Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron të zhvendosë edhe 5.000 ushtarë amerikanë shtesë në Poloni. Këtë e njoftoi vetë ai në platformën Truth Social. Trump nuk dha hollësi të tjera, si për shembull kur dhe nga ku do të transferohen trupat në Poloni.
Vendimin e tij ai e arsyetoi me marrëdhëniet e mira me presidentin konservator të djathtë të Polonisë, Karol Nawrocki. Ky i fundit fitoi balotazhin për president në mesin e vitit 2025 dhe më pas, në vjeshtë, e vizitoi Trumpin në Zyrën Ovale në Uashington. Atëherë të dy politikanët shfaqën hapur simpatinë ndaj njëri-tjetrit.
Së fundmi, raportimet e mediave amerikane kishin shkaktuar shqetësim në Poloni. Varshava kishte mohuar javën e kaluar raportimet se vendi ishte prekur nga ndalimi i dërgimit të një brigade luftarake me më shumë se 4.000 ushtarë amerikanë në Evropë.
“Numri i ushtarëve amerikanë në Poloni nuk do të reduktohet”, tha ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, në Varshavë. Përkundrazi, sipas tij, Polonia po vazhdon të punojë për rritjen e pranisë së trupave amerikane.
Ministri shtoi se tërheqja e rreth 5.000 ushtarëve amerikanë nga Gjermania, e paralajmëruar nga Trump, sjell një riorganizim të trupave amerikane në Evropë. Kjo mund të çojë në dërgimin e brigadave të tjera në vende të veçanta. Sipas tij, kjo mund ta shpjegojë konfuzionin e krijuar nga raportimet e mediave amerikane.
Edhe zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, i kundërshtoi këto raportime dhe e drejtoi vëmendjen te Gjermania.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ky njoftim ka të bëjë me Gjermaninë. Nuk ka të bëjë me Poloninë. Polonia po përpiqet vazhdimisht për forcimin e pranisë së trupave amerikane”, shkroi ai në X.
Më herët, ndër të tjera, “Wall Street Journal”, duke iu referuar një zyrtari të Pentagonit, kishte raportuar se Departamenti amerikan i Mbrojtjes kishte ndalur dërgimin e brigadës luftarake në Evropë. Sipas raportimit, pritej që këta ushtarë të vendoseshin në Poloni për një mision nëntëmujor.
Rreth tre javë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte urdhëruar tërheqjen e rreth 5.000 ushtarëve amerikanë nga Gjermania. Para këtij vendimi kishte pasur kritika nga kancelari gjerman Friedrich Merz ndaj veprimeve të Trumpit në Iran.
Pas kësaj, Polonia rikonfirmoi gatishmërinë për të pritur më shumë ushtarë amerikanë. Sipas të dhënave nga qarqet ushtarake amerikane, në mesin e këtij muaji në Poloni ndodheshin rreth 7.400 ushtarë amerikanë. Shumica e tyre ndërrohen rregullisht mes bazave të ndryshme ushtarake amerikane në Evropë.















