Valjet Rexhepi, nipi i shkrimtarit të ndjerë Rexhep Qosja, ka bërë publike një letër të cilën e ka cilësuar si amanetin e fundit të akademikut.
Në dokumentin e shkruar në vitin 2016, Qosja shpreh dëshirën që të varroset pa ritual fetar, pa prani zyrtare dhe pa ceremoni publike, duke kërkuar vetëm pjesëmarrjen e familjarëve.
Ai thekson se ka jetuar me bindje shkencore dhe kritike ndaj pushtetit, ndërsa varrimin e kërkon të thjeshtë, pranë bashkëshortes së tij, pa fjalime apo mbulim mediatik.
Në letrën e tij, Rexhep Qosja shprehet se ka jetuar dhe vepruar në shërbim të lirisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare, duke lënë vlerësimin për trashëgiminë e tij në dorë të historisë.
Një letër për fundin.
Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.
Valjeti
____________________________________________________
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)
Prishtinë, 30.4.2016
















