Ballina Kronika DREJTORI I NJË SHKOLLE TË MESME NË SOFJE INSTALOI KAMERA NË TUALETET...

DREJTORI I NJË SHKOLLE TË MESME NË SOFJE INSTALOI KAMERA NË TUALETET E SHKOLLËS/ Të gjitha ishin të lidhura me kompjuterin dhe telefonin e tij personal

Drejtori i shkollës së mesme “Prof. Vasil Zlataraski” në Sofje, Aleksandar Evtimov, është arrestuar dje pas një denoncimi nga prindërit se kishte vendosur kamera në tualetet që përdoren nga nxënëset dhe nxënësit, raportojnë mediat bullgare.

Sipas informacioneve fillestare, në tualete ishin vendosur 20 kamera, transmetimet e të cilave ishin të drejtuara drejt kompjuterit të drejtorit. Kamerat miniaturë dukeshin si sensorë të zakonshëm lëvizjeje, ndaj nuk mund të identifikoheshin lehtësisht.

Pas lajmit se drejtori është arrestuar për shkak të vendosjes së kamerave në tualete, nxënës, prindër dhe stafi mësimor i shkollës u mblodhën mbrëmë në një protestë në oborrin e shkollës.
Vendosja e kamerave në hapësira sanitare përbën një shkelje të rëndë të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) dhe të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Bullgari.

Drejtori Evtimov ishte emëruar në këtë detyrë në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa më parë kishte mbajtur pozita drejtuese në shkolla në Sofje dhe në rajonin e Sofjes. Pas lajmit për arrestimin e tij, u shfaqën shumë spekulime për të, përfshirë edhe pretendimet se që nga emërimi i tij si drejtor në këtë shkollë, kishte pezulluar nga puna rreth 40 mësues.

Regjistrimet nga kamerat e fshehta në tualetet e Shkollës së Mesme nr. 138 për Gjuhë Perëndimore dhe Lindore “Prof. Vasil Zlataraski” në Sofje nuk shkonin vetëm në zyrën e drejtorit Aleksandar Evtimov, por edhe në telefonin e tij personal. Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të Drejtorisë së Policisë së Sofjes (SDVR) dhe Prokurorisë.

Është kontrolluar edhe banesa e drejtorit, ku janë gjetur 11 pajisje USB (flash), 3 laptopë dhe 3 konfigurime kompjuterike.

“Të hënën në mbrëmje, në Komisariatin e Parë Policor të SDVR-së është paraqitur halla e një nxënëseje të shkollës nr. 138, e cila ka dashur të paraqesë një kallëzim lidhur me dyshimet e saj se në ambientet sanitare, pra në tualetet e shkollës, ka kamera që filmojnë nxënësit”, njoftoi drejtori i SDVR-së, Ljubomir Nikollov.

Sipas tij, menjëherë janë formuar grupe hetimore-operative për të verifikuar pretendimet e kallëzimit dhe, me mbërritjen në vendngjarje, punonjësit e policisë kanë konstatuar se në tualete kishte sensorë, që supozohej se monitoronin lëvizjen, si dhe kamera të fshehta për mbikëqyrje video.

“Me ndihmën e kolegëve nga ‘Siguria Kibernetike’ kryem një kontroll dhe konstatuam se nga këto kamera, përmes traseve të posaçme të instaluara, sinjali i videos arrinte në zyrën e drejtorit. Këto regjistrime janë parë vetëm dhe ekskluzivisht nga drejtori. Madje, nga kompjuteri që ai mban në zyrën e tij ekziston një aplikacion që i transferon këto regjistrime në telefonin e tij mobil, i cili është personal”, theksoi Nikollov.

Ai informoi gjithashtu se, nga kati i parë deri në të tretin e shkollës, ishin vendosur gjithsej 11 kamera në tualete, një pjesë e tyre – pikërisht mbi pisoarët.

Gjatë kontrollit të banesës së Evtimovit janë gjetur 11 pajisje USB, 3 laptopë dhe 3 konfigurime kompjuterike. Në zyrën e tij në shkollë është gjetur pajisja DVR, e cila lidhej me kamerat dhe ruante regjistrimet, si dhe një telefon mobil.

“Drejtori u ka treguar materiale të filmuara në tualete mësueses kujdestare të njërit prej klasave, me qëllim që t’i tregonte sjellje të paligjshme të nxënësve për të cilët ajo ishte kujdestare klase”, theksoi kryekomisari Nikollov./TetovaNews