Nga Zeqirija Ibrahimi
Të vërtetat dhe propaganda për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut
Të vërtetat:
– Në RMV nuk ka ligj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 dhe 22 vjet në pushtet të BDI-së nuk ishin të mjaftueshme që ta bëjnë një ligj të tillë.
– Ekziston Ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar më 2018, të cilin BDI-ja (bashkë me megafonët e sotëm të propagandës në Shqipëri e Kosovë) e quanin “ligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe” dhe ky ligj nuk është prekur nga askush deri më sot.
– Ligji për provimin e jurisprudencës është miratuar në pushtetin e BDI-së, në Kuvendin që e ka drejtuar Talat Xhaferi dhe me atë ligj nuk është lejuar dhënia e këtij provimi në gjuhën shqipe. Rrjedhimisht, edhe i biri i z. Xhaferi e ka dhënë provimin në maqedonisht.
– Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në kohën e pushtetit të BDI-së (sot aty është hapur lënda për kushtetshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve).
– Qeveria e sotme (VMRO-VLEN) ka shprehur vullnet politik publik se nuk do të lejojë të shfuqizohet Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe se do ta zgjidhë problemin e provimit të jurisprudencës dhe të ligjeve të tjera që duhet të harmonizohen me këtë ligj. Kjo është në procedurë e sipër.
Propaganda:
– Në Maqedoni të Veriut po ndodh kufizimi i të drejtave të shqiptarëve të arritura me luftën e vitit 2001.
– Shqiptarët në RMV po kthehen në kohën e komunizmit.
– Shqiptarëve në RMV u ndalohet të flasin shqip.
– Shqiptarët e VLEN-it janë ose “vasalë të VMRO-së” ose “tradhtarë të kombit” .
Për ata që nuk i dinë rrethanat, këto janë informacione, për të painformuarit që besojnë në “babadimrin e Vitit të Ri”, këto janë aksioma, për ata që e duan të vërtetën, këto janë fakte, ndërsa për propaganduesit e kam vetëm një përgjigje – BDI-ja dhe familjarët e drejtuesve të këtij subjekti kanë mbetur në opozitë dhe nuk mund të bëhen më milionerë e të blejnë qendra tregtare në qendër të Shkupit, siç bëri Nipi i Komandantit me blerjen 30-milionëshe të qendrës “Soravia”.
Prandaj ata mendojnë se është djegur gjithë dynjaja.
Por, jo, nuk është djegur dynjaja, por është djegur bishti i Dhelprës.















