Plisi, kënga, vallja dhe shpirti shqiptar do të bashkohen nesër në Tetovë, në një mbrëmje të veçantë artistike kushtuar traditës dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, më 30 prill, me fillim nga ora 19:00, do të organizojë koncertin festiv “Me plis e me zemër”, në skenën e Qendrës për Kulturë në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Ky koncert pritet të sjellë para publikut një program të pasur me këngë, valle burimore, veshje tradicionale dhe interpretime autentike, duke e kthyer skenën në një rrëfim të gjallë të identitetit shqiptar.
Drejtori i Ansamblit, Jetmir Rexhepi për Portalb.mk, thekson se këtë vit simbolika e plisit është ndërthurur natyrshëm me elemente të tjera të trashëgimisë sonë kulturore.
“Këtë vit, simbolika e plisit është ndërthurur në mënyrë organike me elemente të tjera të trashëgimisë sonë kulturore si veshjet tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare, vallet burimore dhe muzika autentike popullore. Programi është konceptuar si një rrëfim skenik që pasqyron identitetin dhe vazhdimësinë e traditës, ku plisi shfaqet si simbol i dinjitetit, burrërisë dhe përkatësisë kombëtare. Janë përfshirë koreografi të reja të frymëzuara nga motivet tradicionale, si dhe interpretime muzikore live që i japin ngjyrë dhe emocion gjithë koncertit”, deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se qëllimi i tyre nuk është ta ndryshojnë traditën, por ta afrojnë atë te brezat e rinj, që plisin dhe trashëgiminë shqiptare ta ndiejnë jo si kujtim të së kaluarës, por si pjesë të gjallë të identitetit të tyre.
“Sfida ekziston, sidomos në balancimin mes ruajtjes së autenticitetit dhe nevojës për ta bërë programin tërheqës për publikun e ri. Megjithatë, kjo arrihet përmes një qasjeje profesionale ku thelbi i traditës nuk preket, por prezantohet me forma më dinamike skenike, ndriçim modern dhe regji bashkëkohore. Qëllimi nuk është ndryshimi i traditës, por afrimi i saj tek brezat e rinj në mënyrë që ata ta ndiejnë dhe ta përjetojnë si pjesë të identitetit të tyre. Mesazhi kryesor është se plisi nuk është thjesht një element veshjeje, por një simbol i thellë i identitetit dhe historisë sonë kombëtare. Përmes këtij organizimi synojmë të theksojmë rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore, si një pasuri që na bashkon dhe na jep forcë si komb. Në të njëjtën kohë, duam të përcjellim se tradita nuk është diçka e së kaluarës, por një vlerë e gjallë që duhet jetuar dhe transmetuar tek brezat e ardhshëm, tha Rexhepi.
Koncerti “Me plis e me zemër” pritet të jetë më shumë se një ngjarje artistike; një mbrëmje ku publiku do të përjetojë nga afër forcën e traditës, bukurinë e artit popullor dhe krenarinë e identitetit shqiptar. Tetova nesër do të flasë me gjuhën e këngës, valles dhe plisit.















