Një djalë 14-vjeçar nga Gostivari dyshohet se ka përdhunuar dhe shantazhuar motrën e tij më të vogël me video-regjistrime. Prokuroria e Gostivarit njoftoi se ka paraqitur kërkesë në Gjykatë për të filluar procedurat përgatitore me masë të propozuar paraburgimi. Arsyeja për këtë është sepse ekziston një dyshim serioz se ai ka kryer vepër penale të vazhdueshme të “incestit”, transmeton Portalb.mk.
“Fëmija në konflikt me ligjin, në shkurt të vitit 2026, dy herë ka përfituar nga mungesa e prindërve të tij dhe ka kryer përdhunim me motrën e tij 13-vjeçare. Vëllai i mitur i ka dërguar viktimës mesazhe me përmbajtje të pahijshme dhe eksplicite për një periudhë të gjatë kohore, dhe në dy raste e ka detyruar atë të kryejë marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të saj”, thuhet në njoftimin e PTHP në Gostivar.
Aty thuhet se janë marrë parasysh bazat ligjore dhe nevoja për mbrojtjen e viktimës, për të cilat prokurori publik paraqiti edhe propozim të veçantë për përcaktimin e një mase paraburgimi për fëmijën në konflikt me ligjin.
Në më pak se një javë, ky është incidenti i tretë i dhunës ndaj të miturve i regjistruar në buletinet e policisë.
Paraprakisht, u raportua se një arsimtar 28 vjeçar nga një shkollë fillore e Gostivarit ka përfunduar në paraburgim pasi e ka përdhunuar një nxënëse të tij 14 vjeçare dhe e ka shantazhuar me përmbajtje eksplicite.
Gjithashtu, rasti i dhunës së bashkëmoshatarëve ndaj një nxënëseje të klasës së gjashtë në komunën Gjorçe Petrov të Shkupit shkaktoi dënim të fortë publik. Vajza u sulmua nga vajza pak më të mëdha, të cilat e filmuan me celular duke e rrahur, duke i shuar cigaret në trup dhe duke e detyruar me forcë të hante jashtëqitje qeni.















