Një ngjarje e rëndë është shënuar sonte në qytetin e Prizrenit, ku një person ka mbetur i vdekur si pasojë e një goditjeje me mjet të mprehtë.
Kështu ka mësuar Sinjali nga burimet e tij, informatë kjo e cila është konfirmuar edhe nga Policia e Prizrenit.
“Sonte, më datë 10 gusht 2025, rreth orës 21 e 20 minuta, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një person me lëndime është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit”.
“Sipas mjekëve, viktima, i identifikuar si Hekuran Shala ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra“, tha Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit.

“Patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit”.
“Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe aktualisht ndodhet në arrati. Njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e tij”.

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe po ndërmerren veprimet ligjore të mëtejme”.















