Anthropic bashkëpunon me SpaceX për kapacitete kompjuterike
Anthropic po i paguan SpaceX-it 1.25 miliardë dollarë në muaj deri në maj të vitit 2029, si pjesë e marrëveshjes së madhe për kapacitete kompjuterike që dy kompanitë nënshkruan më herët këtë muaj.
Pse ka rëndësi: Është një faturë gjigante, por vjen në kohën kur të ardhurat e Anthropic po rriten me shpejtësi dhe kompania po pengohet nga mungesa e fuqisë kompjuterike.
Kjo është gjithashtu një shtysë e rëndësishme për SpaceX, të ardhurat vjetore të së cilës janë rreth 18 miliardë dollarë.
Lajmi kryesor: Anthropic dhe SpaceX e njoftuan marrëveshjen muajin e kaluar, por fillimisht nuk dhanë detaje financiare.
SpaceX i publikoi pagesat mujore si pjesë e dokumentacionit për ofertën fillestare publike në bursë, të publikuar të mërkurën. Kompania tha se pagesat do të jenë më të ulëta për muajt maj dhe qershor, derisa marrëveshja të hyjë plotësisht në funksion.
Anthropic njoftoi gjithashtu, pak para se dokumentacioni të bëhej publik, se po zgjerohej përtej objektit Colossus 1 të SpaceX-it edhe në Colossus 2.
“Po zgjerojmë partneritetin tonë me SpaceX dhe gjatë qershorit do të rrisim kapacitetet me Nvidia GB200 në Colossus 2”, tha në X bashkëthemeluesi dhe drejtori kryesor për kapacitete kompjuterike i Anthropic, Tom Brown.
SpaceX nuk ka përfunduar ende me dhënien me qira të kapaciteteve kompjuterike.
“Presim të lidhim edhe kontrata të tjera të ngjashme shërbimesh”, thuhet në dokumentacion. “Kemi kapacitet të mjaftueshëm për të ofruar fuqi kompjuterike për modelet tona të inteligjencës artificiale, përfshirë mbështetjen për kërkesat tona të trajnimit dhe inferencës, si dhe për të përmbushur detyrimet sipas këtyre marrëveshjeve.”
Po, por: Sipas dokumentacionit, si Anthropic, ashtu edhe SpaceX mund të tërhiqen nga marrëveshja me një njoftim 90 ditë përpara.















