Ballina Kultura FJALIMI I HYGOSË NË FUNERALIN E BALZAKUT

FJALIMI I HYGOSË NË FUNERALIN E BALZAKUT

Më 18 gusht 1850, në Paris, vdiq në moshën 51-vjeçare shkrimtari i madh francez Honoré de Balzac. Tri ditë më vonë, më 21 gusht, pas ceremonisë fetare në kishën Saint-Philippe-du-Roule, trupi i tij u përcoll drejt varrezave Père-Lachaise, ku Viktor Hygo mbajti një nga fjalimet mortore më të njohura të letërsisë franceze.

Në varrim morën pjesë shkrimtarë, artistë, përfaqësues të institucioneve franceze dhe personalitete të jetës publike. Sipas raportimit të gazetës “Journal des débats” të 22 gushtit 1850, shiritat e karrocës mortore mbaheshin nga ministri i Brendshëm Pierre Jules Baroche, Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, babai, dhe kritiku letrar Sainte-Beuve.

Në kortezh ndodheshin edhe kompozitori Hector Berlioz, dramaturgu Frédérick Lemaître, shkrimtarët Paul Féval, Émile Deschamps dhe Méry, bankieri James de Rothschild, piktorët Théodore Chassériau dhe Thomas Couture, kompozitori Ambroise Thomas, përfaqësues të Akademisë Franceze, universiteteve, shoqatave të shkrimtarëve dhe shumë personalitete të tjera.

Burimet e kohës e përshkruajnë kortezhin si të stërmadh dhe flasin për një turmë të shumtë, të heshtur dhe të respektueshme përgjatë rrugës. Megjithatë, nuk ekziston një numër i konfirmuar i pjesëmarrësve.

Balzaku, autori i “Komedisë njerëzore”, u varros në varrezat Père-Lachaise. Pranë varrit, Viktor Hygo e paraqiti atë jo vetëm si një romancier të madh, por si njërën nga mendjet që do të sundonin me forcën e ideve dhe do t’i linin gjurmët e tyre së ardhmes.

Publicitet

DASHURIA E BALZAKUT DHE EVELINA HAŃSKËS

Një pjesë e pandashme e viteve të fundit të jetës së Balzakut ishte lidhja e tij me aristokraten dhe konteshën polake Ewelina Hańska, e lindur Rzewuska. Historia e tyre filloi në vitin 1832, kur ajo i dërgoi një letër anonime të postuar nga Odesa dhe të nënshkruar “L’Étrangère” – “E huaja”.

Letra përmbante admirim për talentin e Balzakut, por edhe kritikë ndaj mënyrës së zymtë me të cilën ai i kishte paraqitur gratë në romanin “Lëkura e shagrenit”. Letra u bë fillimi i një korrespondence të gjatë dhe i një marrëdhënieje dashurie që zgjati për shumë vjet.

Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Wacław Hański, më 1841, Balzaku shpresonte të martohej me Evelinën, por çështjet e trashëgimisë, kundërshtimet familjare, borxhet e shkrimtarit dhe gjendja e tij shëndetësore e shtynë martesën për disa vjet.

Honoré de Balzac dhe Ewelina Hańska u martuan më 14 mars 1850 në kishën e Shën Barbarës në Berdychiv, në territorin e Ukrainës së sotme. Ata mbërritën në Paris më 20 maj, por shëndeti i shkrimtarit vazhdoi të përkeqësohej. Balzaku vdiq rreth pesë muaj pas martesës.

Në vijim, pason fjalimi


Zotërinj,

Njeriu që sapo zbriti në këtë varr ishte nga ata që i përcjell dhimbja publike. Në kohët që po jetojmë, të gjitha iluzionet janë davaritur. Tashmë sytë drejtohen jo te kokat që sundojnë, por te kokat që mendojnë; dhe mbarë vendi dridhet kur njëra prej këtyre kokave zhduket. Sot, vdekja e njeriut të talentuar është zi për popullin; vdekja e njeriut të gjeniut është zi për kombin.

Zotërinj, emri i Balzakut do të ndërthuret me gjurmën e ndritshme që epoka jonë do t’ia lërë së ardhmes.

Balzaku i përkiste atij brezi të fuqishëm të shkrimtarëve të shekullit XIX që erdhi pas Napoleonit, ashtu si plejada e shquar e shekullit XVII erdhi pas Richelieu-së – sikur në zhvillimin e qytetërimit të ekzistonte një ligj që pas sunduesve me shpatë të sillte sunduesit me mendje.

Balzaku ishte një nga të parët ndër më të mëdhenjtë, një nga më të lartët ndër më të mirët. Ky nuk është vendi për të treguar gjithçka që përmbante ajo mendje e shkëlqyer dhe sovrane.

Të gjithë librat e tij përbëjnë vetëm një libër: një libër të gjallë, të ndritshëm dhe të thellë, në të cilin e shohim tërë qytetërimin tonë bashkëkohor të vijë e të shkojë, të ecë e të lëvizë, me diçka të trembur dhe të tmerrshme të përzier me realitetin; një libër të mrekullueshëm, të cilin poeti e titulloi “Komedi” dhe që mund ta kishte titulluar “Histori”; një libër që merr të gjitha format dhe të gjitha stilet, që shkon përtej Tacitit dhe arrin deri te Suetoni, që kalon përmes Beaumarchais-së dhe arrin te Rabelais-ja; një libër që është njëherësh vëzhgim dhe imagjinatë, që derdh me bollëk të vërtetën, intimen, borgjezen, të zakonshmen dhe materialen dhe që, herë pas here, përmes të gjitha realiteteve të çara befas dhe gjerësisht, na lejon të shquajmë idealin më të errët dhe më tragjik.

Pa qenë i vetëdijshëm për këtë, deshi apo jo, e pranoi apo jo, autori i kësaj vepre të madhe dhe të çuditshme i përket familjes së fuqishme të shkrimtarëve revolucionarë.

Balzaku shkon drejt në thelb. Ai përleshet trup më trup me shoqërinë moderne. Ai ua rrëmben të gjithëve diçka: disave iluzionin, të tjerëve shpresën; disave një britmë, të tjerëve një maskë. Ai e zhbiron vesin dhe e zbërthen pasionin. Ai gërmon dhe heton njeriun, shpirtin, zemrën, brendësinë, trurin dhe humnerën që secili prej nesh mban brenda vetes.

Dhe falë një dhuntie të natyrës së tij të lirë dhe energjike, falë një privilegji të mendjeve të kohës sonë, të cilat, pasi i kanë parë nga afër revolucionet, e shohin më qartë cakun e njerëzimit dhe e kuptojnë më mirë Providencën, Balzaku del i buzëqeshur dhe i qetë nga ato studime të frikshme që prodhuan melankolinë te Molieri dhe mizantropinë te Rusoi.

Ja çfarë bëri ai mes nesh. Ja vepra që na la: një vepër e lartë dhe e qëndrueshme, një grumbullim i fuqishëm themelesh graniti, një monument! Një vepër nga lartësia e së cilës, që tani e tutje, do të shkëlqejë fama e tij. Njerëzit e mëdhenj e ndërtojnë vetë piedestalin e tyre; e ardhmja kujdeset për statujën.

Vdekja e tij e la Parisin të shtangur. Prej disa muajsh ai ishte kthyer në Francë. Duke e ndier se po vdiste, kishte dëshiruar ta shihte përsëri atdheun, ashtu siç vjen njeriu ta përqafojë nënën në prag të një udhëtimi të madh.

Jeta e tij qe e shkurtër, por e plotë; më e mbushur me vepra sesa me ditë!

Mjerisht! Ky punëtor i fuqishëm dhe i palodhshëm, ky filozof, ky mendimtar, ky poet, ky gjeni, jetoi mes nesh atë jetë stuhish, luftërash, grindjesh dhe betejash që në çdo kohë ka qenë fati i njerëzve të mëdhenj.

Sot ai është në paqe. Ka dalë nga polemikat dhe urrejtjet. Në të njëjtën ditë, ai hyn edhe në lavdi, edhe në varr. Që tani e tutje, do të ndriçojë mbi të gjitha retë që rëndojnë mbi kokat tona, mes yjeve të atdheut!

Ju të gjithë që jeni këtu, a nuk tundoheni ta keni zili?

Zotërinj, sado e madhe të jetë dhimbja jonë përballë një humbjeje të tillë, le të pajtohemi me këto goditje. Le t’i pranojmë me gjithë dhimbjen therëse dhe ashpërsinë e tyre.

Ndoshta është mirë, ndoshta është edhe e nevojshme që, në një epokë si kjo e jona, herë pas here një vdekje e madhe t’u japë mendjeve të gërryera nga dyshimi dhe skepticizmi një tronditje fetare.

Providenca e di se çfarë bën kur e vendos popullin ballë për ballë me misterin suprem dhe kur i jep mundësinë të meditojë mbi vdekjen, e cila është barazia e madhe dhe njëkohësisht liria e madhe.

Providenca e di se çfarë bën, sepse ky është mësimi më i lartë nga të gjitha mësimet.

Në çdo zemër mund të lindin vetëm mendime të rrepta dhe serioze kur një shpirt sublim hyn madhërishëm në jetën tjetër; kur njëra nga ato qenie që për shumë kohë kanë fluturuar mbi turmën me krahët e dukshëm të gjeniut, shpalos befas krahët e tjerë, të padukshëm, dhe zhytet papritur në të panjohurën.

Jo, nuk është e panjohura!

Jo, e kam thënë tashmë në një rast tjetër të dhimbshëm dhe nuk do të lodhem së përsërituri: jo, kjo nuk është nata, është drita! Nuk është fundi, është fillimi! Nuk është hiçi, është përjetësia!

A nuk është kështu, ju të gjithë që më dëgjoni?

Arkivole të tilla e dëshmojnë pavdekësinë; përballë disa të vdekurve të shquar, e ndiejmë më qartë fatin hyjnor të asaj mendjeje që përshkon tokën për të vuajtur dhe për t’u pastruar dhe që quhet njeri; dhe i themi vetes se është e pamundur që ata që qenë gjeni gjatë jetës, të mos jenë shpirtra pas vdekjes!

Përktheu nga frëngjishtja: Xhelal Zejneli