Ballina Kronika Kronika e Tetovës dhe Gostivarit – 15 tetor 2026

Kronika e Tetovës dhe Gostivarit – 15 tetor 2026

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Dobrosht: Automjeti del nga rruga, lëndohen rëndë shoferi 20-vjeçar dhe pasagjeri

Më 15 tetor 2026, në orën 01:50, në SPB Tetovë është raportuar se një automjet “Seat” me targa të Tetovës ka dalë nga rruga rajonale Tetovë–Jazhincë, në fshatin Dobrosht.

Automjeti drejtohej nga A.M. (20) nga Tearca. Në aksident, drejtuesi dhe pasagjeri A.I., gjithashtu nga Tearca, kanë pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës.

Këqyrjen e vendngjarjes e ka kryer një ekip i SPB Tetovë./SPB Tetovë

Gostivar: 71-vjeçarja lëndohet rëndë pasi rrëzohet duke pastruar ballkonin

Më 14 tetor, në orën 13:00, Ndihma Mjekësore Urgjente e Gostivarit ka njoftuar policinë se për trajtim ishte sjellë G.I. (71) nga Gostivari, me lëndime të rënda trupore.

Sipas njoftimit, ajo është rrëzuar teksa pastronte ballkonin e një ndërtese në rrugën “Nikolla Parapunov”.

Për shkak të seriozitetit të lëndimeve, 71-vjeçarja është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup për ndihmë mjekësore.

Këqyrjen e vendngjarjes e ka kryer një ekip i DPB Gostivar./SPB Tetovë

Tetovë: Arrestohet 20-vjeçari, dyshohet për tentativë sulmi me mjet të mprehtë pas një mosmarrëveshjeje në trafik

Më 14 tetor, në orën 14:00, në Rrugën e Ilindenit në Tetovë, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë arrestuar B.T. (20) nga Tetova.

Paraprakisht, E.O. (24) nga Reçica e Vogël kishte denoncuar se rreth orës 10:20, pas një mosmarrëveshjeje në trafik, B.T. ishte përpjekur ta sulmonte me një mjet të mprehtë dhe i kishte dëmtuar automjetin.

Pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzimi përkatës./SPB Tetovë

Tetovë: Arrestohet 33-vjeçari pasi bashkëshortja denoncon sulm fizik dhe shqetësim të vazhdueshëm

Më 14 tetor, në orën 19:20, në Rrugën e Shtipit në Tetovë, zyrtarët policorë kanë arrestuar F.A. (33) nga Tetova.

Policia ka vepruar pas denoncimit të bashkëshortes së tij 34-vjeçare. Sipas saj, ai e kishte fyer dhe shqetësuar për një periudhë të gjatë, ndërsa gjatë asaj dite e kishte sulmuar edhe fizikisht.

33-vjeçari është ndaluar në stacionin policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzimi përkatës./SPB Tetovë

Tetovë: Arrestohet 26-vjeçari nga Kërçova, drejtonte “BMW” pavarësisht ndalimit aktiv

Më 15 tetor, në orën 01:00, në Rrugën e Ilindenit në Tetovë, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë arrestuar R.R. (26) nga Kërçova.

Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar një automjet “BMW” me targa të Shkupit, i drejtuar prej tij. Nga verifikimet është konstatuar se ai drejtonte automjetin megjithëse kishte në fuqi një ndalim për drejtim.

Pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzimi përkatës./SPB Tetovë