“Një valë e gjerë mobilizimi këtë vjeshtë.” Njoftimi, i publikuar të martën nga Volodymyr Zelensky në rrjetin Telegram, nuk ka të bëjë me ushtrinë e tij, por me atë të Rusisë.
Duke u mbështetur në një raport të shefit të inteligjencës ukrainase, Oleh Ivashchenko, presidenti ukrainas pretendon se më shumë se 100.000 ushtarë të tjerë do ta përforcojnë ushtrinë ruse deri në fund të këtij viti dhe afërsisht po aq gjatë vitit të ardhshëm.
“Gjithçka është konfirmuar nga dokumente të brendshme ruse”, saktësoi Zelensky.
Këto pretendime nuk mund të verifikohen menjëherë, ndërkohë që presidenti ukrainas ka folur edhe më parë për një mobilizim të ri rus, pa u konkretizuar ai më pas.
Koha e paralajmërimit nuk është e rastësishme, pasi zgjedhjet parlamentare në Rusi do të mbahen në shtator. Duma, e cila kontrollohet gjerësisht nga anëtarët e Rusisë së Bashkuar – partia e Vladimir Putinit – nuk pritet të përjetojë ndonjë ndryshim të madh, duke pasur parasysh se opozita është vënë nën kontroll të rreptë në vend.
Të hënën, Gjykata Supreme ia ndaloi Yablokos, partisë së vetme kundër luftës, paraqitjen e kandidatëve në zgjedhje. Në të njëjtën kohë, institucioni i dha dritën jeshile partisë nacionaliste Rodina.
Në shenjë reagimi, qindra qytetarë protestuan përpara ndërtesës së gjykatës. Në deklaratën e tij, presidenti ukrainas vlerëson se këto zgjedhje janë pjesë e strategjisë ruse të mobilizimit.
Në të vërtetë, “plani i Putinit nuk është veçanërisht i ndërlikuar”, deklaron më tej Volodymyr Zelensky.
Sipas tij, heshtja e zërave kundërshtues i shërben narrativës së presidentit rus, sipas së cilës rusët janë prekur shumë pak nga lufta dhe janë në favor të vazhdimit të luftimeve.
Megjithatë, ky mobilizim po kryhet në mënyrë të heshtur dhe inteligjenca ukrainase e konsideron të mundshme që ai të mos shpallet zyrtarisht përpara vjeshtës.
“Kjo çështje nuk duhet të vendoset fare në tryezë, që të mos shqetësohet pa nevojë popullsia”, deklaroi të hënën për mediat shtetërore ruse deputeti i Dumës dhe gjenerallejtënanti rezervist Andrei Gurulyov.
Trysni ndaj punëdhënësve dhe rajoneve
Për t’i arritur objektivat e saj të mobilizimit, ushtria ruse mbështetet në një sistem tashmë të konsoliduar.
Në një prononcim për Euronews-in, studiuesi gjerman Janis Kluge, specialist i sigurisë ndërkombëtare, shpjegon se “qeveria federale cakton për çdo rajon një kuotë rekrutimi, të cilën autoritetet rajonale janë të detyruara ta përmbushin”.
Këto kuota më pas kalojnë në nivelin e distrikteve dhe, në vijim, te komunat ose ndërmarrjet, të cilave u takon përgjegjësia për ta gjetur ose bindur numrin e kërkuar të burrave.
Për të nxitur nënshkrimin e kontratave, është vendosur një sistem shpërblimesh financiare, jo vetëm për ata që angazhohen në ushtri, por edhe për rekrutuesit e tyre.
Sërish sipas Euronews-it, disa vëzhgues konstatuan muajin e kaluar publikimin e 2.500 vendeve të punës në ushtri në platformën HeadHunter, një numër jashtëzakonisht i lartë.
Çështja kryesore që lidhet me rekrutimin e ushtarëve është jetëgjatësia e tyre në front. Sipas të dhënave nga burime të hapura, të konfirmuara nga inteligjenca amerikane, rekrutët rusë mbijetojnë mesatarisht vetëm 20 deri në 35 minuta përpara se të vriten gjatë një beteje.
Për këtë arsye, Rusia po përpiqet të rekrutojë jashtë kufijve të saj. Burra, të cilëve u premtohet një punë civile me pagesë të mirë, rekrutohen në mënyrë të paligjshme, për shembull, nga vendet e Amerikës së Jugut.
Një kontingjent i madh koreano-verior
Megjithatë, një vend është veçanërisht i përfaqësuar: Koreja e Veriut, prania e ushtarëve të së cilës në luftimet përkrah Rusisë është dokumentuar që nga fundi i vitit 2024.
Më 29 korrik, Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia po përgatitej të pranonte edhe 30.000 ushtarë të tjerë koreano-veriorë, si dhe raketa balistike.
Në këmbim, Rusia i ofron Koresë së Veriut mbështetje financiare dhe teknologjike. Ky bashkëpunim nuk është aspak jozyrtar: në qershor të vitit 2024, të dyja vendet nënshkruan një pakt që parashikon “ndihmë ushtarake pa vonesë”, nëse njëri prej tyre sulmohet.
Në përgjigje të këtij mobilizimi të paralajmëruar, Volodymyr Zelensky deklaroi se u ka “ngarkuar detyra të përcaktuara qartë” drejtuesve të inteligjencës ukrainase.
Megjithatë, ai nuk dha hollësi të mëtejshme se çfarë përfshijnë këto kundërmasa./L’Express.fr















