Prokuroria Federale në Nju Jork ka ngritur aktakuzë ndaj dy burrave, të cilët dyshohet se kanë krijuar pornografi “deepfake” me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke përdorur imazhe të grave të njohura publike.
Baza ligjore për këtë rast është një ligj i miratuar vitin e kaluar në SHBA, i cili e cilëson si vepër penale publikimin e imazheve intime pa pëlqimin e personave të prekur.
Sipas njoftimit të autoriteteve, të akuzuarit janë një 51-vjeçar dhe një 20-vjeçar. Ata, me sa duket, nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Të dy dyshohen se kanë krijuar dhe shpërndarë imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, të cilat online kanë arritur miliona shikime.
Prokurori Joseph Nocella deklaroi se dy të akuzuarit kanë përdorur “teknologji digjitale moderne për të krijuar imazhe që kanë poshtëruar dhe abuzuar dhjetëra gra”. Sipas tij, rasti tregon se publikimi i pornografisë “deepfake” nuk është një shkelje e lehtë apo e parëndësishme.
Të dy burrat janë ndër personat e parë ndaj të cilëve ngrihet aktakuzë në bazë të ligjit të quajtur “Take It Down Act”. Ky ligj parashikon dënime më të ashpra jo vetëm për publikimin e deepfake-ve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, por edhe për të ashtuquajturën “pornografi hakmarrëse”.
Ligji ka marrë mbështetje nga të dyja partitë kryesore në SHBA. Muajin e kaluar, një burrë nga Ohio u bë personi i parë i dënuar në bazë të këtij ligji, pasi pranoi fajësinë se kishte përdorur inteligjencën artificiale për të krijuar materiale të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.
Në Evropë, çështje të tilla trajtohen në kuadër të direktivës së Bashkimit Evropian për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Direktiva përfshin edhe ndalimin e “dhunës kibernetike”, siç është shpërndarja pa pëlqim e imazheve intime, përfshirë edhe deepfake-t.
Në Gjermani, kjo direktivë ende nuk është përfshirë në legjislacionin kombëtar. Gjermania ka afat deri në verën e vitit të ardhshëm për ta bërë këtë. Në mars, ministrja e Drejtësisë, Stefanie Hubig, paralajmëroi ashpërsime në të drejtën penale dhe më shumë të drejta për viktimat./TN















