Ballina Aktualitet Fajtorë për krime lufte, të pafajshëm për krime kundër njerëzimit: Çfarë vendosi...

Fajtorë për krime lufte, të pafajshëm për krime kundër njerëzimit: Çfarë vendosi vërtet Haga dhe çfarë vjen tani

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është një nga vendimet më të rëndësishme dhe më të debatueshme në historinë juridike e politike të Kosovës. Katër ish-drejtuesit e UÇK-së u dënuan për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, por u shpallën të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit. Ky dallim juridik është thelbësor për të kuptuar se çfarë provoi gjykata, çfarë nuk provoi dhe mbi cilat çështje pritet të zhvillohet beteja në apel.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për katër kategori krimesh lufte. Trupi Gjykues konstatoi se të katër kishin dhënë kontribut të qenësishëm në një qëllim të përbashkët kriminal për shënjestrimin e personave që konsideroheshin kundërshtarë politikë, ushtarakë ose bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe.

Dënimet e shqiptuara janë:

I akuzuari Dënimi i njësuar
Hashim Thaçi 25 vjet burgim
Jakup Krasniqi 25 vjet burgim
Kadri Veseli 18 vjet burgim
Rexhep Selimi 13 vjet burgim

Në të gjitha dënimet do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Kështu, dënimet për Thaçin dhe Krasniqin përbëjnë rreth 56 për qind të kërkesës së Prokurorisë, ai për Veselin 40 për qind, ndërsa ai për Selimin rreth 29 për qind.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar. Mbrojtja ka të drejtë ta apelojë, ndërsa edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kundërshtojë pjesët në të cilat akuzat u rrëzuan.

Çfarë u provua

Trupi Gjykues konstatoi përgjegjësi penale për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar të së paku 385 personave, trajtimin mizor të së paku 49 personave si akuzë më vete, torturimin e së paku 303 personave dhe vrasjen e paligjshme të së paku 96 personave.

Shifrat për trajtimin mizor dhe torturën kërkojnë një sqarim. Gjykata konstatoi se gjithsej 348 persona iu nënshtruan trajtimit mizor. Për 303 prej tyre, i njëjti keqtrajtim arriti edhe nivelin juridik të torturës, prandaj akuza për trajtim mizor u përfshi në akuzën më konkrete të torturës. Akuza e veçantë për trajtim mizor mbeti për 45 viktima që nuk u konstatuan si të torturuara dhe për katër viktima që u trajtuan mizorisht dhe u torturuan në qendra të ndryshme ndalimi.

Publicitet

Sipas Trupit Gjykues, të ndaluarit u rrahën, u kërcënuan, u poshtëruan dhe iu nënshtruan vuajtjeve të rënda fizike e psikologjike. Disa pësuan thyerje të gjymtyrëve dhe brinjëve, disave iu shkulën thonjtë, ndërsa disa u rrahën deri në humbje të vetëdijes ose vdiqën si pasojë e keqtrajtimit. Gjykata konstatoi se shumë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga pasoja afatgjata fizike dhe psikologjike.

Sipas gjykatës, çështja kishte të bënte me krime të pretenduara kundër serbëve, romëve dhe, në veçanti, kundër shqiptarëve të Kosovës. Nga konstatimet e Trupit Gjykues del se shumë prej të ndaluarve ishin shqiptarë të akuzuar si “kolaboracionistë”, “ushtarë të Rugovës” ose mbështetës të LDK-së dhe FARK-ut.

Procesi kishte përmasa të jashtëzakonshme: u dëgjuan 273 dëshmitarë, u pranuan 5.467 prova materiale, u trajtuan 1.017 fakte të gjykuara më parë dhe 29 fakte të dakorduara, ndërsa transkriptet arritën në 29.238 faqe. Në procedurë morën pjesë 156 viktima.

Tri kategoritë e personave të shënjestruar

Gjykata identifikoi tri kategori kryesore personash që konsideroheshin pengesë për qëllimin e përbashkët.

Kategoria e parë përfshinte anëtarë ose përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës.

Kategoria e dytë përfshinte persona që konsideroheshin të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë ose me autoritetet serbe.

Kategoria e tretë përfshinte pjesëtarë të komuniteteve pakicë, përfshirë romë dhe serbë.

Sipas gjykatës, qëllimi i përbashkët u zbatua përmes arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit, vrasjeve dhe asaj që gjykata e quan “luftë speciale”.

Megjithatë, Trupi Gjykues nuk e konsideroi të nevojshme të vendoste nëse objektivat politikë të pavarësisë së Kosovës dhe të vendosjes së kontrollit politik e institucional ishin vetvetiu kriminalë ose të paligjshëm. Përgjegjësia u lidh me mjetet kriminale që, sipas gjykatës, u përdorën ndaj personave të shënjestruar.

Sulm i përhapur dhe sistematik, por jo i provuar si sulm kundër një popullate civile

Pjesa më e ndërlikuar e aktgjykimit lidhet me akuzat për krime kundër njerëzimit.

Trupi Gjykues konstatoi se veprimet e përshkruara përbënin një sulm “të përhapur gjerësisht dhe sistematik”. Por Prokuroria nuk arriti të provonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ky sulm ishte drejtuar “kundër një popullate civile”, siç kërkohet për krimet kundër njerëzimit.

Sipas gjykatës, viktimat ishin përzgjedhur mbi bazën e faktorëve individualë dhe jo mbi bazën e përkatësisë së tyre në një popullatë civile të shënjestruar.

Për këtë arsye, të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit të përndjekjes, burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes dhe zhdukjes me forcë.

Kjo nuk do të thotë se gjykata nuk konstatoi një sulm të përhapur dhe sistematik. Ajo e konsideroi këtë element të provuar, por jo elementin tjetër të domosdoshëm juridik: drejtimin e sulmit kundër një popullate civile.

Ky dallim shpjegon edhe debatin rreth deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se aktgjykimi rrëzoi pretendimin për një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile. Si pretendim juridik i plotë, akuza u rrëzua. Megjithatë, deklarata thekson rezultatin përfundimtar, pa përmendur se gjykata e konsideroi të provuar veçmas karakterin e përhapur dhe sistematik të sulmit.

Kufiri i 20 qershorit 1999

Një tjetër përfundim me pasoja të mëdha juridike është përcaktimi se konflikti i armatosur jondërkombëtar kishte përfunduar afërsisht më 20 qershor 1999.

Që një vepër të cilësohet si krim lufte, ajo duhet të ketë lidhje të mjaftueshme me një konflikt të armatosur. Për incidentet që filluan pas kësaj date, Trupi Gjykues konstatoi se nuk plotësoheshin kushtet e nenit 14 të Ligjit, sepse mungonte lidhja e nevojshme me konfliktin.

Për incidentet e pasluftës, rruga tjetër e mundshme juridike mbeteshin akuzat për krime kundër njerëzimit, të cilat nuk kërkojnë një lidhje të tillë me konfliktin e armatosur. Por pasi gjykata i rrëzoi edhe këto akuza për mungesën e elementit të sulmit kundër një popullate civile, incidentet e pasluftës mbetën jashtë kualifikimit penal të kërkuar nga Prokuroria në këtë proces.

Përcaktimi i datës së përfundimit të konfliktit dhe mënyra e vlerësimit të incidenteve të mëvonshme mund të jenë ndër çështjet që Prokuroria do të kundërshtojë në apel.

Procesi nuk ishte gjykim ndaj UÇK-së

Në fillim të shpalljes së aktgjykimit, kryegjykatësi Charles Smith theksoi se çështja nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së ose me synimin e saj për një Kosovë të pavarur.

Gjykata tha gjithashtu se nuk po krahasonte përgjegjësinë e njërës palë me atë të palës tjetër, nuk po gjykonte krimet e kryera nga forcat serbe dhe paramilitare kundër shqiptarëve të Kosovës dhe nuk po shqyrtonte ndonjë pretendim për vetëmbrojtje.

Juridikisht, përgjegjësia e përcaktuar është individuale. Vendimi nuk është dënim penal i UÇK-së si organizatë dhe as rivlerësim gjyqësor i luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Por aktgjykimi prek drejtpërdrejt mënyrën se si gjykata e përshkruan sjelljen e disa pjesëtarëve dhe strukturave të UÇK-së. Pikërisht ky tension – mes përgjegjësisë individuale juridike dhe domethënies së gjerë historike e politike – shpjegon reagimin e fuqishëm në Kosovë.

Po aq e rëndësishme është se shtatë persona të tjerë, emrat e të cilëve përmenden në përmbledhjen e aktgjykimit – Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci – nuk ishin të akuzuar në këtë proces dhe nuk janë dënuar përmes këtij vendimi. Ata gëzojnë prezumimin e pafajësisë dhe përmendja e tyre nuk duhet të paraqitet si verdikt penal ndaj tyre.

Roli i Thaçit dhe rasti i Behajdin Allaqit

Për Hashim Thaçin, Trupi Gjykues konstatoi rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët, por edhe pjesëmarrje personale në disa incidente.

Gjykata tha se Thaçi mori pjesë në arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 deputetëve në Qirez dhe Baicë. Ajo i atribuoi atij rol të drejtpërdrejtë edhe në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit.

Sipas konstatimeve të gjykatës, Thaçi dhe Veseli kishin kërkuar të informoheshin paraprakisht për praninë e Allaqit në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Kur mbërritën atje, ata e morën Allaqin në pranga. Ai nuk u pa më i gjallë dhe Trupi Gjykues u bind se ishte vrarë.

Komunikata 61 e UÇK-së e paraqiti Allaqin si dëshmor të rënë në betejë. Gjykata e konsideroi këtë komunikatë si përpjekje për mbulimin e ngjarjes. Ajo konstatoi gjithashtu se, pas luftës, Thaçi, Veseli dhe Azem Syla kishin tentuar ta qetësonin familjen Allaqi përmes premtimeve dhe ryshfeteve.

Në të njëjtin kontekst u trajtua edhe Shaban Shala, për të cilin gjykata konstatoi se ishte arrestuar, keqtrajtuar dhe vrarë.

Në caktimin e dënimit, Trupi Gjykues mori parasysh si rrethana lehtësuese mbështetjen e Thaçit për themelimin e Dhomave të Specializuara, dorëheqjen dhe dorëzimin e tij, paraqitjen për intervista me ZPS-në në vitin 2020 dhe bashkëpunimin me të, rrethanat familjare dhe rolin e tij, deri në njëfarë mase konstruktiv, në përpjekjet e UNMIK-ut pas luftës.

Gjykata u dha këtyre rrethanave vetëm peshë të kufizuar. Ato nuk e penguan shqiptimin e dënimit më të rëndë të procesit, së bashku me atë të Krasniqit.

Veseli, Krasniqi dhe Selimi

Kadri Veseli u lidh nga gjykata me Drejtorinë e Zbulimit të UÇK-së, e cila, sipas aktgjykimit, kishte rol në identifikimin, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave të dyshuar si kundërshtarë ose “kolaboracionistë”. Gjykata i atribuoi Veselit pjesëmarrje personale në rastin Allaqi dhe në një incident tjetër ndalimi.

Si rrethana lehtësuese për Veselin u morën parasysh familja, dorëzimi vullnetar dhe sjellja përgjithësisht e mirë gjatë gjithë procesit, “me një përjashtim”. Këtyre rrethanave iu dha peshë e kufizuar.

Për Jakup Krasniqin, gjykata konstatoi se ai kishte përdorur pozitën si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, pjesëtar i Drejtorisë Politike dhe zëdhënës për të ndihmuar në formulimin dhe zbatimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve. Komunikatat, deklaratat dhe fjalimet e tij publike, sipas gjykatës, inkurajuan kryerjen e krimeve ndaj personave të konsideruar kundërshtarë.

Përmbledhja nuk i atribuon Krasniqit pjesëmarrje personale në një vrasje konkrete të ngjashme me atë që i atribuohet Thaçit dhe Veselit. Gjykata ia njohu si rrethana lehtësuese moshën e shtyrë, rrethanat familjare dhe sjelljen e mirë.

Pikërisht këtu lind një nga pyetjet më të forta të aktgjykimit: si arriti Krasniqi në dënimin 25-vjeçar, të njëjtë me Thaçin, ndërsa Veseli, të cilit gjykata i atribuoi edhe pjesëmarrje personale në rastin Allaqi, u dënua me 18 vjet?

Përmbledhja publike nuk jep një shpjegim të plotë për këtë dallim. Përgjigjja mund të gjendet në arsyetimin e hollësishëm të aktgjykimit, në mënyrën se si është peshuar kontributi i secilit dhe në individualizimin e dënimeve. Derisa ky arsyetim të analizohet në tërësi, mospërputhja mbetet një pyetje legjitime dhe pikë e mundshme e apelit.

Për Rexhep Selimin, gjykata pranoi se pozita e tij i jepte më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të UÇK-së sesa pozitat e tre të akuzuarve të tjerë. Megjithatë, ajo konstatoi se Selimi kishte dhënë kontribut të qenësishëm përmes rolit të tij operacional, inspektimeve, raporteve që merrte dhe pjesëmarrjes në disa incidente, përfshirë ndalimin e 13 deputetëve.

Pushteti më i kufizuar mund të jetë një nga elementet që ndihmojnë në shpjegimin e dënimit më të ulët, por përmbledhja nuk e lidh shprehimisht këtë konstatim me masën prej 13 vjetësh. Për Selimin u morën parasysh bashkëpunimi, dorëzimi vullnetar dhe përgjigjet përgjithësisht të sinqerta gjatë intervistave me Prokurorinë.

Frikësimi i dëshmitarëve

Trupi Gjykues i kushtoi vëmendje edhe atmosferës së frikësimit të dëshmitarëve. Sipas gjykatës, disa dëshmitarë tërhoqën ose ndryshuan dëshmitë e mëparshme, shmangën detaje themelore, gënjyen Trupin Gjykues ose përsëritën rrëfime të mësuara.

Në të njëjtën kohë, gjykata theksoi se shumica e dëshmitarëve dëshmuan me guxim dhe vendosmëri, pavarësisht atmosferës së frikësimit. Sipas Trupit Gjykues, vetë fakti që aktgjykimi po shqiptohej ishte dëshmi e guximit dhe vendosmërisë së tyre.

Këto konstatime nuk e zëvendësojnë vlerësimin individual të besueshmërisë së secilit dëshmitar. Megjithatë, ato tregojnë se gjykata e konsideroi presionin ndaj dëshmitarëve problem të vazhdueshëm dhe faktor që ndikoi në administrimin dhe vlerësimin e provave.

Kjo çështje mund të ketë rëndësi edhe në apel, veçanërisht nëse mbrojtja kundërshton mbështetjen e gjykatës në deklarata të mëparshme ose në dëshmi të ndryshuara.

Pse dënimet nuk mund të mblidhen mekanikisht

Për secilin të akuzuar, gjykata caktoi dënime të veçanta për katër veprat penale dhe më pas një dënim të njësuar.

Kjo nuk do të thotë se dënimet individuale për çdo vepër mblidhen matematikisht. Për shembull, dënimet e veçanta të Thaçit ishin 15 vjet për ndalim arbitrar, katër vjet për trajtim mizor, 20 vjet për torturë dhe 23 vjet për vrasje të paligjshme. Shuma mekanike do të ishte 62 vjet, por gjykata caktoi një dënim të njësuar prej 25 vjetësh.

E njëjta metodë u përdor për të akuzuarit e tjerë. Prandaj, shuma prej 62 vjetësh nuk është dënimi juridik i Thaçit. Dënimi i tij është 25 vjet burgim.

Ndërkaq, 81 vjet është shuma aritmetike e katër dënimeve të njësuara – 25, 25, 18 dhe 13 vjet. Kjo shifër është matematikisht e saktë, por bëhet mashtruese nëse paraqitet si një dënim i vetëm ose i përbashkët. Secili i akuzuar ka marrë dënimin e vet individual.

Çfarë pritet në apel

Palët mund ta kundërshtojnë aktgjykimin për gabime juridike, gabime faktike që mund të kenë shkaktuar dështim të drejtësisë dhe gabime në caktimin e dënimit.

Mbrojtja pritet të kundërshtojë, ndër të tjera, ekzistencën dhe shtrirjen e qëllimit të përbashkët kriminal, lidhjen individuale të secilit të akuzuar me krimet, vlerësimin e dëshmitarëve, përdorimin e provave rrethanore dhe proporcionalitetin e dënimeve.

Prokuroria, nga ana tjetër, mund të kundërshtojë lirimin nga akuzat për krime kundër njerëzimit, kufirin kohor të 20 qershorit 1999 dhe incidentet që gjykata i përjashtoi për mungesë të provave ose të elementeve të nevojshme juridike.

Paneli i Apelit mund ta lërë në fuqi aktgjykimin, ta ndryshojë, ta zhbëjë pjesërisht ose tërësisht, ose të urdhërojë rigjykim për çështje të caktuara.

Mundësia e një shqyrtimi në Gjykatën Supreme është më e kufizuar. Si shkallë e tretë, ajo ndërhyn vetëm në raste të përcaktuara, si kur Apeli e kthen një pafajësi në dënim ose kur shqiptohet burgim i përjetshëm. Ekzistojnë edhe mjete të jashtëzakonshme juridike, përfshirë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Rasti i Salih Mustafës tregon se këto mjete nuk janë thjesht teorike. Mustafa u dënua fillimisht me 26 vjet burgim, ndërsa Paneli i Apelit ia uli dënimin në 22 vjet. Më pas, Paneli i Gjykatës Supreme, pas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, e anuloi dënimin 22-vjeçar dhe ia ktheu çështjen Apelit. Apeli caktoi dënimin 15-vjeçar, të cilin Supremja më pas e konfirmoi, duke refuzuar kërkesat e të dyja palëve.

Edhe në rastin e Pjetër Shalës, Apeli la në fuqi dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, por e uli dënimin e njësuar nga 18 në 13 vjet. Këto raste tregojnë se dënimet e shkallës së parë nuk janë domosdoshmërisht përfundimtare.

Procesi tjetër ndaj Thaçit

Hashim Thaçi përballet edhe me një çështje të veçantë për vepra të pretenduara kundër administrimit të drejtësisë, të lidhura me ndikimin e dyshuar ndaj dëshmitarëve. Aktakuza në atë çështje u bë publike në dhjetor 2024 dhe procesi vazhdon veçmas.

Thaçi prezumohet i pafajshëm për këto akuza derisa të ketë një vendim përfundimtar. Megjithatë, ekzistenca e çështjes së dytë do të thotë se edhe një ndryshim i dënimit në apel në procesin kryesor nuk do të prodhonte domosdoshmërisht lirim të menjëhershëm. Statusi i tij do të varej edhe nga vendimet e paraburgimit në procedurën tjetër.

Zhdëmtimi i viktimave

Pas aktgjykimit penal, gjykata duhet të trajtojë edhe çështjen e zhdëmtimit të viktimave. Kjo procedurë është e ndarë nga përcaktimi i fajësisë.

Fakti që 156 viktima morën pjesë zyrtarisht në proces i jep kësaj faze peshë të veçantë, por vendimi mbi format dhe masën e zhdëmtimit ende nuk është marrë.

Reagimet politike dhe tensioni publik

Aktgjykimi u prit me kundërshtim të fuqishëm në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti e cilësoi dënimin “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të madh dhe të dëmshëm”. Ai theksoi veçanërisht faktin se katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.

Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca e quajti vendimin të trishtueshëm, të padrejtë dhe të pamerituar. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se dënimet përbëjnë goditje të rëndë për familjet dhe një moment të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët. Ramush Haradinaj e cilësoi aktgjykimin të papranueshëm, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama reagoi me një fjalë të vetme: “Marre”.

Shtetet e Bashkuara deklaruan se e respektojnë aktgjykimin dhe u bënë thirrje të gjitha palëve të shmangin retorikën nxitëse.

Në Serbi, Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Brendshme në mandat teknik, e paraqiti vendimin si konfirmim të pretendimit se UÇK-ja ishte organizatë kriminale dhe terroriste. Ai e cilësoi rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit si “manovër politike skandaloze” dhe “fyerje të drejtpërdrejtë për viktimat”.

Interpretimi i Daçiqit shkon përtej formulimit të aktgjykimit. Gjykata theksoi shprehimisht se nuk po gjykonte UÇK-në si organizatë, por përgjegjësinë individuale të katër të akuzuarve.

Pas shpalljes së vendimit pati incidente edhe në Hagë. Sipas policisë holandeze, dy persona u arrestuan pas përplasjeve mes disa protestuesve dhe forcave të rendit. Në Prishtinë, disa protestues hodhën gurë, shishe dhe mjete piroteknike drejt selisë së EULEX-it dhe u përplasën me Policinë e Kosovës. Associated Press raportoi se nga gurët u thyen edhe disa xhama të kompleksit. Më pas, një pjesë e protestuesve hodhi gurë dhe sende të tjera drejt ndërtesës së Qeverisë.

Çfarë nuk ishte pjesë e procesit

Aktgjykimi nuk trajtoi pretendimet e përfshira në raportin e Dick Martyt për Këshillin e Evropës të vitit 2010, përfshirë pretendimet për trafikim organesh.

Këto pretendime nuk ishin pjesë e aktakuzës në këtë çështje dhe gjykata nuk dha vendim mbi to. Prandaj, aktgjykimi nuk duhet të paraqitet as si vërtetim dhe as si rrëzim i tyre.

Dy përfundime që duhen lexuar së bashku

Vendimi i Hagës përmban dy përfundime që duhet të raportohen së bashku.

I pari është se katër ish-drejtuesit e UÇK-së u shpallën fajtorë për krime të rënda lufte ndaj qindra personave dhe për vrasjen e paligjshme të së paku 96 viktimave. Gjykata konstatoi një qëllim të përbashkët kriminal dhe kontribute individuale të të katërve.

I dyti është se Prokuroria dështoi të provonte akuzat për krime kundër njerëzimit, sepse nuk vërtetoi se sulmi ishte drejtuar kundër një popullate civile. Gjykata rrëzoi gjithashtu një numër incidentesh të pretenduara si krime lufte për shkak të mungesës së provave, përfshirjes së tyre në akuza më konkrete, mungesës së elementeve juridike ose daljes jashtë juridiksionit të gjykatës.

Asnjëri përfundim nuk duhet të fshijë tjetrin. Aktgjykimi nuk është dënim i UÇK-së dhe as mohim i krimeve të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Por ai është një vendim penal i rëndë ndaj katër figurave kryesore të historisë së luftës dhe shtetformimit të Kosovës.

Beteja juridike nuk ka përfunduar. Apeli do të duhet të shqyrtojë jo vetëm nëse provat mbështesin konstatimet e fajësisë, por edhe nëse gjykata i zbatoi drejt standardet për qëllimin e përbashkët kriminal, konfliktin e armatosur, popullatën civile, përgjegjësinë individuale dhe individualizimin e dënimeve.

Për Kosovën, sfida do të jetë ta ndajë mbrojtjen e karakterit çlirimtar të luftës nga vlerësimi juridik i veprimeve individuale. Për gjykatën, sfida në apel do të jetë të dëshmojë se një vendim me pasoja kaq të mëdha historike dhe politike mbështetet në prova dhe arsyetim që mund t’i rezistojnë kontrollit të shkallëve më të larta./Tetova News