobusin nuk ishin punonjës të përhershëm të “Besa Trans” dhe njëri nuk kishte patentë shoferi për linja ndërkombëtare.

Aksidenti i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 23.11.2021 në autostradën Struma në jugperëndim të Bullgarisë, në afërsi të qytetit të Pernikut. Autobusi me 52 pasagjerë ishte nisur nga Stambolli dhe po kthehej në Shkup. Viktimat dhe 7 personat e mbijetuar kishin qenë për një vizitë tre ditore në Stamboll dhe po ktheheshin prej andej.

https://youtu.be/HPnEa51PvFQ

https://youtu.be/NnaRU43j3nU

@tn.lajmelokale
@tetovanews