Ballina Aktualitet BE-ja miraton 65,7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut – pjesa më...

BE-ja miraton 65,7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut – pjesa më e madhe për arsimin dhe digjitalizimin

Komisioni Evropian ka miratuar 65,7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Planit për Rritje të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, pas vlerësimit pozitiv për reformat e zbatuara në arsim dhe digjitalizim.

Fondet janë miratuar pas kërkesës së tretë për pagesë, ku Brukseli ka vlerësuar masat për përmirësimin e financimit të arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe zgjerimin e qasjes në infrastrukturën digjitale dhe pajisjet IT në shkolla.

Nga shuma totale, 30,6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të destinohet për investime përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), pas miratimit të tyre zyrtar.

Me këtë pagesë, mbështetja totale financiare për Maqedoninë e Veriut në kuadër të këtij instrumenti arrin në 142,1 milionë euro.

Ku do të investohen paratë?

Pjesa e fondeve që do të realizohet përmes WBIF do të drejtohet në projekte për:

  • transport të qëndrueshëm,
  • energji të pastër,
  • digjitalizim,
  • zhvillim të kapitalit njerëzor.

Projektet do të realizohen në bashkëpunim me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e përshëndeti vendimin e Komisionit Evropian, duke e cilësuar si një sinjal të rëndësishëm besimi dhe njohjeje për agjendën reformuese të shtetit.

Çfarë është Plani për Rritje i BE-së?

Instrumenti për Reforma dhe Rritje është pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në Tregun e Përbashkët të BE-së, edhe para anëtarësimit zyrtar.

Plani, i miratuar në vitin 2023, parasheh:

  • përshpejtim të bashkëpunimit ekonomik,
  • mbështetje të reformave,
  • rritje të ndihmës financiare për vendet kandidate.

Instrumenti financiar ka në dispozicion gjithsej 6 miliardë euro, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor çdo gjashtë muaj dorëzojnë raporte për progresin e reformave.

Pagesa e fundit lidhet me reformat e realizuara deri në fund të dhjetorit 2025.

Që nga viti 2024, përmes këtij instrumenti janë shpërndarë gjithsej 673,6 milionë euro për vendet e rajonit.

Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) luan rol kyç në zbatimin e Planit, duke shpërndarë rreth 3 miliardë euro për projekte prioritare në energjetikë, transport, digjitalizim dhe kapital njerëzor, si pjesë e strategjisë evropiane “Global Gateway”./TetovaNews