Ballina Kultura Dossier SHOTE GALICA – LUFTËTARE PËR BASHKIM KOMBËTAR (Me rastin e 95-vjetorit të vdekjes...

SHOTE GALICA – LUFTËTARE PËR BASHKIM KOMBËTAR (Me rastin e 95-vjetorit të vdekjes së Shote Galicës)

Xhelal Zejneli

Qerime Galica, e lindur si Qerime Radisheva, njihej me emrin Shotë. Lindi në fshatin Radishevë të Drenicës, më 10 nëntor 1895. Vdiq në Fushë-Krujë, më 1 korrik 1927. Ishte luftëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, bullgarë dhe jugosllavë dhe për bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Është shpallur Heroinë e Popullit. Ishte motër e gjashtë vëllezërve. Në vitin 1915, u martua me Azem Galicën* (1889-1924). Shota mori pjesë në Kryengritjet kundërosmane të viteve 1909-1912 dhe në qëndresën e armatosur kundër serbëve në vitet 1912-1915. Në vjeshtën e vitit 1915, u rreshtua në çetën e kryengritësve të Drenicës, përkrah burrit të saj, Azem Galicës. Në vitet 1916-1918, Shota mori pjesë në disa aksione kundër forcave pushtuese bullgare dhe austro-hungareze (në mars të vitit 1917, në Obrijë dhe në korrik të vitit 1917, në Bajë). Në vjeshtë të vitit 1918, Shota mori pjesë në luftimet për çlirimin e Drenicës, Podgorit dhe Pejës.

Pas Luftës së Parë Botërore e vazhdoi qëndresën kundër politikës serbomadhe të dhunës dhe të shkombëtarizimit në Kosovë. Në muajt prill-qershor të vitit 1919, mori pjesë përkrah Azemit, në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Drenicës. Në vitet 1921-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Asnjanëse të Junikut* dhe në vitet 1923-1924, të zonës së lirë të Drenicës, në Arbaninë e Vogël*

Pas vrasjes së Azem Galicës, Shota mori drejtimin e çetës, së bashku me Mehmet Delinë* (1898-1946) dhe Faslli Beranin* (1885-1954). Në ballafaqimet politike në Shqipërinë e viteve 1921-1924, ishte përkrahëse e opozitës demokratike dhe mbështetëse e qeverisë së Fan Nolit (Fan Noli, 1882-1965).

Në dhjetor të vitit 1924, Shota mori pjesë në radhët e luftëtarëve të Bajram Currit* (1862-1925), të cilët i pritën në kufi, me armë, forcat e Ceno bej Kryeziut (1895 – Pragë, 14.10.1927) dhe të intervencionistëve serbë dhe rusë (bjellogardistë të gjeneralit Vrangel). Bashkë me qindra luftëtarë nga Kosova, luftoi kundër forcave të Mbretërisë Jugosllave.  

 U rikthye në Kosovë, ku mbajti gjallë në popull frymën e qëndresës antiserbe. Luftoi së bashku me Bajram Currin në Has të Prizrenit dhe Lumë.

Shota mori pjesë në mbi dyzet aksione të rëndësishme kundër armikut në të cilat humbi 22 anëtarë të familjes. Kundërshtoi në mënyrë konsekuente politikën e dhunë dhe të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin dhe shpërngulje e saj si dhe kolonizimi sllav të viseve shqiptare.      

Pas 12 vjet lufte heroike kundër pushtuesve serbë, austro-hungarezë dhe bullgarë, e plagosur dhe sëmurë, në korrik të viti 1927, Shota u kthye në Shqipëri. U vendos në Shullaz, pranë Milotit. Më pas në Derven të Fushë-Krujës. Edhe pse në gjendje të vështirë dhe pa burime ekonomike, u kujdes për tre fëmijë bonjakë të bashkëluftëtarëve të vrarë. Vdiq në Fushë-Krujë në moshën 31-vjeçrae.    

Shënim

Zona Asnjanëse e Junikut (1921-1923) – Zonë ndarëse midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (MSKS). Shtrihej në kufirin verilindor shqiptaro-jugosllav nga qafa e Morinës deri në lumin Bistricë dhe në Grykën e Deçanit. Përfshinte 18 fshatra. U krijua në nëntor të vitit 1921 me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Paris, si zonë ndarëse midis Shqipërisë dhe MSKS, derisa të përcaktohej konkretisht kufiri ndërmjet dy vendeve. Më 21 shkurt 1923, kryengritësit shqiptarë organizuan një qëndresë të fuqishme kundër forcave jugosllave të përbëra prej bandave çetnike dhe grupeve paramilitare. Pas këtyre ngjarjeve, Zona Asnjanëse e Junikut pushoi së qeni. Sipas arbitrazhit ndërkombëtar, sipërfaqja ku shtrihej ajo, iu aneksua Mbretërisë SKS.         

Arbania e Vogël (1923-1924) – Zonë e lirë në krahinën e Drenicës (Kosovë), jashtë kontrollit të qeverisë serbe. U krijua në korrik të vitit 1923 nga kryengritësit shqiptarë nën drejtimin e Azem Galicës dhe u pranua nga autoritetet vendore serbe si një realitet i përkohshëm. Më 14 korrik 1924, 1200 ushtarë, xhandarë, çetnikë dhe kolonë të mobilizuar serbë dhe malazezë, të pajisur edhe me artileri, sulmuan në befasi Arbaninë e Vogël. Azem Galica u plagos për vdekje. Pasuan represaliet e përgjakshme të serbomëdhenjve, u dogjën të mbjellat, u plaçkitën shtëpitë e të tre fshatrave dhe u vranë 75 banorë.   

Azem Bejtë Galica (1889-1924) ishte luftëtar në kryengritjet kundërosmane dhe prijës i lëvizjes së armatosur në Kosovë për çlirimin nga pushtimi serb dhe bashkim me shtetin shqiptar. Në qershor të vitit 1924 përforcoi me luftëtarë forcat kryengritëse të Malësisë së Gjakovës që marshuan drejt Tiranës nën drejtimin e Bajram Currit. Për veprimtarinë politiko-luftarake, në vitin 1920 regjimi i Beogradit, ndërsa më 1923 ai i Tiranës, e dënuan me vdekje. Vdiq nga plagët e marra në luftimet për mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës, pasi kishte humbur në vitet e mëparshme gati gjithë të afërmit. U varros në fshehtësi nga bashkëluftëtarët e vet në një shpellë në malin e Çiçavicës. Në vitin 1971, eshtrat e tij u nxorën dhe me nderime u rivarrosën në Galicë.             

Mehmet Delia (Radishevë, Drenicë, 1898 – sanatorium, Bari, Itali, 1946), i njohur si Mehmeti i Vogël, lindi në Radishevë të Drenicës. Që në vitin 1913 mori pjesë në luftime kundër pushtimit serb dhe për bashkim kombëtar. Në vitet 1916-1924 u afirmua si luftëtar dhe prijës në grupin e çetave kryengritëse të Drenicës. Ishte bashkëpunëtor i afërt i Azem Galicës.  

Faslli Beranin (1885-1954) – Veprimtar i lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar. Lindi në Klinë të Drenicës. Mori pjesë në lëvizjen kombëtare kundërosmane për pavarësi, në qëndresën kundër pushtimit serbo-malazias (1912-1915) dhe kundër pushtuesve bullgarë (1916-1918). Ishte bashkëluftëtar i Azem Galicës.

Bajram Curri (Gjakovë, 1862 – u vra në një shpellë në Dragobi, më 29 mars 1925) – Veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, një ndër udhëheqësit politikë dhe ushtarak të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të vendit.        

Xhelal Zejneli

@tn.lajmelokale
@tetovanews