Ballina Kultura EMËRTIMET E GJELLËVE E TË USHQIMIT NË VËSHTRIM GJUHËSOR

EMËRTIMET E GJELLËVE E TË USHQIMIT NË VËSHTRIM GJUHËSOR

Nga Dr. Qemal Murati

Terminologjia e kuzhinës shqiptare në gjuhën e sotme letrare mund të thuhet se ka marrë gati kryekreje mëlmesën e huaj, e mbytyr më një anë me terma të rinj të kuzhinës evroperëndimore, dhe në anën tjetër me terma të trashëguar të kuzhinës orientale e sllave.

Po t’i hedhësh një vështrim asaj listës së gjellëve e të ushqimeve ç’përmbajnë restorantet shqiptare, edhe njeriu më i pavëmendshëm do të mund të vërejë se aty gati asgjë nuk është shqipe dhe se ato lista janë të mbushura përplot me fjalë të huaja dhe me forma e trajta gjuhësore të çoroditura krejtësisht.

Tek ato lista do të mund të shihet kudo, sidomos në restorantet shqiptare në Maqedoni, se atij mishit në hell i thuhet razhniçe (nga sll. razhnjiç, razhnjiça), sallatës me patate i thonë më shpesh kompir sallatë (po ashtu sipas renditjes sllave të gjymtyrëve), asaj gjellës që përgatitet me qull të trashë patatesh, pure-së, i thonë më shpesh pire (gjithashtu sipas shqiptimit sllav), spinaqit-spanaq, gjellës me mashurka ose me fasule të njomë i thonë borani, bizeles-grashak. Me fjalë sllave emërtohen po kështu edhe: pleskavicë, veshalicë, kremenadëll etj., të cilat do të mund të quheshin shqip: rrotullame, filetë e mish me masht, pa u humbur aspak kuptimi.

Në terminologjinë e fjalësit të gjellëve, edhe atij llojit të ushqimit me vezë të fërguara, që quhet omëletë, ndeshim më shpesh të emërtohet si hamlet, ndërsa vezës së përgatitur gangull i thonë vezë në sy ose vezë në syzë, sipas një përkthimi të fjalëpërfjalshëm dhe të pagoditur drejt nga sll. na oko. Në kuzhinën e restoranteve shqiptare tash së fundi shohim të ketë hyrë edhe emërtimi tost (ang. toast), për një lloj buke të
rreshkur, të mbushur me sallam e me
kashkavall përbrenda. Një buke të thekur në zjarr a në rreshkatore i thonë më shqip rreshkë, një fjalë e cila e zëvendëson plotësisht tostin. Ndërkaq, edhe për vetë tosterin, përdorësen elektrike për pjekje, mund të përdoret rreshkatore.
Ato termat e huaj që kanë hyrë në kuzhinën shqiptare, bashkë me specialitetet ose llojet e gatesave e të pijeve, në qoftë se nuk mund t’i zëvendësojmë me përgjegjëset shqipe apo nëse nuk mund t’i shqipërojmë si duhet, së paku duhet të kujdesemi që t’i përdorim sipas rregullave zhvillimore fonetike të gjuhës sonë. Kësisoj, do të duhej të përdorim p.sh. sandviç (ang. sandviç, sipas lordit Xh. Sandviçit), dhe jo sendviç sipas formës sllave. Po kështu, edhe asaj pijes alkoolike të fortë, që nxirret nga thekra, nga misri ose nga elbi, që njihet si prodhim kombëtar i Suedisë, duhet ta quajmë uiski e jo viski.

Tetova News në YouTube:

Edhe tek emrat e ëmbëlsirave gati çdo gjë është e huaj, khs. si bakllava, revani, sheqerpare, sytliaç etj., emra këto që shpeshherë i hasim të përdoren me trajta të gabuara: bakllavë, ravani, sultiash etj.

Për këtë llojin e fundit të ëmbëlsirës, që përgatitet duke zier oriz me tambël e me sheqer, sytliaçin, në shqipen e Kosovës e në tërthore të tjera shqiptare përdoret një fjalë e sajuar nga brumi i vendit, tambëloriz, krahas së cilës FGJSSH sjell edhe leksemën qumështoriz, emërtime këto të cilat plotësisht e zëvendësojnë sytliaçin e turqishtes.

Është për të shënuar këtu gjithashtu se edhe kafenë me tambël e kemi italianizuar me makiato, lëngun e qershizës ose të thrashegrës me borovnicë, vetë lëngun e pemëve me sok etj.
Kuzhinën shqiptare sot e kemi orientalizuar, sllavizuar, italianizuar dhe evropianizuar përtej çdo kufiri dhe e kemi prurë deri në atë gjendje të mjerueshme, saqë edhe ushqimet që i hamë nuk u vjen era shqip, por kundërmojnë një erë të pakëndshme të huaj.
Aty ku vjen erë e huaj nuk ka shenjë të mirë.
Ne natyrisht nuk themi që e gjithë terminologjia e kuzhinës mund të jetë shqipe dhe të mund të pastrohet nga ndikimet e huaja, sepse nuk ka kuzhinë pa ndikim nga jashtë, qoftë në mënyrën e gatesave e qoftë në fushën e terminologjisë. Por angazhohemi, ndërkaq, që kjo të mos bëhet krejtësisht e huaj dhe ta ruajë atë farën ose tharmin vetjak brumësor të shqipes.