Ballina Top Lajm Kuqezinjtë dhurojnë spektakël! Shqipëria “rrëmben” fitoren e parë në rrugëtimin drejt Gjermanisë

Kuqezinjtë dhurojnë spektakël! Shqipëria “rrëmben” fitoren e parë në rrugëtimin drejt Gjermanisë

Shqipëria vuan, por triumfon me meritë ndaj Moldavisë dhe merr tre pikët e para në rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe, Europianit Gjermani 2024.

Ashtu siç pritej, sfida rezultoi shumë e komplikuar për kuqezinjtë e Sylvinhos, që vuajtën jo pak ngjeshjen e moldavëve në mbrojtje, teksa në pjesën e parë u ndalën edhe nga traversa, që i mohoi një gol spektakolar Cikalleshit.

Megjithatë askush nuk mund të ndalte Jasir Asanin në fillim të pjesës ë dytë, kur lëshoi një goditje spektakolare me të majtën nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetën e portës moldave, duke ndezur festën kuqezi në stadium.

Një përqafim me trajnerin Sylvinho, i cili i besoi dhe e solli në Kombëtare nga Koreja e Jugut, teksa sulmuesi ia shpërbleu më së miri, me të dytën ndeshje si titullar dhe golin e parë me fanellën kuqezi.

Avantazhi vë në pozita komode kuqezinjtë, që menaxhojnë mirë ndeshjen dhe madje gjejnë edhe golin e dytë, këtë herë me fantazistin Nedim bajrami, që 15 minuta para  fundit, vulosi suksesin për të besuarit e Sylvinhos.

Një gol tërësisht i merituar për Nedim Bajramin, që u pa qartë se kishte një tjetër marsh që në fillim të takimit dhe pas shumë tentativash, u shpërblye me topin që u ndal në rrjetë për të vulosur tre pikët e kuqezinjve.

Sylvinho i gëzohet kështu fitores së parë në pankinën e Shqipërisë, por nuk ka kohë për festë, pasi tri ditë më pas na pret transferta me Ishujt Faroe, një tjetër ndeshje ku marrja e tre pikëve është detyrim, për të ëndërruar Europianin e 2024-ës.

Shqipëri – Moldavi  2-0  (Asani 51′, Bajrami 76′)

Kronika e ndeshjes:

76’ – Gooooooool. Nedim Bajrami mbyll logaritë e ndeshjes me një gol mjaft të bukur. Fantazisti ishte padyshim nga më të mirët në fushë dhe e meritonte një gol mjaft të bukur.

67′ – Dy zëvendësime nga Sylvinho. Largohen Asani e Bare, për t’u lënë vendin Mehmetit e Asllanit…

62’ – Zbritje e shpejtë e kuqezinjve me Asanin e Hysajn, teksa kapiteni krosoi saktë në zonë, por Uzuni nuk goditi dot, ndonëse me portën e boshatisur. Gjithsesi arbitri akordon pozicion jashtë loje në fund të aksionit, si për të ngushëlluar sulmuesin beratas.

51’ – Gooooooool. Jasir Asani niset bukur nga e djathta, hyn në qendër dhe godet nga jashtë zone, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës së moldavëve. Festë kuqezi në “Air Albania”.

 – Starton pjesa e dytë. Shqipëria e nis menjë herë në sulm me Jasir Asanin, por goditja e tij devijohet dhe shkon në këndore…

 45′ + 2 – Mbyllet në barazim pa gola pjesa e parë, me kuqezinjtë që provuan disa herë, por u ndalën nga traversa dhe portieri kundërshtar…

41’ – Bajrami ekzekuton një goditje dënimi nga një distancë e largët, por topi nuk i bindet dhe kalon ngjitur me shtyllën pingule…

21′ – Cikalleshi lëshon një silurë me të majtën, por ndalet nga traversa. Të pafat kuqezinjtë…

20′ – Ramadani provon nga distanca, por topi shkon në duart e portierit që e zotëron pa problem…

18′ – Kërcënojnë edhe moldavët me një krosim nga krahu, por goditja e sulmuesit me kokë shkon mbi kuadrat.

17’ – Uzuni merr një top mbi vijën e zonës dhe provon goditjen, por gjuan shumë keq, duke dërguar topin në tribunë.

8’ – Bajrami vallëzon mes mbrojtjessë dndur moldave, por ndalet me faull pranë zonës, në pozicion të pritët me portën. Ekzekuton vetë goditjen, por topi përplaset në mur dhe nuk krijon rrezik për portën.

1′ Nis ndeshja në Air Albania, Shqipëria pret Moldavinë

Trajneri kuqezi ka ndarë mendjen për formacionin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë, teksa është konfirmuar 11-shja që paralajmëroi SuperSport një ditë më parë. Braziliani ka preferuar skemën 4-2-3-1, me Bajramin, Uzunin e Asanin në mbështetje të Cikalleshit….

Artikulli paraprakVIDEO/Vazhdojnë kërkimet për 3 personat që bashkë me makinën përfunduan në ujërat e lumit Lepenc
Artikulli tjetërParalajmërohet radikalizimi i protestave në Serbi (VIDEO)