Ballina Argëtim Jean Philanthrope, influencuesi i krijuar me inteligjencë artificiale që po bën bujë:...

Jean Philanthrope, influencuesi i krijuar me inteligjencë artificiale që po bën bujë: Çfarë tregon ky mashtrim për epokën tonë

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Gérald Bronner

Rasti i Jean Philanthrope shënon një pikë kthese. Por kush është ai në të vërtetë? Në fillim të kësaj historie, askush nuk e di. Pamja e tij bie menjëherë në sy: një model qesharak flokësh, mustaqe dhe kostum i stilit retro. Në videot e shkurtra të publikuara në TikTok dhe Instagram, Jean Philanthrope shikon drejt kamerës, bën disa lëvizje boksi dhe nuk shqipton kurrë asnjë fjalë. Brenda pak javësh, videot e tij grumbullojnë dhjetëra miliona shikime dhe kudo njerëzit pyesin se kush është ai. Pavarësisht realizmit mahnitës të këtyre videove të shkurtra, ai nuk është gjë tjetër veçse një krijim i inteligjencës artificiale. Pothuajse ndiejmë zhgënjim që një personazh kaq i pazakontë nuk ekziston në botën tonë. Sidoqoftë, shfaqja e tij në rrjetet sociale vulos hyrjen në epokën kur dallimi mes reales dhe artificiales është bërë pothuajse i pamundur. Duhet pranuar se ky avatar duket sikur është filmuar me telefon, me kuadro realiste, lëvizje të rrjedhshme dhe një mjedis përreth pa asnjë të metë të dukshme.

Debati mbi ekzistencën reale të Jean Philanthrope ka përfshirë mijëra forume dhe vetëm disa hollësi fare të vogla kanë bërë të mundur zbulimin se ai është një personazh artificial. Ai nuk është i pari që ka sjellë praninë e influencuesve virtualë në rrjetet sociale. Tashmë ka shumë të tillë. Disa prej tyre kanë madje dhjetëra miliona ndjekës. Por Jean Philanthrope nuk është krijuar për të zgjatur. Në këtë kuptim, edhe një tregues tjetër duhej të kishte bërë të mundur zbulimin e shpejtë se ai nuk ishte real: llogaritë e tij në rrjetet sociale përmbajnë një lidhje drejt një kriptomonedhe. Në kulmin e entuziazmit, kapitalizimi i saj i tregut e kaloi shifrën prej 12 milionë dollarësh… përpara se të shembej. Ndërkohë, dikush duhet të ketë futur shumë para në xhep. Por si është e mundur e gjithë kjo?

Përzgjedhja darviniane

Aspekti më misterioz i gjithë kësaj është mënyra se si vëmendja jonë kapet kolektivisht në grackë. Ndoshta e keni parë Jean Philanthrope rastësisht në ndonjë video të shkurtër, të llojit që rrjetet sociale e parapëlqejnë kaq shumë kohët e fundit. Mund t’ju jetë dukur i çuditshëm, por me shumë gjasë nuk i keni kushtuar më tepër vëmendje. Ajo që nuk dini është se personazhe si ai krijohen me mijëra, derisa njëri prej tyre të jetë mjaftueshëm intrigues për t’i shtyrë disa përdorues të klikojnë në profilin e tij. Jean është një i mbijetuar i përzgjedhjes darviniane që vepron mbi personazhet virtualë në botën digjitale. Pikërisht për këtë arsye, krijuesit e tyre i bëjnë të çuditshëm, me qëllim që të shkaktojnë një ndjesi të paplotësisë njohëse, e cila na nxit të dëshirojmë të mësojmë më shumë.

Në këtë pikë, një mekanizëm i dytë është gati të na zërë në grackë: popullariteti shndërrohet në një rrugë të shkurtër për të formuar gjykimin tonë. Nëse miliona njerëz shikojnë dhe shpërndajnë diçka, ne supozojmë se ajo duhet të ketë ndonjë interes. Dhe, përmes mekanizmit të çuditshëm të ekonomisë së iluzionit, interesi shndërrohet në vlerë. Ndoshta nuk është se të gjithë njerëzit besojnë vërtet se kjo kriptomonedhë mund të jetë fitimprurëse, por ata besojnë se të tjerët e besojnë këtë. Përmes një dukurie që pjesëmarrësit në të gjitha bursat e botës e njohin mirë, ajo që është fiktive bëhet reale. Jean Philanthrope nuk ka nevojë as t’i reklamojë cilësitë e produktit: ai qëndron i heshtur në secilën prej videove të tij! Vëmendja shndërrohet në një garanci imagjinare për një aktiv financiar, ndonëse ajo nuk na tregon asgjë për vlerën e tij.

Ky rast nxjerr në pah edhe një tjetër ndryshim vendimtar: influencuesit prej mishi e gjaku zotërojnë kapitalin e besimit të publikut të tyre. Promovimi i investimeve të dyshimta përbën shpërdorim të këtij kapitali dhe rrezikon veprimtarinë e tyre në të ardhmen. Një avatar nuk përballet me të njëjtat kosto për sa i përket reputacionit. Natyra e tij kalimtare dhe mundësia për ta zëvendësuar e vënë sërish në lëvizje, në çdo moment, makinerinë e mashtrimeve me kriptomonedha. Në fakt, shumë personazhe digjitale gjatë ditëve të fundit po përpiqen të imitojnë karakteristikat e Jean Philanthrope, të gatshëm për ta zëvendësuar. Një qenie fiktive mund të tërheqë vëmendje të vërtetë, të nxisë vendime ekonomike dhe të shkaktojë humbje që janë dhimbshëm reale… Kështu po kalojmë nga ekonomia e vëmendjes në ekonominë e iluzionit.

Gérald Bronner është sociolog dhe profesor në Universitetin e Sorbonës. (L’Express)