Ballina Bota Bojkote, protesta dhe Izraeli — Eurovizioni nën hijen e tensioneve politike

Bojkote, protesta dhe Izraeli — Eurovizioni nën hijen e tensioneve politike

Shumë kohë para se të mbahet, Eurovizioni i këtij viti po përballet me polemika serioze politike, ndërsa tema kryesore sërish është pjesëmarrja e Izraelit dhe bojkoti nga disa vende anëtare të EBU-së, shkruan “Deutsche Welle”.

Gara muzikore do të mbahet në Vjenë nga 12 deri më 16 maj dhe do të jetë edicioni jubilar i 70-të, nën moton “Të bashkuar nga muzika në zemër të Evropës”. Por, në vend që të dominojnë vetëm muzika dhe spektakli, Eurovizioni këtë vit është shënuar nga tensione politike, bojkotime dhe protesta të paralajmëruara.

Më shumë se 1.100 artistë kanë nënshkruar një letër të hapur me kërkesën që Izraeli të përjashtohet nga gara për shkak të luftës në Gaza. Mes nënshkruesve janë Peter Gabriel, Massive Attack, Roger Waters dhe të tjerë.

Nga ana tjetër, rreth 1.100 personalitete nga industria e argëtimit kanë nënshkruar një kundër-letër në mbështetje të pjesëmarrjes së Izraelit.

Për shkak të polemikave, disa shtete kanë vendosur ta bojkotojnë Eurovizionin, mes tyre Irlanda, Holanda, Sllovenia, Islanda dhe Spanja. Kjo është hera e parë që një nga vendet e të ashtuquajturës “Pesëshja e Madhe” nuk merr pjesë në garë.

Policia e Vjenës tashmë ka paralajmëruar masa të përforcuara sigurie dhe pret protesta të mëdha gjatë finales.

Krahas tensioneve politike, reagime ka shkaktuar edhe kënga rumune “Davi me” e Alexandra Căpitănescu, të cilën një pjesë e opinionit e ka vlerësuar si problematike për shkak të tekstit, ndërsa këngëtarja thotë se bëhet fjalë për një metaforë për presionin e brendshëm dhe frikërat.

Ndërkohë, Ukraina sërish po tërheq vëmendje me paraqitjen e Viktoria Lelekës, kënga e së cilës “Ridnym” flet për frikën, shpresën dhe identitetin gjatë luftës.

Sa i përket muzikës, Eurovizioni edhe këtë vit sjell shumë emocione, paraqitje dramatike skenike dhe dance electro-pop.

Konfliktet globale dhe ndarjet politike gjithnjë e më shumë po reflektohen edhe në Eurovizion, i cili nga viti në vit e ka më të vështirë të mbetet një garë muzikore “apolitike”.