Ballina Aktualitet Ekonomi 5 produkte bazë që do të shtrenjtohen si pasojë e luftës në...

5 produkte bazë që do të shtrenjtohen si pasojë e luftës në Ukrainë

Lufta në Ukrainë po kërcënon fuqishëm zinxhirin e furnizimit – i cili kishte nisur të dobësohej që prej fillimit të pandemisë.

Rusia është vend i dytë në botë për prodhimin e naftës dhe i treti për prodhimin e grurit.

Importet e Rusisë dhe Ukrainës mund të jenë të pallogaritshme në krahasim me shtete të fuqishme prodhuese si Gjermania apo SHBA-ja, por këto dy shtete mbeten furnizues esencialë të lëndëve industriale dhe energjisë.

Nisja e luftës në Ukrainë nuk do të përkthehet vetëm në rritje të çmimit të naftës e cila ka arritur në $100 dollarë/fuçi në SHBA, por edhe produktet bazë si gruri, misri, çeliku dhe hekuri do të përballen gjithashtu me rritje çmimi të konsiderueshme.

Përveç krizës humanitare që do të mbetet dëmi më i madh i këtij konflikti, këto janë 5 industritë që do të preken direkt nga lufta në Ukrainë:

1 – Energjia
Shumë shtete europiane janë të varura thellësisht nga energjia ruse – sidomos gazi dhe nafta.

Rusia furnizon Europën me gaz dhe naftë me anë të një rrjeti të komplikuar tubacionesh që të kujtojnë venat që furnizojnë me gjak zemrën dhe organet e tjera.

Për të pasur një këndvështrim më të qartë, vende si Gjermani marrin më shumë se 50% të energjisë nga Rusia dhe çmimi i energjisë në Gjermani u rrit me 31% në mars të vitit të kaluar.

Varësia e Europës nga gazi rus ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i SHBA-së prej vitesh.

Edhe pse një ndërprerje e plotë e furnizimit të gazit rus për momentin nuk ka shumë gjasa – pasi diçka e tillë nuk ka ndodhur as gjatë Luftës së Dytë Botërore apo Luftës së Ftohtë – edhe ndërprerjet më të shkurtra kanë fuqinë të shkaktojnë një impakt marramendës.

Sidomos në një kohë, kur rezervat globale të gazit janë në pikën e tyre më të kritike si pasojë e pandemisë dhe rritjes së çmimeve që kishte nisur që para luftës.

Duke qenë se gazi është një hallkë thelbësore e zinxhirit të furnizimit, çdo lloj ndërprerje do të ketë pasoja ekonomike në mbarë botën.

Për shembull, kur çmimet e gazit u rritën fillimisht në vjeshtën e vitit 2021, fabrikat e plehut bujqësor në Mbretërinë e Bashkuar u mbyllën pasi nuk mundën dot të përballojnë rritjen e çmimit të energjisë.

Kjo u pasua me shkurtime të prodhimit të dyoksidit të karbonit – i cili është esencial duke filluar nga procedurat mjekësore e deri tek ruajtja e ushqimeve në afatgjatë. Këto pasoja kanë tendencën të shumëfishohen me rritjen e çmimit të gazit dhe naftës.

2 – Ushqimi
Çmimet e ushqimeve në mbarë botën pësuan rritje gjatë vitit 2021, si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë apo edhe ndryshimeve klimaterike.

Prodhuesit e ushqimeve do të përballen me shumë mundësi me sfida të tjera si pasojë e luftës në Ukrainë.

Së bashku, Rusia dhe Ukraina prodhojnë më shumë se 1/4 e grurit në të gjithë botën, ndërsa Ukraina e vetme prodhon më shumë se 1/2 e vajit të lulediellit.

Të dyja këto ushqime përdoren në një mori produktesh të tjera ushqimore.

Nëse korrjet do të ndërpriten si pasojë e luftës në Ukrainë, apo eksportet të bllokohen, importuesit do të përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të zëvendësuar furnizimet.

Shumë shtete kanë një varësi të madhe nga gruri i Rusisë dhe Ukrainë. Për shembull, Turqia dhe Egjipti marrin rreth 70% të grurit nga këto dy vende. Ukraina është gjithashtu furnizuesi më i madh i Kinës me misër.

3 – Transporti
Transporti botëror kishte pësuar ndërprerje dhe humbje të thella si pasojë dhe pandemisë dhe lufta vetëm sa do t’i përkeqësojë gjërat edhe më tej. Llojet e transportit të cilat pritet të preken më shumë janë dërgesat përtej oqeanit dhe me tren.

Që prej vitit 2011, dërgesat e mallrave mes Kinës dhe Europës kanë vazhduar rregullisht. Së fundmi, numri i këtyre trenave ka arritur në mbi 50,000.

Por, tani që trenat po devijohen për të mos kaluar nga Ukraina, ekspertët mendojnë se kjo së bashku me sanksionet e ndryshme që shtetet po i vendosin njëra tjetrës do të ketë një efekt madhor në çmimin e dërgesave.

Edhe para pushtimit, si pasojë e pandemisë çmimi i dërgesave ishte rritur gati 10-fish pasi nëse para pandemisë dërgesa e një kontejneri nga Kina në Europë kushtonte 1,000 euros ai tani ka shkuar deri në €10,000 euro.

Një nga terminalet kryesore në botë është porti i Odesës në Detin e Zi, i cili në rast ndërprerjeje si pasojë e luftës do të shkaktonte një tjetër rritje çmimesh për dërgesën e eksporteve dhe importeve.

Rritja e çmimit të naftës si pasojë e luftës është gjithashtu një faktor që pritet të ndikojë në rritjen e mëtejshme të tarifave të transportit.

Një tjetër shqetësim për sa i përket transportit janë sulmet kibernetike. Duke qenë se industria e tregtisë është tejet e varur nga shkëmbimi i informacionit online, pasojat e ndërprerjeve të mundshme të këtij komunikimi do të ishin të paimagjinuara.

4 – Metalet
Rusia dhe Ukrainë janë lidera globalë në prodhimin e metaleve si nikeli, bakri dhe hekuri.

Rusia furnizon Europën me të paktën 10% të importeve të hekurit.

Ato janë gjithashtu eksportues dhe prodhues të mëdhenj të lëndëve të tjera industriale si neoni, paladiumi dhe platini.

Frika e sanksioneve të mundshme nga Rusia ka rritur çmimin e këtyre metaleve në bursë.

Paladiumi, për shembull – ka parë një rritje prej 80% që nga dhjetori duke u shitur për rreth $100 dollar/grami.

Paladiumi përdoret për shumë pajisje – nga makinat tek telefonat celularë e deri tek mbushjet dentare.

Edhe çmimi i nikelit dhe bakrit që përdoren në industritë e ndërtimit dhe prodhimit është rritur.

Ndërkohë, edhe industritë e hapësirës ajrore në SHBA, Europë dhe Britani janë të varura nga furnizimet e Rusisë me titan.

Kompanitë e mëdha ajrore si Boeing dhe Airbus kanë nisur të kërkojnë për furnizues alternativë por ky transferim nuk do të jetë i thjeshtë.

Shtrenjtimi i të gjitha këtyre materialeve kërcënon rritjen e çmimit të shumë produkteve dhe shërbimeve të përditshme.

5 – Mikroçipet
Mikroçipet përdoren në pajisje të ndryshme elektronike nga telefonat celularë, televizorë, GPS, makina, satelitë e deri në diagnozat dhe procedurat e ndryshme mjekësore dhe sistemet e komunikimit, të transportit dhe ato ushtarake.

Mungesat në industrinë e mikroçipeve u kthyen në një problem madhor në vitin 2021.

Shumë analistë kishin parashikuar se ky problem do të fillonte të zbutej gjatë vitit 2022, but ngjarjet e fundit e kanë thelluar edhe më tej krizën.

Rusia dhe Ukraina janë eksportues kryesor të neonit, paladiumit dhe platinit – metale të cilat janë thelbësore në prodhimin e mirkoçipeve.

Rreth 90% e neonit që përdoret në ndërtimin e çipeve, buron nga Rusia dhe 60% e tij purifikohet në një kompani të vetme në Odesa.

Burimet alternative do të kërkonin investime afatgjata që nuk do të jepnin dot kurrë rezultate të menjëhershme.

@tn.lajmelokale
@tetovanews