Nga Jona Cenameri
“Si nuk pritën dot dhe një javë këto mediat, sa të merrja edhe unë lekët…” , shfryu i riu nga Librazhdi.
Në javën e fundit të gushtit 2025, ëndrra e tij për pasurim të shpejtë, e ushqyer për muaj të tërë nga premtimet e platformës XUEX, nisi të shembet si kështjellë rëre.
Në dukje kishte zbuluar xhindin e Aladinit, që me tre “sinjale” të bënte të pasur. Miqtë po fitonin, të njohurit dhe kushërinjtë tregonin histori mbresëlënëse. 5 mijë dollarë të tërhequra brenda pak muajsh.
Në fillim nuk e besoi. Refuzoi një mikeshë që i ofroi ta fuste në platformë. Intuita i thoshte se një skemë e tillë, patjetër, do të ishte mashtrim.
Teksa muajt kalonin dhe mikesha e tij kishte gjeneruar disa mijëra dollarë, ndërsa ai asgjë, vendosi të futej. Fundja, mashtrim ose jo, njerëzit po fitonin para të thata në dorë, pa bërë asgjë. Tundimi fitoi mbi logjikën dhe në korrik 2025, i riu vendosi të “investonte” edhe vetë 1000 dollarë në XUEX, me shpresën për të hyrë në radhën e fitimtarëve.
Procesi i futjes së parave
Procesi i futjes së parave ishte më i ndërlikuar sesa dukej. Fillimisht, ai duhej t’i tërhiqte nga një bankë fizike dhe t’i kalonte në një exchange parash digjitale. Përmes një QR kodi të dërguar nga një person nga brenda platformës, ai logohej në XUEX. Për t’u autentifikuar kërkohej ID‑ja. Hapi i radhës ishte kalimi i parave nga exchange-i i kriptomonedhave në llogarinë e XUEX‑ës. Sipas dëshmisë së përdoruesit nga Librazhdi për Faktoje.al, shuma minimale për t’u bërë pjesë e platformës ishte 1000 dollarë.
Ky ishte pragu i hyrjes që i lejonte investitorit të ndiqte sinjalet e përditshme.
Aplikacioni i XUEX-ës nuk ekzistonte në App apo Play Store, por vinte si një aplikacion i bazuar në link, që instalohej në telefon. Po i njëjti person që i kishte dërguar kodin, e fuste më pas në grupin e Telegramit ku ishin të gjithë përdoruesit. Sipas të riut, XUEX kishte një grup të madh me dhjetëra mijëra pjesëtarë, mbi 14 mijë kur u bë publike në media, dhe disa grupe më të vegjël sipas agjentëve, me dhjetëra anëtarë secili. Grupi i tij kishte rreth 25 veta.
Grupet dhe administratorët
Në grupin e madh, sipas rrëfimit të të riut, administratorë ishin dy figura: Leo Smith dhe Joana.
Leo, nga gjuha dhe stili, dukej formal, i saktë dhe robotik. Mesazhet e tij përngjasonin me ato të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Ai identifikohej si amerikan dhe përveç njoftimeve për sinjalet, dërgonte rregullisht mesazhe motivuese për sukses e pasuri, si të ishte një “këshillues financiar i vërtetë”.
Joana, nga gjuha, dukej si person fizik dhe mbase ishte ura lidhëse e Leos me përdoruesit shqiptarë të kësaj platforme.
As i riu dhe as miqtë e tij nuk dinin gjë për këto dy figura. Mbase Joana s’ishte fare grua, edhe nëse ishte, ndoshta përdorte një emër të rremë. Po ashtu, Leo mund të ishte një i huaj që përdorte inteligjencën artificiale për të gjeneruar përgjigjet, apo kryekëput robot IA. Por të gjitha këto dyshime, i riu thotë se nuk i interesonin, kur mendonte se do të fitonte para.
Rituali i përditshëm
Rituali ishte i thjeshtë për një përdorues të zakonshëm si ai, që nuk kishte futur asnjë person tjetër për të marrë përfitime shtesë. Për t’u bërë agjent kërkohej të sillje të paktën pesë persona të rinj në platformë. Agjentët shpërbleheshin me 3 deri në 4 sinjale në ditë, ndërsa përdoruesit e zakonshëm kishin vetëm dy. Kështu, agjentët fitonin më shpejt dhe kjo i shtynte të sillnin më shumë njerëz.
Çdo ditë, në grupin e Telegramit, Leo i lajmëronte për kohën e sinjaleve. I riu hynte në XUEX. Klikonte dhe shihte fitimet në faqen e tij. Çdo ditë shuma rritej e fitimi dukej më i prekshëm. Nga 1000 dollarë të hedhur, llogaria i shfaqte pothuajse 2000 kur platforma u ekspozua në media. Thotë se nuk donte ta besonte. Gjente çdo arsye për të menduar se mediat gënjenin dhe Leo kishte të drejtë, kur thoshte se “XUEX ishte e vërtetë, jo si platformat e tjera mashtruese dhe po sulmohej padrejtësisht për interesa të fshehta”.
Ekspozimi publik
Më 26 gusht gjithçka ndryshoi. Teksa lundronte në Instagram, sytë i ranë mbi një shkrim të publikuar nga portali “Jeta osh Qejf” (JOQ) me titull: “Skema piramidale online, TXEX po grabit shqiptarët”. Në fillim, thotë se u ndje i qetë: nuk ishte XUEX, por një tjetër platformë, TXEX, dhe ai e kishte të lehtë ta bindte veten se hajdutja ishte ajo.
Por vetëm një ditë më pas JOQ publikoi një tjetër artikull, kësaj here për XUEX‑ën. Nuk donte ta besonte. Miqtë e tij kishin fituar, kushërinjtë kishin tërhequr shuma parash, dhe kjo nuk mund të ishte e pavërtetë. Në mendjen e tij ky ishte një sulm mediatik i pabazuar.
Denoncimi
Pas publikimit nga JOQ më 26 gusht, deputeti Erion Braçe ngriti i pari alarmin në nivel zyrtar. Ai e quajti fenomenin “piramidat e reja, online, në çdo telefon” dhe paralajmëroi se Divjaka ishte goditur me mbi një mijë persona të përfshirë.
Deputeti u bëri thirrje qytetarëve të tërhiqeshin menjëherë dhe të dorëzonin telefonat në polici, që hetuesit të ndiqnin gjurmën e parave.
Menjëherë pas sinjalizimit të Z. Braçe, më 28 gusht dolën me njoftime publike Policia e Shtetit, AKSK dhe AMF.
Policia e Shtetit doli me një deklaratë më 28 gusht, duke njoftuar nisjen e një hetimi penal për skemat e dyshuara piramidale online. Drejtoria e Krimit Kibernetik dhe ajo e Krimit Ekonomik & Financiar u angazhuan për dokumentimin ligjor.
Reagimet
Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (AKSK) paralajmëroi publikisht se TXEX, XUEX dhe Grokrexduu ishin platforma mashtruese.
Si ra në gjurmët e tyre? AKSK sqaroi për Faktoje se ishte vënë për herë të parë në dijeni më 28 gusht, përmes një e-maili elektronik të deputetit të PS, Erion Braçe. Pasi identifikoi “domain-et xuexa[.]com dhe grokrcoiod8[.]com”, AKSK ia përcolli Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për bllokim. AKEP konfirmoi për Faktoje se kishte urdhëruar menjëherë bllokimin e domain-eve të përcjella nga AKSK: TXEX, XUEX dhe Grokrexduu.
Sipas institucionit, operatorët kryesorë të internetit e zbatuan menjëherë urdhrin, ndërsa për të tjerët vijon monitorimi.
AKEP paralajmëroi gjithashtu se moszbatimi i bllokimit përbën shkelje ligjore dhe sjell masa administrative, përfshirë gjoba.
Asnjë denoncim nga qytetarët
AKSK nënvizoi se, deri në momentin e kthimit të përgjigjes për Faktoje, nuk kishte marrë asnjë raportim nga qytetarët e prekur, njësoj edhe Policia. Kjo e fundit, tha për Faktoje, se çështja është aktualisht në hetim dhe çdo informacion i mëtejshëm i takon prokurorisë.
Kush i kontrollon këto platforma?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) njoftoi publikisht se platformat nuk kishin asnjë licencë për të operuar në Shqipëri dhe se mekanizmi i “sinjaleve të blerjes” ishte krejtësisht fiktiv. Në përgjigjen për Faktoje, AMF nuk shtoi asgjë më shumë përtej këtij njoftimi, duke rikujtuar se deri më sot nuk ka licencuar asnjë subjekt për tregje të bazuara në teknologjinë blockchain.
Banka e Shqipërisë në përgjigjen e saj zyrtare, sqaroi se nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë mbi këto platforma. Por theksoi se bankat tregtare janë të detyruara të raportojnë çdo transaksion të dyshimtë, sipas kuadrit ligjor për parandalimin e pastrimit të parave.
Fajtori, jetim
“AMF thotë ‘ne licencojmë kur na kërkohet’, pra roli i saj është pasiv. Policia aktivizohet vetëm pas një sinjalizimi, jo mbi bazë monitorimi të tregut. AKSK pret denoncime, por nuk ka mekanizma për të monitoruar në kohë reale. AKEP thirret në fund të zinxhirit për të bllokuar domain-et, por shpesh kjo nuk bëhet në mënyrë sistematike dhe disa faqe mbeten aktive edhe pasi shpallen mashtruese,” vëren për “Faktoje” ekspertja e kriptovalutave, Denisa Kele.
Sipas saj, problemi thelbësor është se askush nuk mban përgjegjësi të plotë.
“Duhet një njësi kombëtare e përhershme për mashtrimet online, që të bashkojë AMF, Policinë, AKSK dhe AKEP në një tryezë. Sinjalizimet duhet të shkojnë aty, të analizohen dhe urdhrat të dalin menjëherë. Nëse një domain shpallet mashtrues, AKEP dhe operatorët duhet të detyrohen me ligj ta bllokojnë brenda një kohe fikse, jo me vonesa, jo si rekomandim. Vetëm kështu kjo skemë mund të ndalet realisht,” thotë ajo.
Investimet në kriptomonedha
Denisa Kele, eksperte në tregtinë e kriptomonedhave, zbulon më shumë mbi këtë fushë ende pak të njohur për publikun shqiptar. Që në fillim, Kele e bëri të qartë se: “Investimi në kriptomonedha nuk funksionon sipas logjikës ‘sot fut para dhe nesër i ke dyfish’. Një gjë e tillë është e pamundur. Askush nuk mund të parashikojë me saktësi kohën apo përmasën e fitimit. Premtimet për fitime të shpejta janë tregues klasikë të një skeme piramidale”
Sipas saj, ka disa elemente ku ndryshojnë platformat mashtruese nga ato të rregulluara, me licenca ndërkombëtare.
“Mashtruesit përdorin platforma demo për të të bërë të besosh se po fiton, kur në fakt gjithçka është e fabrikuar,” sqaron ajo. Në këto versione “demo” zakonisht shkruhet qartë “demo account”, nuk ka para reale dhe kur provon të bësh “Withdraw” (tërheqje) procesi nuk funksionon. Platformat mashtruese zakonisht nuk kërkojnë asnjë identifikim. Platformat reale, të licencuara kanë procedura KYC (Know Your Customer/Njih përdoruesin tënd) ku ngarkon kartën e identitetit, një foto personale dhe një selfie për regjistrim.















