Ballina Opinione PSE U DËNUA HASHIMI

PSE U DËNUA HASHIMI

Kam bërë vetëm lekturim teknik: drejtshkrim, shkronjat ç/ë, gabimet e shtypit dhe hapësirat pas presjeve, pa ndërhyrë në përmbajtje, argumentim apo stilin e autorit.

Nga Ben Blushi

Për fat të keq isha i bindur se Hashim Thaçi dhe shokët e tij do dënoheshin.
Edhe vetë Hashimi e dinte.
Kur pashë fytyrën e tij prej guri në momentin që u shpall vendimi, kuptova se dhe ai nuk kishte asnjë dyshim.
Do dënohej siç u dënua.

Por ndërkohë që trishtimi nuk do t’i largohet më kurrë nga sytë, Hashimi e ka një ngushëllim.
Hashim Thaçi nuk u dënua si vrasës, por u dënua si politikan.
Nuk u dënua nga gjykatësit e Hagës, por nga disa njerëz që nuk ishin fare aty.
Dyshimet, faktet, provat, dëshmitarët, mbrojtja dhe raportet ndërkombëtare nuk kanë asnjë rëndësi për këta njerëz.
Ata nuk japin vendime nisur nga provat, por nisur nga interesat globale.

Që kur Hashim Thaçi është futur në burg, bota ka ndryshuar shumë.
Pothuajse nuk njihet.
Rusia ka pushtuar Ukrainën, Izraeli ka pushtuar Gazën, Amerika ka sulmuar Iranin.
Evropa është më e dobët, Rusia më e egër, Amerika më e përçarë.
Luftërat e brendshme e kanë ndarë Perëndimin më shumë se kurrë.
Liberalët janë kundër Rusisë dhe Izraelit, konservatorët janë pro.
Evropa është me gjysmën e Amerikës, kundër gjysmës tjetër.
Duket sikur rendi liberal po falimenton.
Demokracia nuk siguron më progres dhe unitet ideologjik.

Vendimi që mori Gjykata Speciale e Hagës është pasqyrë e ndarjes së thellë ndërkombëtare.
Gjysma e Evropës dhe Amerikës e donin Hashim Thaçin në burg si aleat të gjysmës tjetër.
Vrasjet e pretenduara, torturat e civilëve dhe shtëpia me gjethe nuk u provuan, sepse dënimi nuk u bazua asnjëherë mbi prova.
Për çfarë duheshin provat?

Kur Hashim Thaçi u nis në Shtëpinë e Bardhë për të takuar Trumpin, liberalët nuk kishin nevojë për prova të tjera.
Nëse Hashim Thaçi ka bërë një gabim në jetën e vet, ky ishte i vetmi gabim.
Prandaj u arrestua.
Megjithatë nuk duhet të jetë pishman.
E kush nuk do ta bënte këtë gabim?

Publicitet

Por ndërkohë që u nis si një hakmarrje, vendimi kundër Hashimit ndryshoi rrugës.
Ai i ngjan pak atyre rasteve kur shtrigat që të kanë marrë peng, ta shtojnë dozën e helmit duke parë lëvizjen e reve.
Sa herë Rusia avanconte në Ukrainë, Hashimit ia shtonin dënimin, sa herë Izraeli vriste në Gaza, dënimi dyfishohej, sa herë liberalët humbnin zgjedhjet, akuzat kundër Hashim Thaçit forcoheshin.

Pasi u rrëmbye nga tavolina e Donald Trumpit, Hashimi u përdor për të trembur dy armiqtë më të mëdhenj të liberalëve.
Putinin dhe Netanyahun.
Është komike të mendosh se futja e një zogu në kafaz mund të trembë tigrat dhe arinjtë e një pylli të çmendur, por gjuetarët përdorin të njëjtat mjete kundër të gjitha kafshëve.
Kafazët.

Ky krahasim cinik e bën dhe më të dhimbshëm rastin e Hashim Thaçit.
Ndërkohë që ai çliroi vendin e vet, u krahasua me dy njerëz që kanë pushtuar vende të tjera.
Sado të krahasohet me tigrat dhe arinjtë, zogu mbetet zog edhe kur ha një milingonë.

Prandaj nuk është rastësi që Haga ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për të tre.
Hashimi u arrestua në Vjenë siç do ishte arrestuar edhe në Prishtinë, kurse në Rusi dhe në Izrael Gjykata Ndërkombëtare nuk ka juridiksion.
Dhe pavarësisht se Gjykata Speciale e Kosovës nuk është pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, arkitektura e Hagës është po ajo.
Parimi mbi të cilin ngrihet kjo ngrehinë juridike parashikon që trupa gjykatësish ndërkombëtarë të dënojnë kur gjykatësit vendas nuk munden.

Për këtë shkak mandati i Hagës që arrestoi Hashim Thaçin i ndjek nga pas edhe Putinin edhe Netanyahun, të cilët nuk shkelin dot në shumicën e vendeve të botës.
Megjithëse Trumpi ka thënë disa herë se nuk e njeh Gjykatën e Hagës, liberalët dhe demokratët perëndimorë e përdorin si armën e tyre të fundit.
Gjykata Ndërkombëtare është forca e tyre.
Liberalët i mbajnë kolonat juridike të Hagës me thonj, sepse ajo e mbron rendin liberal nga armiqtë që e kërcënojnë.

Kjo është arsyeja pse Hashim Thaçi u sakrifikua në themelet e kësaj gjykate.
Nëse Hashimi lirohej, Gjykata dobësohej.
Ky është thelbi i këtij vendimi.
Kjo është arsyeja pse Perëndimi nuk i dëgjon fare thirrjet për luftën e Kosovës.
Perëndimi ka hallin e vet.
Ai kërkon të bëjë shembuj.
Perëndimi kërkon ta përdorë Gjykatën e Hagës për t’u mbrojtur.

Prandaj isha i sigurt se Hashim Thaçi do dënohej.
Horoskopi i luftës ishte i gjithi kundër tij.
Nëse Donald Trumpi nuk do kishte ardhur në pushtet, Hashimi do ishte në punë, nëse bota do ishte në paqe, Hashimi do ishte president, nëse qeveritë e shkundura të Evropës nuk do ishin duke rënë, Hashim Thaçi do ishte i lirë.

Prandaj, megjithëse është i vrarë, ai duhet të jetë i qetë.
E di që do kishte zgjedhur të ishte dëshmor i Kosovës, por fatkeqësisht është dëshmor i rendit liberal që e çliroi Kosovën.
Si në legjendat greke, ai po flijohet nga perënditë që e ndihmuan të bëhej i pavdekshëm.

Hashimi nuk u dënua për atë që ka bërë, por atë që mund të bëjë.
Botës nuk i duhej si president i një vendi të vogël, por si peng i një gjykate të madhe.
Prandaj duhet të jetë i qetë.
Ai nuk u dënua për dje, por për nesër.
Nuk u dënua si vrasës, por si politikan.
Dhe si politikan do lirohet.