Ballina IA Një burrë helmohet pasi konsultohet me ChatGPT: Studiuesit paralajmërojnë për rreziqet e...

Një burrë helmohet pasi konsultohet me ChatGPT: Studiuesit paralajmërojnë për rreziqet e padukshme të inteligjencës artificiale

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Antoine Beau

Sietël, Shtetet e Bashkuara. Një burrë 60-vjeçar, përdorues i rregullt i asistentëve bashkëbisedues të inteligjencës artificiale (ChatGPT, Claude etj.), paraqitet në urgjencë. Ai shpjegon se nuk ndihet mirë dhe këmbëngul se fajin e ka fqinji i tij, të cilin e përshkruan si të çmendur, një njeri vërtet të lig, të aftë për gjithçka. Është i bindur: dikush e ka helmuar dhe nuk ka asnjë dyshim se këtë e ka bërë fqinji.

Personeli mjekësor kryen kontrollet: pacienti nuk ka histori sëmundjesh fizike apo çrregullimesh psikiatrike dhe është i aftë të gjykojë. Parametrat e tij jetësorë janë normalë, por pajisja që shfaq rezultatet e analizave të gjakut sinjalizon një sërë anomalish. Nivelet e klorurit janë tepër të larta, ndërsa përqendrimet e natriumit dhe bikarbonatit janë të pazakonta dhe nuk përputhen me njëra-tjetrën. Pacienti duhet të shtrohet urgjentisht në spital.

Në dhomën e pushimit, mjekët pyesin veten: çfarë ka ndodhur? Të dhënat janë kundërthënëse dhe nuk lejojnë të nxirren përfundime të qarta. Ndoshta ka gëlltitur metale të rënda? Çfarë regjimi ushqimor ndjek? Duhet ta pyesin përsëri, por kjo është e pamundur: pacienti bëhet gjithnjë e më i shqetësuar, përsërit se ka etje, shumë etje, por refuzon ujin që i ofrojnë. Më pas, kur personeli nuk e ka mendjen, përpiqet të arratiset, me kateterin ende të vendosur në krah.

Skena është groteske: ai u flet mureve dhe kapërcen pengesa të padukshme. Në raportin mjekësor, specialistët shënojnë: halucinacione pamore dhe dëgjimore, dyshim për bromizëm. Pacienti dërgohet në spitalin psikiatrik, në pritje që infuzioni intravenoz që i është vendosur të japë efekt.

Bromizmi është një helmim nga bromuri, një lloj kripe që dikur përdorej në barna. Ishte një gjendje e zakonshme gjatë shekullit të kaluar, por sot është e rrallë, pasi kjo substancë është hequr nga përdorimi farmaceutik.

Infuzioni jep efekt. Pacienti fle dhe më pas arrin të shpjegojë çfarë ka ndodhur.

Burri është i fiksuar pas asaj që ha, aq sa ndjek një regjim vegjetarian jashtëzakonisht të rreptë. Leximet e tij në internet, gjithnjë e më të specializuara, e kanë shtyrë të dyshojë te kripa e zakonshme e kuzhinës, të cilën e konsideron të dëmshme për tensionin arterial, deri në atë pikë sa përpiqet ta eliminojë nga ushqimi.

Ekzistojnë shumë regjime ushqimore, por ai i konsideron të pamjaftueshme dhe bind veten se duhet të shkojë më tej me eksperimentin. Duke qenë se ka formim në fushën e ushqyerjes, fillon të kërkojë përbërje kimike që mund të kenë veti të ngjashme. Dhe vendos ta provojë mbi veten. Ai do të jetë vetë subjekti i parë i eksperimentit.

Një recetë e krijuar nga inteligjenca artificiale

Me ndihmën e ChatGPT-së, ai harton një recetë dhe i zëvendëson kristalet e kripës me një substancë tjetër. Zgjedh bromurin: një substancë helmuese që e konsumon rregullisht për tre muaj, pa u shqetësuar nga puçrrat e tmerrshme që kanë filluar t’ia mbulojnë fytyrën.

Inteligjenca artificiale i thotë se të dyja substancat mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Kjo është e vërtetë nëse bëhet fjalë për pastrimin e sipërfaqeve, por në një regjim ushqimor bromuri është vdekjeprurës. Një gabim fatal.

Makineria mbetet makineri. Ajo nuk ka asnjë vetëdije për rëndësinë e kësaj hollësie dhe është zhvilluar për të dhënë përgjigje me siguri të plotë. Përndryshe, klienti largohet nga platforma dhe, nëse klienti largohet, të ardhurat bien ndjeshëm.

Burri nuk ishte helmuar nga fqinji i tij, por nga një program kompjuterik që gjeneron fjalë, të cilit mund t’i qasesh falas nga kompjuteri, pa u mbajtur përgjegjës për atë që ndodh më pas.

Mjekët e Universitetit të Uashingtonit në Sietël e shndërrojnë këtë rast në një studim, të botuar në gusht 2025 në revistën shkencore Annals of Internal Medicine: Clinical Cases.

Ata shprehin shqetësim për pohimet e pasakta të inteligjencës artificiale dhe theksojnë:

“Nuk kemi qasje në historikun e bisedave të tij me ChatGPT dhe nuk do të mund ta dimë kurrë me siguri se çfarë përgjigjeje të saktë ka marrë: çdo përgjigje është unike dhe ndërtohet mbi bazën e shkëmbimeve që e kanë paraprirë.”

Ndryshe nga një mjek apo një i afërm që jep këshilla të gabuara, makineria nuk mban përgjegjësi për pasojat. Nuk mund ta marrësh në pyetje dhe aq më pak ta ndalosh për ta marrë në pyetje në polici. Dëmet janë reale, por nuk lënë gjurmë.

Më 9 tetor 2026, studiues nga universitetet Binghamton, Stanford, Texas A&M dhe Indiana e marrin në shqyrtim këtë rast.

Ata botojnë një editorial në revistën Nature Health, ku, megjithëse rikujtojnë përparimet e arritura falë inteligjencës artificiale, denoncojnë edhe këto “rreziqe të padukshme”.

Po, këto sisteme sjellin përfitime reale, veçanërisht duke shpjeguar informacionet mjekësore me gjuhë të qartë, duke qenë të disponueshme 24 orë në ditë dhe duke zgjeruar mundësitë e qasjes për njerëzit që përballen me pengesa gjuhësore ose vështirësi në lexim dhe kuptim. Ato përbëjnë një burim të përballueshëm ekonomikisht dhe lehtësisht të arritshëm, ndonjëherë të vetmin në dispozicion.

Por nëse një mjek, apo qoftë edhe një mik, do të kishte dhënë këshilla të tilla, atij do t’i kërkohej, të paktën, të ishte transparent për të ndihmuar mjekët në vendosjen e diagnozës.

Inteligjenca artificiale, përkundrazi, gjeneron një përgjigje të personalizuar që nuk është kurrë e njëjtë dhe nuk mban regjistra publikë të përgjigjeve të saj.

Ky është një problem “strukturor”, në një kohë kur këto mjete tashmë përdoren për qëllime shëndetësore dhe miliona përdorues të internetit u drejtohen rregullisht me pyetje të kësaj natyre.

Helmimet, mbidozat…

Në media kanë filluar të shfaqen histori helmimesh të lidhura me inteligjencën artificiale.

Në korrik, në Shtetet e Bashkuara, një burrë njoftoi se do të ngrinte padi kundër OpenAI. Ai nuk ndihej mirë, por sistemi i inteligjencës artificiale ia minimizoi shqetësimet. Për këtë arsye, ai e shtyu caktimin e vizitave mjekësore. Mirëpo problemi rezultoi të ishte një emboli pulmonare, një gjendje urgjente mjekësore.

Në maj, edhe prindërit e një adoleshenti që kishte vdekur nga mbidoza njoftuan se do të ndërmerrnin veprime ligjore, për shkak të rekomandimeve që sistemi kishte dhënë lidhur me substancat dhe dozat e tyre.

Dhe që kur është bërë e mundur krijimi i videove të rreme bindëse, mjekët e rremë, të krijuar në mënyrë digjitale, kanë vërshuar në rrjetet sociale, duke shfrytëzuar autoritetin që përcjellin përparësja e bardhë dhe stetoskopi për të shitur suplemente ushqimore ose kura të rreme.

Një shembull është videoja e manipuluar me inteligjencë artificiale, e njohur si deepfake, që paraqiste doktor Jimmy Mohamed, për të cilën raportuam disa javë më parë.

Sistemet e inteligjencës artificiale nuk janë të besueshme për këshilla mjekësore dhe kompanitë që i zhvillojnë e dinë këtë.

Në prill, disa shkencëtarë u shtirën sikur po dokumentonin, në artikuj absurdë që nuk do t’i kishin mashtruar mjekët, shfaqjen e një sëmundjeje të quajtur “Bixonimania”, e cila në të vërtetë nuk ekziston. Sistemi i inteligjencës artificiale i pranoi këta artikuj si të vërtetë.

Sa të përhapura janë këto probleme? Është e pamundur të përcaktohet.

“Nuk e dimë se sa të përhapura janë rastet që kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të inteligjencës artificiale, sepse studiuesit e pavarur nuk kanë asnjë mënyrë për të siguruar të dhënat e nevojshme për të vlerësuar dëmet në nivel popullsie. Kjo mungesë qasjeje përbën argumentin qendror të artikullit tonë dhe është arsyeja pse ne i cilësojmë këto dëme si të padukshme. Askush, përveç vetë kompanive të inteligjencës artificiale, nuk është në gjendje ta përcaktojë këtë”, shpjegon Matthew DeVerna, studiues i specializuar në ndikimet e inteligjencës artificiale dhe një nga autorët e artikullit të botuar në Nature Health.

A do të kishim pranuar që mjekët, infermierët apo cilido punonjës tjetër shëndetësor të gëzonin një pandëshkueshmëri të tillë?

Studiuesit propozojnë që kompanitë e inteligjencës artificiale t’u mundësojnë përdoruesve qasje në bisedat e tyre për çështje shëndetësore, në mënyrë që ata t’ua përcjellin mjekëve dhe të mund të rindërtojnë më lehtë zinxhirin e ngjarjeve që ka çuar në një incident.

Ata rekomandojnë gjithashtu që këto kompani të krijojnë një mekanizëm raportimi, i cili do të mundësonte identifikimin, denoncimin dhe shqyrtimin e këshillave problematike shëndetësore. Kjo është edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se kompanitë tashmë i ruajnë këto të dhëna për të përmirësuar modelet e tyre.

Së fundi, studiuesit u bëjnë thirrje rrjeteve sociale të marrin më shumë përgjegjësi: të identifikojnë më qartë përmbajtjet shëndetësore të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe t’i shpërndajnë ato vetëm pasi të jenë miratuar nga institucione mjekësore kompetente.

“Ne rekomandojmë që platformat të zbulojnë përmbajtjet shëndetësore sintetike, t’i pajisin ato me shenja identifikuese digjitale dhe etiketime të përshtatshme, e më pas të përmbahen nga shpërndarja e tyre masive derisa ato të jenë shqyrtuar nga ekspertët dhe të jetë përcaktuar origjina e tyre.

Qëllimi është të parandalohet që përmbajtjet shëndetësore sintetike, potencialisht të rrezikshme, të përhapen në mënyrë virale.

Në fakt, vetëm një përqindje e vogël e përmbajtjeve të publikuara arrin një audiencë të gjerë. Platformat tashmë vendosin për renditjen e publikimeve dhe përmasat e shpërndarjes së tyre. Ky rekomandim lidhet pikërisht me këto vendime për t’u dhënë përparësi përmbajtjeve të caktuara dhe për të përforcuar përhapjen e tyre”, vazhdon Matthew DeVerna.

Po kështu, motorët e kërkimit duhet të mbështeten vetëm në informacione të verifikuara kur hartojnë përmbledhjet e tyre.

Sa u përket vendimmarrësve politikë, sipas autorëve, ata duhet ta zgjerojnë edhe te kompanitë që zhvillojnë chatbot-e përgjegjësinë ligjore për gabimet mjekësore, e cila aktualisht zbatohet ndaj mjekëve.

Me pak fjalë, të zbatohen ndaj robotëve të njëjtat rregulla që zbatohen ndaj njerëzve.(L’Express)