“Oreshnik” është gati, objektivat e Operacionit Special Ushtarak do të arrihen ose me marrëveshje, ose me luftë
Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi sot se forcat ruse kanë marrë iniciativën strategjike përgjatë gjithë vijës së frontit në Ukrainë dhe paralajmëroi se do ta zgjerojnë të ashtuquajturën zonë tampon të sigurisë.
Në një mbledhje të kolegjiumit të Ministrisë së Mbrojtjes, presidenti Putin tha se “forcat ruse gjatë vitit 2025 kanë çliruar më shumë se 300 vendbanime në Ukrainë, përfshirë edhe ato që armiku i kishte shndërruar në fortesa”, duke shtuar se janë të gatshme të përshpejtojnë ofensivën.
Putini vlerësoi se viti 2025 ka shënuar një “pikë kthese të rëndësishme” në fushatën ushtarake dhe se forcat ruse janë të afta të përshpejtojnë operacionet ofensive në zonat strategjikisht të rëndësishme të frontit. Ky vit, shtoi ai, ishte një fazë e rëndësishme edhe në zgjidhjen e detyrave të mbrojtjes ajrore.
– Rusia është krenare për veprat heroike të ushtarëve dhe oficerëve që luftojnë në front. Shteti do të bëjë gjithçka të mundshme për të mbështetur familjet e ushtarëve të rënë – tha Putin.
Ai theksoi veprimet e guximshme të ushtarëve të Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut dhe ndihmën e tyre në pastrimin e fushave të minuara në shkallë të gjerë.
– Forcat e armatosura ruse po e shkatërrojnë armikun, përfshirë edhe njësitë e tij elitare të trajnuara në qendrat ushtarake perëndimore – tha Putin.
Ai u mburr gjithashtu me modernizimin e flotës detare, duke theksuar se marina ruse ka marrë në përdorim nëndetëse të reja, 19 anije dhe mjete ndihmëse detare.
Shtoi se këtë vit Rusia ka testuar me sukses raketat e saj bërthamore lundruese “Burevestnik” dhe dronin nënujor bërthamor “Posejdon”.
– Kapacitetet e forcave të armatosura ruse po zhvillohen vazhdimisht. Sistemet raketore, mjetet ajrore pa pilot dhe robotika po u dorëzohen vazhdimisht ushtarëve. “Burevestnik” dhe “Posejdon” do të mbeten armë unike dhe të papërsëritshme për një kohë të gjatë. Sistemet tashmë ekzistojnë dhe do të vazhdojnë të përmirësohen. Sistemi i dytë, raketa “Oreshnik”, do të vihet në gatishmëri luftarake deri në fund të vitit. Forcat bërthamore strategjike të Rusisë do ta ruajnë rolin e tyre parësor në frenimin e agresorëve dhe në ruajtjen e ekuilibrit të fuqisë në botë – tha Putin para gjeneralëve.
Federata Ruse, shtoi ai, ka mundësi ta rrisë ritmin e ofensivës së saj në zonat strategjikisht të rëndësishme të Qarkut Ushtarak Verilindor.
Ai hodhi poshtë paralajmërimet për një sulm të mundshëm rus ndaj Evropës si “gënjeshtra dhe marrëzira”, duke akuzuar politikanët evropianë se po nxisin histeri dhe po mbjellin frikë te njerëzit për një përballje të pashmangshme me Rusinë.
– Rusia gjithmonë është përpjekur të kërkojë zgjidhje diplomatike për konfliktet deri në fund. Përgjegjësia për konfliktet bie mbi ata që mendojnë se me Rusinë mund të flitet nga pozita e forcës – tha presidenti Putin.
Ai përsëriti synimin e Moskës për ta zgjeruar zonën e sigurisë tampon në Ukrainë.
– Objektivat e Operacionit Special Ushtarak do të arrihen – tha Putin.
Ai theksoi se Rusia do të preferonte ta arrinte këtë përmes diplomacisë, por se është e gatshme t’i çlirojë tokat e saj historike edhe me mjete ushtarake.
– Nëse Kievi refuzon të dialogojë, Rusia do ta arrijë çlirimin e territoreve me mjete ushtarake – ishte kategorik Putin.
Presidenti rus shtoi gjithashtu se “pas regjimit në Kiev qëndron potenciali i bllokut më të madh ushtarako-politik në botë”./TetovaNews















