Ballina Lajme REFLEKTIME RAMAZANI me drejtorin e Institutit të Hifzit të Myftinisë së Tetovës,...

REFLEKTIME RAMAZANI me drejtorin e Institutit të Hifzit të Myftinisë së Tetovës, Hfz. Abdulbaki ef. Kasami: Vlera e Kuranit në jetën e besimtarit dhe rëndësia e nxënies së tij përmendësh (VIDEO)

Podcasti: REFLEKTIME RAMAZANI
Vlera e Kuranit në jetën e besimtarit dhe rëndësia e nxënjes së tij përmendësh
Hfz. Abdulbaki ef. Kasami – Drejtor i institutit të hifzit “Xhamia e Larme” pranë Myftinisë së Tetovës

Selam alejkum, të nderuar shikues të podkastit të Myftinisë së Tetovës, “Reflektimet e Ramazanit, 29 ditë, 29 mesazhe”.

Muaji i Ramazanit është edhe muaji i Kuranit Famëlartë. Është muaji i ibadeteve të ndryshme dhe, në veçanti, muaji kur zbriti libri i fundit dhe më i mirë i të gjithë librave, Kurani Famëlartë. Andaj, sot do të flasim në veçanti për këtë temë, domethënë vlerën e Kuranit në jetën e besimtarit dhe rëndësinë e të nxënit të tij përmendësh.

Të nderuar vëllezër dhe motra, mysafir të sotshëm e kemi hafizin, hoxhën e nderuar, Abdulbaki Efendi Kasami. Njëherit ishte imam i Xhamisë së Larme në Tetovë, apo Xhamisë së Pashës, për katër dekada dhe tashmë është drejtor i Institutit të Hifzit dhe Drejtëleximit pranë Myftinisë së Tetovës.

Moderatori: Meqë jemi në muajin e bekuar të ramazanit, cila është urtësia dhe qëllimi kryesor i këtij muaji?

Hoxha Abdulbaki Efendi Kasami: “O ju besimtarë, është bërë obligim për ju agjërimi, që ju nëpërmes agjërimit të bëheni të devotshëm”, të bëni tekva. Agjërimi është një lloj ibadeti, është prej kushteve (shtyllave) të Islamit. Besimtarët e madhërojnë, e adhurojnë Allahun xhele xhelaluhu me agjërim, me namaz, me leximin e Kuranit, me therrjen e kurbaneve, me haxh, me të gjitha kushtet e Islamit. Agjërimi është një shtyllë prej shtyllave të Islamit, shumë i rëndësishëm. Është një lloj ibadeti që nuk është i ri për umetin e Muhamedit salallahu alejhi ue selam, por si ibadet është prej fillimit të jetës në tokë, duke filluar prej njeriut të parë, babait të njerëzimit, Ademit alejhi selam, dhe do të mbetet derisa të ekzistojë jeta në këtë rruzull tokësor.

“Që ju të bëheni të devotshëm” – çfarë do të thotë tekva? Tekva është që personi të mbrohet. Si mbrohet? Mbrohet duke i zbatuar farzet, obligimet që na ka urdhëruar Allahu xhele xhelaluhu me argumente të prera (ato janë farzet), pastaj vaxhibet edhe synnetet (praktikën e pejgamberit salallahu alejhi ue selam), dhe duke u larguar nga të gjitha veprat të cilat Allahu xhele xhelaluhu na i ka ndaluar. Kështu njeriu mbrohet, bëhet i devotshëm, mbrohet nga dënimi dhe shpërblehet tek Allahu xhele xhelaluhu me Xhennet, që Allahu e ka krijuar për besimtarët e vërtetë.

Pra, agjërimi është një prej ibadeteve shumë të rëndësishme, ku aty nuk depërton rija (sygjykimi), domethënë nuk bëhet për emër apo për diçka tjetër, për shkak se është punë e fshehtë. Për atë edhe vlerësimin, Allahu xhele xhelaluhu thotë: “Unë e shpërblej”. Vetëm madhëria e Allahut xhele xhelaluhu e di se sa është shpërblimi për agjërimin. Shumë me rëndësi është për të qenë njeriu i devotshëm. Pra, çdo punë që e bëjmë duhet ta bëjmë për hir të Allahut xhele xhelaluhu, jo për diçka tjetër. Te agjërimi nuk ka ndonjë diçka që mund të futet për emër apo për rija, por te agjërimi mund të ndodhë diçka tjetër. Njeriu, gjatë ramazanit, mund të bëhet nervoz, mund të bëhet i shqetësuar. Kjo është kundërta asaj që kërkohet. Pra, kërkohet prej agjërimit që njeriu të bëhet i urtë, i qetë, i durueshëm, të mund të përballojë vështirësitë, të bëhet i gatshëm për t’u përballuar me sfida, me vështirësi, ashtu siç ka ndodhur në kohën e pejgamberit. Ata nuk janë ankuar se “unë jam agjërues”, apo të bëhen nervozë, të shkojnë në shtëpi të bërtasin, t’i flasin familjes, gruas. Përkundrazi, në ramazan, besimtari (pejgamberi salallahu alejhi ue selam) me ato kushte të asaj kohe, jo sikur sot me këto kushte që ka ushqime, mjete dhe teknologjia në kulminacion, por atëherë me ato kushte që kanë qenë muslimanët, kanë qenë të uritur, të shpërngulur prej Mekes në Medine, në kushte shumë të vështira, megjithatë kanë pasur disponim shumë të mirë. Agjërimi i ka ushtruar ata që të jenë njerëz shumë të devotshëm, të jenë shumë të vendosur, shumë sabërli. Dhe kështu, sukseset më të mëdha te muslimanët kanë ndodhur gjithmonë në ramazan. Si për shembull, Lufta e Bedrit, Fet’hu i Mekkes në vitin e 8-të hixhri, Lufta e Taifit në vitin e 9-të hixhri, çlirimi i Andaluzisë në ramazan, Lufta e Salahudin Ejubit kundër kryqëzatave për çlirimin e Kudusit, e kështu me radhë. Domethënë, sukseset më të mëdha janë arritur në ramazan. Prandaj ne duhet ta shfrytëzojmë që të bëhemi të urtë, të qetë, të vendosur në zbatimin e ligjeve të Allahut xhele xhelaluhu, në zbatimin e kushteve të Islamit, e jo të bëhemi nervozë për shkak se jemi agjërues.

Moderatori: Hoxhë i nderuar, një ndër faktorët që e qetëson besimtarin gjatë muajit të ramazanit është edhe Kurani. Ne pikërisht sot, dhe në vazhdimësi të muajit ramazan, do të flasim për të. Të njihet botërisht se ramazani është edhe muaj i Kuranit, muaji ku zbriti fjala e Allahut xhele shanuhu. Mund pak të na tregoni se si ka filluar zbritja e Kuranit?

Hoxha Abdulbaki Efendi Kasami: Lidhja më e rëndësishme mes qiellit dhe tokës është Kurani. Kurani është libër i shenjtë që përfshin të gjitha librat e mëparshme dhe fletushkat. Disa pejgamberë kanë pasur libra të shenjtë që kanë zbritur, kurse disa të tjerë kanë pasur fletushka. Kurse Kurani është një libër shumë i kompletuar që është i përshtatur për çdo kohë. Është i freskët për çdo moment, çdo kohë. Kurrë njeriu nuk lodhet duke e lexuar dhe nuk mërzitet, në qoftë se e kupton. Kjo nuk ndodh me ndonjë libër tjetër.

Urtësia e Allahut xhele xhelaluhu është që në Mekë, Allahu zgjedh ku do të dërgojë pejgamber, jo dikush tjetër. Madhëria e Allahut e di pse ka zgjedhur Mekën, pse ka zgjedhur Muhamedin salallahu alejhi ue selam, pse ka zgjedhur fisin e tij. Zinxhiri i familjes së pejgamberit salallahu alejhi ue selam është një zinxhir i pastër, shumë i pastër. Në atë kohë, edhe pse idhujtarët rrethoheshin, në atë familje nuk ka pasur asgjë haram. Zinxhiri deri te Muhamedi salallahu alejhi ue selam gjithmonë ka qenë me nikah, me hallall. Pejgamberi salallahu alejhi ue selam ka qenë një i zgjedhur prej Allahut xhele xhelaluhu, personi numër një ndër qeniet njerëzore, me grada, me derexhe, me të gjitha cilësitë dhe sfatet. Ashtu siç e ka krijuar Allahu xhele xhelaluhu, “hulukan” (krijim, moral) do të thotë se Allahu e ka krijuar pejgamberin salallahu alejhi ue selam në formën më të përsosur se njerëzit e tjerë dhe e ka pajisur me moral shumë të lartë, shumë të rëndësishëm, që ai të jetë shembull për njerëzimin, jo vetëm për njerëzit por edhe për xhindet dhe krijesat e tjera.

Zgjedhja e Muhamedit salallahu alejhi ue selam dhe zbritja e Kuranit atij është një veçori e veçantë, jashtëzakonshme. Pra, Allahu xhele xhelaluhu ka zgjedhur Mekën, atje ka zgjedhur fisin Beni Hashim, prej atij fisi e ka zgjedhur Muhamedin salallahu teala alejhi ue selam. Pastaj, Muhamedi salallahu alejhi ue selam është përgatitur duke u rritur jetim, pa baba, pa nënë. Edhe kjo ka qenë një përgatitje, sepse përndryshe kundërshtarët do të mundoheshin të shpiknin shpifje e fitne, duke thënë se janë tregimet e të parëve. Allahu xhele xhelaluhu në praktikë i tregoi njerëzimit se ky (Muhamedi) ka lindur dhe ka qenë nën përkujdesjen e Allahut, pastër. Nuk e ka pasur babanë, as nënën, s’ka pasur kush ta mësojë, nuk dihet të ketë shkuar diku të mësojë. Por edhe po të kishte shkuar, askush nuk do ta dinte. Jo në atë kohë, por sot në këtë kohë kur shkenca është në kulminacion, prapë Kurani është temeli, baza. Prapë, edhe sot e kësaj dite, nëse tubohen të gjithë njerëzit dhe xhinët që të sjellin një pjesë si Kurani, nuk munden, sepse është mrekulli (muaxhize).

Të gjitha përgatitjet u bënë. 40 vjet pejgamberi salallahu alejhi ue selam ka jetuar para pejgamberllëkut. Askujt nuk i ka thënë se është i dërguar, pejgamber, askujt nuk i ka thënë asgjë. Por gjatë jetës së tij, në shembulltyrën e tij, ai është treguar i tillë. Asnjëherë nuk ka bërë një gabim. Ai e ka adhuruar Allahun xhele xhelaluhu në fenë islame, në fenë e Ibrahimit alejhi selam, në fenë e Isës, sepse feja islame është e njëjta fe në tokë. Nuk ka më shumë fe të vërteta, feja e vërtetë është një, Islami. Vetëm feja islame është e vërtetë. Dhe kështu Allahu xhele xhelaluhu e zgjodhi Muhamedin salallahu alejhi ue selam.

Por kur iu afrua mosha 40-vjeçare, pejgamberi salallahu alejhi ue selam nuk mund ta përballonte më jetën në Mekë. Si? Atje kishte zullum të madh, shirk të madh, Qabja ishte e mbushur me idhuj, padrejtësi e madhe, amoralitet i madh, periudha më e errët dhe e vështirë. Ai filloi të largohej, filloi të shkonte në kodër, në shpellën Hira, që ishte në periferi të Mekës (tani është pjesë e Mekës sepse qyteti është zgjeruar). Atje pejgamberi salallahu alejhi ue selam bënte ibadet, e adhuronte Allahun xhele xhelaluhu. Në atë kohë ai po mendonte se si të shpëtohej ai vend, si të kuralisej nga gjithë ajo gjendje.

Kur i plotësoi 40 vjet, Allahu xhele xhelaluhu e dërgoi Xhibrilin alejhi selam me ajetet e para të sures El-Alak, që t’ia sjellë Muhamedit salallahu alejhi ue selam, t’i thotë “Ikra!” (Lexo!). Pejgamberi salallahu alejhi ue selam, për herë të parë që ballafaqohej me Xhibrilin alejhi selam, u tremb pak dhe tha: “Unë nuk jam prej lexuesve”. Xhibrili alejhi selam e shtrëngoi dhe përsëri i tha: “Lexo!” Përsëri tha: “Unë s’jam prej lexuesve”. E shtrëngoi për të tretën herë dhe i tha: “Lexo në emër të Zotit tënd, i cili të krijoi!” Domethënë, Allahu xhele xhelaluhu ia bëri me dije njeriut se jo vetëm lexo ç’të mbushë mendjen, por lexo në emër të Allahut. Pra, leximi dhe mësimi janë të shenjta dhe janë elementi kryesor për njeriun, por jo çdo mësim, sepse ka shumë njerëz që mësojnë për të bërë dëm. Allahu xhele xhelaluhu tha: “Ikra, lexo në emër të Zotit tënd i cili të krijoi”. Ky ishte kontakti i parë i pejgamberit salallahu alejhi ue selam me Xhibrilin alejhi selam.

Sa i përket zbritjes së Kuranit në tërësi, Kurani komplet prej Levhi Mahfudhit ka zbritur në Bejtil-Ize, në qiellin më afër tokës. Atje ka zbritur komplet dhe, sipas të gjitha transmetimeve, ka zbritur natën e Kadrit, e cila është në muajin e ramazanit.

Moderatori: Sqarim bukur, Allahu xhele shanuhu ju shpërbleftë, hoxhë i nderuar. Ka njerëz, fatkeqësisht sot, sikur në kohën e pejgamberit alejhi selam që ishin mushrikët, të cilët thonë se Kurani është prallë, se gjatë brezave njerëzit e kanë ruajtur dhe ndryshuar. Ata bazojnë ruajtjen e Kuranit vetëm te brezat, nuk i lexojnë pjesët e tjera se si është ruajtur Kurani. Pra, e trajtojnë Kuranin sot njëjtë siç e trajtonin mushrikët e Mekës. Por ka edhe njerëz të tjerë që nuk mund ta kuptojnë tërësisht se si është ruajtur Kurani tashmë 1500 vjet. Mund të na shpjegoni pak se si është ruajtur Kurani deri në ditën e sotme?

Hoxha Abdulbaki Efendi Kasami: Prej kohës kur filluan t’i zbresin ajetet e para Muhamedit salallahu teala alejhi ue selam, ai u tremb dhe shkoi në shtëpi te bashkëshortja e vet, Hazreti Hatixha radiallahu anha, dhe tha: “Zemiloni, më mbuloni!” Hazreti Hatixha e mbuloi dhe ai pushoi pak. Hazreti Hatixhaja kishte një familjar, Varaka bin Nevfel, i cili ishte i moshuar, por ditur, e dinte fenë e Ibrahimit alejhi selam, e dinte për Islamin. Ata shkuan te Varaka bin Nevfel. Kur pejgamberi salallahu alejhi ue selam i shpjegoi se çka kishte ndodhur, ai tha: “Ky është Namusi (Xhibrili) që i ka ardhur Ibrahimit alejhi selam dhe pejgamberëve të mëparshëm. Edhe ty të ka ardhur meleku. Ti je pejgambar. Sikur të isha gjallë, sikur të isha i ri, do të ndihmoja shumë, kur të dëbojnë prej Mekes.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selam, në fillim i habitur, tha: “Pse do të më dëbojnë prej Mekes?” Ai tha: “Po, do të të largojnë. Por unë, sikur të isha i ri dhe i shëndoshë, do të të ndihmoja shumë, por ndoshta nuk do ta arrij.”

Pastaj, gjatë vazhdimit të zbritjes së ajeteve të para, pejgamberi salallahu alejhi ue selam mundohej t’i përsëriste ajetet që të mos i harronte. I vinte Xhibrili alejhi selam dhe i thoshte: “Mos shpejto duke i përsëritur, mos u frikëso, nuk është obligimi yt ta mbrosh dhe ta ruash Kuranin. Atë e ruajmë Ne. Do ta tubojmë Kuranin.” Madhëria e Allahut xhele xhelaluhu, kur thotë “Ne”, nuk është qëllimi se është me numër, por për shkak të madhërisë së Allahut, e thotë në emër në shumës, për respekt. Allahu i tha: “Mos u brengos, ti përcille atë që të zbritet Kurani, kurse për ta ruajtur, e ruajmë Ne.”

Pejgamberi salallahu alejhi ue selam, për çdo ajet, për çdo sure që i zbriste, kishte “kuttabul vahji” (shkruesit e shpalljes). Ata e shkruanin nëpër lëkura, nëpër metoda të asaj kohe, të ndryshme, kuptohet se nuk ishin si metodat e sotme. Dhe jo vetëm që shkruhej ajeti, por shkruhej edhe vendi i ajetit. Gjithçka ishte e përcaktuar (teuhif). Xhibrili alejhi selam, kur i sillte shpalljen pejgamberit, tregonte se këto ajete janë pjesë e sures El-Bekare ose pjesë e sures Ali Imran, domethënë ku e kanë vendin. Gjithçka në Kuran, me presje, me pikë, me vokale, është origjinale, pa asnjë ndërhyrje dhe pa ndryshim.

Përveç shkrimit, sahabët e rinj dhe të moshuar, të gjithë u angazhuan dhe filluan ta mësonin Kuranin përmendësh. Kështu, Kurani u ruajt në dy mënyra: me shkrim dhe në memorien e njerëzve. Sot, me miliona hafiza ka në botë. Dihet se librat e mëparshme kanë pasur ndërhyrje, njeriu ka futur dorë dhe ka bërë ndryshime. Edhe për Kuranin janë munduar të bëjnë ndryshime. Për shembull, në disa vende të Afrikës janë munduar të shpërndajnë Kur’ane ku u kanë hequr një fjalë të vogël. Aty ku thotë Allahu: “Kush ndjek një fe (din) përpos Islamit, nuk i pranohet”, fjala “din” vjen në kuptimin e fesë, besimit, por edhe të ligjit, sistemit. Këtë e kemi në suren Jusuf, kur flet për Jusufin dhe familjen e tij, ku “din” vjen në kuptimin e ligjit, sistemit, pushtetit. Pejgamberi salallahu alejhi ue selam e kishte paralajmëruar se do të vinte koha që njerëzit do të mundoheshin ta ndryshonin Kuranin. Ata që donin ta ndryshonin, për shembull, e hoqën fjalën “gajra” (përpos) dhe e lanë ajetin “kush ndjek Islamin, nuk pranohet prej tij”, duke ia ndryshuar kuptimin. Pastaj i shpërndanë ato Kur’ane në numër të madh. Atëherë, fëmija i parë hafiz që e pa atë Kuran, e shfletoi dhe tha: “Këtu mungon fjala ‘gajra’, nuk është ‘gajra Islam’, por duhet të jetë ‘përpos Islamit’.” Ai shkoi te hoxha i vet dhe i tha se diçka nuk ishte në rregull. Ata i tërhoqën ato kopje. Kështu vazhdon Kurani të ruhet, edhe me shkrim edhe gojarisht, prej Muhamedit salallahu teala alejhi ue selam deri sot. Vazhdon zinxhiri me ixhaze. Kjo do të thotë se prej pejgamberit salallahu alejhi ue selam kanë marrë sahabët, pastaj tabiinët (gjenerata e parë pas sahabëve), pastaj gjenerata tjetër, radhë pas radhe. Edhe sot kemi plot hafiza që, kur merr prej atij hafizi, ai jep ixhazet dhe thotë: “Prej filanit, te filani, te filani… deri te Muhamedi salallahu alejhi ue selam”.

Moderatori: Allahu xhele shanuhu ua shtoftë hafizat, inshallah. Hoxhë i nderuar, meqë vetë jeni hafiz i Kuranit dhe Allahu ju ka graduar me këtë mirësi e begati, dhe potencuam çfarë vlere ka hifzi, në pika të shkurtra mund të na tregoni pak më gjerësisht për kënaqësinë e të qenurit hafidhul Kuran (mbrojtësi i Kuranit), pastaj vlerën e hafizit, por edhe vlerën që ka ky institucioni që ju e udhëhiqni, pra Institucioni i Hifzit dhe Drejtëleximit në Myftininë e Tetovës.

Hoxha Abdulbaki Efendi Kasami: Njëherë, pikë së pari si hafiz, Kurani është qetësim dhe shërim shpirtëror. Allahu thotë: “E kemi zbritur Kuranin, i cili është shërim (ilaç) për zemrat e besimtarëve”. Ajo zemër që është e mbushur me Kuran, me dritën e Kuranit, ajo zemër punon dhe është e relaksuar. Kurani është mëshirë. Ata që bëjnë çrregullime, Allahu ua shton humbjen.

Njerëzit që e mësojnë Kuranin… Kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit patjetër duhet të bëhen hafizë, por çdo musliman dhe muslimane patjetër duhet të dijë pjesë të Kuranit, sepse namazi është shtylla kryesore e Islamit dhe nuk mund të falet pa ditur të lexojë sure të Kuranit. Jo të gjithë mund të bëhen hafizë, por të gjithëve u është dhënë mundësia ta provojnë. Të gjithë patjetër duhet të jetojnë me Kuranin, duhet ta jetojnë Kuranin. Çdo musliman, kur ta provojë, e kupton vlerën. Çdo shqetësim, çdo brengë që njeriu mund të ketë, duhet t’i kthehet Kuranit, të fillojë të lexojë Kuran dhe do t’i vijë qetësimi. Duhet ta bëjë dhikër Kuranin, ta përmend Allahun xhele xhelaluhu. Kur themi dhikër, domethënë të thuash “La ilahe ilallah”, por dhikri kryesor është Kurani. Njeriu kur lexon Kuran, ka shpërblimin e çdo dhikri që e bën dikush tjetër. Kur lexon Kuran, ke sevapin e atij që thotë “La ilahe ilallah”, ke sevapin e atij që thotë “La havle…” dhe të çdo dhikri, sepse Kurani përfshin çdo dhikër. Njeriu ndjen kënaqësi dhe ka nevojë për Kuran. Gjithmonë duhet të merret me Kuran, të lexojë ato sure që i di.

Por këtu është shumë me rëndësi të përmendim se kur filloi zbritja e Kuranit, nuk filluan vetëm të rinjtë ta mësojnë, por edhe të moshuarit e mësuan. Çështja tjetër shumë me rëndësi është se ata nuk e mësuan Kuranin vetëm sipërfaqësisht. Praktika e sahabëve ishte, për shembull, të mësonin 10 ajete të Kuranit përmendësh, edhe pse ishin në moshë, dhe pastaj nuk kalonin te 10 ajetet e tjera pa i vënë në praktik ato 10. Domethënë, i mësonin 10 ajete, pastaj shikonin se çfarë thotë Kurani, e falnin namazin, e jepnin zekatin. Kur i praktikonin dhe i vënin në vepër ato, pastaj kalonin dhe mësonin 10 ajete të tjera. Kjo ua mundësoi atyre që Kurani të ngulitej shumë fort në memorien e tyre, të ngulitej thellë, sikur të ishte i gdhendur në gur. Kjo u mundësoi atyre që praktikën ta kenë të fortë dhe të kenë ndihmën e Allahut xhele xhelaluhu, sepse gjithmonë kanë qenë të lidhur me Kuranin. Kur njeriu është i lidhur me Kuranin, është i lidhur me Allahun. Pasi i kaluan këto sprova, nga ajo gjendje e të ndjekurve dhe të torturuarve, erdhi fitorja e madhe në Luftën e Bedrit, ku ishin pakicë dhe me kushte të vështira.

Sa i përket institutit, Kurani është muaxhize (mrekulli). Për ne që e kemi përjetuar, nuk është diçka e çuditshme, por për ata që nuk e dinë, u duket interesant. Për shembull, një fëmijë, një njeri që nuk di asnjë fjalë arabe, e mëson Kuranin përmendësh, 30 xhuzë (20 faqe secili), 6236 ajete. Ai nuk di asnjë fjalë arabisht, por e mëson përmendësh. Kjo bëhet vetëm për shkak se është mrekulli, përndryshe me ndonjë libër tjetër nuk bëhet. Nuk bëhet! Personi i cili mëson Kuranin dhe bëhet hafiz, gradat e tij janë të larta, në qoftë se punon me Kuran. Nuk mjafton vetëm ta mësosh dhe pastaj ta lësh, ta harrosh. Nëse e mëson Kuranin dhe e lë pas dore, kjo është prej mëkateve të mëdha. Por nëse e mëson Kuranin, vazhdon ta ndjekësh dhe të punosh sipas tij, kjo në dynja është prej gradave më të larta dhe një kënaqësi e madhe.

Unë mund të flas për vetveten. Unë kam qenë gjenerata e parë në Tetovë… Ka pasur edhe më herët hoxhallarë që kanë nxjerrë hafiza, disa i kam mbri, disa jo. Sa i përket Xhamisë së Pashës dhe hifzit atje, me vizionin e dajës tim, Allahu e mëshiroftë, Mahmut Efendi Asllani, ai në atë kohë, në vitet ’70, erdhi si muallim në vitin 1968. Pastaj, pas dy vitesh erdha unë tek ai, te daja, te hoxha. Për një kohë të shkurtër fillova hifzin. Pastaj ishte djali i vëllait të hoxhës, myezini i Xhamisë së Pashës, pastaj Shaban Selimi (ka ndërruar jetë, Allahu e mëshiroftë). Ishte një fillim. Hoxha nuk kishte përvojë të madhe në hifz atëherë, ishte fillim dhe tha: “Të fillojmë ta provojmë, do të shohim a dalim me sukses?” Elhamdulilah, ne dolëm me sukses. Kjo është diçka që njeriu kur e përjeton mund ta tregojë, por me të treguar nuk tregohet, bëhet vetëm me të përjetuar.

Së dyti, njeriu kur e mëson Kuranin, e mëson përmendësh, por kënaqësia tjetër është kur fillon ta kuptojë atë. Unë kam përjetuar në jetën time: numër një ishte kur e mësova Kuranin, tjetra ishte kur fillova ta kuptoja origjinalisht Kuranin, kur profesorët e tefsirit shpjegonin. Unë shkollën e mesme dhe fakultetin i kam kryer në Universitetin Islamik në Medine dhe ajo ishte një kënaqësi e madhe. I kam të paktë ato momente që nuk i përkujtoj. Për shembull, kur isha i ri në shkollë të mesme dhe ishte gjallë Dr. Rexhep Boja, ish-kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Allahu e mëshiroftë, shkuam në umre. Hyrja e parë në Qabe, aty ku tërë kohën lexohet Kurani, këto janë kënaqësi që njeriu nuk i harron asnjëherë. Unë personalisht nuk i harroj kurrë.

Sa i përket punës këtu te ne, në vitin 1975 e bëmë duanë e hifzit, dhamë provimin e parë. Atëherë nuk kishte organizim si sot. U formua një komision prej Bashkësisë Islame, erdhën këtu në Tetovë dhe për tre ditë komisioni ishte aty. Ishte gjenerata e parë. Hoxha vazhdoi punën e hifzit, por me shumë punë, të palodhur. Ata që kanë qenë nxënës të hoxhës e dinë se ai ishte i pandalshëm në këtë aspekt, edhe pse kushtet ishin shumë të vështira. Pasi e mbarova hifzin, shkova në shkollë, një vit në Damask, pastaj tetë vjet në Medine. Kur u ktheva, me këshillat e xhamive dhe xhematin, asnjëherë nuk patëm problem. Xhemati dhe këshillat e xhamive thanë që hoxha të jetë aty, në mahfilin e xhamisë, dhe bënë kushte që të jetë ngrohtë, të ketë kushte pune. Ishte shumë me bereqet. Gjatë gjithë kohës kishim kërkesë për ta ruajtur xhaminë, sepse fëmijët normal se diçka prekin. Për ta ruajtur, kërkuam të kemi një objekt, ndihmë të xhamisë. Por ishte problem, e vështirë, sepse nuk e lejonin asesi. Me mund të madh, unë si imam, me këshillin e xhamisë, me xhemat, me funksionarët e xhematit tonë dhe të qytetit, arritëm deri aty sa të ndërtohet vendi. Gjatë gjithë kohës përsëritnim se kemi nevojë për institucione. Edhe hoxha kishte vizitorë shumë, ata interesoheshin se për çfarë keni nevojë, dhe hoxha u thoshte se kemi nevojë për vend, për objekt. Dhe pastaj, Allahu xhele xhelaluhu e bëri nasip që të ndërtohet mektebi, aty ku sot është Institucioni i Hifzit. Aty është edhe Institucioni i Hifzit edhe mektebi i xhamisë. Me kërkesën e hoxhës dajës tim, u kërkua që të punësohet hafizi Dhulkifli dhe ai u punësua dhe vazhdon të punojë. Kjo ishte kërkesa e hoxhës sa ishte gjallë, ai ndihmoi. Hoxha aty, nga koha e sabahit deri në aksham, ndonjëherë edhe jaci, vazhdoi punën. Pas hoxhës, vazhdoi Hafiz Dhulkifli, por ajo ishte në nivel të mektebeve, në nivel të punëtorëve të Myftinisë dhe Bashkësisë Islame.

Tani, para nesh në Tetovë, Shkupi funksionon disa vite, Gostivari funksionon më herët, Struga është themeluar gjithashtu. Tani, mu si institucion i hifzit dhe drejtëleximit, ne në Tetovë jemi në themelim e sipër. Vetëm se ka filluar këtë vit. Me vendim të Rijasetit, në fillim të muajit 12 (dhjetor) është themeluar dhe tani janë duke u bërë përgatitjet. Myftinia më ka zgjedhur mua me propozim të saj, por vendimin e ka marrë Rijaseti. Ne do të mundohemi që të gjithë ata në punë fetare, ata hoxhallarë që do të kenë mundësi të punojnë me hifz (sepse këtu ka vend për të gjithë), sa më tepër aq më mirë. Qendra do të jetë prapë në kuadër të Myftinisë, por zyra kryesore është te Institucioni i Hifzit, aty te mektebi që është ndërtuar pikërisht me këtë qëllim, për të mësuar hafizat. Aty është edhe mektebi, sepse prej mektepit dalin nxënësit. Çdo hoxhë që ka mundësi të punojë, të nxjerrë hafiza, të mësojë hafiza, do të jetë i mirëseardhur. Do të bashkëpunojmë, do t’i ndihmojmë, do të avancojmë. Rijaseti dhe Bashkësia Islame e ngriti këtë prej nivelit të mektebit në nivelin e institutit.

Moderatori: Allahu xhele shanuhu ju shpërbleftë për këtë shpjegim dhe e lusim Allahun që t’ua shtojë hafizat dhe hafizet, sepse Tetova njihet për hafiza dhe, inshallah, deri ditën e gjykimit të vazhdojë të njihet për punën dhe kontributin që jep në ruajtjen e Kuranit Famëlartë. Edhe njëherë faleminderit që ishit pjesë e këtij podkasti dhe Allahu xhele shanuhu ju shpërbleftë. Me nder qofshi!

Hoxha Abdulbaki Efendi Kasami: Allahu xhele xhelaluhu të na ndihmoftë, amin. Gjithmonë në rrugë të hajrit, amin inshallah. Të na udhëzoftë, amin. Të na japë mundësi dhe fuqi të vazhdojmë deri në momentin e fundit të jemi në rrugë të Allahut, në shërbim të Kuranit, në shërbim të dinit, besimit të vërtetë, dinit islam. Amin, inshallah.

Moderatori: Amin, inshallah. Të nderuar shikues, Tetova është vend i hafizëve dhe duhet të vazhdojë të mbetet e tillë. Për të vazhduar të mbetet e tillë, duhet kontributi ynë i përgjithshëm, kontributi i hoxhallarëve tanë, kontributi i myftinjve tanë, por edhe kontributi i prindërve që t’i japin Tetovës një hafiz të ri. Andaj, të nderuar prindër, jepni Tetovës sa më shumë hafiza, jepni Tetovës sa më shumë mbrojtës të Kuranit dhe jepni familjarëve tuaj një gradë, apo një biletë për në Xhenetet e Allahut xhele shanuhu. Deri në podkastin e ardhshëm, ju lëmë në mëshirën e Allahut xhele shanuhu. Selam alejkum ve berekatuhu!