Ballina Aktualitet Sekullovska: Shqiptari që na çoi në Hënë

Sekullovska: Shqiptari që na çoi në Hënë

Nga Biljana Sekulovska

Nëse shkruani në Google “Albion Rexhepi” me alfabet cirilik, nuk merrni asgjë. Lajmi i parë është për Tetovën, se për një muaj policia ka shqiptuar gjashtë gjoba. Pastaj pasojnë lajme për përfaqësuesen maqedonase dhe atë kosovare në futboll, për një shqiptare nga Maqedonia që është xhudiste, e kështu me radhë. Asgjë për Albion Rexhepin.

Tani shkruajeni emrin e tij me alfabet latin. Dalin lajme në gjuhën angleze për Albion Rexhepin. Një shqiptar nga Maqedonia që ka qenë pjesë e ekipit inxhinierik të misionit të NASA-s, Artemis II, i cili e riktheu njeriun në Hënë.

Për Albion Rexhepin dëgjova për herë të parë nga kolegu im Nazim Rashidi, i cili me krenari më pyeti: “A e di se një shqiptar nga Gostivari na e dha Hënën?” Mendova se po bënte shaka; ne gazetarët të paktën i dimë lajmet më të rëndësishme dhe të parat, në fund të fundit edhe i mbajmë mend. Sidomos një lajm të tillë: një njeri nga Maqedonia të shkruajë historinë e njerëzimit.

Rashidi ishte krenar për Albion Rexhepin, po aq sa ishte i zhgënjyer. Sepse jo vetëm që nuk kishte lexuar asgjë për krenarinë e shtetit që e ka Rexhepin, por nuk e kishte parë as emrin e tij në mediat maqedonase. Asnjë shkronjë për këtë arritje, asnjë fjalë për rëndësinë e pushtimit të Hënës: këtë herë për ta rrethuar, herën tjetër për ta nënshtruar. Jo sepse nuk guxohet të informohemi për shqiptarët tanë të mëdhenj, jo sepse urrehemi. E vërteta është e trishtueshme: thjesht sepse nuk dimë çfarë po na ndodh në shtet, sepse jemi të ndarë, sepse jetojmë në errësirë. Nuk e flasim gjuhën shqipe, nuk mund të lexojmë media shqiptare, nuk komunikojmë, nuk njihemi, sado që mund ta duam njëri-tjetrin.

Supozoj se pjesërisht kështu është edhe me shqiptarët, me gazetarët shqiptarë, nuk e di. Me një “detaj” jashtëzakonisht të madh: ata e flasin gjuhën maqedonase, lexojnë mediat maqedonase, bota u është më e qartë dhe, pikërisht prej kësaj, më e errët në këtë vend. Më e errët, sepse dinë shumë më tepër se ne, maqedonasit. Më e ndritshme, sepse kanë përparësi në atë dije. Albion Rexhepi për mediat shqiptare në Maqedoni thotë se ka studiuar në Maqedoni dhe ka një porosi: se me arsim, mund dhe punë, mund të arrihet gjithçka.

Megjithatë, ta pranojmë: edhe ata edhe ne, edhe ne edhe ata, të gjithë jemi thellë të varrosur në punësimet partiake, sukseset dhe “bëmat” partiake. Ky është emëruesi ynë i përbashkët, atëherë kur libreza partiake na e garanton jetën në këtë vend; sado që ta imagjinojmë si të rehatshme dhe të lehtë, ajo megjithatë është një jetë parazitare, e padobishme dhe e parëndësishme. Atëherë kur nuk paraqitemi në punë shtetërore, por prapëseprapë marrim rrogë dhe jemi sovranë në rrënimin tonë. Sepse, kur i çoni të gjithë në humnerë, në fund edhe ata ju tërheqin zvarrë në të.

Albion Rexhepi ka vetëm librezën e vet personale; në të i shënon fitoret e veta, por edhe disa humbje, sigurisht që i ka edhe ato, sidomos kur jetohen ëndrrat. Por ato janë për shkak të rrethanave të tjera, nuk u atribuohen fitoreve partiake.

Po t’i pyesni këto dhe të gjitha pushtetet e mëparshme, sigurisht do t’ju thonë se duan që këtë vend ta ndërtojnë njerëz si Albion Rexhepi. Por fjalët e zbrazëta, të shkreta, i gëlltit partia e gjithëfuqishme, atëherë kur është garanci për fitore, që nënkupton nënshkrim për humbje. Jeta kështu kalon për të gjithë ne, përveç për Albion Rexhepin dhe shumë njerëz të mençur që kanë lindur në Maqedoni dhe menjëherë kanë dëshiruar të ikin prej saj. Atëherë kur betohemi në patriotizëm, pikërisht atëherë ta kemi këtë në mendje: se në këtë çast shumë të rinj po paketojnë valixhet dhe nuk kthejnë kokën pas. Partitë u tundin dorën të kënaqura teksa avioni ngrihet, të sigurta se parazitë ka në çdo hap, se ky fshat Potemkin do të zgjasë përgjithmonë, i ndërtuar me kulla letrash, i ngjitur e ringjitur, si shenjë e sigurt se ka qenë i rrënuar që në fillim.

Lamtumirë, Albion Rexhepi, lamtumirë të gjithë të rinjve; mos u ktheni, sepse nuk ka të ardhme as për ne, e më së paku për ju, kurrë për të tillë si ju.

(Marrë nga platforma 25 Minuta)