Edi Rama:
Përshëndetje, mirëdita.
Siç e tha kryetari i grupit, sot jemi në këtë mbledhje të posaçme të fundmuajit, ku këtë radhë do të jetë qeveria që do të raportojë përpara grupit. Duke qenë se temat e posaçme që lidhen me çdo sektor do të trajtohen nga ministrat përkatës, unë dëshiroj të ndaj këtu me ju — duke përfituar edhe nga prania e publikut dhe veçanërisht e zgjedhësve tanë përmes mediave — opinionin që kam krijuar lidhur me situatën komplekse ku ndodhemi.
Jo thjesht ne, shumica qeverisëse, por vendi ynë sot — pas një fitore historike në zgjedhje nga ana jonë, rreth nëntë muaj më parë; pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, në një kohë rekord për historinë e integrimeve europiane; dhe pas zhvillimeve që lidhen si me ecurinë dhe fatin e reformës historike në drejtësi, ashtu edhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë politike dhe shtetbërjes demokratike për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian — për hir të së vërtetës, unë besoj se duhet të shohim së bashku që jemi në një udhëkryq të ri.
Ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara, duke afirmuar një rritje të qëndrueshme — e cila, për nga kohëzgjatja e saj në harkun e këtyre 35 viteve, është e pakrahasueshme me çdo periudhë të mëparshme — ndërkohë që Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, duke u vlerësuar dhe respektuar në çdo forum e instancë të marrëdhënieve ndërkombëtare; ndërkohë që projektet në zhvillim, në hartim e sipër apo në plan për t’u hartuar dhe zhvilluar në këtë mandat janë më të shumta dhe më domethënëse për nga impakti se kurrë më parë — udhëkryqi ku ndodhemi sot paraqet, sipas meje, disa rreziqe që kërkojnë një kuptim të drejtë, një adresim të vendosur dhe një disiplinë të fortë nga ana jonë.
Dhe kur them “nga ana jonë”, kam parasysh në radhë të parë ne këtu: deputetë, deputete, ministra, ministre. Sepse, përndryshe, Shqipëria rrezikon të bëjë vendnumëro, duke humbur kohën më të çmuar dhe mundësitë më të mëdha që ka pasur ndonjëherë në dispozicion për t’u ngjitur më në fund aty ku prej dekadash e shekujsh e kërkon amaneti i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit — dhe ku patjetër e meritojnë fëmijët tanë, gjeneratat e tjera dhe çdo qytetar i këtij vendi.
Çdo vendnumëro për Shqipërinë sot është rënie e trendit të rritjes ekonomike dhe e fuqisë së vendit nesër, për të vazhduar të jetë tërheqës, dinamik dhe i respektuar ndërkombëtarisht. Rreziku që ne të bëhemi irrelevantë është real — dhe kur them “ne”, kam parasysh vendin tonë — ndërkohë që jemi më relevantë se asnjëherë dhe mund të bëhemi ende më relevantë.
Pse i them këto?
Le ta nisim së pari, si gjithnjë, nga vetja. Sepse e vërteta është që ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara forcash; është një udhëkryq mjegullash botëkuptimore dhe errash artificiale, që rrezikojnë të na mbijnë, të na çorodisin dhe pastaj të na rrëzojnë me këmbët tona.
Kjo ka ndodhur më parë. Ka ndodhur jo vetëm këtu, por edhe në vende të tjera, me parti të mëdha, kur kanë ngatërruar sensin e madhësisë dhe të forcës së tyre me thellësinë e sfidave dhe peshën e përgjegjësisë. Sot po sprovohet faktikisht aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore — e para e familjes sonë politike, por edhe e krejt vendit — pikërisht kur duhet të ngjitemi ende më lart.
Dhe kur diferencën midis pikës ku jemi dhe pikës ku duam të mbërrijmë e bën çdo detaj — e bën çdo ditë dhe mënyra se si e shfrytëzojmë ditën — atëherë kupton se nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet. Këtë e bëmë me shumë vështirësi. Por është edhe më e vështirë të ngjitesh më lart sot.
Po të shohësh dinamikën dhe natyrën e sfidave në procesin e negociatave, kjo bëhet edhe më evidente: çdo hap i ri vjen me një sfidë të re, më komplekse se ajo e mëparshmja. Për këtë duhet shumë përgatitje dhe shumë forcë.
Gjithsesi, ajo që është më e rëndësishmja është se në këtë udhëkryq ne kemi fatmirësisht në dorë një busull të pagabueshme: Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Dhe sot — sot, sot — më 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit. Dhe këtë e them faktikisht, jo metaforikisht: më afër se sa ishim, fjala vjen, më 26 janar, ose lëre pastaj më 26 shtator apo tetor të vitit të shkuar. Kjo nuk është lehtësi; është fakt. Sepse e tillë është shpejtësia me të cilën po ecim në atë proces, falë volumit të madh të punës që po bëjmë së bashku.
Për shembull, së bashku, në fund të janarit, pas një pune vërtet të jashtëzakonshme, kaluam në Kuvend një masiv të tërë ligjesh dhe amendimesh, kryekëput të lidhura me procesin në fjalë. Të tjera masive na presin më tutje.
Aktualisht, tani që flasim, kemi arritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit: vlerësimin dhe pastaj marrjen e asaj që quhet “drita jeshile” për pikat e ndërmjetme. Sipas drejtuesve tanë në këtë proces, ky është një test i vështirësisë shumë të lartë dhe kërkon një përgatitje shumë të lartë të vendit. Për të tjerët para nesh, për shembull, janë dashur edhe vite për të kaluar testin e piketave të ndërmjetme. Për planin tonë, ky test duhet kaluar në disa muaj — dhe kjo do forcë.
Dhe “forcë”, në këtë rast, do të thotë përqendrim i të gjitha forcave në një drejtim. Unë jam besimplotë që ne do ta kalojmë edhe këtë test, pavarësisht shkopinjve në rrota dhe tymit të bombave artizanale — dhe këtu e kam fjalën thjesht për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit të pangushëllueshëm opozitar — por e kam fjalën për të gjitha ato bomba artizanale që plasin përditë e përditë, duke hedhur përpjetë kapakët e 700 tenxhereve mediatike, të cilat e kanë kthyer mexhelisin e Shqipërisë në pazarin më të neveritshëm të gënjeshtrave me lloj-lloj bishtash.
E ka thënë populli — qysh se asnjë prej nesh s’kishte lindur akoma — se “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta s’ka veshur ende pantallonat”. Po aso kohe populli s’kishte parë asgjë akoma: s’kishte ardhur flama e kanaleve dhe portaleve të ujërave të zeza mediatike, kurse “tenxherja” e vetme mediatike ishte tellalli i qytetit.
Ndërkohë që sot, tellallët e gënjeshtrave me lloj-lloj bishtash janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber të ditës. Ne s’kemi ç’t’i bëjmë as tellallhanes së madhe ku e solli jeta të jetojmë, duke qenë në krye të vendit në një moment kyç të historisë së tij, as vrapit të marrë të gënjeshtrave rreth botës.
Por në rrezik këtu është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit. Prandaj duhet ta rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona të mëdha dhe të vogla, të shtojmë forcat për t’i bërë sa më mirë, për t’i komunikuar sa më shumë, dhe të përpiqemi me edhe më shumë këmbëngulje të vetëkorrigjohemi e të përmirësohemi.
Dhe këtu, bujrum: jepni idetë tuaja, le të debatojmë këtu së brendshmi, hapur, pa dorashka, për sesi gjërat mund dhe duhen bërë më mirë në këtë drejtim. Por pasi debatojmë dhe ndajmë me njëri-tjetrin opinionet, duhet të përqendrohemi në një pikë — vetëm në një pikë dhe asnjë pikë tjetër: Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030.
Kur e lexojmë historinë, ne jemi njerëz të zakonshëm, ndërsa historia flet për njerëz të jashtëzakonshëm. Por edhe ata, kur kanë lexuar historinë përpara tyre, kanë qenë njerëz të zakonshëm. Ka plot të tjerë njerëz të zakonshëm që kanë pasur mundësi ta bëjnë historinë dhe nuk figurojnë në librat e historisë, sepse nuk e kanë bërë të jashtëzakonshmen që duhet për të bërë histori.
Sot, rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar bashkë kanë sjellë që ne ta kemi historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe me forcën tonë.
Shqipëria në Bashkimin Europian nuk është një tjetër etapë zhvillimi e vendit. Shqipëria në Bashkimin Europian është histori. Dhe pa diskutim nuk është e lehtë të përqendrohesh, në kushtet kur përtej zhurmës së përditshme dhe të përnatshme të bombave artizanale që plasin tenxhere më tenxhere, ka filluar edhe një lëvizje sportive prokurorësh lart e poshtë nëpër Shqipëri, të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm dhe të afërt të SPAK-ut, duke prerë flet-arreste në tufa, për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale, e në rastin më të keq, kudo në botën që na rrethon, hetohen në gjendje të lirë.
Siç ishte rasti emblematik i Durrësit, ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit. Ndërkohë që në dhjetra e dhjetra fletë të prera nuk u kursye as deri edhe një punonjëse model e shtetit, pesë vjet në luftë me kancerin, me një fëmijë dy muajsh në gji. Apo duke shpërndarë flet-thirrje për paraqitje në prokurori në sasi që i ngjajnë biletave të teatrit, deri edhe për absurditete të skajshme.
Siç është një rast emblematik këtu në Tiranë, ku një ndërtues pa leje — pra, që duhet të përgjigjej përpara drejtësisë dhe të cilit i është konfiskuar ndërtimi për të strehuar aty brenda një agjenci shtetërore — ka gjetur rrugën e prokurorisë për të kallëzuar shtetin, dhe prokuroria ka hapur çështje penale për punonjësit e shtetit që kanë bërë procesin për të futur agjencinë e shtetit në godinën e ndërtuar pa leje.
Tani, me siguri do thonë se sapo kam ndërhyrë në punët e drejtësisë. Por në asnjë mënyrë jo. Unë këtu sot do të them vetëm një të qindtën e asaj që kam, në fakt, për të thënë për ndërhyrjet jo vetëm të pajustifikueshme, por edhe të panevojshme të gjyqësorit në punët e ekzekutivit dhe të legjislativit bashkë.
Shteti ka tre pushtete të pavarur nga njëri-tjetri. Dhe nëse njëri prej tyre hyn në punët e tjetrit, shteti nuk funksionon si duhet. Kjo vlen kur pushteti ekzekutiv ndërhyn në punët e pushtetit gjyqësor; dhe po njësoj vlen kur pushteti gjyqësor ndërhyn në punët e pushtetit ekzekutiv.
Do ta shpjegoj më pas çfarë kam parasysh, por përpara do të them se pikërisht sepse besojmë që kushtetuta demokratike e Republikës së Shqipërisë — dhe të gjitha kushtetutat demokratike të Europës ku duam të bëhemi pjesë — thonë se ka tre pushtete të pavarura, këto tre pushtete nuk mund të jenë vetëm në letër, siç ishin deri përpara se ne të bënim gjithçka kemi bërë. Duhet të jenë realitet.
Kjo parti, kjo shumicë qeverisëse, i hyri detit në këmbë. Dhe pas 100 e kusur vjetësh shtet shqiptar, i dhamë pavarësinë reale pushtetit gjyqësor. Prandaj unë — që e kam udhëhequr kokëfortësisht partinë dhe këtë shumicë në rrugën e përpjetë për pavarësimin e gjyqësorit — nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht lloj-lloj bombash artizanale që gurdisen nga lloj-lloj prokurorësh e gjykatësish lart e poshtë nëpër Shqipëri, të cilëve shija e pavarësisë reale i deh.
Rreziku i udhëkryqit të mjegullt në këtë aspekt nuk është që ekzekutivi apo legjislativi të cënojë pavarësinë e gjyqësorit. Rreziku është që gjyqësori të gjymtojë jo thjesht pavarësinë e dy të tjerëve, por aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar. Dhe kjo ka ndodhur në vende të tjera. Nuk është e panjohur në historinë e zhvillimeve të drejtësisë. Por kjo nuk mund të ndodhë në këtë vend. Sepse ky vend, që është në ngjitje të vazhdueshme, nuk e ka luksin të frenohet — e jo më pastaj të ribjerë aty ku ishte.
Çfarë është, përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe një gjykatës me një vendim të një seance paraprake — pa gjyq — i pandodhur në historinë e botës?
Çfarë është, përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq? Që kur pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave apo të taksave të një vendi?
Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në territorin e pushtetit legjislativ, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mënyrën se si parlamenti ka vendosur të ndajë komisionet parlamentare? “Hapu”, i thonë kësaj.
Por shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura jashtë kornizës kushtetuese e ligjore të përfaqësuesve të pushtetit të pavarur gjyqësor të fashiten. Sepse në të kundërt as nuk do të kemi dot një gjyqësor jo vetëm të pavarur, por edhe domosdoshmërisht të paanshëm dhe profesional; as nuk do të kemi dot një shtet funksional, një administratë publike që të japë më të mirën e vet për performancën e shtetit, pa pasur frikë të marrë vendime — deri edhe për blerjen e letrës higjienike.
Ky është fakt. Dhe është një nga mijëra faktet që mund të jap, por e zgjodha enkas sepse është më tragjikomiku i zinxhirit kilometrik të fakteve të prodhuara nga frika.
Po as nuk do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punën e vet, dhe largqoftë edhe një konsumator të çliruar nga frika se mund të bjerë “në sy”.
E përsëris: këto janë mësime që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara. Ne nuk e kemi luksin, dhe Shqipëria nuk e ka luksin, të vonohet për t’i nxjerrë këto mësime. Këto rreziqe janë serioze, nuk janë imagjinare. Duhet të merren në konsideratë nga të gjithë, sa pa prekur palcën e zhvillimit ekonomik e social të vendit, siç ka ndodhur gjetkë, kur antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme se vetë sëmundja e korrupsionit.
Ka mijëra, ndoshta miliona, studime, libra, doktoratura për këtë temë. Por ndërkohë unë personalisht qëndroj me shpresë dhe me besim, dhe përpiqem t’i ushqej me këtë shpresë shumë partizanë të zhgënjyer të reformës në drejtësi. Sepse, për hir të së vërtetës, gjithmonë e më të shumta janë rastet e pajustifikueshme të brutalitetit — sa të pajustifikueshme, aq edhe të panevojshme — të prokurorëve, por edhe të gjyqtarëve.
Këta të fundit, për shembull, kanë arritur maja që habisin edhe mbështetësit më të verbër anglishtfolës të reformës në drejtësi. Kur dëgjojnë që një gjykatës i thotë prokurorit: “Rëndoje dorën, se ke të lehtë akuzën”, apo që një gjykatës në apel i jep ankuesit një dënim edhe më të rëndë se ai që kishte në shkallë të parë, këta kujtojnë se janë “bomba artizanale” të propagandës qeveritare. Por këto janë fakte. Fakte të tmerrshme.
Halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në horizontin e pushtetit gjyqësor. Dhe këtë perceptim shqetësues ma përforcon një fakt tjetër, shumë domethënës për mua: sa herë unë ngre shqetësime të kësaj natyre, këshillat e prokurorisë dhe të gjyqësorit, sipas rastit, më ngjeshin si pullë poste mbi fjalët e mia disa deklarata nervoze, me thirrje bajate ndaj aktorëve politikë që “të mos bëjnë presion drejtësisë”, bla bla bla.
Pavarësisht faktit që unë nuk jam thjesht një aktor politik: jam Kryeministri, dalë nga një votë popullore që i dha Partisë Socialiste një shumicë të hatashme prej 83 mandatesh. Dhe kjo parti nuk ka një konkurrent në historinë botërore si faktor qeverisës më mbështetës i pavarësisë së drejtësisë dhe faktor më i heshtur politik ndaj fajeve dhe gafave të drejtësisë së pavarësuar.
Në thelb, unë ngre probleme serioze me të cilat duhet të merren pikërisht hartuesit e atyre deklaratave të kota. Para se të shkruajnë me kollajllëkun më të madh fjalën “presion” — sepse “presion” është fjalë shumë e madhe — mirë është të kujtojnë ku ishin fshehur ekzaktësisht kur paraardhësi im e ngrinte, e puçiste dhe e ulte prokuroren e përgjithshme. Dhe nëse ju vjen zor ta kujtojnë, të paktën të mos e harrojnë: helbete, iku ajo kohë. Tani po hyjmë në Europë.
U sugjeroj të merren me mesazhin, jo me mesazherin. Sepse paguhen “si frëngu pulën” nga taksat e shqiptarëve, bashkë me 500 sekretarë e këshilltarë, për të qeverisur sistemin e ri të drejtësisë, jo për t’u ankuar për presione inekzistente nga unë — që u kam dorëzuar shpatën e drejtësisë së pavarur, e cila arrinte në zyrën time që nga viti 1912.
Ne kurrë nuk do të ndërhyjmë në çështjet që i takojnë drejtësisë. Kurrë. Por të drejtat dhe liritë e njeriut, siguria juridike e qytetarëve, e punonjësve të shtetit apo e sipërmarrësve, garancitë e procesit të rregullt ligjor e me radhë, nuk janë çështje që i takojnë vetëm prokurorëve dhe gjykatësve apo pushtetit gjyqësor. Janë çështje që lidhen me funksionimin demokratik të shtetit shqiptar dhe me jetën e njerëzve të këtij vendi.
Kur unë të hyj në meritën e ndonjë çështjeje që është në gjykim, atëherë hajde, mund ta diskutojmë. Por kur unë ngre zërin se më vjen turp pasi lexoj raportin alarmant të Këshillit të Europës për nivelin skandaloz të paraburgimeve pa gjyq në Shqipëri, dhe nga ana tjetër këshillat në fjalë nuk bëjnë asgjë për ta trajtuar atë raport me seriozitetin maksimal, ndërsa e vetmja gjë që i bën të ndjehen se ekzistojnë janë deklaratat për mua — atëherë kjo është për të vënë duart në kokë.
Dhe fatkeqësisht, po bëhen ca si shumë këto arsyet për të vënë duart në kokë.
Por duart ne këtu nuk i kemi për t’i vënë në kokë. I kemi për të hapur rrugën e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, me një shumicë parlamentare prej 83 deputetësh. Dhe e përsëris, e përsëris, e përsëris, që ta dëgjojnë të gjithë: këtë shumicë ky popull na e ka vënë në dispozicion që të përveshim mëngët e të mos ndalemi, duke na hequr çdo lloj alibie për çdo lloj vendnumëroje.
Prandaj ka shumë rëndësi që njerëzit e sistemit të drejtësisë jo vetëm të kryejnë punën e tyre të patrazuar — gjë për të cilën mbështetja jonë s’ka munguar dhe s’do mungojë asnjëherë, të paktën derisa unë të jem këtu në krye të kësaj shumice — por edhe të përpiqen t’i marrin shqetësimet e shprehura publikisht nga ana ime si shqetësime në interes të shtetit, jo të pushtetit që ne përfaqësojmë.
Pakti ynë i brendshëm këtu në këtë grup është që askush nuk duhet të merret me gafat dhe lajthitjet e drejtësisë së re. Sepse qëllimi ynë, si forca udhëheqëse e reformës në drejtësi, nuk është të bëjmë presion, por të kërkojmë mirëkuptim për gjërat që nuk shkojnë — apo, edhe më keq, shkojnë aq keq sa e dëmtojnë kauzën e përbashkët për shtetin ligjor demokratik të shqiptarëve.
Fola më lart për lajthitje të pajustifikueshme dhe të panevojshme — totalisht të panevojshme — sepse kurrë askush nuk ka ngritur dhe nuk do të ngrejë në emër të kësaj shumice qeverisëse asnjë pretendim që pengon hetimet për këdo qoftë. Edhe pse alibia e “pengimit të hetimeve” ka arritur në kulme absurditeti, që do të ishte për të qeshur po të ishte skeç i vitit të ri, por është për të qarë e për të vënë ulërimën, kur paketohen kërkesa për arrest me argumente që i thonë logjikës: “Mbylle gojën se të futa brenda”.
Cila është nevoja, çfarë e justifikon një kuturisje të marrë për të bërë 40 kontrolle banesash në ditën e vigjiljes së vitit të ri për një çështje të regjistruar para pesë vjetësh? Jo vetëm duke i trajtuar punonjësit e administratës si të ishin organizatë kriminale për t’u mbledhur njëkohësisht në burg, por edhe duke përcjellë në tërë Shqipërinë haberin që s’ka asgjë të gëzueshme për një ditë thuajse të shenjtë në mbarë globin, ku bota rri në shtëpi me familje e me fëmijë.
Shteti ligjor nuk është shtet policor. Rendi ligjor demokratik nuk është rend antihumane — as për kriminelët më të mëdhenj, jo më për punonjësit e administratës publike, e cila është kapitali njerëzor i vyer i një shteti. Dhe jo më kot, në shtyllat themelore të procesit të negociatave, krahas forcimit të drejtësisë, është edhe forcimi i administratës publike. Drejtësia dhe administrata publike nuk janë në dy barrikada përballë njëra-tjetrës.
Si mund të forcohet administrata publike, nëse çdo punonjës i saj prezumohet fajtor dhe trajtohet si i tillë? Duke i shkuar në banesë për kontroll ditën e fundit të vitit, apo duke e thirrur në prokurori për ta detyruar të pranojë faje që s’i ka bërë me presion? Ai është presion. Sepse duhet inkriminuar me patjetër dikush tjetër — a thua se njerëzit janë statistika dhe lëkura e tyre është asfalt që duhet shtruar për të kryer planin tremujor të prokurorive.
Po ç’është ky hall që thirren njerëzit nga puna, me tufa, në orar pune, dhe mbahen atje me orë të tëra, pa pyetur njëherë: “Keni ndonjë punë ju? Keni ndonjë mbledhje? Keni ndonjë afat?” Se për të njëjtin shtet punojmë. Dhe thirren deri në kohën kur duhet të jenë në krye të detyrës, në frontet emergjente, sikur në këtë vend vetëm prokurorët punojnë për shtetin dhe të tjerët punojnë vetëm për planin e hetimeve e të arrestimeve të prokurorëve.
E kam thënë dhe herë të tjera, dua ta përsëris: unë personalisht kam pasur shumë rezerva për administratën tonë publike. Kam qenë edhe vetë viktimë e të njëjtit perceptim — si ai për spitalet, sipas të cilit “po nuk dhe lek, të lënë të vdesësh”. Por këtë perceptim për spitalet e kam rrëzuar, sepse i kam vizituar vetë, i kam parë vetë transformimet, i kam dëgjuar njerëzit vetë, jo me kamera, pa kamera.
Ndërsa për administratën, edhe unë e kisha një perceptim goxha të rezervuar. Mirëpo, në muajt e procesit të skriningut, përpara fillimit zyrtar të uljes në tryezë për negociatat, fillova të shoh te administrata jo problemin, por zgjidhjen e shumë problemeve. Jo se administrata s’ka problemet e veta, s’ka individë të padenjë, por kur fillova të dëgjoj nga kryeministri i Hollandës — krejt jashtë kontekstit, në një takim ndërkombëtar — “Edi, kam dëgjuar fjalë të jashtëzakonshme për skuadrën tuaj negociatore, bravo”; apo nga kryeministrja e Danimarkës: “Edi, ministria e jashtme më thotë që skuadra juaj negociatore po i zhgënjen të gjithë në kuptimin pozitiv, sepse prisnin diçka tjetër”; dhe kur i takova vetë, 100 vetë, jo një e dy — atëherë e kuptova sa e tmerrshme është që në shpirtin e tyre të ketë frikë irracionale se “po na vijnë kot”, pa lidhje.
Kam folur edhe më parë për AKSHI-n dhe për drejtoren e AKSHI-t, e cila sot e gjithë ditën ndodhet në arrest shtëpie. Nuk dua të them asnjë fjalë për përmbajtjen e çështjes, por di të them një gjë: ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenarie kombëtare si AKSHI, i ngritur me vite dhe i duartrokitur ndërkombëtarisht, të bëhet shesh për t’i mbytur psikologjikisht inxhiniere e inxhinierë — vajza e djem — që kanë punuar pa orar, me punë me vlerë të jashtëzakonshme.
Çfarë dua të them me këtë? Meqë janë bërë të gjitha këto, atëherë nuk duhet hetuar? Jo. Përkundrazi: të dyja duhen bërë dhe të dyja mund të bëhen. Njerëzit kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe t’u jepet mundësia të hetohen si të pafajshëm, deri kur të provohet ose jo fajësia. Është shumë e thjeshtë.
Po sikur të jetë krejt e pafajshme dhe jo kriminele, pjesë e ndonjë grupi të strukturuar, si personazhi që kanë krijuar për të ngutur arrestimin dhe masakrimin me “bomba artizanale” — tenxhere më tenxhere — duke i vënë në kurriz vila e makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira, as nuk e ngas makinën dhe s’ka një të tillë? Çfarë fiton shteti? Çfarë mesazhi u jep atyre që duan të kontribuojnë për këtë shtet?
Sepse këtu flasim për shtetin. Dhe shteti i garanton të gjithëve lirinë, të drejtën e punës, të drejtën e marrjes së vendimeve; dhe natyrisht garanton se kushdo që, me vendimet e veta, realizon qëllime të fshehura, nuk është i pandëshkueshëm. Por nëse drejtori i KESH-it — një tjetër specialist që e kam njohur personalisht, menaxher me vlera — prej muajsh është në arrest shtëpie, për arsye krejt të paqarta; nëse shumë prej të tjerëve janë në të njëjtën situatë; dhe nëse 58% e njerëzve që sot janë nëpër burgje nuk e kanë bërë gjyqin, çfarë ndodh sikur të jetë e vërtetë që janë të pafajshëm?
Ku janë sot ata që kanë kaluar eksperienca traumatike me prokurorinë e pavarur, kanë humbur punën, kanë dalë të pafajshëm? Një pjesë e madhe: kanë lënë punën në shtet. Të tjerë vazhdojnë, por gëzojnë një status të vetëfituar e të vetëpranuar: nuk firmosin më asnjë copë letër, nga frika. Disa kurohen nga psikologët. Çfarë ka fituar drejtësia dhe çfarë ka fituar ky shtet, që nuk ka burimet njerëzore sa të Kinës, por i ka të kursyera dhe duhet të bëjë më të mirën për t’i menaxhuar me kujdes e dinjitet?
Këto pyetje duhet t’ia bëjnë vetes njerëzit e drejtësisë. Pavarësia e dhuruar nga pushteti legjislativ e ekzekutiv duhet t’i bëjë më të vetëdijshëm për dëmet që mund të sjellë fuqia e pakontrolluar nga njeriu brenda tyre: egoja, ambicia dhe të gjitha ndjesitë e tjera që të gjithë i kemi, por që tek dikush që merret me jetën e të tjerëve duhet të frenohen sa më shumë.
“Mos i bëj dikujt atë që nuk do që të tjerët të ta bëjnë ty”, thonë librat e shenjtë. Dhe kjo duhet të jetë deviza e çdo njeriu që ka pushtetin të lëndojë apo të ngrejë lart jetën e dikujt tjetër — jo për të mbyllur sytë para provave të fajit, në asnjë mënyrë, por për t’i hapur sytë katër që faji të mos jetë për askënd fat i paracaktuar nga dora dhe egoja e tyre. Dhe të mos e harrojnë postulatin: “Më mirë 100 fajtorë jashtë sesa një i pafajshëm prapa hekurave”.
Kur grupi ynë i punës, që po punon me ekspertët e ministrive të drejtësisë të Italisë dhe të Francës për reflektimin mbi procedurat tona, vuri në tavolinë një pikë të caktuar, profesoresha e njohur nga pala franceze tha diçka që dua ta ndaj publikisht: “Ju, në Shqipëri, nuk niseni nga liria kur mendoni për drejtësinë; niseni nga heqja e lirisë. Dhe ky është një problem shumë i madh, që shkon përtej kodeve dhe ligjeve të shkruara”. Dhe shtoi: “Kodet, edhe kodi penal, shkruhen për të garantuar lirinë, jo heqjen e lirisë; heqja e lirisë është funksion i garantimit të lirisë”.
Dhe këtu kaloj në një pikë tjetër: grupi udhëheqës dhe qeverisës i këtij vendi jetojmë brenda një paradoksi të madh, sa të padrejtë e të dhimbshëm, aq edhe të pashmangshëm për hir të së vërtetës. Ky është një tjetër rrezik i këtij udhëkryqi, nëse ne nuk e lexojmë dhe nuk e trajtojmë si duhet, dhe nëse nuk distancohemi sa duhet.
Ne e deshëm reformën në drejtësi qysh kur ishim në opozitë dhe e bëmë kur erdhëm në pushtet, madje duke treguar gatishmëri të plotë për ta hedhur në erë qeverinë e koalicionit të asaj kohe, nëse aleati ynë i mandatit të parë nuk do të na ndiqte deri në fund. Ky është fakt. Kush tregon një histori tjetër, nuk tregon të vërtetën.
Patjetër që aleati dhe kundërshtarët e tjerë të reformës u rreshtuan nën trysninë e asaj që quhet “rruga e Elbasanit” — edhe këtë e dimë — por përstanat i takonte neve: ne ishim ata që e projektuam dhe e diktuam rreshtin, pa na diktuar e pa na trysnuar askush. Sepse po të mos kishte një “kal” që tërhiqte karrocën, ata ndashtë të rrugës së Elbasanit e ndashtë të rrugës Durrës–Bari–Brindizi s’kishin nga ta shpiknin kalin.
Pa diskutim e bëmë me vetëdije të plotë. Dhe unë personalisht nuk e kam imagjinuar kurrë reformën në drejtësi as si fasadë, as si shëtitje në park. Përkundrazi: e kam ditur që do të vinte me gjak nga i yni dhe me baltë mbi ne. Sepse ishte një përpjekje e vërtetë për ta dorëzuar shpatën e pushtetit të drejtësisë në duart e njerëzve të drejtësisë — jo shpatë në duart e një pushteti që do të ishte më në kontrollin tonë.
Dhe për ta marrë me mend këtë, s’ishte nevoja të ishe as profet, as fallxhor. Mjaftonte të ishe lexues kurioz i historisë së revolucioneve të drejtësisë në vende të tjera. Përmbysja që i bëmë sistemit të vjetër ishte revolucionare për pavarësinë e drejtësisë. Dhe tani po jetojmë një periudhë “ethesh revolucionare” të një drejtësie të re dhe të pavarur, e cila pikërisht pse është shumë e re, nuk është as paanshme, as profesionale.
Nëse do të bëja një krahasim — dhe çdo krahasim çalon — drejtësia sot është si qeveria shqiptare e vitit 1992: fuqi e madhe politike, traditë demokratike zero, autokontroll që varion nga zero në katër dhe mbetet nën notën kaluese.
Po të kesh parasysh se, sipas Këshillit të Europës, jemi jo vetëm vendi me shifrën më alarmante të paraburgimit në kontinent, por edhe të dytët, vetëm pas Rusisë, për raportin mes dënimeve dhe pafajësive, me diferencë të sikletshme edhe nga rajoni.
Dhe ku është paradoksi? Paradoksi është se ndërkohë që falë nesh, nën udhëheqjen tonë dhe deri edhe me lëkurën tonë, po bëhet në Shqipëri ky transformim që do të hyjë në histori si epokal — me një drejtësi të re e të pavarur, me të gjitha dobësitë e veta të natyrshme për moshën e re që ka, por që ka marrë shpatën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me bekimin tonë — qeveria jonë goditet pa pushim si “më e korruptuara”, dhe Shqipëria baltoset pa pushim si “më e kriminalizuara”.
Shikojeni sesi uturijnë tenxheret për dosje që prokuroria nuk i heton, edhe pse ka prej kohësh atje materiale për pastrim parash e evazion fiskal, me fakte dhe të nënshkruara nga autoritetet e të njëjtit shtet. Po si justifikohet, si gëlltitet kjo burracakëri, ku shpatarët e verbër turren mbi punonjës shteti e mbi politikanë të Partisë Socialiste për çdo lloj çështjeje e akuze — nga seriozet te shpërdorimet imagjinare të detyrës — ndërsa “frikë si pula” kanë nga dy uturakët më të mëdhenj të pazarit mediatik të Shqipërisë?
Këta, nga ana e tyre, bombardojnë publikun me antikorrupsion në ekran dhe me para të zeza nën dorë pasi mbaron bombardimi, ndërkohë që dosjet me faktet për riciklim parash dhe evazion fiskal rrinë në prokurori prej vitesh.
Fatmirësisht Komisioni Europian i sheh faktet, lexon shifrat, kupton të dhënat e transformimit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk e sheh Shqipërinë përmes avujve të tenxhereve dhe fjalëve të pasionit tim, por i vlerëson arritjet tona në tërësi, apo punën e SPAK-ut në veçanti.
Dhe që të jemi të qartë: sa thashë më lart e sa do them më pas për çka nuk shkon me prokuroritë — pa përjashtuar edhe SPAK-un, që ka kusuret e veta, siç kemi edhe ne kusuret tona — nuk ka diskutim për mua që sot jemi në një pozicion tjetër në raport me të ardhmen falë pikërisht edhe SPAK-ut. Nuk besoj se kam konkurrencë për numrin e fjalëve inkurajuese që kam thënë për SPAK-un dhe për drejtuesit e tij.
Prandaj uroj shumë që edhe fjalët po aq të sinqerta për çfarë nuk shkon — që e përsëris, nuk janë fjalë si “qytetar privat”, por si Kryeministër i një vendi që nuk mund të paguajë çmimet që kanë paguar vende të tjera kur kura është bërë më e rrezikshme se sëmundja — të merren si inkurajim për t’u përmirësuar.
Për t’u bërë më të përgjegjshëm në raport me liritë e njerëzve dhe të drejtat e tyre, dhe më të vetëdijshëm për sfidën e madhe të rritjes profesionale. Dhe mbi të gjitha, që gjykatësit të kuptojnë: të jesh gjykatës do të thotë të jesh i paanshëm, jo thjesht i pavarur. I pavarur dhe i anshëm është një tmerr.
Çfarë mund të presë njëra palë nga gjykatësi, kur gjykatësi bëhet palë me akuzën dhe i kërkon akuzës të rëndojë pozitën e palës tjetër? Atëherë nuk është më gjyq me gjykatës; është përballje e kotë mes një njeriu që s’ka asgjë në dorë dhe një force të verbër që ka gjithçka në dorë, përfshirë edhe paracaktimin e fatit të jetës së tij.
Por, duke u kthyer te paradoksi, dua të ndaj me qetësi dy-tri fakte për të gjithë ata që duan të dëgjojnë. Natyrisht, mua më duket sikur “sa më shumë luftohet korrupsioni, aq më shumë korrupsion paska”. Por ja faktet:
Në historinë e prokurorisë së posaçme ka vetëm 10 akuza për korrupsion — 10 — në të gjithë historinë. Ka 16 për shpërdorim detyre. Rreth 15 raste për pabarazi në tendera dhe ankande publike. (Shifrat mund të variojnë pak, sepse jo të gjitha publikohen transparent.)
Çfarë është e rëndësishme? 85% e rasteve i përkasin mandatit të parë dhe të dytë. Pra logjika e thjeshtë të thotë: nuk është “sa më shumë rrimë ne në qeveri, aq më shumë ka korrupsion”; por “sa më shumë rrimë ne në qeveri, aq më shumë luftohet korrupsioni”, dhe aq më shumë dalin nga varret e së shkuarës çështje që nuk ishin prekur.
Një fakt tjetër: Shqipëria renditet nga Komisioni Europian — jo nga ne — në vendin e parë në rajon për integritetin e prokurimeve publike, me diferencë nga vendi i dytë. Që do të thotë: ka më pak korrupsion, jo më shumë.
Një fakt tjetër: “Albania 1 euro” — sipas një konsulenti ndërkombëtar që morëm për të audituar rezultatet — u ka kursyer shqiptarëve thuajse 1 miliard euro. Dhe, sipas atij auditimi, në terma metaforikë, ajo kursim shtrihet “sa 22 mijë rrotullime rreth Tokës”. Që do të thotë: ka më pak korrupsion, jo më shumë.
Por ka një fakt që ushqen paradoksin: rastet e akuzave për korrupsion mund të jenë 10, por emisionet, lajmet, postimet në 700 tenxheret e zhurmës politike-mediatike mund të jenë 10 milion. Vetëm në tenxheren e Blendi Fevziut mund të jenë bërë një mijë emisione, ku fjala “korrupsion” mund të jetë përdorur 100 milion herë, “përgjim” 100 mijë herë, “hajdut” 10 mijë herë.
Imagjinojeni vetë çfarë batërdie bëhet mbi veshët dhe sytë e shqiptarëve. Dhe pastaj në ato tenxhere del refreni: ekonomia rritet e “rrit korrupsionin”; PBB-ja rritet e “rrit korrupsionin”; buxheti rritet e “rrit korrupsionin”; pagat rriten e “i rrit korrupsioni”; investimet rriten e “i rrit korrupsioni”; zjarret e shirat “i rrit korrupsioni”; negociatat “i hap korrupsioni”; kapitujt “i hap korrupsioni”; edhe piketat e ndërmjetme “do t’i kalojë korrupsioni”…
Ka disa ditë që po bëhet nami për rrëshqitjen e rrugës në aksin Librazhd–Prrenjas. Në anën tjetër të kufirit ka rrëshqitje shumë më dramatike në autostrada nga më të rejat e Greqisë, dhe atje nuk e kam kapur asnjë lloj ngjashmërie me këtë lemeri tonën ku edhe tokën “e lëviz korrupsioni”. Ndërkohë që në atë aks po bëhet një nga veprat më të mëdha infrastrukturore, një tjetër krenari e kësaj qeverie.
Ju kujtohet rënia e rrugës Korçë–Ersekë: u riparua totalisht me fondet e sipërmarrësit, rruga sot është e shqiptarëve. Ndodhi diçka që nuk duhet të ndodhte, por këto nuk janë gjëra që ndodhin vetëm këtu. Ndryshimi është se në Portugali, Suedi, Itali, Greqi — janë çështje gjeologjike. Këtu jo: këtu janë “çështje korrupsioni”.
Dhe më e bukura në këtë mjerim “lavazhesh mediatike” të trurit është se të gjithë ata që janë kundër nesh i besojnë një për një. Besojnë që një ministre lan makinën me 10 mijë euro një dorë. Besojnë që dikush ka 300 shtëpi, dikush ka dy anije. Dhe pastaj edhe vetë ata të lavazheve, të parave të zeza, që paguhen nën dorë pas debateve antikorrupsion, duke përsëritur këtë refren, budallepsen fare kur vjen numërimi i kutive të votimit: rrinë e presin që më në fund të dalë fitorja mbi “narkoregjimin”, dhe del prapë po i njëjti.
E vërteta është se kjo zhurmë pambarimisht është e dëmshme për shoqërinë, dhe padyshim për Shqipërinë. Shikojeni Malin e Zi: është bashkë me ne në krye të rreshtit për të hyrë në BE; ka probleme pak a shumë si ne; por keni parë ju ndonjë “bombë artizanale” që nga Podgorica të shpërthejë në faqet e gazetave të botës? Asnjëherë.
Jo se atje s’ka opozitë, jo se s’ka arsye për pakënaqësi, por sepse atje “One&Only” është një hotel jashtëzakonisht me pesë yje ku turistë nga e gjithë bota, me të ardhura të larta, kontribuojnë në të ardhurat e shtetit. Kurse këtu “One&Only” është një plak i marrë, me pesë dërrasa mangut, që tërheq zvarrë pas vetes 500 vetë, me krejt dyshemenë për tokë, që kontribuojnë me pasion për të cënuar imazhin e Shqipërisë, duke shpërndarë fotografi.
Dhe këtë e sjell jo për “delin satirik”, po sepse ekzaktësisht pas publikimit të atyre fotografive, CEO i One&Only-t më ka marrë në telefon: “Çfarë po ndodh atje?”, sepse jemi — ishim dhe jemi — në diskutime për ta sjellë dhe në Shqipëri. Ky është një detaj i vogël, por domethënës se si afektohet Shqipëria nga një barbari e tillë.
Tani, natyrisht, nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet me Belinda Ballukun. Por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në parlament, sepse normalisht do të pres raportin e Këshillit të Mandateve, përpara se të them fjalën time në mënyrë shteruese për çështjen e imunitetit.
Por dua të ndaj me ju një fakt: Belinda Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë. Qysh në mbrëmjen e ditës kur iu ngrit akuza në fillim — jo për korrupsion, sepse është interesante që ndërkohë që 700 tenxheret flasin për shuma e vepra, akuza nuk është për korrupsion; nuk ka akuzë për korrupsion; është për pabarazi në tendera — pastaj ma solli përsëri dorëheqjen me shkrim kur u bë pezullimi; dhe një herë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Unë e kam hedhur poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes. Dhe kjo vlen të përsëritet publikisht: sepse unë kam bindjen që në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, kur — ndryshe nga vendet me drejtësi dhe institucione të konsoliduara — në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë pavarësinë, ne nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë.
Ne duhet të bëjmë secili punën e vet: ne tonën, drejtësia të vetën. E di mirë edhe teorinë edhe praktikën europiane të “dorëheqjes morale”, e cila megjithatë nuk praktikohet kudo e kurdo njëlloj as në Europë. Është shumë kollaj të thuash “në Gjermani një ministër jep automatikisht dorëheqjen”. Po për shembull kjo nuk ndodh në Itali; madje as në Francë nuk ndodh gjithmonë. Në Francë, ministri i drejtësisë qëndroi në zyrë kur iu ngrit një akuzë e rëndë dhe e mori pafajësinë në zyrë.
Kush i bën këto krahasime s’duhet të harrojë se Gjermania është shtet model i së drejtës; prezumimi i pafajësisë atje është në pjedestal ari. Nuk imagjinohen dot atje tezgat, lavazhet dhe tenxheret e pazarit tonë politik-mediatik, me materiale të nxjerra vjedhurazi nga dosjet dhe të përdorura si ushqim mediatik për të influencuar proceset.
Dhe në Gjermani e në demokracitë e tjera të konsoliduara, prokuroria nuk funksionon si kompani transporti që merr male dokumentesh nga arkivat e ministrive e i çon në zyra prokurorie. Madje këtu kemi arritur në një nivel tjetër: merren edhe dokumentet e një tenderi që është në proces, që s’ka mbaruar fare.
Në Gjermani këto nuk i imagjinon dot njeri, sepse kufijtë mes problemeve administrative dhe problematikës penale janë të qartë dhe të shkruar herët — jo si në Shqipërinë e kësaj faze të re historike, ku drejtësia e pavarur duhet të rritet duke mësuar. Por jo duke mësuar në kurriz të lirive dhe të drejtave të njerëzve, jo duke dhunuar administratën apo sipërmarrjen.
Është kollaj të marrësh të pandehur një tufë sipërmarrësish e t’i linçosh publikisht. Po ata kanë kredi në banka, kanë jetë, kanë përgjegjësi. Prezumimi i pafajësisë duhet të ishte i mjaftueshëm që të hetoheshin në gjendje të lirë, pa u linçuar, duke u dhënë respektin që meritojnë si qytetarë të Republikës.
Ne jemi këtu për t’i çuar punët përpara, duke rritur ritmin. Prandaj u zgjata në këtë panoramë mjegulle: sepse është shumë e rëndësishme që ne të fokusohemi më shumë se asnjëherë te punët tona dhe objektivat tona, duke parë përpara dhe duke shmangur shikimet mbi njëri-tjetrin.
Drejtësia ka detyrë të hetojë, të gjykojë, të ndëshkojë apo të pafajësojë, krejt e pavarur nga ne. Ndërsa ne kemi detyrë të realizojmë objektivat, të marrim vendimet e duhura dhe të zbatojmë programin për të cilin jemi zgjedhur, krejt të pavarur nga drejtësia.
Koha e të ashtuquajturave “dorëheqje morale” do të vijë, por pasi të kalojë kjo fazë revolucionare e pavarësisë së drejtësisë — kur Shqipëria figuron me rekorde të zymta europiane dhe, së fundmi, u fut edhe në Guinness me absurditete institucionale që nuk kanë ndodhur kurrë më parë.
Tani, për ta mbyllur, dua të sjell edhe një fakt tjetër. Para pak ditësh, në një bisedë me disa shokë të grupit — s’kishte asnjë shoqe, çuditërisht — më thanë troç: “Ti duhet të ndihesh përgjegjës për reformën në drejtësi, sepse je fajtori kryesor që kjo reformë ka prodhuar këto efekte të dëmshme anësore.”
Jam i bindur që jo vetëm ata, por edhe plot të tjerë mendojnë njësoj. Dhe disa ish-mbështetës mediatikë të flaktë të reformës e përmbledhin gjithçka në një fjalë: “dështim”. Unë mirëkuptoj zhgënjimin. Por ta quash “dështim” reformën në drejtësi nga pozitat e grupit projektues e miratues të saj do të thotë të mos shohësh përtej ditës së sotme, të mos llogarisësh përtej kostove aktuale, të mos vlerësosh më shumë se komoditetin tënd.
Unë kam qenë dhe mbetem kokëfortë në bindjet e mia, por jam gjithnjë e më pak rezistent ndaj mundësisë që ta kem gabim. Jam i interesuar të kuptoj ku kam gabuar. Por nuk gjej asnjë arsye strategjike për ta pranuar opinionin se reforma në drejtësi ka dështuar. Dhe jo për kokëfortësi: po e them prapë, 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do ta zgjidhja reformën në drejtësi, me të gjitha të mirat e të këqijat e ardhura prej saj, krahasuar me alternativën — atë batakun e llahtarshëm, pa dritë të ardhmeje.
Nuk i hedh poshtë shqetësimet që ndajnë me mua shokët në fjalë, as problematikën e mprehtë të efekteve anësore. Por detyra jonë është të udhëheqim, duke qeverisur sa më mirë çdo ditë, pa u ndikuar nga hyrje-daljet e drejtësisë në territorin që Kushtetuta na e njeh si hapësirë të pavarësisë sonë.
Dhe njëkohësisht, të reformojmë e përmirësojmë më tej kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë, pa harruar asnjë çast se konteksti krejt i ri i negociatave të anëtarësimit na detyron të mbajmë pesha më të mëdha në përafrimin e ligjeve tona me ato të Bashkimit Europian, por edhe na jep mundësinë të përfitojmë nga eksperienca dhe ekspertiza më e kualifikuar në çdo fushë, sidomos në shtetin e së drejtës.
Kush në radhët tona mendon se reforma në drejtësi ka dështuar, sepse dje ka menduar se do zbatohej pa gjak, pa lot, pa djersë, duhet ta gjejë te vetja fajin që ka qenë dritëshkurtër. Ndërsa kujt i duket se unë i them këto pa besuar, kthehuni te fjalët e mia shumë herë më parë — para miratimit, gjatë miratimit dhe pas miratimit të reformës — dhe do ta gjeni të njëjtën gjë: reforma në drejtësi, kur është e vërtetë, është reforma më e rëndë që bën politika, sepse lidhet drejtpërdrejt me lëkurën e politikës.
Prandaj nuk u bë kurrë reformë e vërtetë dhe prandaj nuk pati drejtësi në Shqipëri, e prandaj shqiptarët nuk panë kurrë një njeri me pushtet të shkonte para drejtësisë që nga viti 1912, deri kur ne së bashku vendosëm ta bëjmë reformën e vërtetë. Dhe e bëmë sepse ose e bënim ne, ose s’e bënte dot askush.
Njësoj si Shqipëria 2030 në BE: ose e bëjmë ne, ose nuk e bën dot askush tjetër.
Unë nuk dua ta relativizoj problematikën e efekteve anësore; përkundrazi. Por dua të sigurohem se të gjithë do ta mbajmë fort parasysh “beben”, përpara se të derdhim “ujin e pistë”. Ujin e pistë do ta derdhim, sepse duhet.
Reforma në drejtësi është investim strategjik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, për një ndryshim historik të pakthyeshëm: pavarësimi i drejtësisë. Çdo diskutim, reflektim apo vendim ynë — si ligjvënës që zotërojmë këtë shumicë të cilësuar — duhet t’i shërbejë vetëm kësaj të vërtete të madhe:
Drejtësia e pavarur është investimi më i madh strategjik i Partisë Socialiste për të gjithë brezat që vijnë. Asnjë hap mbrapa. Pavarësia e gjyqësorit nuk preket — vetëm forcohet. SPAK-u nuk preket — vetëm mbështetet.
Hapa përpara, pa asnjë diskutim, për: politikën penale; procedurat penale; garancitë juridike për nëpunësit civilë; dënimet alternative; rishikimin e kufijve mes çështjeve penale dhe atyre administrative, që janë bërë si ato vijat e bardha që kanë vetëm namin e jo nishanin; dhe në radhë të parë, ngritjen e pjedestalit të shembur të prezumimit të pafajësisë — jo vetëm si parim universal i lirisë dhe të drejtave të njeriut në një rend demokratik, por si domosdoshmëri shoqërore për një vend si yni, që ka dalë nga trauma e dehumanizimit të diktaturës së prokurorëve e gjykatësve në komunizëm.
Ata 58% shqiptarë që rrinë në burgje pa gjyq janë çështja jonë dhe përgjegjësia jonë. Ai numër rrënqethës që e vendos Shqipërinë parafundit, gjysmë hapi para Rusisë, për raportin mes dënimeve dhe pafajësimeve, është çështja jonë dhe përgjegjësia jonë. Këto nuk na i merr dot askush. Këto nuk ia delegojmë dot askujt. Dhe për këto duhet të përgjigjemi ne.
Prandaj jemi angazhuar, si fillim, me ministritë e drejtësisë së Italisë dhe të Francës, që na kanë vënë në dispozicion një rrjet ekspertësh të nivelit më të lartë në fushën e politikës penale dhe procedurave penale. Me Këshillin e Europës, që po ashtu na ka vënë në dispozicion ekspertët e vet, për të hartuar një dokument ndryshimesh lidhur me procedurat penale, të cilin do ta konsultojmë edhe me Komisionin Europian.
Po kështu, edhe drafti i ri i Kodit Penal është një punë kolosale e një grupi ekspertësh të pavarur, nën udhëheqjen e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi. Pasi u reflektuan vërejtjet e konsultimit publik, do ta ndajmë së bashku këtë punë, me mbështetjen e ministrive partnere dhe të qeverisë së Hollandës, e cila na ka vënë bujarisht në dispozicion një ekspert me shumë përvojë.
Prandaj, të qëndrojmë te fokusi. Të përqendrohemi më shumë se asnjëherë tjetër tek punët tona.
Dhe si përfundim, propozoj që marsin dhe nëntorin t’i bëjmë dy muaj të familjes sonë të madhe socialiste, që të rikthehemi tërësisht aty ku e kemi burimin e fuqisë sonë: për të hapur një odë të dialogut të brendshëm me anëtarët dhe simpatizantët tanë, për gjithçka që ne duam të ndajmë me ta dhe për gjithçka ata duan të ndajnë me ne.
Faleminderit shumë për durimin. Uroj dhe shpresoj që zgjatja e zakonshme e fjalës të mos ketë sjellë mërzi tek asnjëri prej jush.
Faleminderit.
Kryetari i Grupit Parlamentar:
Faleminderit, kryetar.
Në fund, për sa i përket kësaj teme, mund të bëjmë një diskutim nëse dëshironi, ndërkohë që vazhdojmë me axhendën dhe me diskutimet sipas sektorëve. Pra, jam edhe unë i gatshëm t’u përgjigjem pyetjeve apo të dëgjoj cilindo që ka diçka për të thënë lidhur me gjithë sa u tha.
Po pas raportimit të ministrave dhe një raportimi edhe nga ana ime, në cilësinë jo vetëm të kryetarit të grupit, por edhe si anëtar i Këshillit të Mandateve, padyshim që do të kemi një moment diskutimi për fjalën e kryetarit dhe për çështjet që ngriti në fjalën e vet.
Tani kalojmë tek pika e dytë e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje.















