Janë publikuar detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi pranë Slavonski Brodit në Kroaci, ku një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut doli nga rruga, u përplas me shtylla ndriçimi dhe më pas u përfshi nga flakët, ndërsa shoferi humbi jetën.
Sipas mediave maqedonase, viktima është një shofer kamioni nga Strumica, i cili punonte për një kompani transporti nga Kumanova. Pronari i kompanisë është njoftuar për tragjedinë rreth dy orë para publikimit të informacionit dhe menjëherë është nisur drejt vendit të ngjarjes.
Lajmin për mediat e ka konfirmuar edhe Biljana Muratovska nga organizata “Makamtrans”, e cila ka bërë të ditur se identiteti i kompanisë është përcaktuar përmes targave të kamionit.
“Ka shumë pak informacione për aksidentin dhe vetëm paraditen e sotme u konfirmua se për cilën kompani maqedonase bëhet fjalë”, ka deklaruar Muratovska.
Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së rajonit Brod-Posavina në Kroaci, shoferi, duke lëvizur në korsinë jugore të autostradës, ka humbur kontrollin mbi kamionin, ka rrëshqitur jashtë rrugës në anën veriore, ka depërtuar përmes gardhit metalik mbrojtës qendror dhe është përplasur me një shtyllë të ndriçimit publik, duke kaluar më pas në korsinë e kundërt.
Policia kroate njoftoi se pas rrëshqitjes, kamioni është përplasur edhe me gardhin qendror mbrojtës dhe me një tjetër shtyllë ndriçimi.
“Si pasojë e zjarrit, kamioni është djegur tërësisht së bashku me shoferin”, thuhet në komunikatën e policisë.
Dëshmitarët okularë për mediat kroate kanë deklaruar se, pavarësisht përpjekjeve për të ndihmuar, nuk kanë arritur t’i afrohen kabinës për shkak të flakëve të fuqishme që shpërthyen pothuajse menjëherë pas përplasjes.
Ende nuk dihet shkaku i saktë i aksidentit dhe se si shoferi, i cili ndodhej i vetëm në kabinë, përfundoi në korsinë e kundërt. Një nga dyshimet paraprake është se atij mund t’i jetë përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë vozitjes, duke humbur kontrollin ose vetëdijen.















