Ballina Bota Nga “kardinal i heshtur” në zë global — viti i parë i...

Nga “kardinal i heshtur” në zë global — viti i parë i papës Leo XIV

Papa Leo XIV shënon përvjetorin e parë të pontifikatit të tij si një nga figurat më me ndikim në skenën politike botërore, shkruan CNN.

Gjatë vitit të kaluar, papa gradualisht u shndërrua nga një udhëheqës kishtar i matur dhe i tërhequr në një kritik të zëshëm dhe me ndikim ndaj luftërave, autoritarizmit dhe tensioneve globale.

Vëmendje të veçantë kanë shkaktuar kritikat e tij për konfliktet në Lindjen e Mesme, garën e armatimeve dhe politikat e presidentit amerikan Donald Trump, gjë që ka çuar edhe në tensione të hapura mes Vatikanit dhe një pjese të konservatorëve amerikanë.

Ndërkohë, papa ka fituar mbështetje të madhe mes katolikëve në mbarë botën për shkak të mesazheve të tij për paqe, drejtësi sociale, ndihmë për migrantët dhe përpjekjeve për ta mbajtur Kishën të bashkuar në një periudhë ndarjesh të mëdha globale.

Megjithatë, drejtimi i tij nuk është plotësisht imun ndaj kritikave.

“Kur bëhet fjalë për drejtimin programor, teologjik dhe kishtaro-politik, orientimi i papës Leo mbetet ende i paqartë. Ende nuk ka enciklikë, pra asnjë dokument të madh mësimor nga Leo. Prandaj mbetet e hapur pyetja se në cilin drejtim teologjik po e çon Kishën ky papë”, thotë historiani kishtar nga Augsburgu, Jerg Ernesti, në një bisedë për Deutsche Welle.

Leo angazhohet për një “paqe të paarmatosur dhe çarmatosëse, me përulësi dhe këmbëngulje”. Me këtë, ai në masë të madhe ndjek linjën e paraardhësit të tij, papa Françeskut, i cili disa herë është prononcuar për sulmin rus ndaj Ukrainës dhe konfliktin në Gaza.

Politika e jashtme e presidentit amerikan Donald Trump, e shënuar nga militarizmi, i jep motivit të paqes rëndësi shtesë – ndërhyrja amerikane në Venezuelë, kërcënimet ndaj Kubës dhe Grenlandës, lufta kundër Iranit, shkruan mediumi publik gjerman.

Papa Leo XIV sot nuk shihet më vetëm si udhëheqës fetar, por si autoritet moral global, i cili gjithnjë e më shpesh hyn në përplasje të drejtpërdrejtë me fuqitë e mëdha botërore dhe liderët politikë.