Ballina Aktualitet Intervista e plotë për Syri Tv/ Ish-agjenti i FBI, Peter Lapp: McGonigal...

Intervista e plotë për Syri Tv/ Ish-agjenti i FBI, Peter Lapp: McGonigal kishte rol te dosjet ‘non grata’!

Cila ka qenë pesha dhe aftësia e Charles McGonigal për të futur në listën e zezë persona që duhej të futeshin, ose paguhej për t’i futur?

Ish-agjenti i FBI, Peter Lapp bëri një rrëfim ekskluziv për Syri Tv me gazetarin Bledian Koka, intervistë e cila u transmetua në Çim Peka Live, duke treguar të pathënat për ish-eprorin e tij në FBI-në e New York-ut.

Lapp tregon detaje nga ish-zyrtari që drejtonte FBI-në, mënyrën si sillej, aftësinë që kishte në dorë, por edhe atë që është kryeçështja në Shqipëri, njërës prej dosjeve që po hetohet në SHBA, afera me Edi Ramën, krahas dosjes për lidhje me rusët.

McGonigal ka patur 5 takime me Edi Ramën, 4 në Tiranë dhe një në SHBA, më konkretisht në New York.

Lapp shprehet se vërtetë McGonigal nuk kishte mundësinë për t’i hequr non gratën askujt dhe mund ta ketë përdorur autoritetin e tij për ta shitur në këmbim të parave, por kishte mundësinë për të bërë një gjë tjetër, atë për të hapur hetime për njerëz të cilët mundësisht mund të shpalleshin non grata më pas nga SHBA.

Intervista e plotë për Syri Tv e transmetuar në ‘Çim Peka Live’

Bledian Koka: Unë ju falënderoj që pranuat të komunikoni me ne, në SYRI TV. Në një intervistë për CNN, keni deklaruar se afera McGonigal për FBI-në ishte një siklet. Si u dëgjuat kur e dëgjuar për herë të parë këtë informacion, dhe si u ndjetë që ish-shefi juaj ishte në një hetim nga FBI.
Peter Lapp
: Sa për ta sqaruar, mendoj se sjellja e Çarlit ishte e turpshme për FBI-në. Mendoj se FBI-ja është sjellë shumë mirë në ndjekjen penale dhe hetimin e detajuar të tij që kur iu paraqit supozimi. Por besoj se sjellja e tij është e turpshme për FBI-në. Hera e parë që mora vesh për sjelljen e supozuar të Çarlit në vjeshtë. Ishte një artikull në revistën Business Insider këtu në Shtetet e Bashkuara, artikull që fliste për disa prej informacioneve që tani po i shohim publikisht prej aktakuzave dhe lajmeve në lidhje me arrestimin e tij. Pra, ka rreth gjashtë muaj. U habita, sinqerisht, kur e mora vesh. Nuk do të them se kisha shumë vlerësim për Çarlin në kohën kur punonim bashkë, por kjo sjellje qe e çuditshme për mua. Gjithmonë kisha menduar se ishte person etik dhe sigurisht jo kriminel, por duket se ka devijuar që prej kohës kur punonim bashkë.

Koka: Ju keni punuar me McGonigal, si e njihni atë dhe si do ta përshkruanit bashkëpunimin me të, gjatë kohës që keni punuar bashkë?
Peter Lapp:
 Kam punuar për të drejtpërdrejt prej janarit 2012 deri në gusht a shtator të po atij viti. Nuk ishte përvojë e këndshme. Kishte ego të madhe dhe ishte i përqendruar tek karriera. Kishte shumë ambicie për t’u ngritur në nivele më të larta. Mendoj se kjo i ndikoi pa dyshim në stilin e menaxhimit. Koha së bashku qe shumë e shkurtër dhe fatkeqësisht mori fund kur më kërkuan të largohesha e të merrja në pozitë tjetër në qeveri. Si shef, ishte e vështirë të kishe të bëje me të. Pa diskutim, ndoshta shefi më i keq që kam pasur ndonjëherë. Gëzonte vlerësimin e kolegëve të vet. Menaxherët e shihnin me sy shumë të mirë dhe ai vijonte të ngrihej në detyrë gjatë kohës që kam punuar për të. Por, mënyra si i trajtonte disa prej vartësve të tij, përfshirë mua, ishte shumë armiqësore dhe disi joprofesionale, me çfarë mbaj mend dhe çfarë kam përjetuar.

Koka: Ju për CNN keni deklaruar se gjatë kohës që keni punuar me McGonigal, nuk keni vënë re gjë të dyshimtë në sjelljen e tij. Tani që akuzat janë bërë publike, a mund të bëni një lloj lidhje, apo ngrini dyshime për mënyrën se si sillej me ju, në raport me akuzat që janë bërë publike  si në Manhatan dhe në Kolumbia.
Peter Lapp
: Ai kishte ego të fortë e të shëndetshme. Kishte shumë ambicie, dëshironte të ngrihej në nivel shumë të lartë, çka ishte shumë transparente në mënyrën si sillej në pozitën që kishte kur punoja për të. Asokohe nuk mund të dalloja ndonjë gjë që do të sugjeronte se ai do të bënte gjërat që supozohet se ka bërë. Nuk di të ketë pasur ndonjëherë probleme financiare. Kjo sjellje ishte vërtet tronditëse për mua. Nuk e di a bëhet fjalë për një situatë ku ai e mendoi veten më të zgjuar se gjithë të tjerët. Ishte e qartë se kishte mendim shumë të mirë për vetën kur ishte në FBI dhe ndoshta është një situatë ku ai e teproi me vetëbesimin dhe mendimin e mirë për veten. Duket qartë se prirej prej parasë dhe ishte i hapur për biznes, si para se të tërhiqej prej FBI-së dhe sigurisht edhe disa vite më pas. Duket se priret shumë nga ana financiare dhe, për çfarëdolloj arsyeje, ka humbur busullën morale. Ai ka humbur pjesën e besnikërisë, trimërisë dhe integritetit, qëështë pjesë e vlerave mbi të cilat qëndron FBI-ja. Ai vërtet devijoi dhe kjo është e trishtueshme për t’u dëshmuar, edhe pse nuk patëm përvojë të mirë së bashku, të shohësh dikë që e njihje e me të cilin ke punuar e që tani bie në këtë udhë të korruptuar, siç supozohet. Është zhgënjyese dhe e trishtë.

Koka: Sigurisht që ne na intereson shumë raporti që ai ka pasur me qytetarë shqiptaro-amerikanë, apo me vetë kryeministrin e Shqipërisë, siç rezulton në kërkesën që është bërë nga juria e madhe, por edhe me dosjen përfundimtare. Pyetja e parë është; sipas aktakuzës që është bërë publike, duket se McGonigal u merrte para qytetarëve shqiptarë kur ishte në FBI. Me shumë mundësi, FBI duhet të ketë më shumë informacion se sa ne dimë.
Peter Lapp:
 Absolutisht. FBI-ja kurrë nuk lëshon gjithçka, gjithë provat që ka në një aktakuzë. Ata punojnë shumë që të shfaqin mjaftueshëm, dhe kjo përfshin edhe Departamentin e Drejtësisë dhe prokurorët që po punojnë mbi këtëçështje. Ata duan të shfaqin mjaftueshëm prova për të vërtetuar elementet e krimit, të vijojnë me aktakuzën, por jam i sigurt se po rezervojnë informacion për arsye hetimore ose ndoshta në pritje të një gjyqi. Nuk e di, por të kuptuarit e mi është se do të ketë një marrëveshje për pranim fajësie në këtë rast dhe ndoshta nuk do të dimë më shumë nga çfarë thuhet në aktakuzë për sjelljen e supozuar. U habita shumë kur lexova në aktakuzë se kishte kontaktuar me një kryetar të një shteti të huaj. Ju jeni një vend i huaj… (ndërprerje e sinjalit tëSkype)… t’i drejtohet kryetarit të shtetit në një qeveri të huaj.

Koka: Kur thoni që gjatë gjykimit mund të dalin prova të reja dhe sigurisht që FBI ka më shumë informacion. Këto informacione do të dalin në çdo rast, apo nëse McGonigal vetëshpallet fajtor këto fakte, akuza mund të bëhen publike apo do të mbesin sekret i qeverisë?
Peter Lapp
: Nëse bëhet gjyq publik, qeveria do të duhet të hedhë edhe më shumë prova në aktakuzë nga çfarë ka tani. Do të duhet të ketë dëshmitarë. Duhen siguruar shumë procesverbale, nëse ndodh kështu. Dyshimi im është se interesi më i mirë i qeverisë dhe Çarli McGonnigal-it është të arrijnë një marrëveshje për pranim fajësie. Nëse ndodh kjo marrëveshje, mund të mos ketë më shumë informacione nga ç’është dhënë tashmë nga qeveria më aktakuzën që mund ta lexoni online. Por, nëse bëhet gjyq, do të duhet të paraqiten shumë më tepër prova. Dyshimi im është se një rast si ky do të ishte shumë i kushtueshëm. Çarli nuk është akuzuar veç në një juridiksion, por në dy, çka është domethënëse në vetvete dhe është diçka e rrallë. Për pasojë, do të duhej të kishte dy gjyqe të veçanta, çka do t’i sillte kosto të jashtëzakonshme për mbrojtje dhe gjyq. Ndaj ndjej se ndoshta do të ketë një marrëveshje së shpejti.

Koka: Ndërsa sa i takon akuzës në vetvete, se McGonigal akuzohet se ka sulmuar kundërshtarët politikë të kryeministrit të Shqipërisë, keni ju një koment për këtë.
Peter Lapp:
 Po, është interesante. Në mendjen time, Çarli ishte gjithmonë i hapur për biznes. Ai po përpiqej të fitonte sa më shumë para që të mundej, me këdo. Mendoj se ai zgjodhi disa persona të sigurt, pra po merrej me njerëz prej vendit tuaj. Nuk po flasim për Rusinë, por vende që kanë marrëdhënie të mira me Sh.B.A.-në. Mendoj se do të jetë interesante të shohim se ku do të dalë me këtë.

Koka: A ka ndodhur më parë që kur agjentë të korruptuar nga aktorë të huaj politikë, si qen sulmues kundër kundërshtarëve të tyre?
Peter Lapp:
 Sigurisht jo në këto përmasa. Do të mendoja se këtu në Sh.B.A. mund të ketë pasur raste oficerësh policie apo agjentësh të CIA-as në politika lokale këtu në Sh.B.A., por jo në shkallë ndërkombëtare, siç po shohim me rastin McGonnigal. Mendoj se, në këtë aspekt, mund të themi se ky është një rast pa precedent.

Koka: Ndërkohë sipas medieve, McGonigal mund të ketë përdorur aksesin e tij në FBI për të ndihmuar individët që ishin përcaktuar si ‘non grata’ që tu hiqej emërtimi në shkëmbim të parave. A është e mundur kjo praktikisht?
Peter Lapp:
 Kjo është një tjetër gjë për të cilën mendoj se Çarli po e tejzbukuronte rolin dhe aftësinë e tij për ta bërë këtë. Edhe një herë, ai është lojtar i vogël në totalin e qeverisë së Sh.B.A.-ve. Ai ishte zyrtar i lartë në FBI, por nuk mendoj se kishte pushtetin apo aftësinë të ndikonte sidomos heqjen e një personi prej listës non grata. Sigurisht, kur flasim për operacione zbulimi, po të kish qenë ky rasti, ai mund të kishte ndikim në vendosjen e dikujt në listë, por heqja prej listës do të ishte goxha e vështirë për dikë në pozitën e Çarlit. Mendoj se, në këtë rast, e tejzbukuroi se çfarë mund të arrinte për persona në vendin tuaj.

Koka: Në një farë mënyre më pararendët edhe pyetjen e radhës që kisha. Ka raporte të pakonfirmuara që McGonigal mund të ketë luajtur një rol në përcaktimin e kundërshtarëve politikë të Edi Ramës, si persona ‘non grata’.
Peter Lapp:
 Çarli do të kishte pasur pozitën që të përpiqej të hapte një hetim, nëse plotësoheshin parakushtet, nëse bëhej fjalë për një supozim për shkelje penale, supozim operacioni zbulimi. Ai sigurisht mund të ndikonte hapjen e një hetimi, por se si dilte ai hetim, ai do të humbiste kontroll deri diku, sepse hetuesit do të kryenin intervistat dhe hetimet e tyre dhe do të shihnim se ku do të shkonte. Por sigurisht do të kishte aftësinë ta hapte një hetim, nëse parakushtet e justifikonin këtë. Këtë nuk do bënte vetëm.

Koka: Raportohet sipas aktakuzës që ngritur nga distrikti i Kolumbias, se McGonigal është takuar 5 herë me Ramën, 4 herë në Tiranë në zyrën e tij dhe 1 herë në Nju Jork ka ftuar Ramën në zyrat e FBI. A është normale që një zyrtar i lartë në FBI, të takohet kaq shpesh me një kryeministër të një vendi të huaj.
Peter Lapp
: Kjo është absolutisht e pazakontë. Po flasim për kryeministrin tuaj si kryetar shteti. Normalisht, edhe një zyrtar i lartë nga FBI do të duhej të merrte leje prej Departamentit tonë të Shtetit dhe shumë lart në degën e ekzekutivit për të pasur çfarëdolloj takimi me një kryetar shteti. Kjo është shumë e pazakontë, jo siç punohet normalisht, veçanërisht kur nuk bëhet fjalë për ndoshta një takim, por pesë. Kjo është tërësisht jashtë karakteri dhe jashtë mënyrës si kryhen punët. Departamenti amerikan i Drejtësisë do të ndërvepronte parësisht me kryetarë shteti, si kryeministri juaj.

Koka: A do të duhej që ambasada e SHBA në Tiranë të ishte në dijeni të pranisë së një zyrtari të FBI-së, plot 4 herë në Tiranë dhe për takimet që ai ka zhvilluar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Peter Lapp: 
100%. Absolutisht. Po të bëhej fjalë për punë zyrtare, dhe me sa duket Çarli po i binte përqark si punë zyrtare/personale, por po të bëhej fjalë për punë zyrtare, do të duhej absolutisht të koordinohej me ambasadën lokale në vendin tuaj, por është e qartë, për arsye të dukshme, se nuk ndodhi kështu. Sërish, plotësisht në kundërshtim me protokollin, plotësisht e pazakontë që edhe dikush në nivelin e Charlie-t në FBI të takohej me kryeministrin tuaj. Kjo është plotësisht e pabesueshme, për të qenë i sinqertë.

Koka: A është e mundur që një zyrtar kaq i lartë i FBI të vijë 4 herë në Tiranë dhe ambasada e SHBA të mos jetë në gjendje ta identifikojë qoftë edhe njëherë prezencën e tij në Tiranë.
Peter Lapp
: Nëse Çarli do të kishte qenë me pushime, dhe nuk e di nëse disa prej atyre udhëtimeve ishin për pushime e disa në ndonjë farë dukjeje pune zyrtare, do të ishte e pazakontë për dikë në pozitën e Charlie-t që të shkonte në një vend të huaj aq shpesh. Për punë zyrtare do t’i ishte dashur të njoftonte Departamentin e Drejtësisë, por shumë hallka të koordinimit në qeverinë amerikane është e qartë se nuk ndodhën, dhe kjo është për të ardhur keq në këtë fazë, sepse ndoshta disa persona do ta kishin kuptuar se ka diçka që nuk shkon këtu. Por Çarli do të duhej ta kishte dhënë vullnetarisht atë informacion, gjë që, po ta kishte bërë, do t’i kishte shkaktuar vetes mbikëqyrje të detajuar që më herët se kaq.

Koka: A mundet një drejtues i lartë i FBI, në këtë rast pozicioni që ka pasur McGonigal, ti diktojë një qeverie, qoftë aleate e SHBA se cilët tendera duhet të jepte dhe çfarë duhet të kishte parasysh në dhënien e tenderave. A është në praktikën e FBI-së ky lloj misioni.
Peter Lapp:
 Absolutisht jo. FBI kryen hetime dhe kjo sjellje prej kujtdo në FBI është tërësisht anormale ndaj rrjedhës normale të punës. Ne do të kishim të bënim me versionin tuaj të FBI-së po të bëhej fjalë për hetime mbi individë në vendin tuaj të cilët do të na duhej t’i hetonim, të bisedonim e t’i intervistonim. E gjithë kjo do të kalonte përmes kanalesh zyrtare. Çarli me sa duket kishte kanalet e veta jozyrtare me persona në qeverinë tuaj, dhe mendoj se është tërësisht e pazakontë dhe përtej protokollit që do të ndodhte në FBI në situata normale.

Koka: Në intervistë të dhënë në seksionin shqiptar të EuroNews, ish e dashura e McGonigal ka deklaruar se ai komunikonte me kryeministrin Edi Rama me një program të koduar që përdoret nga aparati i sigurisë së SHBA, mos gaboj, quhet Visat. Nëse kjo është e vërtetë si mundet një zyrtar i huaj të ketë akses në programe të tilla komunikimi?
Peter Lapp
: Jam në dijeni të shumë aplikacioneve – Signal, WhatsApp – një shumëllojshmëri aplikacionesh ku shumë njerëz komunikojnë me njëri-tjetrin në mënyrë të koduar. Sigurisht, është paksa e dyshimtë, por është e kuptueshme që do të donin që bisedat e tyre të mos lexoheshin prej dikujt që nuk duhej t’i lexonte, si për shembull ndoshta komuniteti i zbulimit në Sh.B.A.

Koka: Kam dhe një pyetje tjetër përsa i takon oligarkut Oleg Deripaska në mënyrë të çuditshme në disa tendera në Shqipëri. A shikoni ju një lidhje ndërmjet prezencës së Depiraskës në Shqipëri dhe aktivitetit që ka pasu McGonigal, gjatë kohës që ishte në FBI dhe më mbrapa?
Peter Lapp:
 Nuk është për t’u habitur që Z. Deripaska dhe Çarli të takoheshin në Shqipëri, nëse është një vend që u leverdis të dyve, nga ku mund të hyjnë e të dalin lirisht. Në një moment të caktuar, nëse Çarli do të punonte për Deripaskën në atë mënyrë, do të duhej të takoheshin e të flisnin për punë, gjë që do ta bënin në një mjedis privat. Me sa duket, të dy janë ndjerë rehat me të udhëtuarit drejt një vendi të tretë si Shqipëria.

Koka: E konsideroni aktivitetin e McGonigal nga dy dosjet që keni parë deri më tani, një aktivitet spiunazhi, korrupsion, sjellje e pahijshme apo të gjitha këto bashkë?
Peter Lapp:
 Deri tani, qeveria nuk ka treguar asnjë provë se ka ndonjë supozim spiunazhi. Të gjithë ne që e njohim Charlie-n, që kemi punuar në kundërzbulim dhe spiunazh, shpresojmë dhe lutemi shumë qëÇarli të ketë pasur një vijë morale që nuk do ta shkelte kurrë. Ne shpresojmë që ai të mos ketë përcjellë informacion të klasifikuar. Ai ishte qartësisht i hapur për biznes dhe do të duhej që ai të kishte një vizë që nuk do ta shkelte sa i takon a do të kryente apo jo spiunazh. Me sa kuptoj unë, ai nuk e ka bërë këtë. Duke qenë se kam punuar nëçështjedomethënëse spiunazhi, do të thosha se qeveria jonë nuk do ta linte dikë si Çarli të largohej prej burgu po të kishin prova se ka kryer spiunazh. Ndaj, shpresa ime është që kjo të jetëveçse një rast korrupsioni. Është e qartë se Çarli e ka njollosur distinktivin e FBI-së, ka njollosur byronë, është jo etike, sjellja supozohet të jetë e paligjshme, por shpresoj se kjo është veçse çështje korrupsioni dhe jo korrupsioni e spiunazhi. Ajo do të ishte frika më e madhe e qeverisë sonë.

Koka: Sufina e jurisë së madhe në SHBA, kërkonte ndër të tjera që të verifikoheshin të gjithë komunikimet e përgjuara edhe në mes qeverisë shqiptare, kryeministrit Edi Rama dhe McGonigal. A është e mundur që nëse është e nevojshme që gjatë procesit të kërkohet edhe dëshmia e Edi Ramës për të zbardhur atë që është dosja McGonigal atje.
Peter Lapp:
 Do të ishte pa precedent që Departamenti i Drejtësisë t’i kërkonte kryetarit të një shteti të huaj të vinte e të dëshmonte kundër dikujt si Çarli. Nuk e di a do të ndodhë ndonjëherë kjo. Sigurisht, ai do të kishte informacion që do ta pasuronte hetimin. Por t’i kërkosh kryeministrit tuaj të vijë e të dëshmojë në një gjyq do të ishte diçka historike. Mendoj se kjo është pjesë e arsyes pse, me shpresë, për të gjithë, do të bëhej një marrëveshje për pranim faji shumë shpejt. Kështu, qeveria jonë, Departamenti i Drejtësisë, FBI-ja, do të kuptonin më qartë a kishte Çarli një vijë që nuk do ta kalonte dhe çfarë ka bërë saktësisht. Kjo sepse çdo marrëveshje për pranim faji do të përfshinte marrjen e Charlie-t në pyetje prej FBI-së në lidhje me çfarë ka bërë, kur dhe përmasat e çfarë u ka ofruar gjithë personave të përfshirë në aktakuza.

@tn.lajmelokale
@tetovanews