Ballina Lajme INTERVISTË ME PROF. XHELAL ZEJNELIN

INTERVISTË ME PROF. XHELAL ZEJNELIN

Xhelal Zejneli

INTERVISTUESE: FLLANZA JUSUFI

Xhelal Zejneli është i lindur në vitin 1954 në Tetovë. Ka punuar si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në gjimnazin e Tetovës. Punon edhe si përkthyes, ndërsa ka qenë edhe zëvendësdrejtor i Agjencisë Informative të Maqedonisë (MIA) (2002-2006). Autor i punimeve në fushën e linguistikës, të publikuara në Maqedoni dhe jashtë vendit.

Intervista është xhiruar në vitin 2020.

FLLANZA JUSUFI: Do t’Ju kisha lutur për fillim të na prezantoheni, emrin, mbiemrin. Të na tregoni ku punoni ose ku keni punuar, shkollën, vendin… diçka më tepër.

XHELAL ZEJNELI: Kam lindur në Tetovë më 11 maj 1954. Arsimimin fillor dhe të mesëm e kam kryer këtu. Studimet universitare i kam kryer në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare, si student i rregullt, i kam ndjekur po ashtu në Universitetin e Beogradit, në Fakultetin Filologjik.
Më 1979 jam punësuar si përkthyes për shqip-serbokroatisht dhe serbokroatisht-shqip në Këshillin Ekzekutiv Federativ në Beograd. Domethënë në Qeverinë jugosllave. Aty kam punuar 14 vjet, deri në vitin 1993, kur më RSF e Jugosllavisë pushoi të ekzistojë. Sikundër shihet, 20 vjet kam jetuar në Beograd, atje kam pasur edhe banesën time. Gjashtë vjet kam studiuar dhe 14 vjet kam qenë në punë në qeverinë jugosllave në cilësinë e përkthyesit, në kuadër të redaksisë shqipe, apo redaksisë së Kosovës.
Në vitin 1993 jam kthyer në Tetovë dhe jam punësuar në gjimnazin e Tetovës si profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë. Në vitin 2002 jam emëruar zëvendësdrejtor i Agjencisë Informative të Maqedonisë. Aty kam qenë zëvendësdrejtor katër vjet. Në vitin 2006 jam rikthyer në gjimnazin e Tetovës ku punoj edhe sot. Jam autor i librit prej 500 faqeve që mban titullin “Periudhat dhe drejtimet në letërsi – metodat letrare”. Botoj shkrime me tema politike dhe me tema letrare e gjuhësore, në të gjitha mediumet në Maqedoni, në Shqipëri, në Kosovë, në Evropë dhe në Amerikë. Shkrimet e mia përkthehen në disa gjuhë të huaja.
Jam i martuar dhe kam katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë. Vajzat i kam të martuara. Nuk jam veprues në asnjë parti politike. Shpesh kam marrë pjesë nëpër debate televizive. Kam mendim kritik dhe qëndrim kritik ndaj të gjitha partive politike shqiptare apo maqedonase, në funksion të mbarëvajtjes së proceseve demokratike këtu në Maqedoni.

Tetova News në YouTube:

F. J: Diçka më tepër rreth shkollës Tuaj ku punoni? Një përshkrim të shkurtër.

Xh. Z: Në shkollën ku punoj, në gjimnaz, probleme me kolegët nuk kemi, me drejtorin nuk kemi probleme. Shkollat në Maqedoni janë të politizuara. Janë të partizuara për arsye se drejtorët në të gjitha shkollat në Maqedoni, ndoshta edhe në Ballkan emërohen prej faktorëve politikë, pa kritere profesionale. Nëse je njeri i tyre, njeri i partisë, je i dëgjueshëm për partinë, për subjektin politik, ti emërohesh drejtor pavarësisht se a i plotëson kushtet dhe kriteret për ta ushtruar atë punë dhe atë detyrë. Prandaj edhe arsimimi në Maqedoni nuk është në nivel të duhur.
Testimi PISA është matje ndërkombëtare ose vlerësim ndërkombëtar i njohurive të nxënësve të moshës 15 vjeçare. Maqedonia zë ndër vendet e fundit në botë! Kosova dhe Maqedonia zënë ndër vendet e fundit në botë. Unë kam qenë dy herë vlerësues i testeve PISA të nxënësve shqiptarë në Maqedoni. Që të dyja herët Maqedonia është renditur e katërta në botë nga fundi, kurse Kosova – e tretë në botë nga fundi. Kjo do të thotë se 77% e nxënësve shqiptarë dhe maqedonas të moshës 15-vjeçare nuk e kuptojnë atë që e lexojnë. Rezultatet e testimit Pisa shteti i komunikon për të gjithë nxënësit bashkërisht, pa i ndarë sipas bashkësive etnike.
Përse ky rezultat dëshpërues? Kjo varet nga një sërë faktorësh. Një prej arsyeve është, siç thashë, edhe politizimi dhe partizimi i skajshëm i sistemit arsimor. Çdo gjë është në duart e faktorit politik, partive politike. Shërbëtor shkolle katundi nuk mund të emërohesh në qoftë se nuk i takon një subjekti politik.

F. J: Faleminderit. Tashti do t’i kthehemi periudhës para 2001-shit. Ju keni punuar, siç thatë, edhe në vitet ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar. A mund të tërhiqni një paralele si ka qenë shkollimi, sistemi arsimor gjatë viteve ’80, në krahasim me vitet ‘90 ose para se të vinim deri te lufta e 2001-shit.

Xh. Z: Është i përhapur mendimi se sot, më datë 16 qershor 2020 arsimi në Maqedoni ndodhet në gjendje jo të mirë. Ky mendim është i përhapur gjithandej. Me këtë çështje merren edhe njerëz jokompetentë. Dilni ju në pazar, në treg dhe në çarshi do të dëgjoni të thonë: “Arsim s’ka, arsimi është i shkatërruar”. Flasin në mënyrë të paargumentuar njerëz që nuk e dinë problemin, që nuk janë aty, që nuk merren me këtë çështje. Dhe thonë se prej viti 2001 e deri më sot, arsimi në Maqedoni ka shënuar rënie. Flas për arsimin shqiptar, për arsimin në gjuhën shqipe. Për arsimin në gjuhën maqedonase nuk kam informata. Dhe e marrin si kufi vitin 2001, gjoja se prej atëherë fillon rënia, rrënimi i arsimit shqiptar këtu në Maqedoni.
Për këtë çështje kam pasur një shkrim prej 50 faqesh, me titull “Arsimi shqiptar në Maqedoni, shkalla tronditëse e degradimit”. Është botuar edhe në Amerikë. Është edhe në gjuhën maqedonase. Para 10-15 vjetëve ka pasur njëfarë cilësie nëpër shkollat tona. Ka pasur njëfarë rendi, njëfarë disipline dhe kriteri. Në 10-15 vitet e fundit rendi, rregulli, disiplina, kriteri dhe cilësia janë relativizuar, deri në banalizim. Pikërisht kjo ka të bëjë me rënien e cilësisë në arsimin shqip këtu në Maqedoni. Ka kohë që nxënësit nuk e përsërisin vitin shkollor. Ka nja 10 vjet që nuk ngel askush..
Unë nuk dua ta marr kufi 2001-shin, mirëpo më përpara nxënësit e përsëritnin vitin shkollor, ngelnin në klasë dhe kjo ka qenë mirë. Kur ngel nxënësi, është mirë, kur nuk ngel, është keq. Sikundër thashë, ka nja 10 vjet që asnjë nxënës nuk e ka humbur vitin shkollor. Edhe nxënësi me 10 nota të dobëta, një javë para përfundimit të shkollës, kalon.

F. J: Kjo është sa u përket njohurive të nxënësve. Por si kanë qenë të drejtat e shqiptarëve në lëmin e arsimit në vitet ’80, ’90 apo deri në vitin 2001? Si ka qenë sistemi arsimor në atë periudhë? Me çka janë ballafaquar mësimdhënësit apo profesorët në atë periudhë?

Xh. Z: Atëherë ne jemi ballafaquar me probleme të caktuara, si për shembull me mungesën e teksteve shkollore. Na duhej të përdornim tekste të përkthyera, tekste shkollore të arsimit fillor e të mesëm të përkthyera nga maqedonishtja në shqip, të përkthyera në mënyrë diletante dhe joprofesionale. Tekste shkollore edhe sot s’kemi në sasi të duhur dhe në masë të duhur. Tekste shkollore të përkthyera me cilësi nga maqedonishtja në shqip, edhe sot s’kemi. Edhe sot përkthehen në mënyrë diletante dhe joprofesionale.

F. J: Në atë periudhë në çfarë gjuhe zhvillohej mësimi?

Xh. Z: Nuk e di a keni dëgjuar për shprehjen “paralele të përziera”. Në fund të viteve ’80 të qindvjeçarit të kaluar, boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd që sot quhet Podgoricë, mori një vendim që të krijohen të ashtuquajturat “paralele të përziera”. Në klasën me 30 nxënës shqiptarë, fusnin një nxënës sllavomaqedonas. Për hir të tij i gjithë procesi i mësimdhënies duhej të zhvillohej në gjuhën maqedonase. Kjo ishte një strategji e Shkupit- Beogradit-Titogradit për t’i asimiluar shqiptarët, për t’i margjinalizuar, për t’i getoizuar, për t’i shfarosur dhe për t’i detyruar të shpërngulen prej trojeve të tyre etnike historike për në Evropë dhe gjithandej nëpër botë.
Në shërbim të kësaj strategjie u vunë edhe do shqiptarë të ndershëm. Sipas shtypit të Beogradit, “të ndershëm” ishin ata shqiptarë që shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë. Shqiptarin që e shante Shqipërinë dhe e lavdëronte Jugosllavinë shtypi i Beogradit e quante “shqiptar i ndershëm” Në kohën e paraleleve të përziera ishin 2-3 “shqiptarë të ndershëm” këtu në Maqedoni dhe në Tetovë të cilët e mbështetën atë strategji. Por, për një kohë shumë të shkurtër kjo ide absurde u shua si flluskë sapuni. Për këtë punë u burgosën profesorë, mësues, arsimtarë dhe nxënës. I futën në birucat e serbosllavisë. I rrahën, i torturuan, i dëbuan prej pune, prej shkolle. Pastaj, asaj periudhe i erdhi fundi. Kjo ka ndodhur në kohën e komunizmit, në kohën e Jugosllavisë së Titos, në kohën e Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ).
Po të ndalemi tani në sistemin arsimor të periudhës së pluralizmit pas vitit 1991 do të shohim se shqiptarët kanë qenë skajshëm të diskriminuar. Vetëm 1% e shqiptarëve regjistroheshin në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup. Këta thonë se kemi qenë të përfshirë 3 – 4 për qind. Bëhen 3 – 4 për qind me studentët shqiptarë të regjistruar në shkollën pedagogjike. Ajo s’ka qenë shkollë, ka qenë pseudo shkollë. Krejt lëndët kanë qenë në gjuhën maqedonase, vetëm nja-dy lëndë kanë qenë në gjuhën shqipe. E quanin Shkollë e Lartë Pedagogjike. Me do studentë që regjistroheshin aty arrihej numri 2-3%, ndërkaq në Universitetin “Kirili dhe Metodi” të Shkupit mund të regjistroheshin vetëm 1% e nxënësve shqiptarë. Për këtë arsye Prof. Dr. Fadil Sulejmani i hyri punës për ta themeluar Universitetin e Tetovës. Universitetin e Tetovës e themeloi profesor Fadil Sulejmani me një grup intelektualësh nga Tetova, Struga, Ohri, Dibra, Kërçova, Gostivari, Kumanova, Shkupi. Universiteti i Tetovës është rezultantë e diskriminimit të shqiptarëve në arsimimin në gjuhën amtare, sidomos në nivelin universitar.
Kemi qenë skajshëm të diskriminuar. Nëpër shkolla fillore klasat kishin nga 45 nxënës. Diskriminimi brirë nuk ka, ky është diskriminim. Prej klasave të shkollës fillore me 45 nxënës dilnin nxënës të papërgatitur. Nxënësi e kryente katërvjeçaren apo tetëvjeçaren duke mos marrë njohuri të mjaftueshme. Mësuesi apo mësuesja s’ka pasur faj. Kush mund të punojë me 45 nxënës në një klasë!? Në klasë të tillë s’mund të mbash rend as disiplinë. S’ke kohë t’i kontrollosh, t’i notosh apo t’i vlerësosh nxënësit.
Ka pasur shkolla fillore apo edhe të mesme ku është punuar në tri ndërresa. Të merremi vesh, flas për periudhën para 2001-shit, për periudhën e viteve 1991-2001. Shkolla fillore dhe të mesme në paralelet me mësim në gjuhën shqipe që kanë punuar në tri ndërresa! Ç’do të thotë 3 ndërresa? Prej orës 7:00 deri në orën 10:30 – ndërresa e parë. Prej orës 11:00 deri në orën 14:00 – ndërresa tjetër. Si në fabrikën e “Teteksit” ku punohej në ndërresa. Ndërresa e tretë realizohej prej orës 15:00 deri në orën 17 apo 18. Po çfarë shkolle ishte kjo? Ora mësimore ka zgjatur 20 apo 25 minuta. Kësaj i thonë shkollë!? Të merremi vesh, kjo praktikë vazhdoi edhe pas 2001-shit, ngase punët nuk korrigjohen dhe nuk përmirësohen menjëherë. Punët nuk ndryshojnë shpejt dhe lehtë. Për t’i ndryshuar do punë nuk kërkohet vetëm vullnet politik. Duhet pasur edhe bazë materiale. Për të ndërtuar shkolla dhe për të nxjerrë kuadër profesional etj. nevojitet edhe bazë financiare
Sot këto probleme nuk i kemi. Sot, më 16 qershor 2020, klasat e shkollave fillore apo të mesme, me ndonjë përjashtim, kanë nga 15 deri 20 nxënës. Mësimi me tre turne ka marrë fund.

F. J: T’i kthehemi edhe pak asaj periudhe. Në atë periudhë kishte klasa të përziera me nxënës prej etnikumeve të ndryshme, apo kanë qenë vetëm me shqiptarë?

Xh. Z: Në kohën e pluralizmin s’ka pasur paralele të përziera. Ato janë formuar në vitin 1988, në Jugosllavinë komuniste. Titoja s’ka qenë atëherë. Ai ka vdekur në vitin 1980. Paralelet e përziera kanë qenë strategji e Beogradit.

F. J: Arsimtarët apo profesorët shqiptarë a kanë pasur komunikim me arsimtarët maqedonas?

Xh. Z:.Me kolegët maqedonas nuk kemi pasur asnjëherë asnjë problem dhe asnjë konflikt. Nuk kemi pasur problem, por as komunikim të mirëfilltë! Edhe sot s’ka komunikim. Maqedonia është shtet dyetnik, i përbërë prej shqiptarëve dhe maqedonasve. Komunikim të duhur midis këtyre dy etniteteve s’ka. Në vitet 1971-1974 kam qenë nxënës në gjimnazin ku punoj sot. As atëherë, midis nxënësve të dy bashkësive etnike s’ka pasur kurrfarë komunikimi. Edhe sot, pas pesë dekadave, midis nxënësve shqiptarë dhe atyre maqedonas s’ka kurrfarë komunikimi. Më kot mundohen të dërguarit e Brukselit apo USAID-i të krijojnë njëfarë multikulture. Dikur kam qenë aty si nxënës, kurse sot jam edhe si profesor. Midis nxënësve të të dy komuniteteve s’ka pasur komunikim. S’ka as sot. Midis dy palëve nuk luhen as lojëra sportive, futboll ose ndonjë ndeshje sportive tjetër. S’di të jenë formuar ekipe futbolli të përziera, për shembull në ekipin e klasës shqiptare të luajnë dy a tre nxënës maqedonas apo anasjelltas. Këto veprime Titoja i cilësonte si vëllazërim–bashkim, kurse të dërguarit e BE-së thonë: “Të krijoni shoqëri multietnike dhe multikulturore!” Kjo është njësoj si vëllazërim-bashkimi i Titos. S’ka vëllazërim-bashkim, as multikulturë. Ka një hendek! Ky është realiteti.
Pse është kështu? Kjo është një çështje më shumë se politike. Në vitin 1991 Maqedonia u shkëput nga amalgama jugosllave. Maqedonasit veten e shpallën trashëgues të vetëm të shtetësisë dhe mbartës të vetëm të shtetësisë. Shqiptarët ndërkaq i lanë në margjinat e këtyre proceseve politike dhe demokratike. Prej vitit 1991 e këndej vazhdoi diskriminimi kombëtar i shqiptarëve, njësoj si në kohën e Aleksandër Rankoviqit. Ky diskriminim shtrihet prej vitit1912 deri më sot. Le të themi deri në vitin 2001 kur fillon implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Kjo marrëveshjeje e ndryshoi në njëfarë mënyre statusin politik dhe juridik të shqiptarëve. Njëfarë ndryshimi sigurisht është bërë. Jo një ndryshim i plotë, por njëfarë ndryshimi po. Prej vitit 1912 deri më sot ndaj shqiptarëve në Maqedoni ndiqet një politikë diskriminuese, restriktive. opresive, margjinalizuese dhe getoizuese.
Ne këtu përbëjmë 30% të popullsisë së Maqedonisë. Kemi potencial për të qenë popull shtetformues. Ne na kanë trajtuar si pakicë kombëtare, si minoritet. Edhe sot duan të na trajtojnë si pakicë kombëtare apo si minoritet. Si në kohën e Jugosllavisë së mbretit, të Pashiqit, të Karagjorgjeviqëve. Madje në atë kohë s’na kanë njohur as si minoritet. Në kohën e Jugosllavisë komuniste, sidomos deri në vitin 1966 kemi qenë nën pushtetin unitar dhe centralist të Rankoviqit.
Edhe në pluralizmin politik këtu në Maqedoni, prej vitit 1991 e këndej shqiptarët janë trajtuar si pakicë apo si minoritet. Mbi shqiptarët është ushtruar dhunë. Dhunë në Bit Pazar, në Ladorisht, në Gostivar ku u vranë edhe njerëz, dhunën me rastin e themelimit të Universitetit të Tetovës, me ç’rast u vra nga policia maqedonase Abdylselam Emini.

F. J: Po.

Xh. Z: Në atë universitet sot ligjërojnë në gjuhën maqedonase edhe profesorë maqedonas. Ka edhe studentë maqedonas. Nuk lejonin të themelohet apo të zyrtarizohet, kurse sot ata punojnë aty dhe kanë studentë maqedonas. I kanë katedrat, degët e veta në gjuhën maqedonase. Domethënë s’qenka projekt i gabuar.

F. J: Si mendoni, këto që i përmendët a kanë qenë shkaqe që sollën luftën e 2001-shit?

Xh. Z: Lufta e 2001-shit ka qenë luftë e brendshme. Nuk ka qenë luftë e importuar nga Kosova, siç thonë nacionalistët maqedonas. Lufta ka qenë pasojë e pakënaqësisë së popullit shqiptar këtu në Maqedoni. Lufta e 2001-shit që filloi në kalanë e Tetovës më 14 mars, diku rreth orës 10:30, e që u shtri prej Tanushe deri në Tanushë, ka qenë pasojë e pakënaqësisë së thellë të popullit shqiptar në Maqedoni. Ka qenë një pakënaqësi e akumuluar prej vitit 1912 deri në vitin 2001. E akumuluar në kohën e luftërave ballkanike, të Luftës së Parë Botërore, të Jugosllavisë së mbretit serb, të Kragjorgjeviqëve, të Pashiqit, të Rankoviqit, të Jugosllavisë së Titos.
E njëjta politikë ka vazhduar edhe në kohën e pluralizmit, por aleatët dhe miqtë tanë të përjetshëm amerikanë kërkonin nga faktori politik shqiptar që të ndjekim politikë konstruktive, stabilizuese dhe paqeruajtëse, të ruajmë paqen, qëndrueshmërinë në Maqedoni dhe në rajon. Ishte çështja e Kosovës që kërkonte prioritet. Përparësi kishte çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë. Për këtë arsye faktori politik shqiptar në Maqedoni ndoqi një politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese.
Faktori politik shqiptar veproi në kuadër të institucioneve të sistemit, veproi me mjete politike dhe demokratike. Kërkesat e veta i formuloi dhe i artikuloi në rrugën politike dhe demokratike. Ka qenë në qeveri, në parlament, në kuvendin e këtij vendi dhe nuk ka shkaktuar kriza politike. Ka qenë konstruktiv. Por sllavomaqedonasit nuk duan të dinë për veprime dhe qëndrime konstruktive. Çdo kërkesë e shqiptarëve pritej prej tyre në tehun e shpatës. Si rrjedhojë shpërtheu lufta e 2001-shit që përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit. Kjo bëri të mundur ndryshimin e kushtetutës së këtij vendi. Ishte kushtetutë unitare, centraliste dhe monoetnike. Sipas saj, maqedonasit ishin padronë të shtetit, kurse 30% e popullatës së këtij vendi ishin në geto dhe të margjinalizuar dhe kishin jo më shumë se 1% pushtet.
Në krye të luftës ishte Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe faktori politik i saj. U bë luftë, jo kundër Maqedonisë apo popullit maqedonas, por kundër ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare sllavomaqedonase për ta ndryshuar statusin politik të shqiptarëve që janë popull autokton në këto troje.
Në librat dhe në tekstet shkollore, që nga fillorja deri në universitet, nën ndikimin e akademikëve serbë, maqedonasit ndërtojnë shkencë të rrejshme. Thonë se shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur prej Shqipërie në shekullin XIX. Por, historianët dhe studiuesit e Evropës e dinë se ne jemi pasardhës të ilirëve dhe në këto troje jetojmë me mijëra vjet.
Lufta e 2001-shit ka qenë luftë e brendshme. Ajo u mbështet, pa përjashtim, nga të gjithë shqiptarët në Maqedoni, nga i gjithë populli shqiptar. Populli i dërgoi fëmijët e vet në fushëbetejë. Populli e ka mbështetur ushtrinë dhe luftën ekonomikisht dhe materialisht. Lufta u mbështet edhe nga Tirana, edhe nga Prishtina.

F. J: Ku ndodheshit Ju kur plasi lufta?

Xh. Z: Ditën kur plasi lufta, kam qenë në shkollë.

F. J: A mund të na thoni diçka lidhur me procesin mësimor gjatë periudhës së luftës?

Xh. Z: Në shkollën fillore “Liria” gjimnazi i Tetovës kishte 10 klasa. Në gjimnaz nuk kishim hapësirë të mjaftueshme, prandaj dhjetë klasat e sipërthëna mësimin e ndiqnin në “Liri”. Pse s’kishim hapësirë? Ngase qemë të diskriminuar. Shtetit s’i bëhej vonë që ne të krijonim klasa me nga 40 nxënës. Unë kam pasur klasë me 40 nxënës. A mund ta merrni me mend të keni në klasë 40 djem të moshës 18-vjeçare.

F. J: Çka ishte sfidë për Ju në këtë periudhë?

Xh.Z: Në këto 10 paralele në “Liri” kishim rreth 350 nxënës të gjimnazit. Unë jepja mësim, por isha edhe përgjegjës. Më 14 mars të vitit 2001, në kalanë e qytetit u dëgjuan krismat e para. Ishte ora 10:30. Që atëherë kanë kaluar 19 vjet.

F. J: Vitin e ardhshëm do të bëhen 20 vjet.

Xh.Z: Si çdo ditë, edhe atë ditë ishim nëpër klasa duke e realizuar procesin mësimor. Unë ndodhesha në zyrën time. Tre djem të ri e çelën derën e zyrës. M’u drejtuan që nga dera dhe më thanë: “Profesor, të ndërpritet mësimi menjëherë!” Kjo m’u duk si urdhër. Ishin do të rinj, njëzet e dy-tre vjeçar. Nuk më kujtohet në ishin të maskuar. I pyeta se kush janë dhe nga vinte kjo kërkesë, për të mos thënë urdhër i prerë. Nuk dhanë përgjigje dhe u larguan sakaq. Kërkuan të ndërpritet procesi mësimor ngase situata nuk është për të mbajtur mësim.
Nxënësit që rri te kabina e ziles i thashë: “Bjeri ziles 10 minuta më herët”. Dhjetë profesorë dolën prej klasave. Tre profesorë të tjerë ndodheshin në zyrën e profesorëve. I tubova dhe u tregova: “Erdhën nja tre djem, nuk i njihja. Kërkuan të ndërpritet menjëherë procesi mësimor për arsye se situata nuk është për të zhvilluar mësim. Me siguri janë dërguar prej atyre që e bëjnë luftën”. Ushtria Çlirimtare Kombëtare ende nuk ishte paraqitur si e tillë. Ajo doli pak më vonë. Po kështu edhe krahu politik i saj. Ata më thanë: “Ti je përgjegjës, ç’ mendimi ke ti? U thashë: “Do ta ndërpresim procesin mësimor menjëherë që mos të shkaktohet ndonjë problem, se ata mund të vijnë përsëri”. Të gjithë e dimë si është situata. Ka krisma nga të dyja palët. Krisma nga ata në kalanë e qytetit, nga krahu i fshatit Poroj dhe nga krahu i fshatit Sellcë. Kalaja ishte midis dy krahëve të fushëbetejës. Komandantët e asaj kohe që e kanë nisur luftën, janë edhe sot.
E shkrova një njoftim me nja tre rreshta. Ia dhashë nxënësit kujdestar që ta lexonte nëpër klasa, në dhjetë klasa. Nxënësit u njoftuan për ndërprerjen e procesit mësimor. U sugjeruan prerazi që prej shkolle të shkojnë drejt nëpër shtëpi, sidomos nxënësit e fshatit. Nxënësve të fshatrave të malësisë u dhamë sugjerime të veçanta. Disa prej tyre do të strehoheshin nëpër shtëpitë e shokëve apo të shoqeve. Qyteti u zbraz. Njerëzit qëndruan nëpër shtëpitë e tyre. Pra, krisma nga të dyja palët. Shteti me ushtrinë dhe me policinë filloi të reagonte. Kjo qe dita e parë e luftës. Pastaj procesi mësimor u ndërpre në mbarë hapësirat ku shtrihej fronti i luftës.
Partia për Prosperitet Demokratik ishte një lëvizje popullore. Ajo dhe Partia Demokratike Shqiptare formuluan, artikuluan dhe shtruan në rrugën politike dhe demokratike, në kuadër të institucioneve të sistemit, kërkesa për zgjidhjen e kauzës shqiptare në Maqedoni. Këto kërkesa u injoruan nga pala maqedonase. Si pasojë shpërtheu lufta e 2001-shit.

F. J: Po. Mund të kthehemi edhe pak në…

Xh. Z: Faktori politik maqedonas të drejtat tona i maste në shtratin e Prokrustit. Një popull që ka potencial shtetformues nuk mund t’i realizojë të drejtat e veta duke ia matur pala tjetër në shtratin e Prokrustit. Kështu çështja shqiptare përplasej nga skila në haribdë. Nga e keqja në më të keqen. Pikërisht kjo e solli luftën e 2001-shit. Ishte një luftë, historikisht e drejtë dhe e justifikueshme. Ushtria Çlirimtare Kombëtare i ka respektuar me përpikëri të gjitha rregullat dhe konventat ndërkombëtare të luftë. UÇK-ja kishte emblemë, hierarki komanduese, uniformë. E kishte edhe krahun politik.
F. J: Gjatë periudhës kur u ndërpre procesi mësimor, a kishit ju ndonjë lloj kontakti me nxënësit ose me prindërit e tyre? Në atë periudhë ishte edhe më rëndë, nuk…

Xh. Z: Këtu ka pandemi, KOVID-19. Mësimi tre muaj është ndërprerë. Prej marsit deri në 10 qershor, kur përfundoi mësimdhënia. Por procesi është realizuar online, nëpërmjet pajisjeve kompjuterike, internetit, platformave digjitale, ZOOM. Procesi është realizuar në masë të kënaqshme në mbarë vendin.

F. J: Po në atë periudhë?

Xh. Z: Edhe këshillat e klasave i kemi mbajtur online. Edhe detyrat e shtëpisë i kemi dhënë nëpërmjet këtyre platformave dhe i kemi korrigjuar. Kemi marrë përgjigje prej nxënësve dhe kemi bërë vlerësimin e njohurive të tyre.
Gjatë luftës së 2001-shit teknologjia e lartpërmendur nuk ka funksionuar, mbase edhe nuk ka ekzistuar fare. Atëherë tentonim t’i nxisim nxënësit dhe t’u japim moral që të lexojnë veprat, t’i shfletojnë tekstet shkollore për të gjitha lëndët, si: gjuhë amtare dhe letërsi, gjuhët e huaja, matematikë, biologji, kimi, fizikë, art figurativ, art muzikor, sport dhe veprimtari sportive, e kështu me radhë.

F. J: Në cilën mënyrë e bënit këtë komunikim me nxënësit?

Xh.Z: Komunikonim nëpërmjet telefonit, i kemi pasur numrat e çdo nxënësi dhe të çdo prindi. Të dhënat themelore të nxënësve dhe të prindërve i regjistrojmë në pjesën përkatëse të ditarit. Kjo është procedurë administrative ligjore. Nëpërmjet komunikimit me telefon synonim t’ua mbajmë gjallë shpirtin nxënësve në mënyrë që të mos binin në letargji. Ka pasur raste kur me një numër të nxënësve jemi takuar, qoftë në shkollë, qoftë në ndonjë vend tjetër. Një numër i nxënësve kanë shkuar edhe në Prizren.

F. J: Do të thotë janë shpërngulur, janë transferuar…

Xh. Z: Po. Nga disa fshatra të malësisë, nga zonat ku zhvilloheshin luftimet më të ashpra, një numër i nxënësve, me gjyshet dhe gjyshërit e tyre, morën rrugën e Prizrenit. Këto zona goditeshin me të madhe nga forcat antishqiptare ushtarake, policore, paramilitare maqedonase. Kanë gjuajtur edhe ndaj popullsisë civile, kështu që ata janë detyruar të dalin në Prizren.
F. J: Janë transferuar dhe kanë mësuar nëpër shkolla nëpër vende të tjera ato nxënës?

Xh. Z: Po, ata kanë shkuar me familjet e tyre dhe janë vendosur në Prizren. Prej Prizreni a kanë vajtur diku tjetër në Kosovë, këtë nuk e di. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht 2001 situata filloi të normalizohet. Disa prej nxënësve që ishin vendosur në Prizren, tanimë ishin kthyer në vatrat e tyre, por kishte edhe të tillë që ende qëndronin atje.
Isha në shkollë. Më telefonoi dikush, pa u prezantuar dhe më tha:
– “Mirëdita profesor!”
– “Urdhëroni!” – ia ktheva.
– “Unë jam zëvendëskomandant….”
– “Çfarë zëvendëskomandanti, lufta tashmë ka mbaruar” – ia ktheva unë.
– “Lufta mund të ketë mbaruar, por unë ende jam në pozicione luftarake.”
– “Çka është puna?” – e pyeta.
– “Në shkollën tuaj i ngelni nxënësit”, më tha ai.
– “Dëgjo këtu zotëri, ne të arsimit nuk përdorim shprehje dhe terma si: i ngelim, i kalojmë nxënësit. Këto janë shprehje që s’kanë të bëjnë me procesin arsimor. Këtu ka procedura se si realizohet procesi edukativo-arsimor. Pjesë e kësaj procedure është edhe vlerësimi apo notimi i nxënësve. Shprehjet “i ngelim, i kalojmë” nuk përdoren në asnjë shkollë të botës,”
– “Ju e dini profesor se keni nxënës jashtë Maqedonie. Ata janë larguar për shkak të luftës dhe nuk mund të kthehen. Këta nxënës a do të mund të marrin dëftesa apo diploma shkollore?”
– “Dëgjo zotëri, ti nuk je ai që duhet të merresh me këto punë. Me këtë çështje merren organet e shkollës.”
* * *
Gjatë luftës, PDSh-ja ishte në sistem, por në një pjesë të këtij vendi Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe krahu politik i saj, të mbështetur nga populli, zhvillonin luftë. Sidoqoftë, PDSh-ja ishte në sistem – në qeveri dhe në kuvend. Sa funksiononte ajo qeveri dhe ai kuvend, kjo është çështje tjetër. Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, Uashingtoni dhe Brukseli kërkonin prej faktorit politik shqiptar të qëndrojnë në sistem. Në shtator të atij viti e konstatuam saktë numrin e nxënësve që nuk ishin kthyer prej Kosove. Për të gjetur zgjidhje përkatëse për këta nxënës, organet legjitime të shkollës mbajt disa mbledhje dhe konsultime. U morën vendime që këta nxënës t’u nënshtrohen provimeve klasore në mënyrë që të mund të marrin dëftesa apo diploma. Nga lëndë të caktuara, për ta u organizuan edhe ushtrime dhe orë plotësuese. U dhamë nxënësve detyra dhe udhëzime të caktuara për të gjitha lëndët, prej gjuhës amtare deri në edukatë fizike. Bëhej fjalë për 7 – 8 nxënës. Me punë dhe angazhim të pakursyer, të gjithë ia dolën të marrin dëftesa apo diploma. Me fjalë të tjera, asnjë prej tyre nuk e humbi vitin shkollor.

F. J: Pastaj në shtator filloi mësimi?

Xh. Z: Si zakonisht, mësimi filloi më 1 shtator.

F. J: Si ishte, a mund të bëni një paralele me shtatorët e së kaluarës?

Xh. Z: Nuk kemi pasur asnjë problem brendashqiptar. S’kemi pasur ndonjë problem as palën maqedonase.

F. J: A komunikonit ndër vete? A kishte komunikim ndërmjet nxënësve të të dy bashkësive etnike?

Xh. Z: Me kolegët maqedonas kemi komunikuar normalisht. Një profesor maqedonas jepte maqedonisht në paralelet shqipe. Por ai kishte luftuar me uniformë dhe me pushkë në dorë, në radhët e forcave të armatosura të shtetit dhe kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Nxënësit shqiptarë e bojkotuan dhe ai u detyrua të mos jepte mësim në klasat shqiptare.

F. J: Ju kolektivi, profesorët ose nxënësit?

Xh. Z: Jo, nxënësit shqiptarë dhe maqedonas kurrë s’kanë komunikuar ndër vete. As mirëdita nuk i thonë njëri-tjetrit. Në gjimnazin e Tetovës kjo edhe nuk vërehet ngase nxënësit maqedonas mësojmë në ndërtesë tjetër. Me fjalë të tjera, janë të ndarë fizikisht.

F. J: Gjithmonë ka qenë ashtu ose…?

Xh. Z: Në gjimnazin ku sot jam profesor, në vitet 1971-1974 kam qenë nxënës. As atëherë nuk kemi komunikuar ndër vete. Që atëherë kanë kaluar mbi gjysmë shekulli. S’ka komunikim as kontakte. Madje as edhe ndonjë lojë sportive. Kjo është një çështje komplekse. Mbi shqiptarët në Maqedoni, me ndihmën e Beogradit, që nga viti 1912 deri në vitin 2001, është ushtruar opresion, shtypje, dhunë. Në raste të caktuara, pala maqedonase ka tentuar të ushtrojë dhunë edhe pas viti 2001.
Para ca vitesh nxënësit maqedonas kanë mësuar në ndërtesën qendrore të gjimnazit. Erdhi një moment kur ata vetë u larguan nga kjo ndërtesë. Pretekst ishte kremtimi i 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Profesori i angazhuar për organizimin e festës, para ndërtesës shkollore e kishte vendosur flamurin tonë kombëtar dhe portretin e heroit tonë kombëtar – Skënderbeut. Në mëngjes nxënësit maqedonas vijnë në shkollë dhe i shohin simbolet tona kombëtare. Nja dy javë e bojkotojnë mësimin. Me siguri pasojnë edhe ndërhyrjet politike nga VMRO-ja ose nga LSDM-ja…

F. J: Po, edhe ajo ka ndryshuar, po.

Xh. Z: Për ta qetësuar situatën erdhi nga Shkupi edhe diplomati dhe ish-ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere. Ky atëherë rinte në Maqedoni. U tha nxënësve maqedonas se BE-ja do të ndihmojë në furnizimin e shkollës me pajisje të reja, do t’i ndërrojë dritaret, dërrasat, do t’i rregullojë tualetet etj.

F. J: Po Ju si profesor, a ndjeheshit të sigurt në atë periudhë për ta realizuar procesin mësimor? A ishte sigurt, nxënësit a tregonin ndonjë sjellje të pazakontë?

Xh. Z: Ne ishim plotësisht të sigurt, s’kishim asnjë problem. Ne këtu jemi në tokën tonë këtu, jemi në vendin tonë, në trojet e stërgjyshërve tanë. Lufta jonë ishte e drejtë, historikisht e justifikueshme. Shqiptarët kërkonin liri, barazi, demokraci.

F. J: Po, gjithsesi. Por, pasi që kishte ndodhur konflikti, lufta, a ekzistonte ndonjë frikë ose…?

Xh. Z: Konflikti nuk ndodhi kundër popullit maqedonas, por kundër forcave të errëta të tij.
F. J: Po, atë e cekët edhe më herët. Mirëpo, nxënësit si e përjetonin? Si ju dukej juve?
Xh. Z.: Lufta e 2001-shit te fëmijët e vegjël dhe te një numër i nxënësve ka lënë pasoja dhe trauma. Bëhet fjalë për fëmijë dhe për adoleshentë. Shqetësimet më të mëdha i hasim sidomos te nxënësit e zonave të luftës, në disa fshatra të malësisë. Për fat të keq, me këtë çështje organet e shtetit, si të pushtetit qendror ashtu edhe të pushtetit vendor, nuk janë marrë fare. Kësaj çështjeje s’i kanë kushtuar rëndësi as institucionet e Brukselit. Një numër i fëmijëve dhe i adoleshentëve mbase kanë pasur nevojë për kontakte me psikologët.
Nxënësit për herë të parë kishin dëgjuar krisma armësh të rënda, për herë të parë kishin parë luftë. Kanë qenë adoleshentë. Lufta nuk është punë e mirë. Janë shkatërruar të mira materiale, janë djegur dhe janë rrënuar shtëpi, tregtiza, dyqane. Ka pasur të plagosur dhe të vrarë. Edhe ekzekutime. Për luftën e 2001-shit kanë informuar edhe mediume botërore, CNN-i, Sky News-i, BBC-ja. Për këtë është dëgjuar në të gjitha kontinentet.
F. J: E, kjo a ndikoi në procesin arsimor diçka?

Xh. Z: Në procesin arsimor nuk ndikoi gjithaq. Që nga koha kur përfundoi lufta e deri në shtator, situata u qetësua dhe u stabilizua. Pedagogu dhe psikologja e shkollës realizuan kontakte permanente me nxënësit për t’u ndihmuar atyre që t’i tejkalojnë pasojat eventuale të luftës. Në funksion të kësaj, në shtator u mbajtën edhe kontaktet me prindërit.
Me profesorët maqedonas nuk kemi pasur asnjë problem. Kemi komunikuar, por çfarë komunikimi? Mirëdita dhe kaq. Kësaj s’i thonë dot komunikim. Edhe sot nuk komunikojmë më shumë.

F. J: Çfarë është sot ndryshe nga 2001-shi?

Xh. Z: Shpejt është për të folur për ndryshime eventuale. Për ndryshimin e gjendjes dhe të statusit të tyre, shqiptarët kanë paguar një çmim të lartë. Pritet të pasojnë ditë më të mira për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Jemi për një shtet demokratik bashkësish etnike të barabartë, për një shtet ku të mos ketë të privilegjuar dhe të diskriminuar, për një shtet të integruar në strukturat euroatlantike.
F. J: A fituan diçka shqiptarët?

Xh. Z: E kemi imponuar ndryshimin e kushtetutës monoetnike dhe centraliste, në të mirë të të gjithë qytetarëve?
F. J: Shqiptarët a fituan diçka konkretisht nga 2001-shi?

Xh. Z: Nuk mendoj të kenë fituar shumë, por e arritën Marrëveshjen e Ohrit. që bëri të mundur ndryshimin e kushtetutës së këtij vendi. Ajo ishte unitare, monoetnike dhe centraliste. Megjithëkëtë, shqiptarët nuk e kanë fituar statusin e popullit shtetformues. Si çdo marrëveshje, ashtu edhe kjo e Ohrit, nuk ishte veçse një kompromis midis palëve ndërluftuese, për t’i dhënë fund luftës. Për fat të keq, në Maqedoni ende ka forca të errëta retrograde dhe anakronike sllavomaqedonase që tentojnë t’i konsiderojnë shqiptarët pakicë. Një prej këtyre forcave është VMRO-DPMNE-ja. S’ka Maqedoni pa shqiptarët. Këtë duhet ta dinë, si aleati ynë i përjetshëm, Uashingtoni, ashtu edhe Brukseli.
F. J: Çka është ndryshe në sistemin e arsimit? Çka është fituar në këtë aspekt?

Xh. Z.: Në sistemin e arsimit e kemi Universitetin e Tetovës. Për cilësitë e tij nuk dua të flas. Është universitet i ri. Shpresojmë të konsolidohet dhe ta marrë veten. Duke iu përkushtuar punës së ndershme, ai do të forcohet dhe të arrijë cilësi të duhur.
F. J: Po përvoja Juaj personale në shkollën ku punoni, a ka ndonjë dallim midis të sotmes dhe të kaluarës?

Xh. Z.: Ka të tillë që thonë se kuadri i vjetër është më cilësor se i riu. Kjo pikëpamje është mjaft e përhapur. Madje dikush paska thënë: “Nëse s’ke tri ditë shkollë komunizmi, mos thuaj se je i shkolluar.” Këto pikëpamje dhe vlerësime lidhur e arsimin duhet të merren me rezervë.. Është e vërtetë se në komunizëm, nëpër shkolla ka pasur rend, rregull, disiplinë dhe kriter. Sot s’ka kriter. Mirë thotë Kim Mehmeti: “Mjaft magjistruam dhe doktoruam, haj tani të nisim të lexojmë.” Dikush kishte thënë: “Sikur ta dija se sa lehtë kryhet fakulteti, do ta kisha kryer shkollën e mesme.”
F. J: Epo si të ecim përpara atëherë?

Xh. Z.: Nuk do të ecim para, kështu nuk shkohet para. Kështu do të shkojmë prapa, do të ngecim. Prandaj nuk shkojmë para sa duhet. Kudo vrasje, plagosje, lëndime, vetëvrasje, vjedhje, plaçkitje, shantazhe, reketime, rrëmbime, divorce, aksidente rrugore, burgje të mbushura përplot, mitë, ryshfet, korrupsion, shitblerje diplomash, titujsh akademikë, plagjiatura, imoralitet, trafikim armësh, lëndësh narkotike, qeniesh njerëzore, politikë panem et circenses, reality show, snobizëm, kiç, shund, armëmbajtje pa leje, vila të shtrenjta, vetura të shtrenjta, rrugë me gropa, përmbytje, mikrovlera, mikrosisteme, mikroplan, mendësi provinciale, dyndje popullsie, shpërngulje masive, ikje e trurit. S’të pyet kush për burimin e mjeteve. Do të vijë dita kur të rinjtë do t’i japin fund kësaj katrahure në shkallë kombi. Shoqëria ka nevojë për lirinë e fjalës, lirinë e shtypit, për shtyp të pavarur, për mendim ndryshe, për mendim kritik, për kritikë sociale, për kritikë politike. Njëmendësia politike dhe ideologjike është tragjike për një shoqëri. Oportunizmi, konformizmi dhe poltronizmi duhen luftuar. Shoqërinë nuk e çojnë para demagogët dhe karrieristët por idealistët.
F. J: Çka propozoni për të shkuar para?

Xh. Z.: Thelbi i shoqërisë është familja. Ajo mbahet me punë të ndershme dhe me arsimim. Në sistemin e arsimit duhet të zbatohet parimi i përzgjedhjes. Ç’gjimnaz është ky? Çfarë shkollash profesionale janë këto? Regjistrimi në gjimnaz duhet të bëhet me provim pranues. Provimi pranues duhet të realizohet sipas modelit të maturës shtetërore. Provimi duhet të organizohet nga Qendra Shtetërore e Provimeve. Kush e jep provimin, regjistrohet në gjimnaz. S’mund të jesh nxënës gjimnazi dhe të kesh shtatë-tetë nota të dobëta. Ka raste kur nxënësi i shkollës së mesme mezi lexon dhe mezi shkruan. Një popull e fiton lirinë kur mëson ta shkruajë drejt gjuhën amtare.
F. J: A jetojmë në paqe ne?

Xh.Z.: Çfarë paqeje? Ne jetojmë në paqe fiktive. Të kthehem te universiteti, te seleksionimi në arsim dhe te provim pranues. Për t’i dorëzuar dokumentet e regjistrimit në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit, unë zonjushë e nderuar kam pritur para sportelit orë të tëra. Sot përfaqësuesit e universiteteve tona vijnë nëpër shkolla dhe i lutin nxënësit: “Regjistrohuni në universitetin tonë”. Vijnë, si prej universiteteve publike ashtu edhe prej atyre private. Ku shpie kjo!? T’i kalojmë studentët që profesorët e vitit vijues të mos mbeten pa punë. T’i kalojmë, që të mos mbyllet katedra, se po të mbyllet, një numër ligjëruesish do të mbeteshin të paangazhuar. Kjo e banalizon titullin akademik. Doktor shkence që nuk di asnjë gjuhë të huaj. Njeriu me titull akademik duhet të flasë të paktën dy gjuhë të huaja: anglishten, gjermanishten ose frëngjishten. I thotë vetes historian ndonëse nuk di se si duket arkivi i Vjenës, i Romës, i Vatikanit, i Londrës, i Berlinit, i Stambollit, i Kajros, i Selanikut, i Athinës, i Beogradit, i Moskës. Ai s’ka parë bibliotekë, as panair libri. Kështu nuk fiton liri të duhur, fiton liri të kufizuar. Ka doktorata që në një universitet prestigjioz trajtohen si punime seminarike. Ka pasur rast kur më është kërkuar të përkthej nga serbishtja apo kroatishtja në shqip ndonjë material që më pas do të përdorej si punim magjistrature apo doktorate. Tim biri i kishte kërkuar një vajzë t’i shkruante – kundrejt një shpërblimi monetar – për Kafkën. Me atë punim ajo kishte magjistruar në një universitet privat. Kjo shpie në banalizimin, relativizimin dhe rrënimin e arsimit. Duhet pasur kriter, seleksionim dhe provim pranues. Nevojitet depolitizimi dhe departizim i arsimit. S’bëhet kiameti në qoftë se fëmija i dikujt nuk i plotëson kushtet për t’u regjistruar në mjekësi.
Shoqërisë i nevojitet edhe arsimimi profesional që te ne është lënë pas dore. Gjermania kërkon kuadër të kualifikuar në lëmin e arsimimit profesional.

F. J: E vërtetë. Unë kam edhe një pyetje. Ç’është për Ju paqja?

Xh. Z.: Paqja në Maqedoni nënkupton harmoninë midis dy popujve, shqiptarëve dhe maqedonasve. [NUK DËGJOHET] Paqe është demokracia, demokracia e mirëfilltë, e njëmendët, kjo është paqja. Paqe është formimi i shtetit ligjor, i shtetit të së drejtës. Nuk janë problem vetëm marrëdhëniet midis dy etnikumeve. Mund të ketë probleme edhe brenda të njëjtit etnikum. Mund të ketë probleme brenda vetë shqiptarëve. Në Shqipëri ka shumë probleme, edhe pse atje nuk ka serbë. Vetë shqiptarët kanë mosmarrëveshje ndër vete. Po kështu është edhe në Kosovë. Paqe është ta luftojmë korrupsionin, nepotizmin, ta parandalojmë pasurimin brenda natës. Paqe do të thotë puna me nder, toleranca, solidariteti. Paqe do të thotë të merremi me të tashmen, për të ardhmen e brezave. Paqe është liria e shpirtit dhe flakja nga brendia jonë e instinkteve jonjerëzore. Ekzistimi i shumëllojshmërive nuk paraqet barrë por është begati. Duhet flakur gjuhën e urrejtjes dhe ksenofobinë. Liria ime përfundon aty ku fillon liria jote.
F. J: Edhe pak mund ta mbani në dorë mikrofonin se do ta përfundojmë intervistën

Xh. Z.: Ta parandalojmë pasurimin e klasës politike apo të samurajëve brenda natës, ta forcojmë shoqërinë civile, të shikojmë para dhe jo mbas. Ta lëmë rehat të kaluarën, të shkuarën, historinë dhe historizmin. Shumë të rinj janë shpërngulur dhe vazhdojnë të shpërngulen për në Perëndim. Të punojmë për t’i mbajtur të rinjtë këtu, t’u krijojmë perspektivë këtu. Nuk është paqe demagogjia e partive politike. Paqja është ta depolitizojmë, jo vetëm shoqërinë dhe institucionet, por edhe shpirtin dhe trurin tonë. Do ta votoj partinë e caktuar, pavarësisht nga programi që ka, vetëm e vetëm ta punësoj tim bir.
F. J: Unë nuk kam më pyetje. Ju nëse keni diçka për në fund që doni ta ndani me ne, mund ta thoni.

Xh. Z.: Do të kisha dashur që shqiptarët dhe maqedonasit të jetojnë në paqe, në harmoni dhe për të mirën e ndërsjellë, të shikojnë para. Të rinjve do t’u kisha sugjeruar të mos shpërngulen. Perspektivën ta kërkojnë në vendlindje. Jo të ikin në Evropë, por Evropën ta sjellin këtu. Guri është i rëndë në vendin e vet. Të krijojnë familje, të mos jenë materialistë. Jeta s’është vetëm materie, është edhe shpirt. Të punojnë për integrimin euroatlantik ngase ky është interes i tërë rajonit.

F. J: Faleminderit Profesor që ndatë kohën dhe përvojën Tuaj me ne.
Xh. Z.: Mirënjohje dhe të gjitha të mirat!