Ballina Bota “Bone smashing”: Hetim mbi fenomenin e rrezikshëm që i shtyn adoleshentët të...

“Bone smashing”: Hetim mbi fenomenin e rrezikshëm që i shtyn adoleshentët të godasin veten në fytyrë

Në një transmetim të drejtpërdrejtë, përpara dhjetëra mijëra ndjekësve të tij, Androgenic godet kafkën me grushte dhe me nyjat e gishtave. Të ekzaltuar, shokët e tij e inkurajojnë, ndërsa me britmat e tyre mbulojnë zhurmën e mbytur të grushtit që përplaset mbi mollëzat e tij. Fytyra i skuqet dukshëm. Por kjo nuk ia heq buzëqeshjen e tendosur që shfaq përpara kamerës. Qepallat që i dridhen tradhtojnë dhimbjen që përpiqet ta fshehë pas kraharorit të fryrë.

Disa minuta më vonë, një tjetër i ri, i cili sapo ka kaluar moshën e adoleshencës, përsërit ritualin. Me krenari, ai ia tregon Androgenic-ut fytyrën e ënjtur dhe të nxirë. Është përpjekja e tij e parë. Ndërsa pranë syrit i shfaqet një e enjtur, ai pyet mentorin nëse duhet të shqetësohet. Sigurisht që jo. “Godit me gjithë forcën që ke”, i përgjigjet me entuziazëm influencuesi australian.

Skena, e transmetuar në platformën famëkeqe të transmetimeve Kick, nuk është as një çast çmendurie dhe as një shaka e keqe. Prej disa vjetësh, video të tilla vetëdëmtimi janë përhapur me shumicë në rrjetet sociale. Qëllimi i “bone smashing”, ose “copëtimit të kockave”? Të “zbukurohesh”, duke ndryshuar me goditje grushti formën e fytyrës.

Për disa javë, ne hetuam rreth këtij fenomeni, të alarmuar nga normalizimi i tij mes të rinjve. Pas kësaj praktike dukshëm të rrezikshme, L’Express zbuloi një biznes të mirëorganizuar nga influencues që nuk ndalen përpara asgjëje. Ata manipulojnë shkencën, inkurajojnë të miturit të vetëdëmtohen dhe madje të marrin barna pa mbikëqyrje mjekësore. Megjithëse krijuesit francezë të përmbajtjes ende e kanë të vështirë të zënë vend në botën e “looksmaxxing”, publiku vendas duket se është tashmë i magjepsur.

Një prirje e importuar nga maskulinizmi

Për një kohë të gjatë i varrosur në skutat më të thella të internetit, “bone smashing” u bë i njohur nga komuniteti i “looksmaxxers”. Këta të rinj, kryesisht meshkuj, dallohen për kërkimin e tyre obsesiv të bukurisë. Në të vërtetë, ky grup është vetëm një degë, e përqendruar fort tek estetika, e lëvizjes maskuliniste, e përshkuar nga diskurse thellësisht mizogjene dhe homofobike.

Publicitet

Standardet që “looksmaxxers” ia imponojnë vetes burojnë nga një konceptim i vjetruar dhe karikatural i burrërisë: bicepsë tepër të fryrë, muskuj barku të theksuar, nofulla katrore, faqe të futura dhe vështrim prej “gjuetari”…

Megjithatë, koncepti tërheq shumë njerëz. Nën publikimet e influencuesve që i përmbushin këto kritere, mijëra fansa dynden për t’i mbuluar me komplimente. Të tjerë kërkojnë këshilla: si mund të duken si ata? Këta personazhe të rrjeteve sociale pretendojnë se bukuria është çelësi i lumturisë.

Duke iu drejtuar një audience të re, ku disa flasin hapur për shqetësimet e tyre psikologjike, ata garantojnë se ndjekja e mësimeve të tyre do ta ndryshojë jetën e përditshme të “ndjekësve”: sukses në punë, sukses në marrëdhëniet shoqërore, sukses me gratë… Çdo argument është i vlefshëm për ta mbajtur në funksionim këtë makineri.

Pavarësisht rreziqeve të dukshme që sjellin goditjet e përsëritura në kokë, promovuesit e “bone smashing” nuk ngurrojnë t’i inkurajojnë fansat që ta provojnë metodën në shtëpi. Ndonjëherë, grushtet zëvendësohen me sende të forta, deri edhe me çekiçë.

Paralajmërimet e komunitetit mjekësor nuk kanë rëndësi për ta. “Looksmaxxers” këmbëngulin se praktika është e parrezikshme dhe se efektiviteti i saj mbështetet në shkencë. Të gjithë përsërisin pa pushim të njëjtën shprehje: ligji i Wolff-it.

Rreziqe për “asimetri ose deformim të përhershëm të fytyrës”

I formuluar nga një kirurg gjerman në shekullin XIX, ligji i Wolff-it përcakton se kocka e një personi të shëndetshëm u përshtatet ngarkesave mekanike të cilave u nënshtrohet: ajo forcohet në vendet ku përdoret dhe dobësohet aty ku nuk ngarkohet më.

Por, megjithëse ligji i Wolff-it mund të shpjegojë përse sportistët zhvillojnë dendësi më të madhe kockore në zonat që ngarkohen më shumë, praktika e “bone smashers” nuk ka asgjë të përbashkët me stërvitjen e një sportisti me përvojë.

“Ligji i Wolff-it ka të bëjë me ngarkesa fiziologjike që shtohen gradualisht, si ecja ose ngritja e peshave, dhe jo me trauma të përsëritura në fytyrë”, shpjegon doktori David Couchat, zëdhënës i Federatës Franceze të Ortodoncisë.

Ndërsa te “looksmaxxers”, të cilët shpesh i ftojnë ndjekësit e tyre të godasin veten deri në shkaktimin e frakturave, nuk bëhet fjalë për një sforcim të përsëritur, të kontrolluar dhe të shtrirë në një periudhë të gjatë.

“Ky është një keqinterpretim shumë i rëndë i ligjit të Wolff-it. Aktualisht nuk kemi asnjë provë shkencore që tregon se kjo praktikë mund ta ndryshojë formën e fytyrës”, sqaron mjeku.

Për më tepër, është e pamundur të kontrollohet intensiteti i goditjeve që një person i shkakton vetes dhe aq më pak të garantohet simetria ndërmjet zonave të ndryshme të fytyrës. Edhe pse një kockë e thyer, e cila nuk është fiksuar me allçi, teknikisht mund të zmadhohet gjatë procesit të shërimit, asgjë nuk garanton se ajo do të rindërtohet njësoj në të dyja anët e fytyrës ose se do të fitojë vëllim.

“Është krejtësisht e paparashikueshme”, përmbledh David Couchat.

Ndërkaq, të sigurta dhe të dokumentuara janë rreziqet e shumta ndaj të cilave ekspozohen praktikuesit e “bone smashing”.

“Fraktura të kockave të fytyrës, dëmtime të dhëmbëve dhe të rrënjëve të tyre, dëmtime të nyjës temporomandibulare, rrezik për dëmtim të nervave dhe humbje të ndjeshmërisë, asimetri ose deformim i përhershëm i fytyrës…”, rendit mjeku.

Edhe më i rrezikshëm është fakti se shumë prej këtyre të rinjve godasin posaçërisht mollëzat, me shpresën se do t’i bëjnë më të dala. Por në këtë zonë ndodhet zgavra orbitale, pra “i gjithë kompleksi i enëve të gjakut dhe nervave” të syrit.

Këtyre u shtohen rreziqet për trauma të kokës dhe hemorragji, veçanërisht të rrezikshme në këtë pjesë të fytyrës, të cilat mund të shkaktojnë pasoja deri në goditje në tru.

“Burrat e vërtetë e godasin kafkën drejtpërdrejt me çekiç”

Megjithëse pretendimet shkencore të “looksmaxxers” mund të rrëzohen shumë lehtë dhe rreziqet janë gjerësisht të dokumentuara, paralajmërimet e komunitetit mjekësor nuk po arrijnë t’i largojnë të rinjtë nga “bone smashing”.

Në rrjetet sociale, kjo prirje po bëhet çdo ditë më e njohur. Disa platforma e kanë censuruar termin, por metoda të njohura mirë edhe nga fëmijët bëjnë të mundur anashkalimin e këtyre pengesave me më pak se dy klikime. Ndërkohë, në forume që nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin maskulinist, disa të rinj kërkojnë ndihmë, duke thënë se nuk janë në gjendje të flasin me prindërit për këtë çështje dhe kërkojnë këshilla pasi janë lënduar.

“Çekiçi është mbuluar me gjak. Ndoshta kam dëmtime në tru.”

“Ana e majtë e fytyrës më është fryrë shumë më tepër nga jashtë sesa e djathta. Poshtë syrit kam një zonë të mpirë që nuk po largohet. Edhe nofulla ka filluar të më kërcasë, gjë që nuk më ndodhte më parë”, shqetësohet njëri prej tyre në një forum të Reddit-it kushtuar adoleshentëve, i cili vizitohet nga 2,2 milionë përdorues në javë.

“E bëj çdo ditë. Më shkakton një dhimbje koke të tmerrshme, por nuk më intereson. Më jep një vështrim të jashtëzakonshëm”, dëshmon një i ri.

Më pas shton: “Më parë e godisja fytyrën me nyjat e gishtave ose me grushte, por tani përdor një çekiç. Është veprim i zgjuar apo marrëzi?”

Në një publikim tjetër, i njëjti person alarmohet:

“Çekiçi është mbuluar me gjak. Fytyra më është enjtur e gjitha. Ndoshta kam dëmtime në tru.”

Por në komente gjenden shumë thirrje që personat të vazhdojnë ose ta provojnë edhe vetë këtë praktikë.

“Burrat e vërtetë e godasin kafkën drejtpërdrejt me çekiç”, shkruan prerazi një përdorues.

Vënia në dyshim e praktikës bëhet edhe më e vështirë, sepse influencuesit e adhuruar i ekspozojnë plagët e tyre si trofe. Në vitin 2025, Androgenic publikoi një seri fotografish ku shfaqej me fytyrë të përgjakur dhe me sy të enjtur.

Kurse për “bone smashing” dhe vetëmedikim

Për yjet e “bone smashing”, vetëdëmtimi është mbi të gjitha një biznes që funksionon si një makineri e vajisur mirë. As ata vetë nuk mjaftohen me këtë praktikë. Megjithëse bërtasin me të madhe duke mbrojtur efektivitetin e saj, pothuajse të gjithë “looksmaxxers” në të vërtetë u janë nënshtruar ndërhyrjeve estetike: rinoplastikë, bikektomi – heqja e yndyrës nga faqet – si dhe injeksione në mollëza dhe në nofull.

Megjithatë, influencuesit publikojnë çdo ditë fotografi të “përparimit” të tyre. Në këmbim të disa mijëra eurove, disa ofrohen t’ua “mësojnë” fansave “looksmaxxing”, duke u premtuar se do t’ua zbulojnë sekretet e metodës.

Në vitin 2025, Androgenic, një prej këtyre influencuesve, themeloi gjithashtu “akademinë” e tij të “looksmaxxing”. Duke pretenduar se është i mbingarkuar nga kërkesat, ky yll i rrjeteve sociale kërkon që kandidatët e ardhshëm t’u nënshtrohen intervistave përzgjedhëse.

L’Express mori pjesë në këtë proces, duke u paraqitur si një i mitur në gjendje të rënduar psikologjike. Shumë shpejt, ne u takuam me Aaronin*, një nga punonjësit e Androgenic-ut, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një bisede që zgjati afro një orë, ai na premtoi se do të na mësonte “bone smashing”, duke na siguruar se metoda ishte “plotësisht e sigurt”.

Edhe për të miturit?

“Po”, përgjigjet prerazi i riu që sapo ka mbushur 18 vjeç.

Trajneri nxjerr me shpejtësi telefonin dhe i tregon kamerës fotografi të muskujve të tij. Ai mburret se praktikon “looksmaxxing” që nga adoleshenca. Në fakt, akademia është mësuar të pranojë të mitur; nxënësi më i ri deri atëherë kishte qenë 16 vjeç.

Mosha do të ketë rëndësi vetëm kur të vijë momenti i pagesës. Aaroni këmbëngul se pëlqimi i prindërve është i domosdoshëm. Shuma e kërkuar është vërtet e konsiderueshme: 3.000 euro për gjashtë muaj këshillime.

Të miturit janë të mirëpritur edhe në kurset e farmakologjisë, të përfshira në programin e akademisë. Gjatë këtyre sesioneve, nxënësit mund të mësojnë si të marrin vetë barna dhe më pas si “t’u kërkojnë receta” mjekëve të tyre.

Nëse mjeku refuzon, nuk ka arsye për t’u shqetësuar: Androgenic është në gjendje t’ua sigurojë vetë preparatet ndjekësve të tij, siç na premton Aaroni, duke buzëqeshur.

Roaccutane, steroide, testosteron dhe madje Ozempic – një farmaci e tërë me barna që u nënshtrohen kontrolleve të shumta duket tashmë vetëm një klikim larg. Pamjet e ekranit të shqyrtuara nga L’Express tregojnë një rezervë të madhe barnash të disponueshme në internet.

Të klasifikuara në Francë në Listën I, këto substanca “paraqesin rreziqe të larta për shëndetin”, sipas ministrisë përgjegjëse.

Dërgesa garantohet me kusht që të paguhen mesatarisht 70 euro për një kuti Roaccutane dhe 600 euro për një injeksion Ozempic. Bëhet fjalë për barna, autenticiteti i të cilave është i pamundur të verifikohet.

Agjencia Kombëtare Franceze për Sigurinë e Barnave ka paralajmëruar disa herë për rreziqet e produkteve të falsifikuara që janë përhapur me shumicë në internet.

Gjatë ditëve pas intervistës, shitësi i ri nuk pushoi së këmbënguluri:

A ke folur me prindërit? A mund ta kryesh pagesën? A dëshiron të flasim përsëri në telefon?

I kontaktuar nga L’Express, Androgenic nuk iu përgjigj pyetjeve tona./L’Express.fr

*Emri është ndryshuar.