Ballina Aktualitet Kosovë Përfitoi 1 milion euro nga lejet për ndërtimin e vilave në Brezovicë,...

Përfitoi 1 milion euro nga lejet për ndërtimin e vilave në Brezovicë, arrestohet ish-kryetari i Shtërpcës

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se në aksionin “Brezovica” janë arrestuar 10 persona nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit. Mes të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, për të cilin Prokuroria po dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.

Për këtë rast janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se ky aksion është kryer në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e hetimeve të krimeve të rënda në Prishtinë, sot në orët e hershme të mëngjesit ka organizuar një operacion me ç’rast janë bastisur 11 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Gjatë bastisjes së këtyre lokacioneve janë sekuestruar si prova materiale para, armë, vetura, disa dokumentacione. Po ashtu është bastisur edhe dy zyre të Kuvendit Komunal të Shtërpcës, zyra e kadastrës dhe e urbanizmit. Në këtë rast janë ndalur me vendim të prokurorit të shtetit ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori aktual i urbanizmit, inspektorë komunalë, pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë për shkak të dyshimit për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes së ryshfetit”, tha ai, njofton KP.

Prokurori i rastit Rasim Maloku, tha se aksioni i sotëm ka qenë shumë i suksesshëm dhe janë sekuestruar një sasi e madhe e provave. Ai deklaroi se lidhur me këtë çështje penale askush nuk do të jetë i paprekur.

“Në këtë çështje hetimet kanë filluar qysh në vitin 2019 dhe është ngritur një aktakuzë ndaj 10 personave, e cila veç është në fazën e gjykimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kurse në vitin 2020 kemi filluar një hetim të ri edhe ndaj 10 personave, e pastaj e kemi zgjeruar edhe ndaj disa personave për veprat penale kryesisht të natyrës së korrupsionit, dhënie ryshfeti, keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrimi i ndikimit. Sot ka rezultuar me një aksion shumë të suksesshëm, janë sekuestruar një sasi bukur e madhe e provave. Për këtë çështje do të vazhdojmë edhe më tutje dhe askush nuk do të jetë i paprekur qoftë në këtë çështje apo edhe në çështje penale që do të jetë objekt i trajtimit nga Prokuroria”, tha ai.

Shefi i hetimeve të krimeve të rënda, Agron Haziri, tregoi se gjatë kontrollit janë sekuestruar para të gatshme në vlerë 61 mijë e 470 euro dhe prova të tjera materiale.

“Operacioni ka rezultuar me 10 persona të arrestuar dhe 12 lokacione të kontrolluara. Tetë persona nga personat e arrestuar janë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa dy persona janë nga rajoni i Prishtinës. Gjatë operacionit dhe kontrollit do të thotë janë sekuestruar prova dhe dëshmi materiale si në vijim, para të gatshme në vlerë prej 61 mijë e 470 euro, monedha në vlera të ndryshme si denarë maqedonas, dollarë, lekë shqiptarë, dinarë të Serbisë dhe franga zvicerane. Është sekuestruar një pushkë ajrore, katër pistoleta, dy pushkë gjuetie, 531 fishekë të kalibrave të ndryshe, tre karikatorë, dy gëzhoja, një palë pranga, 21 thika, tetë vetura të ndryshme në vlerë prej rreth 300 mijë euro, 13 telefona, nëntë laptop, pesë USB dhe katër hard diska, fletore dhe dokumente të ndryshme, 60 negativë të aparatit telefonik, si dhe janë sekuestruar aparate për prodhimin e kriptovalutave të cilat Dogana e Kosovës i ka sekuestruar”, tha ai.

Ai tha se të dyshuarit janë intervistuar nga Policia e Kosovës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Sa i përket vilave që dyshohet se janë ndërtuar pa leje në Brezovicë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se të gjitha ato vila që janë ndërtuar pa leje do të bëhet sekuestrimi i përkohshëm i tyre.

Sa i përket këtyre vilave, prokurori i rastit Rasim Maloku, tha se dyshohet që ish-kryetari i komunës së Shtërpcës ka marrë mbi 1 milion euro.

“Edhe pse jemi në fazën e hetimeve, megjithatë dyshimet tani për tani konsistojnë në vlera që kalojnë milionëshin, pra vetëm ish-kryetari i komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milion euro. Dyshohet që janë disa vila që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve… Është e vërtetë që dyshohet se ka vilat që janë fare pa leje, por shumica e vikend-shtëpizave që quhen janë të ndërtuara në kundërshtim me ligjet që e rregullojnë ndërtimin në parkun kombëtar Sharri, në këtë kontekst edhe në zonën e Brezovicës… Disa zyrtarë kanë marrë dhurata para për të ushtruar ndikim tek zyrtarët që kanë lëshuar leje për këto vikend-shtëpiza në zonën e Brezovicës”, tha ai.

Sa i përket aparaturave që janë sekuestruar për prodhimin e kriptovalutave, u tha se janë gjetur në një shtëpi dhe që pronari nuk ka ofruar dokumentacione që ato janë futur ligjshëm në Kosovë. Ai ka mohuar se ato janë gjetur në shtëpinë e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës. /abcnews.al/

@tn.lajmelokale
@tetovanews