Ballina Kronika 37 lajmet e fundit nga kronika e zezë e fundjavës në Kosovë

37 lajmet e fundit nga kronika e zezë e fundjavës në Kosovë

SHKURT:

  • U kthye në banesë dhe dera nuk hapej – një ditë më vonë gjen shtëpinë e demoluar dhe 10 mijë euro të zhdukura në Ferizaj
    Në Ferizaj, në rrugën “Cen Dugolli”, një 26-vjeçar raportoi se persona të panjohur kishin hyrë në banesën e tij, e kishin demoluar dhe kishin marrë stoli ari e para të gatshme në vlerë rreth 10 mijë euro. Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.
  • Grinder, rizlla dhe marihuanë – dy të rinj ndalohen nga Policia në Skenderaj
    Në Skenderaj, në rrugën “Shaban Jashari”, Policia kontrolloi një veturë të ndalur dhe te dy të rinj gjeti grinder, rizlla dhe substancë të dyshuar narkotike. Të dy u intervistuan dhe u liruan në procedurë të rregullt.
  • Kapet me armë në brez në Koshutovë – 23-vjeçari përfundon në ndalim
    Në fshatin Koshutovë të Leposaviçit, njësitë speciale ndaluan Rion Begiqin, te i cili u gjet një pistoletë me katër fishekë 9 mm pa leje. Ai u ndalua për 48 orë.
  • “Kam me ju vra krejt” – 17-vjeçari sulmon policët pasi iu konfiskua kamioneta me dru në Istog
    Në Istog, një i mitur kërcënoi policët dhe dyshohet se sulmoi fizikisht njërin prej tyre pasi iu konfiskua kamioneta me dru pa dokumentacion. Ai u ndalua për 24 orë.
  • 74-vjeçari i dha fund jetës para syve të motrave në Shtërpcë – përdori revolen derisa ato po pastronin dhomën
    Në Biti të Epërme të Shtërpcës, Faik Bakiu, 74 vjeç, dyshohet se i dha fund jetës me revole në shtëpinë e tij. Trupi u dërgua për autopsi, ndërsa arma dhe fishekët u sekuestruan.
  • Ky është 30-vjeçari që u arrestua në Gjakovë me urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpol Tirana
    Në Gjakovë u arrestua Hil Meme, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Ai u ndalua për 48 orë për procedura të mëtejshme.
  • 26-vjeçarja dyshohet se tentoi t’i japë fund jetës me skalper në Novobërdë
    Në fshatin Pasjak të Novobërdës, një 26-vjeçare u gjet me shenja jete pas dyshimeve për tentim vetëvrasjeje me skalper. Gjendja e saj u raportua stabile dhe u dërgua në QKUK.
  • Vetëm një aktakuzë për manipulimin e votave të 28 dhjetorit 2025
    Për dyshimet për manipulim votash në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 janë intervistuar së paku 700 persona, por deri tani është ngritur vetëm një aktakuzë ndaj katër personave nga Prokuroria e Ferizajt.
  • Dy vëllezër humbin jetën brenda pak orësh në Pejë – njëri nga aksidenti në trafik, tjetri nga sëmundja
    Në Pejë humbën jetën brenda pak orësh dy vëllezër, Gazmend dhe Bashkim Maloku; njëri pas një aksidenti, ndërsa tjetri pas gjendjes së rënduar shëndetësore.
  • Tre arinj futen në oborrin e një shtëpie në Hoçë të Prizrenit
    Në Hoçë të Prizrenit, tre arinj u futën në oborrin e një shtëpie, duke shqetësuar banorët. Sipas banorëve, raste të ngjashme janë parë edhe më herët.
  • Vdes në QKUK personi i aksidentuar me motoçikletë në Pejë
    Një person i aksidentuar më 3 maj me motoçikletë në Pejë vdiq në QKUK rreth një javë më vonë si pasojë e plagëve. Trupi u dërgua për obduksion.
  • Zvarriti për flokësh gruan në Obiliq – 23-vjeçari përfundon në ndalim
    Në Plemetin të Obiliqit, një 28-vjeçare denoncoi bashkëshortin 23-vjeçar se e kishte zvarritur për flokësh. Ai dyshohej se ishte nën ndikim të alkoolit dhe u ndalua për 48 orë.
  • Kapet me pistoletë në brez dhe brisk gjatë kontrollit në Prizren – 22-vjeçari përfundon në ndalim
    Në Prizren, te Valerjan Berisha u gjetën një pistoletë M-57, karikator, tetë fishekë dhe një brisk. Ai u ndalua për 48 orë për armëmbajtje pa autorizim.
  • “Mos e merr veturën” – eskalon konflikti mes vëllezërve në Prishtinë, 29-vjeçari përfundon në ndalim
    Në Prishtinë, një konflikt mes vëllezërve eskaloi pasi njëri nuk e lejoi tjetrin ta merrte veturën. Rasti u cilësua si dhunë në familje dhe 29-vjeçari u ndalua për 48 orë.
  • Sherr mes vëllezërve për pronë në Mitrovicë – gruaja përfundon në spital pasi hyri t’i ndajë
    Në Mitrovicë, dy vëllezër u përleshën për pronë, ndërsa gruaja e njërit u lëndua duke tentuar t’i ndajë. Dy vëllezërit u ndaluan për 48 orë.
  • “Pinte dhe më ofendonte vazhdimisht” – burri arrestohet në Gjakovë pas denoncimit nga bashkëshortja
    Në Gjakovë, një grua denoncoi bashkëshortin për ofendime të vazhdueshme dhe dhunë psikike. Ai rezultoi me 2.02 promilë alkool dhe u ndalua për 48 orë.
  • Apel për ndihmë | Ky është 38-vjeçari nga Gjakova që u zhduk pasi paralajmëroi se kishte marrë “hapa qetësimi”
    Në Gjakovë u raportua i zhdukur Altin Bicurrin, 38 vjeç, pasi kishte njoftuar familjen se kishte marrë “hapa qetësimi” dhe kishte lënë shënim në rrjete sociale.
  • Po rrinte në lokalin “Toks” në rrugën C – arrestohet 33-vjeçari i kërkuar me urdhër-arrest për vuajtje dënimi me burgim
    Në Prishtinë, në lokalin “Toks”, u arrestua Egzon Abazi, i kërkuar me urdhër-arrest aktiv. Ai u dërgua në Hajvali për vuajtjen e një viti burgim.
  • Pa mesazhet me një vajzë tjetër, gruaja i hyn me shuplaka burrit në Prishtinë
    Në Prishtinë, një grua dyshohet se goditi me shuplaka bashkëshortin pasi pa në telefonin e tij mesazhe me një vajzë tjetër. Rasti u iniciua si dhunë në familje, ndërsa ajo u lirua në procedurë të rregullt.
  • “Më godiste vazhdimisht” – 22-vjeçarja nga Peja denoncon burrin për dhunë fizike dhe psikike
    Në Pejë, një 22-vjeçare denoncoi bashkëshortin për dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikike, përfshirë goditje me grushte e shuplaka. Hetimet vazhdojnë.
  • “Më jep para për drogë” – 32-vjeçari rrah babanë me shkop në Pejë, pastaj sulmon edhe Policinë në stacion
    Në Pejë, Kastriot Grapci dyshohet se rrahu babanë me shuplaka e shkop pasi i kërkoi para për drogë, shkeli urdhrin mbrojtës dhe më pas sulmoi një polic. U ndalua për 48 orë.
  • Zhduket kasaforta me armë brenda në Viti – pronari kishte lënë derën e shtëpisë pa çelës
    Në Ballancë të Vitisë, persona të panjohur vodhën një kasafortë ku ndodhej një armë “Tisas Zig 14”, dy karikatorë dhe 12 fishekë. Rasti u iniciua si vjedhje e rëndë.
  • 50 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë, mbi 1 mijë gjoba trafiku
    Në Kosovë, brenda 24 orëve u regjistruan 50 aksidente trafiku, prej tyre 21 me të lënduar. Policia shqiptoi 1,829 gjoba, arrestoi 33 persona dhe 19 i dërgoi në mbajtje.
  • Pistoletë “Sig Sauer”, 3 karikatorë e 46 fishekë – çka gjeti Policia gjatë bastisjes tek Liridon Restelica
    Në Çagllavicë, gjatë një kontrolli në shtëpinë e Liridon Restelicës u sekuestruan një pistoletë “Sig Sauer P320”, tre karikatorë dhe 46 fishekë. Rasti u iniciua për armëmbajtje pa autorizim.
  • U ndal në Aeroportin “Adem Jashari” – 31-vjeçari përfundon në burg për një gjobë 200 euro
    Në Aeroportin “Adem Jashari”, Leonard Sylejmani u ndalua për një urdhër-arrest aktiv pasi një gjobë prej 200 eurosh i ishte shndërruar në 10 ditë burgim.
  • Ky është i dyshuari që bëri kaos në Emergjencën e QKUK-së dhe kafshoi policin gjatë arrestimit
    Në Emergjencën e QKUK-së, Valon Murtezi dyshohet se u bë agresiv ndaj stafit mjekësor dhe gjatë arrestimit sulmoi dy policë, njërin duke e kafshuar në dorë. Rasti po hetohet si sulm ndaj personit zyrtar.
  • Aksion i madh në Burgun e Dubravës, bastisen të gjitha dhomat e të burgosurve
    Në Burgun e Dubravës u zhvillua një bastisje e gjerë në dhoma, hapësira të përbashkëta dhe ambiente të jashtme. Nuk u gjetën sende të kundërligjshme, por u larguan sende të tepërta.
  • Hetuesit antidrogë e përcollën deri në lokal – 23-vjeçarit në Viti i gjenden 10 qese me marihuanë
    Në Viti, hetuesit antidrogë ndaluan Hetem Gashin pas vëzhgimit dhe i gjetën 10 qese me marihuanë dhe një cigare me marihuanë, gjithsej 5.92 gramë. Ai u lirua në procedurë të rregullt.
  • Skenë e rëndë në Pejë: 18-vjeçarja tërhiqet zvarrë drejt kamionit nga burri i saj, Policia ndërhyn në momentet kritike
    Në Pejë, një 18-vjeçare dyshohet se u kap për flokësh dhe u tërhoq drejt kamionit nga bashkëshorti. Policia ndërhyri, viktima kërkoi strehim, ndërsa i dyshuari u ndalua për 48 orë.
  • Ia vodhën kamionetën gjatë natës në Mitrovicë – e gjen përmes rrjeteve sociale, por të demoluar
    Në Mitrovicë, një qytetari iu vodh kamioneta VW gjatë natës. Ai u njoftua përmes rrjeteve sociale për vendndodhjen e saj dhe Policia e gjeti me dëme të mëdha materiale.
  • Vrau një qen endacak me armë gjahu në Kaçanik – Policia ia sekuestron pushkën
    Në Begracë të Kaçanikut, Arif Luzha dyshohet se vrau një qen endacak me armë gjahu. Policia sekuestroi pushkën “qifte”, 11 fishekë dhe dy gëzhoja; ai u lirua në procedurë të rregullt.
  • Punëtori bie nga kati i dytë në objektin “Qami Construction” – arrestohet koordinatori i sigurisë në punë
    Në Fushë Kosovë, një punëtor ra nga kati i dytë në objektin “Qami Construction” dhe përfundoi në operim në QKUK. Koordinatori për siguri në punë u ndalua për 48 orë.
  • Kontrolli rutinë në Pejë zbulon armë në Audi A8 – 24-vjeçari e pranon në vend
    Në Zllapek të Pejës, gjatë kontrollit të një Audi A8 u gjet një armë “Zoraki”, karikator dhe gjashtë fishekë. Pasagjeri Valjet Ahmetaj pranoi se arma ishte e tij dhe u lirua në procedurë të rregullt.
  • Vozitësi humb kontrollin me “Fiat Punto” në rrugën Mitrovicë–Jarinje, përfundojnë të lënduar dy të rinj
    Në rrugën Mitrovicë–Jarinje, një Fiat Punto doli nga rruga në fshatin Jezero. Shoferi 20-vjeçar dhe pasagjerja 17-vjeçare mbetën të lënduar dhe u dërguan për trajtim.
  • “Fantazma” e veturave në Prishtinë? Dyshohet për 113 vjedhje – kapet pasi mori 8 mijë euro nga një BMW
    Në Prishtinë u arrestua Qemajl Mehmeti, i dyshuar për 113 vjedhje nga veturat. Rasti u zbardh pas vjedhjes së 8 mijë eurove nga një BMW në rrugën “Hajdar Dushi”.
  • Nga dhuna në familje te arma ilegale – çka iu gjet 31-vjeçarit në Lipjan?
    Në Shalë të Lipjanit, te një person i ndaluar më parë për dhunë në familje u gjet një armë me gaz “Ecol Special 99”, karikator dhe 41 fishekë me gaz, me numër serik të dyshuar të fshirë.
  • Goditi policin në fytyrë gjatë arrestimit në Prishtinë – përfundon në ndalim 48-orësh
    Në Prishtinë, Fatmir Kalaja dyshohet se goditi me grusht në nofull një polic gjatë realizimit të një urdhërese. Polici mori trajtim në QKUK, ndërsa i dyshuari u ndalua për 48 orë.

Më gjerësisht:

1. U kthye në banesë dhe dera nuk hapej – një ditë më vonë gjen shtëpinë e demoluar dhe 10 mijë euro të zhdukura në Ferizaj

Një vjedhje e rëndë është raportuar në Ferizaj, ku një 26-vjeçar dyshohet se mbeti pa stoli ari dhe para të gatshme në vlerë rreth 10 mijë euro, pasi persona ende të panjohur hynë në banesën e tij.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Cen Dugolli”.

Sipas informatave, viktima A. Ibrahimi kishte shkuar në banesën e tij më 9 maj rreth orës 23:30 dhe kishte vërejtur se dera nuk hapej as me çelës.

Ai kishte menduar se dera kishte pësuar defekt dhe kishte vendosur ta kontrollonte ditën tjetër.

Por të nesërmen, rreth orës 12:00, pasi ishte njoftuar se në objektin ku jeton kishte ndodhur një vjedhje, ai kishte shkuar sërish te banesa dhe kishte hapur derën me forcë.

Aty kishte kuptuar se banesa ishte demoluar.

Persona të panjohur dyshohet se kishin marrë stoli ari dhe para të gatshme, në vlerë totale rreth 10 mijë euro.

Në vendngjarje kanë dalë njësia e hetimeve të stacionit dhe forenzika, të cilat kanë kryer ekzaminimin dhe fotografimin e banesës.

Me konsultim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga Hetimet Rajonale.


2. Grinder, rizlla dhe marihuanë – dy të rinj ndalohen nga Policia në Skenderaj

Një patrullë policore në Skenderaj ka hasur në një veturë të ndalur anash rrugës, ku ndodheshin tre persona, ndërsa gjatë kontrollit dy prej tyre dyshohet se u kapën me substanca narkotike.

Ngjarja ka ndodhur më 10 maj 2026 rreth orës 09:00 në rrugën “Shaban Jashari”.

Sipas informatave, policët kishin vërejtur veturën të ndalur jashtë rrugës dhe kishin vendosur të bëjnë kontroll rutinë.

Gjatë kontrollit, te Ardit Xhemajli janë gjetur një mulli për bluarjen e substancave narkotike, rizlla dhe një sasi e vogël substance që dyshohet të jetë narkotike.

Ndërsa te Ylli Bajrami, sipas Policisë, është gjetur po ashtu një mulli për bluarje, ndërsa afër veturës në tokë është gjetur edhe një cigare me substancë të dyshuar narkotike.

Substancat dhe mjetet e gjetura janë sekuestruar nga Policia.

Dy të rinjtë janë shoqëruar në Stacion Policor, ku janë intervistuar nga hetuesit.

Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa pas procedurave policore, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.


3. Kapet me armë në brez në Koshutovë – 23-vjeçari përfundon në ndalim

Një 23-vjeçar është arrestuar të shtunën në Leposaviç pasi njësitë speciale policore i gjetën armë zjarri gjatë kontrollit.

Bëhet fjalë për Rion Begiqin, i cili u ndalua nga njësia NJNSH-Lindje në fshatin Koshutovë.

Gjatë kontrollit sipërfaqësor policor, te Begiqi është gjetur një armë brezi, pistoletë me katër fishekë të kalibrit 9 mm, për të cilën nuk posedonte leje.

Pas zbulimit të armës, Policia e arrestoi menjëherë 23-vjeçarin, ndërsa arma dhe fishekët u sekuestruan si prova materiale.

Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Rion Begiqi është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti po hetohet si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.


4. “Kam me ju vra krejt” – 17-vjeçari sulmon policët pasi iu konfiskua kamioneta me dru në Istog

Një situatë e tensionuar ka eskaluar në Istog, ku një i mitur dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë dhe i ka kërcënuar me jetë pasi Policia ia konfiskoi kamionetën me dru.

Ngjarja ka ndodhur më 10 maj 2026 rreth orës 10:00.

Patrulla policore kishte ndaluar një kamionetë që transportonte dru dhe gjatë kontrollit kishte konstatuar se drejtuesi nuk posedonte patentë shoferi.

Automjeti dhe lënda drunore janë konfiskuar, pasi nuk posedonin dokumentacionin përkatës për prejardhjen e druve.

Pas këtij veprimi, i dyshuari L.M. ishte revoltuar dhe kishte filluar të bëhej agresiv ndaj policëve.

Sipas dëshmitarit okular, ai kishte kërcënuar zyrtarët duke u thënë: “Kam me ju vra krejt se nuk me njihni mu.”

I mituri kishte tentuar të largohej me kamionetë, por kur policët ndërhynë për ta ndalur, ai dyshohet se sulmoi fizikisht njërin nga zyrtarët policorë, duke i shkaktuar lëndime në dorë dhe duke ia dëmtuar uniformën.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit është ndaluar për 24 orë.

Automjeti dhe drutë janë konfiskuar, ndërsa Pylltaria do të verifikojë prejardhjen dhe vendin e prerjes së lëndës drunore.