Ballina Aktualitet Kultura LETËRSIA HEBRAIKE

LETËRSIA HEBRAIKE

Nga Xhelal Zejneli

Letërsia hebraike përbëhet prej shkrimeve të vjetra, mesjetare dhe moderne në gjuhën hebraike. Kjo është një prej formave parësore të letërsisë hebraike, edhe pse ka pasur raste kur letërsi në hebraishte kanë shkruar edhe persona që nuk kanë qenë hebrenj. Letërsia hebraike ka lindur në shumë pjesë të botës gjatë epokës mesjetare dhe asaj moderne, ndërsa letërsia bashkëkohore hebraike kryesisht mund të njëjtësohet me letërsinë izraelite

*   *   *

SHKRIMET E VJETRA HEBRAIKE Letërsia në gjuhën hebraike fillon me letërsinë gojoreLeshon Hakodeshit, të Gjuhës së shenjtë, nga kohët e lashta dhe me mësimet e Abrahamit, të parit nga patriarkët biblikë të Izraelit, rreth vitit 2000 para K. Vepra më e rëndësishme e letërsisë së moçme hebraike është Bibla hebraike Tanah.  

 

Shënim: Lashon Hakodesh/Leshon Hakodesh/L’eshon Hakodesh është nocion që i përshkruhet gjuhës hebraike, nganjëherë edhe përzierjes së hebraishtes dhe gjuhës arameike (aramaik) në të cilën janë shkruar tekstet dhe lutjet religjioze të tij dhe gjatë epokës mesjetare hebraike kanë shërbyer për qëllime religjioze. 

*   *   *

Mishna, e hartuar rreth vitit 200, paraqet kodifikimin parësor rabin të ligjeve të nxjerra nga Tora (Torah). Kjo vepër është shkruar në gjuhën hebraike mishan, ndërsa komenti kryesor i saj është gemara. Kryesisht është shkruar në gjuhën arameike. Shumë vepra të midrashit klasik janë shkruar në gjuhën hebraike. 

Shënim: Tora në hebraisht: thorah – mësim; emërtim nga hebraishtja e vjetër për “5 librat e Moisiut” – pjesë e Biblës; kokorrethi në të cilin është shkruar përmbledhja e pesë librave të parë të Biblës hebraike; Pentateuh ose Pesë librat; objekt i kultit religjioz te çifutët. 

*   *   *

LETËRSIA MESJETARE Gjatë periudhës së mesjetës, pjesa më e madhe e literaturës çifute dhe hebraike është shkruar në Afrikën veriore islamike, në Spanjë, në Palestinë dhe në Lindjen e Afërt. Shumë vepra të letërsisë filozofike mesjetare, si “Udhërrëfyes për të lajthiturit” dhe “Kuzari” të filozofit çifut Maimon si dhe shumë vepra beletristike, janë shkruar në gjuhën jude-arabe.

Shënim: Maimon (Moses ben Maimon, i njohur si Maimonides ose me akronimin Rambam) ka lindur në Kordobë të Spanjës më 1138, ka vdekur në Fustat të Egjiptit më 1204. Është varrosur në Izrael.

*   *   * 

Veprat e letërsisë rabine më së shpeshti janë shkruar në gjuhën hebraike, duke përfshirë: Komentet e TorasAbraham ibn Ezra, të Shlomo Jixhak i njohur si Rashi dhe të tjerëve; kodifikimet e ligjit judeik, siç janë “Mishnet e Toras”, “Arba’ah të Turim-it” dhe “Shulhan aruh” Maimon-it; dhe veprat e letërsisë musar (literaturë etike didaktike) siç është “Hovot ha-Levavot” (Detyrat e zemrës) të filozofit dhe rabinit çifut Bahja ibn Pakuda (Bahya ibn Paquda / Bachja ben Josef ibn Pakuda, 1050-1120; jetoi në Saragozë të Spanjës).

Shënim. Abraham ben Meir ibn Ezra është filozof çifut i mesjetës, një ndër komentuesit më të njohur biblik. Lindi në Tudela të Spanjës më 1089/1092, vdiq më 1164/1167 në Calahorra të Spanjës. 

Shlomo Jixhak (Shlomo Yitzchaki i njohur si Rashi) është rabin çifut i mesjetës, lindi më 1040 në Troyes të Francës, vdiq më 1105 po aty. Është komentues i Talmundit.   

*   *   *

Një prej veprave beletristike e shkruar në hebraishte ka qenë “Mishle Shualin” (Fabulat e dhelprës) e shkrimtarit etik, poetit, filozofit çifut Berehiah ben Natronai ha-Nakdan (Berchiah ben Natronai Krespia ha-Nakdan). Lindi në Francë, jetoi në shekujt XII-XIII. Jetoi në Normandi, një kohë të gjatë jetoi në Angli. Fabulat hebraike të tij u ngjajnë fabulave të fabulistit antik grek Ezop (midis viteve Delfi, 620-564 para K.; dyshohet se nuk ka vdekur natyrshëm; supozohet të jetë i vrarë). 

Shumë vepra të poezisë mesjetare çifute janë shkruar në gjuhën hebraike, duke përfshirë  

 pijutim-in liturgjik në Palestinë në shekullin e shtatë dhe të tetë, me kontributet e Jose ben Jose, Janaj dhe Eleazar Kalir. Këto poema iu shtuan liturgjisë në gjuhën hebraike. Kjo liturgji është kompiluar në formë libri si sidar në saje të disa rabinëve. Midis tyre janë Amram Gaon dhe Sadja Gaon. Poetët e mëvonshëm spanjollë, provansalë dhe italianë kanë shkruar edhe poezi fetare edhe poezi laike. Poeë të njohur kanë qenë Solomon ibn Gabirol Avicebron, J’huda Halevi dhe J’huda el-Harizi. Shumica kanë përkthyer edhe literaturën çifute rabinë dhe laike, nga gjuha arabe në gjuhën hebraike. 

Për periudhën mesjetare kemi vetëm një poezi hebraike të shkruar nga një grua, e cila për shekuj me radhë është e para dhe e fundit. E ka shkruar gruaja e Dunash ben Labrat. Në poezi shpreh dhimbjen për vajtjen e Dunashit në egzil. 

Shënim: Jose ben Jose ka jetuar në Palestinë midis shekujve IV dhe V. Ka vdekur në vitin 400. Një pjesë e poezive të tij janë ruajtur në lutjet bashkëkohore ashkenaze.

Eleazar Kalir (Eleazar ben Kalir ose Eleazar HaKalir ose Eleazar ben Killir); Lindi në vitin 570, vdiq në vitin 640. Është judë i Bizantit dhe poet hebraik, vargjet liturgjike klasike të të cilit, të njohura si pijut, u kënduan ndër shekuj gjatë shërbimeve fetare të rëndësishme.  

Amram Gaon (Sura, 810-875); ka qenë gaon i njohur apo shef i Akademisë Hebraike Talmind në Sura, në shekulli IX. Ka qenë i pari që ka organizuar tërë liturgjinë në sinagogë.

Saadia Gaon (Saadia ben Jozef Gaon); Lindi në Faiyum në vitin 882; Vdiq në Bagdad, Irak, në vitin 942. Ka qenë rabin i njohur, gaon, filozof dhe egzeget judë (jewish). Ka qenë figura e parë e rëndësishme që ka shkruar në gjuhën jude-arabe.

Jusah Halevi (Jehuda ha-Levi), lindi nëTudela, Al-Andalus, Spanjë, në vitin 1075. Vdiq në Jerusalem në vitin 1141. Është poet dhe filozof judë (jewish)-spanjoll.  

Jehudah Alharizi (Yehuda al-Harizi ose Juda ben Solomon Harizi apo al-Harizi); Lindi në Toledo të Spanjës në vitin 1165/1170. Vdiq në Alepo të Sirisë në vitin 1225/1235. Ka qenë rabin, poet judë/jewish i mesjetës, aktiv në Spanjë.

Dunash ben Labrat (Dunash ben ha-Levi ben Labrat); Lindi në Fes të Marokut në vitin 920. Vdiq në Kordobë të Spanjës në vitin 990. Ka qenë komentues mesjetar, poet dhe gramatikan hebraik i Epokës së artë të kulturës jude në Spanjë.

Shënim: Ashkenaz – (sipas Askenas është quajtur një popull aziatik në Armeni). Çifut polak ose gjerman; 

Sefard –  çifut me prejardhje nga Spanja; supozohet se emri rrjedh nga një rajon në Spanjë.   

*   *   *

EPOKA MODERNE – Përpos shkrimit të literaturës rabinë tradicionale në gjuhën hebraike, çifutët modernë zhvilluan edhe forma të reja të beletristikës, të poezisë dhe të eseve që quhen “Letërsia hebraike moderne”

*  *   *

SHEKULLI XVIII – Deri në fillim të shekullit XVIII, në letërsinë hebraike ende mbizotërojnë autorët sefard, shpesh duke shkruar në gjuhën jude-arabe. Drama alegorike e Moshe Haim Luzat-it “La-Jesharim Tehilah” (1743) mund të konsiderohet produkt i parë i letërsisë hebraike moderne. Ajo është quajtur “poezi e cila për nga përsosmëria klasike e stilit renditet në vendin e dytë pas Biblës”. Nxënësi i Luzatit në Amsterdam, David Franko Mendes (1713-1792), në imitimet e veta të dramaturgut francez të epokës së klasicizmit Zhan Rasin (Jean-Baptist Racine, 163901699) “Zhemu” (Athalie) dhe “Metastazia” (Jehudit), e vazhdoi veprën e mjeshtrit, edhe pse veprat e tij nuk respektohen sa ato të Luzatit.

Më vonë në shekullin XVIII, lëvizja Haskalah (iluminizmi hebraik) punoi në realizimin e emancipimit politik të hebrenjve në Evropë, ndërsa hebrenjtë e Evropës dalëngadalë filluan të prodhojnë më shumë literaturë sipas shembullit të autorëve çifutë të hershëm të Lindjes së Afërt. 

Përkthimi i Biblës hebraike në gjermanisht, i Mozes Mendelsonit e nxiti interesimin për gjuhën hebraike, gjë që solli themelimin e recensioneve tremujore të shkruara në hebraisht. Pasuan botime të tjera periodike. Poezia e poetit Naftali Hirc Veseli, siç janë “Shire Tiferet” ose “Mosiade” e bëri Veselin, pothuajse laureat poetik të asaj kohe.

Shënim: Moshe Haim Luzat (Moshe Chaim Luzzatto, Padovë, Itali, 1707 – Ako, Izrael, 1746), i njohur me shkurtesën hebraike RaMCHaL; Ka qenë rabin i njohur, kabalist dhe filozof çifut-italian;

Mozes Mendelson (Mosses Mendelssohn, Dessau, 1729 – Berlin, 1786) filozof çifut-gjerman;

Naftali Hirc Veseli (Naphtal Hirz Wessely, Hamburg, 1725 – Hamburg, 1805), poet, hebraist dhe edukator çifut-gjerman i shekullit XVIII;   

*   *   *

SHEKULLI XIX – Në Galicinë e shekullit XIX, poetë, dijetarë dhe shkrimtarë të popullarizuar që kontribuuan në përhapjen e hebraishtes dhe në emancipimin e çifutëve ishin:, shkrimtari dhe iluministi, i cili në vitin 1819 botoi të parin roman hebraik “Zbuluesi i fshehtësive” Jozef Perl (1773-1839); filozofi, teologu dhe historiani Nahman Krohmal (1785-1840); rabini, poeti dhe biografi Solomon Juda Lob Rapoport (1790-1867); poeti satirik, Isak Erter (1792-1841), përmbledhja me ese e të cilit “Ha-Cofeh le-Bet Jisrael” është një prej veprave më të pastra të letërsisë hebraike moderne, që me stilin energjik dhe klasik sulmon supersticiozitetin (besëtytninë) dhe paragjykimet haside; poeti lirik, i njohur edhe për përshtatjen në hebraisht të “Faustit” të shkrimtarit gjerman Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832), Meir Halevi Leteris (1800-1871). Në shekullin XIX u paraqit në Amsterdam qerthulli i artistëve letrarë në gjuhën çifute, siç është  poeti Samjuel Molder (1789-1862) etj. Në shekullin XIX, qendër aktive e lëvizjes Haskalah u bë Praga. Në mesin e shkrimtarëve të atjeshëm më i njohur ka qenë Jehudah Loeb Jeiteles (1773-1838), autor i epigrameve plot shpirt “Bene ha-Ne’urim” dhe i veprave të orientuara kundër hasidizmit  dhe kundër besëtytnive. 

Në Hungari, autorë në gjuhën hebraike kanë qenë Solomon Levison nga Mura (1789-1822), autor i „Melicat Jeshurun“; poeti Gabriel Sedfeld, baba i Maks Nordau-t; dhe poeti Saimon Baher. Autor çifut i rëndësishëm i shekullit XIX në Rumani ka qenë mjeku dhe shkrimtari Julius Barash

Shënim. Maks Simon Nordau (Simon Maxmillian Südfeld; Budapest, 1849 – Paris, 1923); udhëheqës cionist, mjek, shkrimtar dhe kritik social; bashkë me Teodor Hercl themeloi Organizatën cioniste; kryetar apo nënkryetar i disa kongreseve cioniste; Maks Nordau është bir i poetit çifut Gabriel Südfeld;

Teodor Hercl (Theodor Herzl, Budapest, 1860 – Edlah, 1904), gazetar austro-hungarez me prejardhje çifute, shkrimtar, dramaturg, veprimtar politik, baba i cionizmit politik modern; Me të lindi shteti modern – Izraeli.    

*  *   *

SHEKULLI XX – Në fillim të shekullit XX u intensifikua popullimi cionist i Palestinës. Hebraishtja tani u bë gjuhë e përbashkët e bashkësive të ndryshme të imigrantëve çifutë, bashkë me hebrenjtë burimorë palestinezë të Jishu-s së Vjetër, të cilët i vazhduan traditat letrare të shkrimtarëve të mëhershëm sefard dhe arabo-hebraik siç janë për shembull Maimonedes (Moshe ibn  Maimon) dhe el-Harizi. Eliezer Ben-Jehuda punoi veçanti që gjuhën hebraike t’ua përshtatë nevojave të botës bashkëkohore, duke iu kthyer burimeve hebraike të të gjitha periudhave dhe viseve, për të zhvilluar gjuhën që e ka kapërcyer të shenjtën dhe poetiken dhe që është e aftë për ta artikuluar përvojën bashkëkohore. 

Me zhvillimin e lëvizjes cioniste midis çifutëve në Evropë, çifutët ashkenazë e pranuan letërsinë hebraike dhe për herë të parë filluan të mbizotërojnë në të. 

Bazat e shkrimit apo të alfabetit modern izraelit i vuri grupi i pionierëve letrarë nga Alia i Dytë, duke përfshirë shkrimtarët Shmuel Josif Agnon, Mosha Smilanski, Jozef Haim Brener, Dejvid Shaimon dhe Jakob Fihman

Haim Nahman Bjalik (1873-1934) ka qenë një nga pionierët e poetëve hebraikë modernë dhe u dallua si poet kombëtar i Izraelit. Bjalik-u kontribuoi dukshëm në gjallërimin e gjuhës hebraike, e cila para tij ka ekzistuar kryesisht si gjuhë e vjetër shkencore apo poetike. Bjalik-u, sikundër edhe figurat e tjera letrare të mëdha të fillimit të shekullit XX, siç janë Ahad Ha-Am dhe Çernihovski, vitet e tij të fundit i kaloi në Tel Aviv dhe ushtroi ndikim të madh mbi shkrimtarët hebraikë të rinj. Ndikimi i veprës së tij mbi literaturën hebraike bashkëkohore është evidente. 

Krahas kësaj, një numër shkrimtarësh palestinezë dhe levantinë çifutë ka qenë nën ndikimin e rigjallërimit të letërsisë hebraike dhe për t’i shkruar veprat e tyre e përvetësuan hebraishten.     

Shënim: Shmuel Jozef Agnon (Shmuel Yosef Agnon, Buçaç, Ukrainë, 1888 – Jerusalem, 1970) është shkrimtar izraelit, një nga figurat qendrore të fantastikës hebraike moderne. Në hebraisht njihet me akronimin Shai Agnon. Më vonë jetoi në Palestinë dhe në Gjermani. prej viti 1924 përgjithmonë u vendos në Jerusalem. Në vitin 1966 mori çmimin “Nobel” për letërsi për romanet dhe tregimet e shkurtra që shfrytëzojnë lidhjen e përbashkët të Biblës, Talmundit dhe të hebraishtes moderne. Është i pari shkrimtar hebraik që e ka marrë këtë çmim. 

Moshe Smilanski (Kiev, 1874 – Tel Aviv, 1953) shkrimtar hebraik, është pionier i Aliah-ut të Parë, udhëheqës cionist, u angazhua për bashkëjetesë paqësore me arabët në Palestinë (Mandatory Palestine);

Josef Haim Brener (Yosef Haim Brenner) lindi në Rusi në një familje çifute, shkroi në gjuhën hebraike, një nga pionierët e letërsisë hebraike moderne;

Dejvid Shaimon, shkrimtar çifut;

Jakob Fihman (Jacob Fishman) është shkrimtar hebraik-amerikan. Lindi në Poloni në vitin 1878. Në vitin 1890 emigroi në Amerikë. Vdiq më 21 dhjetor 1946 nga një sulm në zemër, në një spital të Bazelit në Zvicër, ku merrte pjesë në Kongresin Botëror të Hebrenjve. U varros në janar të vitit 1947 në Mount of Olives të Palestinës;

Ahada Ha-Am (Asher Zvi Hirsh Ginsberg ose Ha’Am) shkrimtar dhe eseist çifut, figurë letrare qendrore. Lindi në Skuyra të Ukrainës në vitin 1856. Vdiq në Tel Aviv më 1927.  Lindi Skuyra të Ukrainës në vitin 1856. Vdiq në Tel Aviv më 1927. Është një prej mendimtarëve cionist më të dalluar. Njihet si themelues i cionizmit kulturor. Me vizionin e vet shekullar të cionizmit spiritual kulturor erdhi në kundërshti me babanë e cionizmit politik modern, Teodor Hercl (1860-1904);

Shaul Çernihovski (Shaul Tchernichovsky ose Saul Gutmanoviç Çerniçovski), lindi në Ukrainë në vitin 1875. Vdiq në Jerusalem më 1943. Konsiderohet si një nga poetët më të mëdhenj hebraikë;

J’huda Burla (Yehuda Burla ose Jehuda Burla), është romancier izraelit. Lindi në Jerusalem në vitin 1886, vdiq në Tel Aviv më 1969. 

*   *   *

Për dallim nga përvojat e pionierëve siç ishte Bialik-u, të cilët ishin ashkenazë të ardhur nga Evropa, shkrimtarët hebraikë levantinë u formuan sipas traditave letrare arabe, kështu që në shkrimet e veta kanë përfshirë shumë tema dhe elemente gjuhësore arabe, sefarde dhe tema popullore palestineze. Romancieri J’huda Burla, i lindur në Jerusalem, shërbeu në ushtrinë osmane, ndërsa më vonë ligjëroi gjuhën hebraike dhe arabe në Damask. Në vitin 1961 mori Çmimin izraelit për letërsi. Në mënyrë të natyrshme dhe të freskët shkruan për jetën e hebrenjve të Lindjes apo të hebrenjve sefardë. Romani “Pa yll” (B’li kohav) është një rrëfim romantik nga shkretëtira, ndërsa “Luna” flet për vashën sefard të cilën e shfrytëzon një i moshuar i ardhur nga Buhara. Romancieri Jicak Shami (Jitzhaq Shami, Hebron, 1888 – Haifa, Izrael, 1949) është shkrimtar hebraik palestinez dhe shkrimtar izraelit. Ka shkruar hebraisht dhe arabisht. Është hebre i Palestinës, me prejardhje nga Hebroni. Vepra e tij – e shkruar nga perspektiva e hebrenjve që flasin arabisht si dhe nga perspektiva e palestinezëve myslimanë – ka përfshirë tema të ndryshme në gjuhën arabe, sefard dhe të rajonit të Lindjes së Afërt. Një prej shkrimtarëve më të hershëm të letërsisë hebraike moderne në Palestinë. Duke marrë parasysh faktin se shkrimet e tij njihen edhe si letërsi palestineze, Shami zë një vend unik në letërsinë hebraike. Në vitin 2004, Shoqëria Akademike Palestineze e njohu Shamin si një prej shkrimtarëve palestinezë të shquar.

Në vitin 1966, Shmuel Josef-Shaj Agnon (1888-1970) e mori çmimin “Nobel” për letërsi për romanet dhe për tregimet e shkurtra që shfrytëzojnë lidhjen unike të Biblës, të Talmundit dhe të hebraishtes moderne. Vepra letrare voluminoze e Agnonit, e bazuar në legjendën e hasidit, përshkruan jetën e bashkësive çifute në Galici, në Gjermani dhe në Izrael. Romanet e tij “Tregim i thjeshtë” (Sipur pashut), “Dje, pardje” (Tmol, shishom) dhe “Mysafiri erdhi për t’u prehur” (Oreah nata lalun) janë përkthyer në shumë gjuhë. Përkthyesit letrarë në hebraishte bashkëkohore, më e rëndësishmja ndër të cilët është Lea Goldberg, nëpërmjet përkthimit kanë dhënë një ndihmesë të madhe për letërsinë izraelite-hebraike, duke sjellë në rrethet hebraike letërsinë ndërkombëtare dhe figurat letrare ndërkombëtare. Edhe vetë Goldbergu ka qenë e pikasur si një shkrimtare frytdhënëse dhe si pioniere e letërsisë izraelite për fëmijë.  

Shënim: Lea Goldberg (Leah Goldberg, Königsberg/Kalining, 1911 – Jerusalem, 1970) poete, prozatore, dramaturge, përkthyese letrare dhe studiuese e letërsisë krahasuese ruso-izraelite; shkroi në gjuhën hebraike; shkrimet e saj konsiderohen klasikë e letërsisë izraelite.

*   *   *

PERIUDHA BASHKËKOHORE Brezi i ri i shkrimtarëve hebraikë u paraqit me themelimin e shtetit të Izraelit në vitin 1948. Në këtë brez të ri kanë hyrë romancierët: Aharon Meged, Nathan Shaham dhe Moshe Shamir. Pasojnë poetët J’huda Amihaj, Amir Gilboa, dhe Haim Gouri

Romanet e Amos Oz “Mikaeli im” (1968) dhe “Kutia e zezë” (1987) dhe të Avram Jehoshua “Dashnori” (1977) dhe “Zotëri Mani”(1990) pasqyrojnë jetën në shtetin e ri. Këto vepra merren edhe me temat siç janë konflikti midis prindërve dhe fëmijëve dhe flakja e disa idealeve të shenjta të hebraizmit dhe të cionizmit. Kah fundi i shekullit XX, shumë shkrimtarë hebraikë u morën me holokaustin, me çështjet e femrës dhe me konfliktin midis izraelitëve dhe arabëve

Temë tjetër ka qenë tensioni midis çifutëve me prejardhje evropiane (ashkenazëve) dhe hebrenjve me prejardhje nga Lindja e Afërt dhe nga Mesdheu (mizrah-ëve dhe sefard-ëve).

Në vitin 1986, autori palestinezo-izraelit Anton Shamas botoi romanin hebraik “Arabeskat” që  shënoi kthesë, për arsye se bëhet fjalë për veprën e parë të madhe të letërsisë hebraike të shkruar nga një izraelit i cili nuk është hebre. Romani Shamasit është përkthyer në një varg gjuhësh të huaja.

Shënim: Aharon Meged (Aharon Megged, Poloni, 1920 – Tel Aviv, 2016), shkrimtar dhe dramaturg izraelit; 

Nathan Shaham (Tel Aviv, 1925 – Beit Alfa, Izrael, 2018), sjkrimtar izraelit;  

Moshe Shamir (Safed, Izrael, 1921 – Rishon Recion, Izrael, 2004), shkrimtar izraelit; 

 J’huda Amihaj (Jehuda Amichai, Vircburg, Gjermani, 1924 – Izrael, 2000), poet dhe prozator izraelit; njëri nga të parët që shkroi në të folmen hebraike në kohët moderne;  

Amir Gilboa (Ukrainë, 1917 – Petah Tikva, Izrael, 1984), poet izraelit;

Haim Gouri (Tel Aviv, 1923 – Jerusalem, 2018), poet, romancier, gazetar izraelit, konsiderohet si një prej poetëve më të mëdhenj të vendit;

Amos Oz (Jerusalem, 1939 – Tel Aviv, 2018) shkrimtar dhe gazetar izraelit, profesor i letërsisë hebraike në Universitetin “Ben-Gurion” në Negev të Izraelit. Prej viti 1967 ka mbështetur idenë që konflikti izraelito-palestinez të zgjidhet sipas parimit dy shtete. Është shpërblyer me çmimet Friedenspreis des Deutschen Buchhandels, Legjioni i Nderit (Legion of Honour) në Francë, me Çmimin e Izraelit, me Çmimin Gëte, me çmimin Pribce of Asturias Award in Literature, me çmimin Heinrich Haine dhe me çmimin Franc Kafka. 

 Avram Jehoshua (Avraham B. Yehoshua, Jerusalem, Mandatory Palestine, 1936 – ), romancier, eseist, dramaturg izraelit; me prejardhje nga një familje sefard; The New Jork Times e ka quajtur “Fokneri i Izraelit”; 

Anton Shamas (Anton Shammas, Fassuta, Izrael, 1950 – ), prozator dhe poet palestinez;  përkthen në gjuhët arabe, hebraike dhe angleze.

*   *   *

Ndër shkrimtarë hebraikë modern bëjnë pjesë Ruth Almog, Aharon Appelfeld, David Grossman, Amalia Kahana-Carmon, Etgar Keret, Savion Liebrecht, Sami Michael, Jakov Shabtai, Meir Shalev dhe Zeruia Shalev.    

Shënim: Ruth Almog (Petah Tikva, Izrael, 1936 – ), romancierë izraelite, Mandate Palestine; në vitin 1933, prindërit e saj imigruan prej Hamburgu;    

Aharon Apelfeld (Aharon Appelfeld, Bukovina, Rumani, 1932 – Petah Tikva, Izrael, 2018), është romancier izraelit; përjetoi holokaustin 

David Grosman (David Grossman, Jerusalem, 1954 – ), shkrimtar izraelit, i përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës;   

Amalia Kahana-Carmon (Ein Harod, Izrael, 1926 – Tel Aviv, 2019), shkrimtare dhe kritik letrar izraelit; 

Etgar Keret (Ramat Gan, Izrael, 1967 – ), shkrimtar izraelit; 

Savion Libreht (Savyion Liebrecht, e lindur si Sabine Sosnovski, në Munih të Gjermanisë, në vitin 1948); është shkrimtare izraelite. Prindërit e saj përjetuan holokaustin në Poloni. Është më e madhja prej tre fëmijëve të familjes. Emigroi në Izrael në vitin 1950, kur ishte dy vjeçe. Një vit studioi në Londër gazetarinë. Diplomoi në Universitetin e Tel Avivit; 

Sami Michael (Bagdad, Irak, 1926 – ), shkrimtar izraelit. Në moshën 23-vjeçare, nga Iraku emigroi në Izrael. Ishte ndër të parët në Izrael që bëri thirrje për themelimin e shtetit të pavarur të Palestinës që do të ekzistonte bashkë me Izraelin

Jakov Shabtai (Yaakov Shabtai, Tel Aviv, Mandate Palestine, 1934 – 1981), shkrimtar izraelit. I vëllai Aharon Shabtai është poet dhe përkthyes greqishtja e vjetër; 

Meir Shalev (Nahalal, Izrael, 1948 – ), shkrimtar izraelit; kolumnist i gazetës “Yedioth Ahronoth”. Është përkthyer në 26 gjuhë të botës;       

Zeruia Shalev (Zeruya Shalev, Kvutzat Kinneret ose Kibbutz Kinneret, 1959 – ), shkrimtare izraelite. Veprat e saj janë bestseller 

*   *   *

Shkrimtarë izraelitë bashkëkohorë, veprat e të cilëve janë përkthyer në gjuhë të tjera dhe që kanë arritur afirimi ndërkombëtar janë Efraim Kishon, Jakov Shabtai, Avram Jehoshua, Amos Oz, Irit Linur, Etgar Keret dhe Jehoshua Sobol. 

Shënim: Efraim Kishon (Ephraim Kishon, Budapest, Hungari, 1924 – Distrikti Appenzell, Zvicër, 2005), është shkrimtar, dramaturg dhe skenarist izraelit; regjisor filmi i nominuar për Oskar. Ka qenë një prej satirikëve bashkëkohorë më të lexuar në botë

 Irit Linur (Tel Aviv, 1961 – ), shkrimtare izraelite; shkruan kollumna satirike;

 Jehoshua Sobol (Yehoshua ose Yoshua Sobol, Tel Mondo, 1939 – ), shkrimtar izraelit. Studioi në Sorbonë, Paris. Diplomoi në filozofi. Në vitin 1922, fanilja e së ëmsë përjetoi pogromin në Evropë, ndërsa familja e babait, për t’i shpëtuar antisemitizmit, imigroi nga Polonia. 

*   *   *

Poetë hebraikë janë David Avidan, Maja Bejerano, Erez Biton, Dan Pagis, Dalia Ravikoviq, Ronni Someck, Meir Vieseltier dhe Jona Vallach.

Shënim: David Avidan (Tel Aviv, 1934 – Tel Aviv, 1995), poet, piktor, dramaturg dhe publicist izraelit; u angazhua edhe në film. Ka botuar 20 libra me poezi në gjuhën hebraike; 

Maja Bejerano (Maya Bejerano, Elion, Izrael, 1949- ), poete izraelite, studioi letërsinë dhe filozofinë; disa herë ka marrë çmime në Izrael, për krijimtari letrare;   

Erez Biton (Oran, Algjer, 1942 – ), poet izraelit, i lindur në Algjer, me prejardhje marokene;

Dan Pagis (Bukovina, Rumani, 1930 – Jerusalem, 1986), poet izraelit. Ka mbijetuar holokaustin;  

Dalia Ravikoviq (Dahlia Ravikovitch, Ramat Gan, Izrael, 1936 – Tel Aviv, 2005), poete izraelite, përkthyese dhe veprimtare për paqe;  

Roni Somek (Ronny Someck, Bagdad, Irak, 1951 – ) poet dhe prozator izraelit;  

Meir Vieseltier (Moskë, Rusi, 1941 – ), poet dhe përkthyes izraelit;    

Jona Vallah (Yona Vallach, Kiryat Ono, Izrael, 1944 – Kiryat Ono, Izrael, 1985), poete izraelite. 

*   *   *

Në vitet ’90 të shekullit XX në hebraishte janë botuar mijëra linra të ri, si përkthime nga gjuhët e tjera, ashtu edhe vepra origjinale të autorëve izraelitë.     

@tn.lajmelokale
@tetovanews