Gostivar: Sekuestrohen pushkë automatike dhe municion, arrestohet 69-vjeçari
Më 6 tetor 2026, zyrtarët policorë të DPB Gostivar kanë arrestuar U.R. (69) nga Gostivari.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij dhe në ambientet ndihmëse, të kryer me urdhër gjyqësor, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike me një karikator me gjashtë fishekë të kalibrit 7,65 milimetra, një karikator tjetër me 17 fishekë të të njëjtit kalibër, si dhe disa kuti me gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
69-vjeçari është ndaluar në stacionin policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Tre të arrestuar në Gostivar dhe Tetovë, policia gjen marihuanë dhe kokainë
Më 6 tetor, në orët 18:00, 22:15 dhe 23:20, zyrtarët policorë të ekipit mobil “Task Force” pranë DPB Gostivar dhe SPB Tetovë kanë arrestuar R.J. (47) dhe S.N. (29) nga Gostivari, si dhe G.O. (44) nga Tetova.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e R.J., të kryer me urdhër gjyqësor, janë gjetur dhe sekuestruar dy paketime me marihuanë. Marihuanë është gjetur dhe sekuestruar edhe gjatë kontrollit ndaj S.N., ndërsa te G.O. është gjetur dhe sekuestruar kokainë.
Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.
Tetovë: 38-vjeçari denoncon sulm nga katër persona pas një seance gjyqësore
Më 6 tetor, në orën 10:30, në SPB Tetovë, R.S. (38) nga fshati Tenovë ka denoncuar se rreth orës 09:30, pas përfundimit të një seance në Gjykatën Themelore të Tetovës, është sulmuar fizikisht në korridor dhe në parkingun para gjykatës.
Sipas denoncimit, atë e kanë sulmuar N.S. (61), D.S. (26) dhe F.S. (56) nga Sellarca e Epërme, si dhe A.J. (33) nga Xhepçishti, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe duke i dëmtuar disa sende personale.
Në orën 11:20, katër personat janë paraqitur vetë në stacionin policor, ku me ta janë zhvilluar biseda zyrtare.
Pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Denoncohet sulm ndaj një të mituri në parkingun e Universitetit të Tetovës
Më 6 tetor, në orën 15:15, në SPB Tetovë, F.M. (36) nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 13:00, në parkingun e Universitetit të Tetovës, një person ka sulmuar fizikisht djalin e tij të mitur.
Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.
Sllatinë: Zjarri përfshin objekte, një automjet transportues dhe materiale pune
Më 6 tetor, në orën 15:40, në Stacionin Policor Tearcë është raportuar një zjarr në fshatin Sllatinë.
Zjarri ka përfshirë objekte të një firme private të B.A. (57) nga Sllatina, si dhe një automjet transportues, një kontejner kamioni dhe një ambient ndihmës me materiale ndërtimore e mjete pune, në pronësi të A.F. (72) nga i njëjti fshat.
Zjarri është shuar nga ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit nga Leshka. Nuk ka persona të lënduar.
Këqyrjen e vendngjarjes e ka kryer një ekip i SPB Tetovë.
Universiteti i Tetovës: Denoncohet një ish-student për letër kërcënuese ndaj profesorëve
Më 6 tetor, në orën 16:15, në SPB Tetovë, dekani S.A. (55) dhe sekretari A.A. (33) i Fakultetit të Arteve pranë Universitetit të Tetovës kanë denoncuar një rast kërcënimi.
Sipas denoncimit, rreth orës 11:40, në zyrën e dekanit kishte ardhur ish-studenti I.A. nga Reçica e Madhe, i cili kishte lënë një letër me përmbajtje kërcënuese drejtuar profesorëve të fakultetit dhe më pas ishte larguar.
Policia po ndërmerr masa për gjetjen e tij dhe zbardhjen e rastit.
Gostivar: Arrestohet 62-vjeçari nga Vrapçishti për drejtim pa patentë
Më 6 tetor, në orën 12:10, në rrugën rajonale Gostivar–Gradec, zyrtarët policorë të Stacionit Policor për Siguri në Trafikun Rrugor Gostivar kanë arrestuar R.S. (62) nga Vrapçishti.
Gjatë kontrollit është konstatuar se ai drejtonte një automjet transportues “Fiat” me targa të Shkupit pa patentë shoferi.
Automjeti është konfiskuar, ndërsa ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
Një 17-vjeçare denoncon dhunë nga partneri dhe familjarët e tij, arrestohen tre persona
Më 6 tetor, në Stacionin Policor Rostushë, një 17-vjeçare nga rrethina e Gostivarit, në prani të njërit prind, ka denoncuar se gjatë periudhës së kaluar kishte marrë kërcënime dhe ishte keqtrajtuar fizikisht e psikologjikisht.
Sipas denoncimit, dhuna ishte ushtruar nga partneri i saj I.U. (23), me të cilin bashkëjetonte, nëna e tij D.U. (53) dhe motra e tij 15-vjeçare, të gjithë nga një fshat i Gostivarit.
Po atë ditë, zyrtarët policorë të Stacionit Policor Rostushë kanë arrestuar të tre personat e denoncuar.
Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Gostivar: 17-vjeçari denoncon sulm ndaj tij dhe shokëve nga një grup të miturish
Më 6 tetor, në orën 16:30, në Stacionin Policor Gostivar, një 17-vjeçar nga Dobërdolli ka denoncuar se rreth orës 13:00, para një objekti hotelerik në Rrugën e Ilindenit në Gostivar, ai dhe shokët e tij janë sulmuar nga një grup personash të mitur.
Sipas denoncimit, gjatë sulmit janë përdorur edhe sende të forta.
Policia po ndërmerr masa për identifikimin e pjesëmarrësve dhe zbardhjen e ngjarjes.
Një 62-vjeçar vdes në një rrugë malore në Gjonovicë të Epërme
Më 6 tetor, në orën 18:00, në DPB Gostivar është raportuar se në një rrugë malore në fshatin Gjonovicë e Epërme ka vdekur A.M. (62) nga Zhelezna Reka.
Sipas deklaratës së personit që po e shoqëronte, 62-vjeçarit i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe kishte rënë.
Një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore ka konstatuar vdekjen, pa shenja dhune. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar për autopsi.
Vranjoc: Babai denoncon sulm ndaj djalit të mitur me sende metalike dhe të forta
Më 6 tetor, në orën 23:45, në DPB Gostivar, M.M. (40) nga Debreshi ka denoncuar se rreth orës 21:30, në fshatin Vranjoc, djali i tij i mitur është sulmuar fizikisht nga disa të mitur të tjerë.
Sipas denoncimit, gjatë sulmit janë përdorur sende metalike dhe të forta.
Policia po ndërmerr masa për identifikimin dhe gjetjen e personave të përfshirë, si dhe për zbardhjen e rastit.
“Audi” del nga rruga Tetovë–Gostivar, një 18-vjeçar pëson lëndime të rënda
Më 6 tetor, në orën 22:25, në rrugën Tetovë–Gostivar, një automjet “Audi” me targa të Dibrës, i drejtuar nga A.M. (28) nga Dibra, ka dalë nga rruga.
Pasagjeri A.F. (18) ka pësuar lëndime trupore, të konstatuara në Qendrën Urgjente të Gostivarit.
Drejtuesi dhe dy pasagjerët e tjerë, E.B. (18) dhe A.M. (19), të gjithë nga Dibra, janë transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup për shkak të lëndimeve.
Gjatë ekzaminimeve shtesë, te E.B. janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Në kumtesë përmenden edhe lëndime trupore te A.M., por nuk saktësohet nëse bëhet fjalë për drejtuesin 28-vjeçar apo pasagjerin 19-vjeçar, të cilët kanë të njëjtat iniciale.
Këqyrjen e vendngjarjes e ka kryer një ekip i DPB Gostivar.
Gostivar: Arrestohet 35-vjeçari pasi bashkëshortja denoncon dhunë dhe kërcënime
Më 7 tetor, në orën 03:30, zyrtarët policorë të DPB Gostivar kanë arrestuar K.A. (35) nga një fshat i Gostivarit.
Bashkëshortja e tij 37-vjeçare kishte denoncuar se ai, në shtëpinë e saj, e kishte sulmuar fizikisht e verbalisht dhe e kishte kërcënuar.
35-vjeçari është ndaluar në stacionin policor. Pas dokumentimit të rastit do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Arrestohet 39-vjeçari nga Banjica e Poshtme, dyshohet për vjedhjen e një telefoni
Më 6 tetor, në orën 16:50, zyrtarët policorë të DPB Gostivar kanë arrestuar G.K. (39) nga Banjica e Poshtme.
Ai dyshohet për vjedhjen e një telefoni celular, rast i denoncuar po atë ditë nga B.I. nga Gostivari.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Tetovë: Dëmtohen gomat e një automjeti të Qendrës për Punë Sociale, dyshohet edhe për një tjetër
Më 6 tetor, në orën 11:00, Qendra për Punë Sociale në Tetovë ka denoncuar në SPB Tetovë dëmtimin e gomave të një automjeti zyrtar.
Sipas denoncimit, ndërmjet orës 08:00 dhe 08:30, me një mjet të mprehtë janë dëmtuar gomat e përparme dhe të pasme të një automjeti “Peugeot” me targa të Tetovës, i parkuar në parkingun e institucionit.
Dyshohet se është dëmtuar edhe një gomë e një automjeti tjetër të institucionit, “Dacia” me targa të Tetovës, i cili ishte parkuar para hyrjes së ndërtesës. Automjeti ishte nisur drejt Shkupit për nevoja urgjente, kur drejtuesi kishte vërejtur se njëra gomë ishte shfryrë dhe e kishte ndërruar.
Është kryer këqyrja e vendngjarjes dhe policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit./SPB Tetovë, kumtesa e 7 tetorit 2026















