Ballina Bota SHBA-ja kundër Kinës, Izraeli, Evropa: Si do ta përmbysë demografia rendin botëror...

SHBA-ja kundër Kinës, Izraeli, Evropa: Si do ta përmbysë demografia rendin botëror deri në vitin 2050

Demografia do të luajë një rol kyç në zhvillimet gjeopolitike të shekullit XXI. Me ndihmën e specialistëve të shquar, L’Express shpjegon se si Lindja e Mesme, Evropa dhe madje gara për udhëheqjen botërore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të përmbysen deri në vitin 2050 nga dinamika shumë të ndryshme të lindshmërisë dhe emigracionit, në varësi të shoqërive.

Shtetet e Bashkuara–Kinë: avantazhi amerikan

Është “ndeshja e shekullit”. Cila prej tyre, Shtetet e Bashkuara apo Kina, do të jetë fuqia e parë botërore në vitin 2050? Një gjë është e sigurt: lindjet dhe migracioni do të jenë të paktën po aq të rëndësishëm sa inteligjenca artificiale.

Sipas parashikimeve, popullsia e Shteteve të Bashkuara, aktualisht rreth 350 milionë banorë, do të vazhdojë të rritet lehtësisht. Ndërkohë, Kina është në rënie demografike që nga viti 2022. Parashikimet flasin për një zvogëlim nga 1,4 miliardë në më pak se 1,3 miliardë banorë në vitin 2050. Sipas Kombeve të Bashkuara, popullsia e saj mund të bjerë në më pak se 650 milionë banorë deri në fund të shekullit, që do të nënkuptonte një përgjysmim të saj.

Është tunduese që përgjegjësia për këtë t’i atribuohet politikës së tmerrshme të një fëmije, të vendosur pas vdekjes së Mao Ce Dunit. Në të vërtetë, Kina ka ndjekur prirjet e vendeve të tjera aziatike fqinje. Shkalla e lindshmërisë madje ra edhe më shumë pas braktisjes zyrtare të kësaj politike në vitin 2015, duke zbritur nga 1,7 në 1 fëmijë për grua.

“Politika demografike kineze ka luhatur ndërmjet marrëzisë dhe absurditetit gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit”, sulmon Nicholas Eberstadt, studiues në Institutin Amerikan të Sipërmarrjes.

Publicitet

“Kur regjimi deshi të bënte të kundërtën e politikës së tij krejtësisht çnjerëzore të një fëmije, mendoi se do të mjaftonte rritja e kuotave të lindjeve, duke e trajtuar popullin si një tufë. Por ndodhi e kundërta. Rënia e lindshmërisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit përbën një votë mosbesimi ndaj diktaturës.”

Që nga viti 2021, Partia Komuniste Kineze mbron modelin e familjes me tre fëmijë. Xi Jinping promovon një politikë konservatore për nxitjen e lindjeve, duke i përjashtuar gratë nga nivelet më të larta të pushtetit dhe duke i kthyer te roli i tyre si nëna. Në fillim të këtij viti, si prezervativët, ashtu edhe pilulat kontraceptive, iu nënshtruan një takse prej 13 për qind.

Por të gjithë ekspertët e intervistuar mendojnë se regjimi do të dështojë, edhe pse mund të mbështetet në një sistem totalitar.

“Nuk ka asnjë arsye për të menduar se diktatura kineze nuk do të përpiqet ta përdorë forcën për rritjen e lindshmërisë, ashtu siç e përdori për ta ulur atë. Ajo disponon sistemin e kreditit social për t’u përpjekur t’i shtyjë njerëzit që të martohen dhe të bëjnë fëmijë. Por është shumë e vështirë të përdoret detyrimi për rritjen e lindjeve”, thotë Nicholas Eberstadt.

Donald Trump takohet me Xi Jinpingun në Kinë, më 15 maj 2026.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë sot një shkallë lindshmërie prej 1,6 fëmijësh për grua. Mbi të gjitha, ndryshe nga Kina, ato dinë të tërheqin dhe të integrojnë talente nga e gjithë bota.

“Një numër shumë i madh evropianësh, aziatikësh dhe afrikanësh, ndër më ambiciozët, dëshirojnë të vendosen në Shtetet e Bashkuara. Edhe shumë kinezë duan të vijnë. Ky është një avantazh i jashtëzakonshëm”, vëren kanadezi Dan Wang, autor i librit Kina me shpejtësi të plotë, i cili do të përkthehet këtë vjeshtë nga shtëpia botuese Arpa. Libri është vlerësuar si një ese që krahason modelet kineze dhe amerikane.

Për Amerikën, gjithçka do të varet nga aftësia e saj për të përthithur të ardhurit e rinj, pa shkaktuar tensione tepër të mëdha politike brenda vendit.

“E vetmja gjë që do t’i pengojë Shtetet e Bashkuara të zvogëlohen do të jetë emigracioni. Ka një polarizim të madh rreth kësaj çështjeje. Kalojmë nga një ekstrem në tjetrin, në varësi të presidentëve. Por, nëse Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura ndaj emigracionit, ato do të vazhdojnë të kenë një fuqi punëtore në rritje dhe më pak të plakur sesa vendet e tjera”, shpjegon Nicholas Eberstadt.

Kur Japonia filloi rënien e saj demografike, rreth dhjetë vjet përpara Kinës, niveli i saj i jetesës ishte dy herë më i lartë.

“Në njëfarë kuptimi, periudha e Kinës së madhe tashmë ka mbetur pas nesh”, pohon Jesús Fernández-Villaverde, profesor në Universitetin e Pensilvanisë.

Duke parashikuar se pas vitit 2050 vendi do të gjendet në një situatë “shumë delikate”, për shkak të një popullsie në rënie të shpejtë, ky ekonomist spanjoll bën një parashikim të guximshëm:

“Shekulli XXI nuk do të jetë shekulli i Kinës.”

Izraeli, një përjashtim

Të gjitha vendet e pasura të botës kanë rënë nën pragun e zëvendësimit të brezave, përveç njërit. Me afro tre fëmijë për grua, Izraeli përbën një anomali demografike.

Besimi fetar luan një rol të padiskutueshëm: haredimët, ose hebrenjtë ultraortodoksë, kanë mesatarisht më shumë se gjashtë fëmijë. Por edhe hebrenjtë që e përcaktojnë veten si laikë kanë një shkallë lindshmërie prej 1,9 fëmijësh për grua, shumë më të lartë sesa ajo e popullsive laike në botën perëndimore.

Lindshmëria izraelite madje u rrit përsëri gjatë viteve 1990, kur ekonomia përjetoi një lulëzim, veçanërisht falë valës së emigrantëve shumë të kualifikuar që erdhën nga ish-vendet e bllokut sovjetik.

Demografët japin disa shpjegime: struktura familjare më tradicionale se në Evropë; një ndjenjë e fortë kolektive, për shkak të natyrës së veçantë të këtij shteti dhe kërcënimeve të vazhdueshme që rëndojnë mbi të; si dhe teknologjitë e përparuara të lidhura me fertilitetin.

Sergio Della Pergola, profesor emeritus në Universitetin Hebraik të Jerusalemit dhe një autoritet në këtë fushë, nënvizon gjithashtu optimizmin e popullsisë izraelite:

“Është disi paradoksale për një vend që ndodhet në luftë, por në raportin më të fundit botëror të lumturisë, World Happiness Report, Izraeli renditet në vendin e tetë. Shoh të rinjtë që vazhdojnë të kërcejnë dhe të jenë të lumtur. Ky optimizëm e favorizon dëshirën për të pasur fëmijë. Është një gjendje psikologjike që nuk lidhet vetëm me besimin fetar, por edhe me moshën e re të shoqërisë izraelite.”

Izraeli, i cili sot ka dhjetë milionë banorë, pritet t’i kalojë 15 milionë banorët në vitin 2050. Sipas Zyrës Qendrore të Statistikave, deri në vitin 2065 shkalla e lindshmërisë mund të ulet në 2,5 ose edhe më pak fëmijë për grua, por përsëri do të mbetet mbi pragun e zëvendësimit të brezave.

Me natyrë nacionaliste dhe fetare, konflikti izraelito-palestinez është gjithashtu një konflikt demografik. David Ben-Gurioni, udhëheqësi i parë i Izraelit, e konsideronte numrin e qytetarëve hebrenj si një çështje thelbësore për vazhdimësinë e shtetit.

Aktualisht, nëse merren së bashku Izraeli dhe territoret palestineze, numri i hebrenjve dhe ai i arabëve myslimanë është i përafërt: rreth 7,5 milionë për secilin grup.

Por, në kundërshtim me një ide të përhapur, lindshmëria e myslimanëve po bie nën atë të hebrenjve. Arabët myslimanë të Izraelit, të cilët janë më shumë se dy milionë, kanë një shkallë lindshmërie pak më të lartë se tre fëmijë për grua, por rënia ka qenë e jashtëzakonshme që nga vitet 1960, kur shifra ishte afro dhjetë fëmijë për grua.

Këto të dhëna rriten nga rreth 300.000 beduinët që jetojnë në shkretëtirën e Negevit, ku shkalla e lindshmërisë është mbi pesë fëmijë për grua. Arabët e krishterë dhe druzët kanë rënë tashmë nën pragun e zëvendësimit të brezave.

Edhe pse është e pamundur të bëhen parashikime për Gazën, për shkak të situatës katastrofike humanitare, Bregu Perëndimor po ndjek të njëjtat prirje.

“Atje shohim një rënie graduale të lindshmërisë, ashtu si te myslimanët izraelitë, me një kalim nga tre në 2,5 fëmijë”, vëren Sergio Della Pergola.

Izraeli ka gjithashtu një dinamikë demografike shumë më të fuqishme sesa pjesa tjetër e Lindjes së Mesme. Shkalla e lindshmërisë është 2,2 fëmijë për grua në Liban, 2,3 në Egjipt dhe vetëm 1,5 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Armiku kryesor, Irani, ka arritur në 1,7 fëmijë për grua, dëshmi e ndarjes ndërmjet një regjimi islamist dhe një popullsie perse të arsimuar dhe të sekularizuar.

“Irani është pararendës në botën myslimane. Ulja e lindshmërisë është gjithsesi një tregues i modernizimit dhe i njëfarë pavarësie të grave. Irani është kështu një iluzion i madh optik. Nga njëra anë ekziston një shoqëri moderne, me elita shumë të afta. Ata e zhvilluan bombën bërthamore me inxhinierët e tyre. Irani i ka të gjitha tiparet e një shoqërie evropiane, përveç faktit se shoqëria civile vuan nën regjimin e ajatollahëve dhe të Gardës Revolucionare”, vlerëson Sergio Della Pergola.

Për demografët, hendeku në rritje ndërmjet Izraelit dhe popullsive arabe përbën një të dhënë thelbësore për të ardhmen e rajonit.

“Po të isha një udhëheqës arab, do të bëja trysni që të arrihej sa më shpejt një marrëveshje me Izraelin për Gazën”, thotë Jesús Fernández-Villaverde.

Por edhe shoqëria izraelite përballet me ndryshime dhe vendime të rëndësishme. Deri në vitin 2050, Izraeli pritet të jetë një shtet gjithnjë e më hebre, por edhe gjithnjë e më fetar. Pothuajse gjysma e fëmijëve që filluan shkollimin vitin e kaluar ndiqnin institucione ultraortodokse.

“Aktualisht, haredimët përbëjnë rreth 14 për qind të popullsisë. Afër vitit 2050, do të arrijnë në rreth 25 ose 30 për qind”, parashikon Sergio Della Pergola.

Kjo ngre çështje të rëndësishme për sigurinë e vendit: që nga viti 1948, personat që ia kushtojnë jetën studimit të teksteve fetare përjashtohen nga shërbimi ushtarak.

Pasojat do të jenë gjithashtu ekonomike, sepse shumica e burrave ultraortodoksë nuk punojnë. Gratë e këtij komuniteti kanë një shkallë më të lartë punësimi, por marrin paga modeste.

Për këtë arsye, zgjedhjet politike lidhur me rekrutimin ushtarak ose arsimimin e haredimëve janë vendimtare për të ardhmen e vendit. Zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit, pa dyshim, janë që tani vendimtare…

Zhdukja e Evropës Lindore?

Në Francë, rënia e numrit të lindjeve po shndërrohet gradualisht në një shqetësim kombëtar. Në Evropën Lindore, ajo përbën tashmë një shqetësim ekzistencial.

Në planin demografik, këto vende vazhdojnë ta mbajnë si një barrë të rëndë shembjen e bllokut komunist dhe tranzicionin e vështirë ekonomik, të cilat shkaktuan rënien e lindshmërisë gjatë viteve 1990.

Pavarësisht një rimëkëmbjeje të lehtë gjatë viteve 2000 dhe 2010, prirja është përsëri në rënie. Kësaj duhet t’i shtohet edhe emigrimi i madh drejt Evropës Perëndimore, veçanërisht i të rinjve.

Bullgaria e arriti kulmin e saj demografik që në fund të viteve 1980. Që atëherë, popullsia e saj është zvogëluar nga nëntë milionë në më pak se shtatë milionë banorë. Deri në fund të këtij shekulli, ajo mund të ketë më pak se katër milionë banorë.

Në të njëjtën periudhë, vendi më i madh baltik, Lituania, mund të mbetet me vetëm 1,3 milion banorë, krahasuar me 2,8 milionë që ka aktualisht.

Viktor Orbáni, i konsideruar si simbol i politikave të krishtera për nxitjen e lindjeve, nuk ka arritur ta ndryshojë këtë prirje. Megjithëse shkalla e lindshmërisë në Hungari u rrit nga 1,2 në 1,6 fëmijë për grua gjatë viteve 2010, që atëherë ajo ka rënë përsëri në 1,3, shumë larg objektivit të shpallur nga ish-kryeministri hungarez, i cili u mund në zgjedhjet parlamentare të prillit.

“Ky është një dështim i plotë demografik”, thotë prerazi Tomas Sobotka, zëvendësdrejtor i Institutit të Demografisë në Vjenë.

“Orbáni erdhi në pushtet në fillim të një periudhe rimëkëmbjeje ekonomike. Shkalla e lindshmërisë ndoshta do të ishte rritur edhe pa asnjë ndërhyrje politike.”

Pavarësisht një politike të kushtueshme, e mbështetur te përjashtimi i përjetshëm nga tatimet i nënave me disa fëmijë ose te të ashtuquajturat “kredi për foshnjat”, Hungaria ka përjetuar një zhvillim të ngjashëm me Çekinë dhe Slloveninë.

“Dështimi i dytë është emigrimi, sepse shumë të rinj hungarezë vazhduan të largoheshin nga vendi, pasi nuk shihnin të ardhme atje”, shton Tomas Sobotka.

Gjatë viteve të fundit, numri i vdekjeve ka qenë pothuajse dy herë më i lartë se numri i lindjeve.

Në vitin 2050, zonat rurale të Evropës Lindore do të jenë gjithashtu gjithnjë e më të shkreta.

“Fshatrat po vdesin. Rajoni i Vidinit, në veriperëndim të Bullgarisë, për shembull, e ka humbur gjysmën e popullsisë së tij aktive që nga vitet 1980. Në fund, njerëzit do të përqendrohen në qytetet e mëdha”, thekson demografi britanik Paul Morland.

Ndërsa emigrimi drejt Perëndimit është ngadalësuar me rritjen e nivelit të jetesës, imigracioni, ashtu si edhe në vende të tjera, do të jetë faktori vendimtar.

“Çështja është të dihet se sa emigrantë do të fillojnë të kthehen në Bullgari ose në Moldavi, por edhe sa migrantë të rinj do të mbërrijnë, siç janë punëtorët nga vendet më të varfra të Azisë”, shpjegon Tomas Sobotka.

Luftërat dhe krizat në afërsi të Evropës mund të shkaktojnë valë të reja migrimi. Rreth një milion ukrainas jetojnë sot në Poloni për shkak të pushtimit rus. Ata nuk përfshihen në statistikat kombëtare, edhe pse shumë prej tyre ndoshta nuk do të largohen më.

“Në përgjithësi, rreth shtatë milionë ukrainas janë larguar nga vendi. Kjo valë, nëse mund të shprehem kështu, u ka sjellë përfitime shumë vendeve të Evropës Lindore, të cilat zakonisht kanë qenë vende emigrimi”, vëren studiuesi me bazë në Vjenë.

Disa specialistë përmendin skenarin e një krize të madhe në Rusi, një vend që gjithashtu ndodhet në rënie të plotë demografike dhe që mund t’i shtyjë miliona rusë drejt vendeve fqinje evropiane.

Polonia, e cila është futur në grupin e 20 ekonomive më të mëdha të botës, gjithsesi do të frenohet nga një shkallë lindshmërie që ka rënë në vetëm një fëmijë për grua.

Ekspertët janë shumë më pesimistë për vendet e tjera të Evropës Lindore, të cilat janë më të varfra dhe kanë nivele më të larta korrupsioni. Ata druhen se rënia demografike dhe paqëndrueshmëria politike mund ta ushqejnë njëra-tjetrën…/L’Express.fr