POETI FAN S. NOLI
(Vështrim Panoramik)
Jo një herë, në dhe të largë, më pat zënë malli për vjershat e Fan S. Nolit. Ato disa strofa, që i dinja përjashta e që ia thesha kur e kur vetë-vetes ose shokëve, nuk m’a shuanin dot këtë etje. Për këtë mall – mall largimi – duhej një vëllim i cili të përmbledhë brenda gjithë veprën poetike të gjermësotme të Plakut të Amerikës. Dhe një vëllim i tillë nuk është shtypur gjer tani. Duke kuptuar se edhe të tjerë, dashuronjës të fjalës së Fan S. Nolit, veçanërisht të rinjtë, ndiejnë një mall të njejtë për këtë vepër, po shtyp sot këtë përmbledhje. Vjershat i mblodha nga fletore dhe të përkohëshme të ndryshme ose nga dorëshkrimet e miqve dhe adhuronjësve të Poetit.
Me këtë rast vjershave origjinale dhe shqipërimeve botërisht të njohura u janë shtuar disa fragmenta karakteristike të nxjera nga librat e shqipëruara prej tij dhe të cilat mbajnë vulën specifike të veprës Noliane. Kësilloj, shqipërimeve nga Edgar Allen Poe (Annabel Lee edhe Korbi) edhe nga Henry Wadsworth Longfellow (Skënderbeu) i rishtypur me disa gabime në antologji shkollore të Ministrisë së Arsimit, u janë shtuar disa vjersha të nxjera nga veprat e William Shakespeare-it: Qaj, shelk, o shelk i zi (Kënga e Ofelisë); Kur isha i ri (Kënga e varr-mihësit); Të rrosh a të mos rrosh (Monologu i Hamletit); Vinj r’a varnos, jo t’a lëvdonj Qesarin (Fjala e Mark Antonit) nga Jul Qesari; Rrith gjak, rrith gjak, Adhe i mjerë, nga Makbeth; Male pyje plot me fletë, Këtu dergjet, nga Don Kishoti i Cervantes-it e disa Rubaji nga Omar Khajami. Me këtë mënyrë u zgjerua rrethi i atyre që quajmë vjersha të Fan S. Nolit.
Për një zgjerim të tillë u desh, pa fjalë, një kohë e gjatë shqyrtimesh e punimesh – për gjetjen e tekstit, kopijimin e rikopijimin e tij e sidomos për bashkimin e disa fragmentave që kështu të mundim të kemi njëfarë prodhimi të ri, unitar. Bje fjala, për të pasur vjershën Rrith gjak, rrith gjak, Adhe i mjerë u mor e u bashkuan disa fragmenta nga ligjërtat e Makdaf-it dhe të Rossi-t, bujarë të Skotlandës (Makbeth). Gjithashtu u bashkuan Rubajitë e ndryshme për të mbledhur, pak a shumë, së bashku Rubajitë e Lirisë, Rubajitë e Miqësisë, Rubajitë e Kotësirave, etj. Kështu, përmbledhja që ka në dorë lëqitësi nuk është një reproduhim mekanik dhe automatik, si shumë ribotime të tjera të tregut, po një vepër e menduar dhe e punuar, muaj me radhë, prej atij që mori barrën e botimit.
Titullin Mall e Brengë e kam zgjedhur si një që më duket se pasqyron frymën e kësaj përmbledhjeje. Me këtë rast të përmbledhjes të veprave në një vëllim do përpiqem të heq disa vija të përgjithëshme, për të cilësuar veprën e Nolit dhe veçanërisht veprën e tij poetike.
II.
Kompleks dhe gjenial është personaliteti i Fan S. Nolit. I pajisur me një kulturë të gjerë, të mbledhur si për çudi, në rrethana kaq kundërshtare, e në një jetë kaq të turbulltë, njohës i kaq gjuhëve, i kaq disiplinave të ndryshme, i kaq klimave shpirtërore, me një sensibilitet shpirtëror kaq të zhvilluar, ai mban brenda tij edhe atë dhuratë të madhe që u jep Filla – fjala është e tij – njerëzve: dhuratën e krijesës. Gazetar, teollog, orator, dramaturg, historian, kritik, letrar e gjithëmonë poet, edhe në këto vitet e fundit, kompozitor, Fan S. Noli ka sjellë, në gjithë degët ku ka punuar, një sulm të tijin, një vepër të panjohur, madhore.
Edhe, në të gjitha këto dhurata, gjithë ky veprim i tija, prej dyzet e ca vjet, vetëm në shërbimin e një ideali: ideali Shqiptar. Një ideal, si t’i thuash, shoqëror-kombëtar: gjithëmonë shoqëror e gjithëmonë kombëtar.
Mundim të themi se Fan S. Noli është i pari shkrimtar dhe kritik Shqiptar i cili sjell në shkrimet e tij veçanërisht në hyrjet e librave – pikëpamjen shoqërore edhe mbes socialeiste. Për këtë vlejnë të lëçiten veçanërisht hyrjet në vëllimin e parë të Don Kishotit (mos e kërkoni në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, se e kanë grisur, zyrtarisht, qe kur ardhi libri), në Armiku i Popullit dhe në Jul Qesari. Gjithë kjo frymë e pat shtyrë Fan S. Nolin të na japë dhe shqipërimin e Kasolles nga Blasco Ibanez.
Vëzhgonjësi i ardhëm që ka marrë barrën e shqyrtimit të veprës Noliane, mbasi të ketë plotësuar bibliografinë e tij (që s’e kemi të plotë), duhet ta thellojë në gjithë cilësitë edhe faqet që patëm cekur më sipër. Për të patur një vijë të përgjithshme e një portret të Peshkopit-Poet, ky vëzhgim duhet të përmbledhë veprimtarinë e tij si:
GAZETAR.
Duke filluar nga viti 1908 në fletoren Drita të Shahin Kolonjës, Kombi të Sotir Pecipit, Dielli të Vatrës, Revista Adriatike, Republika, etj., me emrin e vetë ose me pseudonimet Theofan Mavromati (për artikujt e shkruar greqisht) edhe Ali Baba Qyteza, etj.
ORATOR.
Ky veprim duhet shqyrtuar në të dy aspektet e tij kryesore: a) Oratori kishëtar ose predikojësi i fjalës së Zotit, më parë si prift dhe më vonë si peshkop; b) Oratori politik, për fjalimet e mbajtura përpara popullit edhe përpara Parlamentit gjer në Dhjetor, 1924. Gjithë këtu duhet shqyrtuar edhe veprimi i tij retorik për mbrojtjen e të drejtave Shqipëtare përpara Lidhjes së Kombeve.
SHKRIMTAR KISHETAR.
Me shqipërimin, në kohën e duhur, të librave kishëtare Triodi, Shërbes’ e Javës së Madhe, Libra e Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodokse, Pesëdhetori i Vogël, Lutjesorja, dhe Vajtimet e Përnivarrëshme, Imzot Theofani jo vetëm se krijoi veglën e parë që hapi rrugën drejt Autoqefalisë kishëtare, po edhe farkoi terminologjinë Shqiptare për Kishën Orthodokse. Këto shqipërimet e tija janë edhe sot, e do të jenë për shumë kohë, librat e shërbimit të shenjtë të Kishës sonë.
HISTORIAN.
Me veprën e tij Historija e Skënderbeut, Noli na ka dhënë të parën veprë shkencore dhe gjer më sot të vetmen, mbi Heroin e Krujës dhe mbi historinë e Shqipërisë në periudhën e tij.
SHQIPËRUES.
Veprimtaria letrare si shqipërues mbetet një nga kontributet e tij më të vlefshme në letrat e Shqipes. Kujtojmë këtu shqipërimet e gjerësotme: nga William Shakespeare: Othello, Hamlet, Makbeth edhe Jul Qesari; nga Henrik Ibsen: Armiku i popullit dhe Zonja Ingra e Ostroiti; nga Miguel de Cervantes: Don Kishoti i Mançës (5 vëllime); nga Blasco Ibanez: Kasollja; nga Omar Khajam-i: Rubaiat; nga Longfellow: Skënderbeu; dhe nga Poe: Annabel Lee edhe Korbi.
KRITIK LETRAR.
Me shqyrtimet e tij mbi veprat Don Kishoti, Jul Qesari, Armiku i popullit, Ingra e Ostroiti; Hamlet, Makbeth, Othello, edhe Rubaiat, Fan S. Noli shfaqet përpara botës Shqiptare si i pari kritik dhe estetik i vendit. Veprat e sipërpërmendura janë modele të gjalla analizimi, gjykimi dhe interpretimi, edhe pasqyrojnë kthjelltësinë e mendjes edhe ngrohtësinë e shpirtit të tij, e sidomos kulturën e tij të gjerë. Përsëritim këtu, ato që patëm thënë më sipër, se në tre studimet e para Fan S. Noli sjell një pikëpamje shoqërore krejt të re në letrat e Shqipes. Shprehim me këtë rast mendimin, po të jetë se gjendet një editor, për shtypjen e një vëllimi të veçantë të këtyre veprave të tij kritike, kaq të nevojshme për edukimin letrar, estetik, dhe stilistik të gjeneratave shkollore.
MUZIKANT.
Në vitet e fundit duke studiuar muzikën si nxënës i thjeshtë i Konservatorit, na dha veprën “Hymnore” (Boston, Mass., 1936) që përmban edhe disa kompozime të tija.
POET.
Fan S. Noli i shfaqet botës Shqiptare edhe si poet, poet i vërtetë i një inspiracioni të ri. Aty krijoi poezinë dinamike, të metaforave të forta, të rrepta, mbi të cilën do të zgjatemi më shumë në radhët që vijojnë.
III.
Vjersha e Fan S. Nolit është esencialisht vjershë politike-patriotike. Satirike këtu – Marshi i Barrabait, Bismilah Tridhjet Seneja, Kënga e Monarkisë; elegjiake aty – Thomsoni dhe Kuçedra, Elegji për Luigj Gurakuqin, Shpella e Dragobisë; simbolike përtej – Shën Pjetri në Mangall, Moisiu në Mal edhe apollogjetike-retorike më tutje – Hymni i Flamurit, Jepni për Nënë – ajo është e mbetet, në thelbin e vet, vjershë politike-patriotike. Rrugë fort e shkelur në Shqipëri kjo e vjershës patriotike-politike, por jo gjithëmonë me tonin madhor të vitalitetit dhe të origjinalitetit. Dhe së këndejmi ai prodhim mediokriteti me tonalitet fals, banal, mërzitës, që çduket sapo u duk, i hedhur përtej prej shijes e gjykimit spontan të lëqitësit, si hidhen levezhgat prej valës së detit në zall. Kësaj kategorije vjershërimi Fan S. Noli i dha shprehje të re, energjizëm, dinamizëm, dhe e bëri të rrojë.
Si fill e lëndë kjo vjersha e Nolit e ka burimin në ndjenjën e dashurisë së Atdheut dhe në ngjarjet politike që i pat rrojtur e vojtur ai vetë, pas kryengritjes së Qershorit. Është pra një poezi personale. Dhe kaq thellësisht i rrojtur e vojtur këto ngjarje-politike, këto ngritje dhe përmbysje, këto sulme e gremina të përgjakura me gjak vëllai, sa ushëtimat e tyre, fantazmat e tyre e kanë ndjekur vite me radhë me dhembje dhe tortura. Këto dhembje e tortura, të përsëritura me procesin e kujtimeve, të rikujtimeve të shtuara në mërgime, gjetnë së fundi shprehje në vjershë. Dhe përmjet tyre Fan S. Noli bëhet poet, pa i thënë vetes poet.
Kronologjikisht ky veprim i tij fillon me një vjershë të rastit: Thomsoni edhe Kuçedra, e shkruar në Korrikun e vitit 1914, pas vrasjes së Thomson-it në Durrës prej rebelëve. Evokon këtu, me britmë kënge e me sulm retorik: Te ura, te ura! Vraponi o burra… dhe me simbole të marra nga bota e përrallave, Dolli kuçedra e errët nga nata; Me katërqind krahë, lubi e Dovletit, atë fytyrë heroike dhe bujare të Kolonel Thomsonit, Kalorës i huaj, që vdiqe për ne, i vrarë prej vetë dorës sonë. Thamë, kjo vjersha e tij e parë, kazuale, ka sulm retorik dhe vargje që na japin, intuitivisht, përshtypjen e zhurmës së detit që rreh pa pushuar, me rreptësi, anët, ose si zhurma e bombardimit të një kështjelle.
Gjithë e rastit dhe gjithë me sulm kënge (është bërë apostafat për t’u kënduar) është ajo vjersha-britmë, Jepni për Nënën, e shkruar në Amerikë, për Fushatën e Qershorit, kur u mblodhën të hollat e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave Shqiptare në Konferencën e Paqes së vitit 1919.
Që të dyja këto vjersha janë të fazës së parë të vjershërimit. Agon këtu, me impetuozitet, temperamenti poetik e vullkanik i Nolit. Midis vargjesh e fjalësh pak a shumë tipike, të kohës, çqahet një damar i ri poetik dhe veçanërisht një fjalor i ri, kurajtimtar, një metaforizëm i fortë. Ky damar i ri poetik do shohim se do të zhvillohet më vonë duke zbritur në thellësi, pikërisht në thellësirat e ndërgjegjes (Shën Pjetri në Mangall edhe Moisiu në Mal).
Me të dy elegjitë binjake të kushtuara Luigj Gurakuqit dhe Bajram Currit, i pari martir i një atentati, i dyti dëshmor në luftë, shokë besimi e qëndrimi politik me Poetin, hynë në veprën madhore të Nolit. U themi elegji këtyre dy vjershave binjake, po kjo nuk duhet të kuptohet si një e një me tonin elegjiak klasik, lakrimogjen, i resignuar, po si një ligjëratë katilinare, sulmuese, e thënë mbi trupin e tyre. Një ushtëtimë e larguar, si intencion, mund t’i afrojë me fjalimin e Mark Antonit nga vepra Jul Qesari e Shakespeare-it. Largohen sojesh përmjet mënyrës indirekte që përdor Shakespeare-i për lartësimin gradual të fytyrës Qesariane dhe mënyrës direkte, me sulm katilanar, që përdor Noli. Silli e mjet diplomatik, përtej; sulm heroik, këndej. Gurakuqit, viktimë atentati, i portretizon virtutet psikike (Shpirt i bardhë si dëbora; Gojë-mjaltë e zemër-hekur); Bajram Currit, dëshmor në luftë, heroizmin e tij: (Vendi dridhej, ai mbeti; Dikë Dragoi i Dragobisë). Nga kontraste morale dhe veprimi midis tij dhe atyre që e lëftonin dhe që e vranë ngrihet lart fytyra serafike e Luigjit. Ja dhe vargu:
Se të deshte kur s’ë deshmin,
Se të qante kur të qeshmin,
Se të veshte kur të çveshmin.
Nga qëndrimi si luftëtar në fushat e luftrave, që ka patur në qëndrimin e idealit, përjetësohet fytyra heroike e Bajramit. Me ngjyra që di t’i dallojë ndjesia e tij e hollë, Noli e quan Luigjin: Vëlla (Nën’ o moj mbaq zi për vllanë); Bajramin: Baba (Po ti vdiqe, or Baba).
Jo vetëm përmjet shprehjesh e fjalësh Poeti di të kryejë portretin e heroinave, po edhe përmjet atmosferës së tingëllimit, të efektit akustik të vjershës. Në elegjinë e Luigjit të tre vargjet e para të çdo strofe kanë rime të njëllojtë, trokaike, me tingëll të mbyllur, statike, të lodhur (ranë – vranë – shanë; deshmin – qeshmin – çveshmin, etj) që të bluan e të shtyp në dhembje, kurse vargu i fundit ka një tingëll të theksuar, që mbaron me një jamb.
Kemi këtu, në të gjitha vargjet e fundit të çdo strofe fjalët: tradhëtor, dëshmor, trimëror, hor, edhe liberator, me efekt tingëllues vertikal, që ngjitet, kundrejt efektit horizontal të rimave të tjera. Pikërisht këto vargjet e fundit, përfunduese, janë ato që zotërojnë vjershën me përshtypjen e lëvizjes për të dalë nga rrethi statik i dhembjes për t’u ngjitur lart, si ngjitet tymi i temjanit në ajër ndaj shpirtit martir. Kësaj lipset t’i shtojmë, për të shtuar atmosferën e dhembjes, britmën “Nëno moj” të përsëritur katër herë në pesë strofa si edhe përdorimin e dativit etik (na i ranë, na e shanë, na i thanë, m’a qaj) afërsi e ëmbël, e lidhur me fjalët “nënë” dhe “vëlla”. Vargu i fundit “Ky vigan Liberator” është vargu i apoteozës.
Tri trajta përdor poeti në elegjinë e Bajramit, duke shkuar nga njëra në tjetrën me një naturalizëm e thjeshtësi të plotë. Kemi trajtën e tregimit në vetën e tretë (strofa 1, 2, 3 edhe 7), trajtën e vetës së dytë (strofa 4 dhe 6) edhe trajtën impersonale (vargu i parë i strofës 5). I japin këto një variacion tonesh. Lipset nënvizuar këtu se me gjithë përdorimin e dendur të rimave femërore e cila, përgjithësisht, është më pak energjike, elegjia e Bajramit, përmjet sulmit edhe shprehjeve metaforike qëndron lart fort si vjershë dinamike.
Midis dy elegjive motra që kujtuam më sipër edhe dy vjershave të një torture psikike (Shën Pjetri në Mangall edhe Moisiu në Mal), me të cilat do merremi më poshtë, qëndron vjersha satirike Marshi i Barrabait. Burimi i saj është një kazuistikë personale në lidhje me ngjarjet politike të Qershorit e të Dhjetorit 1924. Hyn në këtë vjershë një atmosferë apokaliptike dhe një invektivitet epitetesh zhurmuese të një ashpërsie pa shoq në letrat e Shqipes. Për të plotësuar fjalorin e tingujve të fortë që i mungon shqipes, dhe veçanërisht Toskërishtes, Noli përdori këtu një varg të gjatë fjalësh Arabishte, Turqishte, dhe Persishte, të asimuluara prej Shqipes. Kujtojmë prej tyre allalla, rezil, katil, turfanda, tepitil, dallkauk, kopuk, si edhe një nga strofat e satirës:
Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,
Me tamtam e allarm e me nëm’ u-shurdhofsh,
Në zëndan mbrettrofsh: Hosana, Barrabai!
Një rëke e rreptë që zbret tatëpjetë me zhurmë shurdhuese, një artileri e rëndë fjalësh e shprehjesh, një fërymë mallkimesh apokaliptike – ky është Marshi i Barrabait.
Pas kundër-revolucionit të Dhjetorit Fan S. Noli u desh ta lë Shqipërinë… E fillojmë kësilloj këtë kaptinë sepse vjershat që do të analizojmë, Shën Pjetri në Mangall edhe Moisiu në Mal, e kanë gjenezën pikërisht nga kjo ngjarje politike. Shokët që kishte patur, disa i ranë pas, disa jo. Mbetën në vend, të lidhur prej tokës dhe jetës tokësore, dhe u bashkuan me mundësinë. Dalëngadalë, pastaj, u shpërndanë edhe ata që i patnë rënë pas në orët e para të mjerimit. Kësilloj, atëherë kur u hap procesi i tij, shumica – edhe mbase edhe të afërmit – i mohuan shoqërinë, ideologjinë dhe luftën e përbashkët.
Kjo i ka ndodhur dhe mund t’i ndodhë kujtdo të munduri, që nga Krishti e këndej. Po Noli ishte poet dhe si i tillë e ndjeu thellësisht mjerimin, se mbeti i vetëm, me kurorën e gjembave mbi krye. Dhe u mendua pikërisht në Atë, në dymijë vjet përpara tij pat mbajtur mbi krye një kurorë të tillë, i mohuar dhe i vetmuar prej shokëve, në atë grimën e rëndë të gjyqit e të dënimit. Dhe kësilloj na dha këtë vjershë me titull Biblik e me simbole biblike, po me brendi satirike – politike.
Këtu mohimi dhe tradhtia e shokut konsumohet duke patur gjithëmonë të zgjuar ndërgjegjen e tradhtisë. Dhe së këndejmi ai torturim i brendshëm, njëkohësisht Dostojevskian edhe Poean, dhe, përmes këtyre të dyja, Nolian. Vjersha ka një arkitekturë specifike: një hyrje dhe tri grupe simetrike, secili prej tyre duke përmbajtur akuzimin, mohimin dhe satirën. Të tri strofat e para përbëjnë hyrjen. Strofa e katërt, lidhjen midis hyrjes edhe trupit të vjershës.
Strofa e parë është e përshkrimit të tufanit, e dyta e gjyqit të Krishtit, dhe e treta e satirës politike. Vjersha fillon me një përshkrim të tufanit të jashtëm, fizik, (fryn e çfryn veriu…) për të përgatitur atmosferën e tufanit të brendshëm, të torturës psikike të mohuesit. Këtu duhet nënvizuar shprehjet fillestare energjike, “fryn e çfryn” që japin, ato vetë, përmjet efektit tingëllues, intuicionin e përsistencës. Gjithë për të nënvizuar është prezenca e shkronjës r në pesë nga gjashtë fjalët e vargjeve të parë si dhe fjalët veriu, ngrin, mërdhin, i ziu, sukcesion tingësh të njëjtë, mënyrë fort e dendur e përdorur prej Nolit, për t’i shtuar dinamizmin vjershës. Karakteristika e saj, e sidomos e gjithë vjershave të Nolit, është pikërisht përsëritja e tingujve, e fjalëve, e shprehjeve – mjet i aftë ky për të krijuar një atmosferë dhembje, torture dhe nervoziteti, dhe të cilin e ka mësuar nga ai mjeshtri i mbaruar i dhembjes që është Edgar Allan Poe.
Strofa e dytë është, si e thamë, e gjyqit të Krishtit, simboli i gjyqit të Poetit vetë. E treta strofë është ajo e satirës politike. Simbolik në vargun e dytë, “Roma do ta kryqëzonjë”, bëhet krejt politik në të tretin dhe në apendicin e tij: “Triumfon Legaliteti, Dhe Laneti”.
Vjen pastaj strofa që bën lidhjen e hyrjes me trupin e vërtetë të vjershës. Kjo është dhe fillesa e torturës shpirtërore e shokut mohues.
Dhe fillojnë së këndejmi të tre grupet e strofave, secili me akuzimin, mohimin dhe satirën.
Siç pat qenë shkruar dhe thënë, tri herë pyetet Shën Pjetri në se edhe ai është shok i atij që e gjykojnë brenda dhe që të tri herët, sa vjen me më shumë energji e mbase me brutalitet, si një që nga frika dhe dhembja e madhe nuk zotëron nervat, Shën Pjetri “proteston” dhe “mohon”. Ja dhe vargjet që i radhisim simetrikisht – akuzim e mbrojtje – po të cilat, brenda tekstit, janë të ndara prej vargjeve me ngjyrë satirike.
Mohimi i parë:
Dhe një shërbëtore i tha: – “Je dhe ti një nga ata!”
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.
Mohimi i dytë:
– “Nga ata je!” – thot’ ajo.
E mohon Shën Pjetri: “Jo! As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë.”
Mohimi i tretë:
Thot’ ajo: “Je, mos gënje!”
Pjetri e mohon me be: “Jo për Zotin, moj aman.
S’jam e s’jam!”
Dhe pas çdo mohimi, fellohet dhembja dhe tortura e brendëshme, për dobësinë e jashtme. Vjen pastaj, gjithë siç pat qenë e shkruar, kënga e këndezit që i kujton mohimin dhe tradhtinë. Ja dhe vargu, që përsëritet, simetrikisht, tri herë:
Kuspull mi mangallin mblidhet
Po djek dorën dhe përdridhet
Seç këndon bandill këndezi
Nga qymëzi.
I plotësuar procesi i mohimit dhe tradhtisë, vjersha mbyllet me një jeremiadë.
Seç vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri herë e mohoi pa gdhirë
Faqe nxiyë.
Si nga stili i saj lapidar, ashtu dhe nga kompleksi i përmbajtjes, vjersha Shën Pjetri në Mangall është një nga prodhimet më të vyera të Shqipes.
Shprehja “bandill këndezi” këtu, edhe “u-koll këndezi” e strofës së katërt vesh një rrobe ironije. I treti kuptim i përmbajtjes është ai i satirës që vjen pas çdo akuzimi dhe mohimi.
Pas mohimit të parë:
S’ka e s’ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Por kur dimër del behari
S’ka si zjarri.
Pas të dytit:
Shkab’ e shkëmb me poz’ e fjalë,
Seç na dole shkrumb e gulë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko, shpëtoje.
Dhe pas të tretit, kur ndahen krejt të dy botët:
– Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këndej buxhaku
Dhe allçaku.
Gjithë biblike është tema e vjershës Moisiu në Mal. Këtu, vetëm në pesë strofa, Fan S. Noli na përshkruan tragjedinë e Krye-Profetit të Izraelit, të dënuar prej Zotit vetë – për fajet e popullit të tij, “skllevër, bij skllevësh” që s’e meritojnë lirinë, se nuk e duan – të mos e shohë tokën e shenjtë, të premtuar prej Atij vetë dhe për të cilën pat vojtur, pat luftuar, dhe pat ëndëruar dyzet vjet. E shohim këtu Moisiun në fazën heroike, optimiste të ngjitjes në Malin e Shenjtë të Izraelit.
Ngjitet përpjetë, Mali të shkretë
Krye-Profeti, trimi me fletë…
Pastaj në fazën e lodhjes: si kapten i kulluar, dhe të tronditjes, të frikës që gjendet përpara Jehovait, Zotit të gjithë botëve, dhe përmbi të gjitha: Zotit të popullit të Profetit:
Qëndron me frikë, pret i tronditur…
Arrin në majë, lart i kapitur.
Edhe kur Jehovi, që “flet prej një reje, me zë rrufeje”, ligjëron dënimin e tmerrshëm të mos shkelë tokën e premtuar, se janë “skllevër, bij skllevësh”, që nuk e meritojnë lirinë sepse nuk e duan (këtu Moisiu është Noli vetë dhe populli i Izraelit vetë populli Shqiptar), shembet përdhe i dërmuar:
Krye-Profetit dita i ngryset
Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset
Dhe së këndejmi, nga toka, (me lot në sy, me zemër të ngrirë) i lyp mëshirë:
Pse kaq gjatë, Zot, m’arratise?
Pse më përplase, më përpëlise?
Pse shpresën dyzet vjet m’a ushqeve
Dhe sot m’a preve?
Kështu dhe këtu mbaron vjersha, me një vajtim dhe me tri pyetje që mbeten pa përgjigje, sepse gjykimi kishte vendosur. Dhe të lë kjo strofa e fundit, gjithë shpirtin, në një dhembje të vagët, që nuk mbarohet kurrë.
“Moisiu në Mal” na hap kësilloj, radhë pas radhe, vizione të madhërishme dhe ushëtima dhembjesh në shpirt. Dhe kjo tragjedia e Moisiut të Izraelit simbolizon atë të Plakut të Amerikës. Sepse edhe ky, prej afro dyzet vjet u pa ushqyer në shpresën e Tokës së Shenjtë dhe të Shqipërisë së lirë që nuk mundi ta gëzonte dot.
Dhe nërmjet këtyre valëve malli dhe mërgimi, na dha këtë vjershë trumbulluese. Po ka këtu, në dënimin e Jehovait një rreze drite për të ardhmen: Jehovi nuk dënon gjithë Izraelin – pra gjithë popullin – po vetëm gjeneratën e parë, të pleqve “skllevër bij skllevësh”. Për rininë, Toka e Shenjtë mbetet e hapur, si mbetet edhe Shqipëria jonë…
Nuk do ishim të plotë në analizimin e kësaj vjershe po të mos kujtonim një tjetër vjershë botërisht të njohur, gjithë mbi Moisiun e Izraelit, pra të endur me një lëndë të njëjtë: Moise prej Alfred de Vigny, të cilën e lartëson aq fort Benedetto Croce. Afrohen që të dyja këto vepra – poemi i Alfred de Vigny-t dhe vjersha e Nolit – sepse kanë si lëndë një rrëfim biblik: Ngjitja e Moisiut në Mal, për të folur me Zotin. Largohen njëra nga tjetra përmjet tonit, përmjet zhvillimit edhe përmjet përfundimit.
Poemi i poetit Frëng ka ondulacione lirike, si përshkrimi i perëndimit të diellit në kadrin idilik të pyjeve me ullinj, të fushave të bleruara dhe këngëve me harpa, kurse vjersha e Nolit ka sulm heroik. Në të parin Moisiu e di kur ngjitet në Mal dhe bisedon me vetë-veten se nuk do të shkelë Tokën e premtuar; në të dytën, jo. Pas Vigny-t Moisiu vetë, i lodhur, i dëshpëruar nga punët e popullit të tij, i lutet Zotit ta shkarkojë nga barra e udhëheqjes së këtij populli; kurse pas Nolit, vetë Zoti i jep dënim, për fajet e të tjerëve, sepse, sipas Biblës, Zoti dënon birin për fajet e prindit edhe më tej. Si vjershë lirike, poemi i Vigny-t është i qetë, si vjershë epike-politike kjo e Nolit është nervoze. E para ka 116 vargje, e dyta vetëm 32, me gjithë apendiks. Ndryshimi midis tyre është pra substancial, si trajtim, si konceptim edhe si ton. E shkruar me një gjuhë të një populli të madh e të njohur, kjo vjersha e Nolit tonë do të ishte një vepër e njohur botërisht. Po neve a nuk na mjafton që e kemi në gjuhën tonë?
E veçuar nga këto të gjitha mbetet ajo vjersha lapidare e kushtuar Flamurit, me të cilën fillon kjo përmbledhje. Ne e quajmë Hymni i Flamurit, këtë monolith të qëndrimit dhe të përmanencës Shqiptare, ballë për ballë me kombet e tjerë, që iu patën derdhur si rrebeshe, gjatë historisë, kësaj toke dhe këtij populli. Na jep këtu Fan Noli, vetëm në dhjetë vargje, me atë stilin e tij të rreptë, burrëror, njëkohësisht lirik dhe epik, përshkrimin edhe simbolet e Flamurit:
O Flamur gjak, o Flamur shkabë,
O Vënd e Vatr’ o Nën’ e Babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur kuq, Flamur zi!
përshkrimin e sintezës historike të Kombit, një i vetëm përmjet Flamurit:
Flamur, që lint Shën Kostandinin,
Bashkon Islamin’ e Krishterimin,
Flamur bujar për Njerëzi!
si edhe qëndrimin, përmanencën Shqiptare, në të kaluarën dhe kurdoherë:
S’të trëmb Romani, as Veneciani
As Sërb-Dushani, as Turk-Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli!
Këtu shqipëruesi jo vetëm se ka dhënë dy vargje të bukura, nga pikëpamja e stilit dhe e sulmit, po ka dhënë ngjyrën krejt lokale, siç pat qenë intencioni i autorit. Gjithësesi ngjyrë lokale marrin edhe vargjet e tjera, si:
Rron brenda kësaj vjershe gjithë historia Shqiptare, dhe sidomos fryma Teftane e pardjeshme, sulmi Krutan i djeshëm dhe Vrulli Vlonjat i sotëm dhe i përhershëm.
Në shqyrtimin e veprës poetike të Fan S. Nolit lipset të përfshihen jo vetëm vjershat origjinale po edhe shqipërimet. Pa fjalë se këtu lënda e parë, tema, është e huajtur, po këtë lëndë shqipëruesi e ka tretur krejt në flakën e gjeniut të vet duke na dhënë një ekuivalent Shqiptar të një vlere absolute. Të tilla janë shqipërimet nga Poe: Korbi edhe Annabel Lee; nga Longfellow: Skënderbeu, i shqipëruar në ritmin edhe masën e këngëve tona popullore; disa fragmente nga veprat e Shakespeare-it edhe një pjesë e madhe e Rubajive të Omar Khajam-it. Për të nënvizuar vlerën dhe bukurinë absolute të tekstit Shqip, kujtojmë disa vargje nga poemi Skënderbeu:
There came a Scribe of the King
Wearing his signet ring.
Teksti Shqip:
Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.
Then he bade them bind with chains
This man of books and brains.
Teksti Shqip:
Lidheni, tha, me litar,
Shkronjësin me kallamar!
But he cared not for Hospodars,
Nor for Baron or Voivode.
Teksti Shqip:
Po kujdes ai s’të ka
As për Bej as për Pasha.
Gjithashtu krejt shqipe janë ato shprehje të bukura që i gjen lëqitësi në tekst si: flokë-bardhë, kokë-ngrirë, zemër-prerë, vdekje-grirë, etj. Pavarësisht nga teksti i origjinalit, ne i ndjejmë si tonat edhe shumicën e Rubajive, të veshura krejt në petkat e Shqipes. Kujtojmë këtu disa prej tyre:
Dhe kur të shkosh, moj Dorë-e-këmbë-argjënde
Për të gostitur miqtë n’ato vende
Ku pinim bashkë, dhe t’arrish ku rri
Mos psherëti, po zbras-më Kupën tënde.
Ose:
Rrëmbyen mall memuriet e ar
Dhe t’Urtin plak e t’urët shkencëtar
E quajnë Gjaur, se s’beson përralla,
Se s’qas mi supet, si ata, samar.
Tjetër:
Ah, nesër Botën plot shlamat’ e lashë,
Nga qindra xhevairë njëz’i dhashë,
Pa folur kanë mbetur qindra fjalë,
Se nuk i merrte vesh kjo Bot’ e trashë.
Aq i fuqishëm na është dukur dikur – dhe mbetet edhe – ky teksti Shqip i Bilbilit Rushtit (i përkthyer “dervishçe” si i thonë disa) në krahasim me dy përkthime që kishim njohur Frangjisht edhe Rumanisht, nga Shqipja. Dhe, lejohemi t’i sigurojmë lëqitësit, se vargjet që buruan prej tyre nuk ishin aspak të shëmtuar dhe as më të ulëta nga tekstet e tjera të shtypura. Po, u desh, në pragun e botimit të një pjese nga Rubajtë, të ndahemi nga teksti dhe nga dorëshkrimet tona. Gjithashtu, flasim me intuicion, pa njohur tekstet e origjinalit, i numërojmë si krijesa të gjuhës Shqipe atë Korbin e Edgar Poe dhe ato fije vjersha të shqipëruara nga Shakespeare-i, të cilat lëqitësi i ka për të gjetur në këtë përmbledhje. Me gjithë se fort i vyer dhe i nevojshëm një thellim i shqipërimeve, pra një studim i krahasuar i teksteve, ky i kalon mundësitë tona. Nënvizojmë vetëm rëndësinë e tij, duke ua lënë barrën atyre që mundin dhe që zotërojnë gjuhën e origjinalit.
Ç’mund të themi, si përmbledhje, mbi veprën e Fan S. Nolit? Ja, këto fjalë: Fiziologjia specifike e vjershës Noliane është jo tuli, po muskujt edhe eshtrat. Nuk është kontemplativ, pasiv, pritës, po buçitës, sulmues, dërmues. Vargu i tij nuk është vizual, po auditiv. I drejtohet, pra, veshit, jo syrit. Dhe veshit i drejtohet jo me ondulacione lirike, me shushëllime të ëmbla, po me një arsenal bubullimesh e vrungëllimesh si një grumbull barutash që marrin zjarr e buçasin njëra më fort se tjetra ose si ajo zhurma e qerres së Zotit Shëndëlli nëpër fushat e qiejve, kur fillon shtërgata. Një shtërgatë fjalësh Shqipëtare ose të shqiptarizuara kjo e Nolit, ku buçet, si thamë më sipër, ashpërsia Teftane, Krutane, dhe Vlonjate, këto kulme heroike të racës Shqipëtare. Ushëtin brenda vjershës së Fan S. Nolit, ky Demiurg i Shqipes, si një vërre rëkesh që derdhen tatëpjetë, shpirti gjithmonë i ri i kombit. I përngjan fort kjo vjersha e tij, në botën e tingujve, muzikës Wagneriane, ku zotëron burrëria heroike dhe darabani i kushtrimit, edhe jo telat e holla të serenadave melankolike. Vjersha e Nolit nuk ka ondulacionin e valëve në mëzin e detit, po përplasjen e tyre anës, me zhurmë, gjithëmonë të përsëritur. Në botën e arkitekturës ajo nuk u përngjan pjesave të rumbullakëta, po çipeve të mprehta. Sepse Noli nuk gdhend në mermer, po në krastë. Nuk limos me daltë, po pret me sëpatë dhe me çekan të rëndë. Fan S. Noli sjell në letrat e Shqipes një stil individual, të tijin, një vibrim energjik, një vepër violente me shprehje metaforike të forta, që rrokullisen njëra pas tjetrës. Paravështrojmë se në gjuhën e tij kanë për të shkruar, në të ardhmen, shumë poetë dhe shkrimtarë Shqiptarë, që nga Izedin Jashar Kutrulli, me poezinë e tij Kosovare dhe gjer larg fort.
Dhe tani, në mbarim, pyetja që na rëndon në shpirt është kjo: A do të kemi fatin të vazhdojmë dhe të plotësojmë këtë vështrim panoramik mbi veprën poetike të Fan S. Nolit? Në këto ngritjet edhe përmbysjet e sotme askush nuk mund ta dijë. Dhe nëqoftëse na e refuzon fati këtë hir, ata që vijnë pas nesh – se vijnë shumë dhe të fortë – le ta vijojnë.
Mitrush KUTELI
Qershor, 1943 Tiranë
(Ribotuar nga libri “Mall e Brengë”, Tiranë 1943)
I. LIRIKA
HYMNI I FLAMURIT
O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamuri kuq, flamuri zi.
Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
S’të trëmb Romani, as Veneciani,
As Sërbi Dushani, as Turk Sulltani
Flamuri madh për Vegjëli.
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islami’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Me Skënderbenë u lavdërove
Dhe në furtunë i fundit u shove,
Me Malonë prapë lart vrapove,
Ylli pavdekur për Liri.
Sa shpesh pastaj për-dhe u shtrive
Me zjarre zi u ndeze u nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.
JEPNI PËR NËNËN
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lanë, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’i mbytni,
Mbushni gjykë që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
– Mbretëreshë pa kurorë –
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.
Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Cilët jan’ ata tiranë
Që të prenë e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Dërrmoni plumba; o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Cilët bij të tradhëtuan
Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Armë dhe fishekë mblidhni
Qesen edhe shpirtin hidhni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot-se nesër është vonë –
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Botuar për herë të parë në katedralen e “Vatrës” – 1918
MOISIUI NË MAL
“Ku është dheu i lirë! Zot ku m’a ke?”
“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.”
Së largu Zoti ia pasqyron,
Dhe e shikon.
Ja Nazareti, ja Bethlehemi,
Lum’i Jordanit, Jerusalemi,
Mal’i Sionës, Bethsaidaja,
Dhe Golgothaja.
Ngjitet përpjetë Malit të shkretë
Krye-Profeti, trimi me fletë,
Të bisedojë me Perëndinë
Për Palestinë.
Sheh gasn’ e pritme për djalërinë
Dhe shkretëtirën për pleqërinë,
Atje sa bukur, këtu sa zi,
O Moisi.
Arrin në majë lart i kapitur,
Qëndron me frikë, pret i tronditur,
Dhe Jehovai i flet prej një reje
Me zë rrufeje:
Këtej ka dimrin, andej pranverën,
Kërkon Parajsën, vdes në Skëterrën;
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
Liberator!
“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni
Se liri s’doni!”
Krye Profetit dita i ngryset
Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.
Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzet vjet m’a ushqeve,
Dhe sot m’a preve?
Botuar për herë të parë në “Liria Kombëtare”, 27.1.1930
MARSHI I KRISHTIT
Hosanna, o çlironjës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin’ e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurnas: Hosanna, hosanna!
Kryetrim, që lëfton, triumfon për atdhe,
Shpëtimtar, kryemjek, kryeshenjt, kryefe,
Pasuri, dhe liri, dhe fuqi ti na dhe,
Lum e lum, Galile: Hosanna, hosanna!
O i bir i Davidit, i Miri Bari
Ti na prin dhe na rrit në lëndinë e vërri
Ti na ruan, na mbron, dhe për ne bëhesh fli,
O Njeri-Perëndi: Hosanna, hosanna!
Përmbi Dhe, përmbi Fron, përmbi Qjell u-bekofsh,
Përmbi djall dhe tiran, përmbi Ferr mbretërofsh,
Me pean dhe temjan, dhe këmban’ u-këndofsh,
Drit’ e gaz, rrofsh e qofsh: Hosanna, hosanna!
O i fort’ o i urt’ o i ëmbël Jesu,
Plot me bes’ e me shpresë të biem në gju,
T’adhurojmë më zëmër këtu e t’ehu,
Gjithëkund e pa funt: Hosanna, hosanna!
KRISHTI ME KAMÇIKUN
Dhe Shën Pjetr’i gëzuar atëherë i tha:
“Ja tani e ke nisur tamam, or usta!
Me kërbaç e me shpatë mbi ne mbretëro,
Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.”
“Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin,
Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.”
Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë
Janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,
Tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e shtrëngojnë,
Thonë ashtu Izraelin e mbrojn’ e shpëtojnë.
Jesu Krishti s’dëgjoi, dhe s’e mori vesh mikun,
Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
Dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri,
Se lirin’ e sjell drita e mëndjes, jo druri.”
Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
Dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,
Vegjëlia për ta bartë ndërtohet dhe vritet
Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.
“Merr-e prapë kamçikun,” Shën Pjetri u përgjegj,
“Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
Përkëdhel’ u kurrizin dhe do të të besojnë,
Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do të adhurojnë”.
Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
Na u ngrit gjer në kulm, dhe u bë kryetar;
Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,
Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.
Jesu Krishti s’dëgjoi, dhe s’e mori vesh mikun,
Dhe s’u ngjit përsëri që ta merrte kamçikun;
Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.
Çdo shenjt’ideal, çdo shtëpi Perëndie
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
Kush fitonte më tepër, ai ishte usta,
Dhe kush nuk plaçkiste ishte krejt budalla.
Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
Krisht’i ëmbël u ndes dhe u bë i vështirë:
Me kamçik e me fshikull sarafët i dëboi,
Dhe nga larot gjakpirës atdhenë e shpëtoi.
SHËN PJETRI NË MANGALL
Kuspull mi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymëzi:
“S’ka e s’ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S’ka si zjarri.”
Fryn’ e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.
– “Nga ata je!”- thot’ ajo,
E mohon Shën Pjetri: – “Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!”
Kristhin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.
Kuspull mi mangallin mblidhet,
Po djek mjekrën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymëzi:
S’del askush që t’a shpëtojë,
Roma do t’a kryqësojë,
Triumfon Legaliteti!
Dhe Laneti.
“Shkab’ e shkëmb me poz e fjalë,
Se ç’na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje.”
Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mbi mangallin;
Kur e pa, u-koll këndezi
Nga qymëzi.
Thot’ ajo: – “Je, mos gënje!”
Pjetri e mohon me be: – “Jo,
për Zotin, moj aman,
S’jam e s’jam.”
Dhe një shërbëtore i tha:
– “Je dhe ti një nga ata!”
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.
Kuspull mi mangallin mblidhet,
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç’këndonte bandill këndi
Nga qymëzi:
– “Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku”.
Se ç’e dogje, se ç’e fike,
Gjel me gjemb’ e këng’ armike,
Dhe ndërgjegjen se ç’ia çpove,
Se ç’ia zgjove.
Se ç’vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri her’ e mohoi pa gdhirë,
Faqe-nxirë.
MARSHI I BARABBAJT
Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna Barabba!
Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!
O stërnip i Kainit, tepitil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
O kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!
Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!
O i çgyer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju,
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërthu: Hosanna, Barabba!
Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!
Botuar për herë të parë në “Liria Kombëtare”, 21.2.1930
MARSHI I KRYQËSIMIT
Do të vrasim, Jesu, se të kemi Baba,
Do të varrim, Mesi, se të kemi Usta,
Se s’ke dashur as jet’ as martes’ as para:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Dy kusarë të vegjël i zumë në lak.
Kryqësoji këta, se na vothnë fort pak,
Kryqësoje këtë, se s’na vodhi aspak:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni, se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron, dhe çliron, dhe forcon varfërinë,
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Varreni, se me botën, me ne s’shëmbëllen,
Se na ndreq shtrëmbëritë, dhe kurrë s’na rren,
Se e do vegjëlin’ e tiran’ e urren:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni, se për vete s’kujdeset, s’lëfton,
Dhe të mjerët, të humburit nuk i shtrëngon,
Dhe për sherr, për vlla-vrasje, për luftë s’punon:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Varreni, posa s’do as të vras’ as të varrë,
As të bëjë të keqen as gjakun t’a marrë,
Dhe katilët me nam na i qan si të marrë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni kryengritësin e Shënjtëruar
Si katil të mallkuar, atë ka kërkuar,
Se kujtoi që pa armë na ka për të zgjuar:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Botuar për herë të parë në “Liria Kombëtare”, 28.11.1928
KIRENARI
Ç’deshe ti, mor, në Kalvar,
O qyqar, o Kirenar!
Del me poçen për sehir,
Ndrit me Kryqin si martir.
Rend nëpër kallballëk,
Se ç’po ngjan s’merr vesh as gëk,
Je i pir’ e s’mban dot anë
Për çlironjës a tiranë.
Nëpër pluhër dhe shamatë
Turen burrat, çiren gratë
Turma e ndezur, e tërbuar,
Krishtin për të kryqësuar.
“Mirë e gjeti, the, sarafi,
Se ashtu i desh qylafi,
Se po çvishte vegjëlinë
Me uzurën dhe vergjinë”.
Po kur pe qe u gënjeve,
Kryqësimin s’e pëlqeve.
Kirenar, se ç’the një fjalë:
“Mos e vrisni këtë djalë!
Daleni, the, mor aman-ni,
Oratorin mos e ngani,
Si politikan flet n’erë,
Po s’e bën më tjetër herë!”
Krishti po të ngushëllon,
Dhe durim të këshillon:
“Mos kij dert, se u-bekove,
Me dolli lavdi fitove!
Fare bukur e fillove
Po më kot i këshillove,
Se katilët s’të sajdisnin,
Si pijanik të qesëndisnin.
Mos kij dert, mor Kirenar,
Ta bën këngën një Shqiptar!”
“Po ku është Shqipëria?”
“Tek ndes vetë Perëndia!”
Dhe kur pe këto havaze
Një dolli më verë zbraze
Për të mbytur mallëngjimin,
Për të shuar hidhërimin.
Bëj gajret, mor Kirenar,
Drejt përpjetë në Kalvar!
Për paradën që bën ti
Çdo besnik të ka zili.
Po dollia të tronditi
Dhe mbi krishtin të vërviti,
Të tre Kryqet i përfshive
Dhe për-dhe të gjith’ i shtrive.
Ç’ngjau pasandaj s’kuptove
Kryqin gjer sa e zapfove
Dhe si Krisht u-kapardise
Dhe në djers’ u-batërdise.
Ç’vete shtrëmbër në Kalvar
O qyqar, o Kirenar!
Se ç’përmbysesh, kamçikohesh,
Rrihesh, ngrihesh, çdehesh, zgjohesh.
Krishtin me habi pyet:
“Nga më krisi ky tërmet?
Pse pa faj po më mundojnë,
Kryqn’ e huaj ç’m’a ngarkojnë?”
Vjenë, 7 maj 1925
KRYQËSIMI
Po troket çekani
Po kërcet mejdani.
Dor’ e këmb’ i çpon,
Krishtin kryqëson.
Me tërbim goditin
Me gjëmim e ngjitin
Turma ulërin
Nëna blegërin.
Çdo përronjë plagë
Përvëlon si flagë
Çurgu gjak buron
Fryhet dhe pikon.
Kryqet ngulen, shtisen,
Tallen, qesëndisen;
Sipër Kryqe tre,
Tri Mari për-dhe.
NJË MEXHLIS TË MATH NA ÇELI
Një mexhlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.
Fyt’ i Floqit po pëllcet
Top i Krosit po kërcet:
Ç’është ky sheqer-kësmet?
Hallvaxhin e pamë mbret!
Dhe rakia vete-vjen
Xhafer Ypi na mbërthen
Dhe për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legjen.
Koço Kotta, mjek hanxhari,
Nis një vallë palikari,
Se me një ferman kusari
Sadrazem u bë firari.
Dhe Feridi faqe ndron,
Dje shante, sot lëvdon
Fryn bulçit’ e trumbeton,
Që Katrani zbardhëllon.
Dhe sarhosh Iljas Vrioni
Dehet, siç e do zakoni,
Bërtet: “Rroftë Napoloni!
Kështu tha dhe Ksenofoni!”
KËNGA E SALEP-SULLTANIT
Se ç’u-çporr xhumhurieti,
Se ç’u-rahatos mileti,
Se Sulltanin prap’ e gjeti,
Se, që kur e humbi, s’fjeti!
Ç’ka sepse i vjetri qe
Madhështor sa një deve
Dhe ky s’bën as për meze!
Rroftë sa jep ylefe.
Se ç’ na u-gëzua xhani,
Se ç’na preu Ramazani,
Se ç’ na piu Itajlani,
Rroftë pra Salep-Sulltani!
Vjenë, 15 Tetor, 1928.
SYRGJYN-VDEKUR
(Elegji për Luigj Gurakuqin)
Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vranë e na e shanë,
Na i thanë tradhëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.
Berlin
Botuar për herë të parë në “Liria Kombëtare”, 28.11.1926
SHPELL’ E DRAGOBISË
(Elegji për Bajram Currin)
As je vrarë e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
– Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpelli,
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimin e Shqipërisë
Katakomb i Dragobisë.
Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mbi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.
Atje nisi, atje mbaroi,
Atje krisi, atje pushoi,
– Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.
Vendi dridhej, ai mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
– Dikë Dragoi i Dragobisë,
Trim tribun e Vegjëlisë.
O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.
Thonë u shtri e thonë u vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.
Berlin, 28 tetor 1926
Botuar për herë të parë në “Liria Kombëtare”, 28.11.1926
REND, OR MARATHONOMAK!
Kurrë kaq s’dogji djelli
Dhe si plumb s’rëndoi qjelli,
Kurr’ aq ëmbel’ e bukur s’ftoi
Hij’ e lisit edhe kroi;
Tur-u tej,
Tutje, or Marathonomak!
Rend, or rend, rend e u thuaj
Se u-çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rend, or rend,
Rend, or Marathonomak!
Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur’ e prush,
Furr’ o, or Marathonomak!
Kap një degë prej dafine
Dhe vërvitesh ndaj Athinës,
Nëpër fush’ e brek mbi brek
Këmba tokën as t’a prek,
Hip’ e zbrit,
Petrit, Marathonomak!
Gryka si gjyrvk të çfryn
Prej Vullkanit flag’ e tym
Se ç’vëngon e se ç’gulçon,
Zëmra brinjët t’i çkallmon
Me tokmak,
Mbauh, or Marathonomak!
Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon për-dhe;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!
Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s’janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!
T’u-tha gryka, po s’të pihet,
T’u-mpi këmba, po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmtat u a vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!
Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan’ e që të çquan
Dhe fuqinë t’a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!
Ja, arrive, ua the:
Ç’gaz e ç’helm që kjo myzhde!
“E fituam!”, brohorite
Dhe për tok’ u përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!
Rend kudo, duke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!
Prill, 1930
ANËS LUMENJVE
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtoj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.
Ku e lamë e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjer-mileti
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur?
Se ç’e shëmpnë derbederët,
Mercenarët dhe Bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabaxhinjtë
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës!
Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjallë as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres më vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u treta, se ç’ u-mplaka,
Se ç’u çora, se ç’ u-mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur
Brohorit me bes’ e shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitem dhe zalisur,
Ëndërroj pa funt, pa shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.
Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlçet, kërçet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet Beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta,
Dhe kudo gjëmon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
Më bën djal’ e më bën trim,
Më jep forc’ e më jep shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi njëherë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Hamburg, Maj, 1930.
(Në dorëshkrim mban titullin “Mbi lumenjtë e Babylonës”.)
PLAK, TOPALL DHE ASHIK
Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.
Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s’ecënj dot.
Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ ecënj dot.
Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prit-e, moj, ashikun, prit-e
Që të vjen me not.
E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’ lashë,
Dhe më gjunjazi i rashë,
Ç’u-mundova kot.
Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
Syri m’u përlot.
Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërtita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.
Kjo poezi u botua për herë të parë në “Album” me pseudonimin Bajram Domosdova, ndërsa në dorëshkrim mban titullin “Dale moj…” dhe datën 6 tetor 1927.
SOFOKLIU
Sofokliu ishte budalla,
Kur u-mplak, edhe Kupidi e la,
Tha: “Shpëtova nga një maskara!”
Goja, pra, iu-tha.
Sofokliu nuk e kishte mirë:
Plaku s’ka takat, po ka një dëshirë,
Gjalpë s’ka po ka një pus me hirrë,
Furnë dhe trazirë.
Kam Ferid Asllanin si shahit,
Tetëdhjet’ e pesë vjeç ashik:
Amerika, Evropa u-çudit,
Nuse desh kur vdiqi!
Flamurin që la e trashëgova,
Nat’ e ditë çupa, gra kërkova,
Se ç’ u batërdisa, se ç’ u shova,
Se ç’ u përvëlova.
Edhe kjo poezi u botua për herë të parë në “Album” me pseudonimin Bajram Domosdova dhe titullin “Sofokliu dhe Ferid Asllani”…10 shkurt 1946.
FRYN MOJ ERË…
– Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
– Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
– Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajma të rea po na kë siell?
Pse je e mvrërë dhe e helmuar?
Qiejt me zi përse na e mbëll?
Fryn, moj erë, etj.
Pse e ke synë të trufulluar
e rend kaluar mbi t’zeza re?
Pse të pikojnë lotë të zeza,
lotë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.
Kur të vdes, dhe kur të më mbuloni,
Çupa, gra, në varr mos më vajtoni.
Do t’ju dua prapë, siç më doni.
Dolla! Mos më zgjoni.
Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëmë të tmerruar,
rend ta harroj, po rendkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.
Atje tek llozja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’ çupë të virgjër,
ma vrau shpirtin ajo flori.
Fryn, moj erë, etj.
E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lotët e mia si vesë gjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’ e shkretë qaj,
derdhi lotët atje mbi varr’ e saj.
Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.
Atje mbi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’ a çupën,
për kë të bënte më par’ vajtim?
Fryn, moj erë, etj.
Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.
– Moj er’ e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u err si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.
Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’ i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lotët e mi.
Fryn, moj erë, etj.
Poezia u botua së pari në “Kombi”, të Bostonit, më 25 janar 1907, me pseudonimin Ali Baba Qyteza
II. SHQIPËRIME
Henry Wadsworth Longfellow (1802-1882)
SKËNDERBEU
Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladislav gjëmon
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet,
Dhe nga fush’ e kuqe gjak
Iken, rend përpara tij
E Muratit ushtëri
Që shpëtoi e s’ra në lak.
Kur u-ngrys e kur u-err,
Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,
Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajavet.
Mbet e vdekur prapa tij
E Murati ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rend me vrap,
Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.
Po kujdes ai s’të ka
As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek po shkon
Yjt’ e fatit po shikon
Që i ndritin n’udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:
“Është koha për gëzim”.
Mez’ i natës kur afroi,
Ikja e rreptë kur pushoi,
Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zëmërim:
“Njoll’ e parë t’u vu sot
N’emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!
Ushëtirnë pse e le
Therrur fushës për vajtim?”
U përgjegj Skënderi, ç’tha:
“Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr’ e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe
Nga i madhi Zot atje
Që urdhëron çdo ushtëri,
Dhe ku kemi ne fuqi
Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?
“Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar”
Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj
Paskam bërë që Pashaj
M’a bën mua këtë gjë?”
U përgjegj Skënderi e tha:
“Faj s’ke bërë asnjë,
Po që të mos na shpëtosh
Dhe të fshihesh e të shkosh,
Përandaj t’a bëj këtë.”
Tani shkruamë një shkrim –
Dhe për fis e paç bekim! –
Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet
Rreth me mur e me hendek,
Të m’a kthenjë gjën’ e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;
Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.
Dhe Qatipi u krrus prej tmerrit
Dhe kështu i tha Skënderit:
“O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!
Qysh t’i shkruaj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m’a pret ai Dovlet?”
Shpejt atëherë si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll
Një hanxhar me rreze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”
Dhe Qatipi i tmerruar
Shkroi në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,
Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.
Dhe Skënderi prapë tha:
“Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua
Do të të kem si mik e vlla,
Gjithënjë do të të nderonj
Me kujdes do të të rrethoj
Sa të rrosh në këtë botë.”
U përgjegj Qatipi e thotë:
“Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet.”
Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër asnjë tjetër
Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket
tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtimë s’u ndi
Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjetë u hodh prej dheut.
Pastaj sulet si shigjeta
Me tre qind pothuaj veta
Nëpër lum’ e pyll e gardh
Përmbi malet Argjendar;
Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u gdhi në agullim
Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek,
Tek u lind e tek u rrit, –
Yll mëngjezi mbi të ndrit.
Dhe atëherë trumbetarët
Brirëve të argjëntë u bien
Edhe toqje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët
Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoi me miqt’ e tij
Dhe u ngrohën me dolli.
Dhe u thotë: “Miqt’ e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!
Mbret Murati urdhëron
Mall’ i gjerë i tim eti,
Vend’ i terë dhe qyteti
Të më jipen nga Dovleti.”
Dhe pastaj me salltanet,
Veshur me armët si një mbret,
Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port’ e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron
Përmbi Kruj’ i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.
Dhe Pashai, si heshti, tha:
“Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.
Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?”
Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vend të tij valon
Flamur’ i Skënderit n’erë
Shkab’ e zezë me dy krerë.
Dhe një thirrje lart u ngrit,
Se çdo zëmër e çdo shpirt
U mërzit nga Turku i lig,
Q’e kishte bërë atë Krujë
Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ai zë me gaz me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek
Është: “Rrofsh, o Skënderbeg!”
Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;
Edhe lajmi u përhap
Si një flakë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar
Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap, të tij fakiri
“Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’ e tij”.
Eskili (525-456 p.e.r.)
Nga “PROMETHEU I MBËRTHYER”
(Hefesti me Përdhunën dhe Pahirin e sjellin Prometheun të lidhur mbi një shkëmp të Kajkasit.)
Përdhuna:
Arrijmë tek më i larkmi çip i dheut,
Në malet e pashkelur të Skithisë,
Ti, pra, Hefest, pas urdhrit atëror
Këtë keqbërës e mbërthe mbi shkëmbin,
Dhe lidh-e me vargonj të paçkëputur,
Se lulen tënde, zjarrin kryemjeshtër,
Ta vodhi, ua fali njerëzve.
Kështu mëkatin e tmerruar lan.
Mëson t’i ulet mbretërisë Jovit,
Dhe dorë heq nga helm’i njeridashjes.
Hefesti:
Përdhunë dhe Pahir, për ju të dy
Ndalim për porosinë e Jovit s’ka.
Po mua s’më bën zëmra të mbërthenj
Gjirinë perëndie mbi këtë shkëmp.
Mjerisht jam i shtrënguar ta zbatoj,
Se nuk e shkel dot urdhrin atëror,
O bir i mënçur i Themidës drejtë,
Pa dashur unë aspak, dhe ty pa dashur
Do të mbërthenj mbi këtë shkëmp të shkretë,
Ku s’ke për të dëgjuar zë njeriu,
Ku do të piqesh nën diellin,
Ku ditën do të pres notimin e natës,
Dhe natën vapën brymë-shkrirëse,
Se do të përvëlojë gjithnjë
Mundimi i së keqes së tanishme,
Se çlirimtari yt s’ka lindur edhe.
Këto t’i solli vepr’ e njeridashjes,
Si perëndi, s’iu trëmbe perëndisë,
Dhe njerëzit pa masë i pasurove.
Këtu, pra, u dënove të qëndrosh
Tendosur, gju pa epur, dhe pa fjetur,
Këtu do të vajtosh me lot më kot,
Se Jovi s’ka mëshirë e nukë zbutet:
Çdo mbret i ri në krye ësht’ i ashpër.
William Shakespeare
Nga “HAMLETI”
Thuaj yjtë s’janë zjarr,
Thuaj dielli u shua,
Thuaj jeta është varr,
Po mos thuaj që s’të dua.
Të rrosh a të mos rrosh
Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja:
Më e lartë është vallë të durosh
Hobe, shigjeta fati të tërbuar
A të përballesh një det të turbull helmesh
Me armë e funt t’u japësh. Të vdesësh – të flesh
Jo më! – dhe me një gjumë të mbarosh
Çdo zemër-dhëmbje, mijëra tronditje,
Që trupi prej natyrës trashëgon,
Ja një qëllim që duhet dëshëruar
Me gjithë shpirt. Të vdesësh – të flesh; të flesh?
E ndofta të ëndërrosh! ah, këtu ngec;
Se ç’ëndrra shohim n’atë gjumë vdekje,
Pasi na shkundet kjo pështjellj’ e mortme,
Kjo frikë na qëndron; ja arësyeja
Që aq e zgjat një jetë me mjerime;
Se kush duron përbuzjen dhe kamçikn e botës,
Zullumin e shtypësit, përdhunën e krenarit,
Lëngimin e dashurisë së papërfillur,
Vonimin e ligjës, gojë-çthurjen e zyrtarit,
Dhe shkelmet, që çdo vlerë zemër-gjerë
Nga të pavlershmit merr, kur mund ta lajë
Hesapin fare me një copë thikë?
Kush vallë barra mban e kush dërsinë,
Rënkon nënë një jetë të mërzitur,
Po vetëm tmerr’ i saj diç pas vdekjes –
Vendit të pazbuluar, nga s’na kthehet
Kurr’ udhëtari – na trullos vullnetin,
Dhe vuajmë të ligat që po kemi
Se sa të hidhemi n’ato që s’dimë.
Kështu na bën ndërgjegja gjithë frikaçë;
Kështu dhe ngjyr’ e gjallë e rezolutës
Sëmuret, verdhet nga hij’ e mejtimit,
Dhe plane të mëdha e rëndësore
Ndalën, përçajnë rrjedhjen, dhe humbasin
Emrin e veprimit. Hesht tani!
E bukura Ofeli! Ëngjëll, në lutjet
Mëkatet m’i kujto të gjitha.
Kënga e Ofelisë
M’a vunë në qivur;
Mbi varrin bar tani më ka,
Mbi kokën ka një gur.
Të bardhë si dëbor’ e kishin savanin
Me lule të stolisur,
I vogël e i math me lot e qanin
Me zemër të zalisur.
II
Shën Valentinin nesër po kremtoi
Dhe ngrihem në mëngjes
Dhe, vajzës, nga dritarja po i shkoi,
Se nukë mund të pres.
U ngrit ai atëherë dhe u vesh
Dhe derën po ia çel,
Në dhomën brenda vajza hyn e qesh,
Po vajzë jashtë s’del.
III
Për Zotin Krisht, për Zonjën Shën Mëri,
Ajme, sa turp, sa keq!
E bën, kur e gjen rastin djal’ i ri,
Dhe vajza shkon në dreq.
I thot ajo: “Më bëre be, pa shtrirë,
Që do të më merrje grua!”
I thot ai: “Vërtet, po s’je e mirë,
Kur fle për turp me mua!”
Si t’a njoh trimin që më do vërtet
Nga ndonjë tjetër trim?
Nga syri dhe nga zëmra që m’i flet
Zemrës e syrit t’im
Më vdiq, o shoqe, dhe më la,
Nga “OTHELLO”
Kur isha i ri, kur kisha dashuri, ah dashuri,
E kisha zëmrën plot me lumtëri,
Me nuse e me dasm’ e me kurorë; ah kurorë,
Isha si dash me brir’ e me këmborë,
Po e pabesa pleqëri më theu, ah më theu,
Me pançën e me thonjtë më mbëtheu,
Më çthuri, m’arratisi në kurbete, ah kurbete,
Në mële, në shkëmbinj, në projë e dete.
Një bel, një bel, një kazm’ e një lopatë, ah lopatë,
Dhe një savan i gjerë dhe i gjatë;
Një grop’ e thellë dhe përsipër baltë, ah moj baltë,
Kështu e do kjo mysafir’ e naltë.
Po, perëndi, kur qenka dashuria,
Atëherë sig na thotë Dituria,
S’e merr kalemi që të na mundonjë
Dhe shpirt e zemër të na përvëlojë.
S’them dot se fajn m’a ke ti, moj Fille;
Nga e mjalta jote s’del një helm i tillë,
Dhe kurrë s’them se vjen nga Perëndia.
Atëherë vdes, kështu e zgjidh problemin,
Se ndryshe s’kam se si t’ia gjej mëlhemin
Lëngatës që s’i dihet katandia!
Miguel de Cervantes Saavedra
Nga “DON KISHOTI”
Male, pyje plot me fletë
Male, pyje plot me fletë
Të mëdhenj e të përpjetë,
Pa pushoni e më dëgjoni,
Ejani më ngushëlloni
Për hatanë, për belanë,
Për qederin, për sevdanë,
Që më çthuri anembanë.
Këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
Për largimin nga Dylqinja
E Tobozës.
Këtu prehet një bari
Që na shtiu dashuri
Mbi një egërsirë mali,
Dhe kështu na humbi djali,
Zemra se ç’iu përvëlua
Q’e përbuzi ajo grua
Dhe u dogj ky trim i ri
Nga e flakta dashuri.
Te ky vend më solli fati,
Fat’ i zi e taksirati,
Se si unë s’ka ashik,
Dhe si unë s’ka besnik,
Dhe kështu më mori djalli,
Më svamis për kapistalli
Pra, nga halli e nga malli
Këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
Për largimin nga Dylqinja
E Tobozës.
Ah! dashuria s’paska hiç mëshirë,
Se më ka shëmbur e më ka përpirë,
Se unë asnjë të keqe s’i kam bërë
Që m’a ka prerë shpresën me gërshërë.
Dyke ndjekur aventyra,
Tek ky mal i shkretë hyra,
Po më ndjek nga pas sevdaja
Më qëllon, më ndjek murtaja
Me shigjetën e helmuar
Dhe jam djegur, përvëluar,
Dhe kështu i dëshpëruar
Këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
Për largimin nga Dylqinja
E Tobozës.
Jam marinar i dashurisë
Jam marinar i dashurisë
Dhe në furtun’ e n’oqean
Plevas pa shpres’ e midis zisë
Se nukë shoh asnjë liman.
Si prijës kam një yll të zjartë
Që për së largu e shikoj,
Nga Palinuri ndrit më kjartë,
Atë pasonj, atë vazhdoj.
Po nukë di se ku më shpie,
Sillem vërdall’ aty-këtu
Dhe herë hipënj, herë bie
Si pas tallazit kutum.
Kur yllin m’a mbulojnë retë
Dhe nëpër qjell s’e shoh gjëkund,
Humbas torruan në det të shkretë
Dhe frika zëmrën m’a lëkund.
O ylli ndriçim, kij mëshirë,
Dil prap’ e ndrit-më, se të pres;
Në perëndofsh një her’ e mirë,
Atëherë dije se po vdes.
Këtu dergjet Don Kishoti
Këtu dergjet Don Kishoti:
Isha i fortë e ish i zoti,
Botën prapa desh t’a kthente
Dhe me ushtën t’a mbërthente.
Këtu brënda fle Dylqinja:
Se ç’këndonte si mëllinja!
Ish e kolme, rumbullake,
Faqe-kuqe, pupulake.
Këtu dergjet Sanço Pança:
Si ai s’ka parë Mança!
E kish barkun sa një kosh,
E kish kokën fare bosh.
Këtu dergjet Rosinanti:
Ish më interesanti
Nga çdo kalë që kullot
Barin që ka bërë Zoti.
Omar Khajam
Nga “RUBAIRAT”
O ti, mbi Dhe më e zgjedhura Selvi,
Më e shtrenjtë je se shpirti e sytë e mi:
Gjë më të çmuar se sa Jeta s’ka;
Më e çmuar një qind herë më je ti!
Zefire fryre, syri im të pa;
Nga gjoksi zëmra m’iku dhe më la
Dhe duke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënd e ka.
A di përse këndezi po këndon
Me natë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoj një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.
Zgjohu! Mëngjezi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yji i arratisi,
Dhe Dielli gjathar me rreze kapi
Çdo majë mali e pallati e lisi.
Qesh Trëndafili e thotë: “Lulëzoj
Dhe botës bukurinë po ia shtoj:
Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë
Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj.”
Kush në Gërmadhë të ka prurë, kush?
Kush’t’a ka çfaqur natën nurë, kush?
Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë
Nga Dashuria të sëmurë, kush?
Rënkoj e psheretinj, se s’të kam pranë,
M’u-çuar zëmra, vojtjet mend s’më lanë,
Askujt s’ia qaj dot hallin, djall’o punë:
Vrer, mjalt’ e flakë-vel’ e qjell-hapsanë.
Nga hidhërim’ i ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zëmra m’është grirë:
Ty natën të kujtoj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiri jam shkrirë…
Mbi lule po pikojnë vesë retë,
Dhe me një zë qjellor Bilibil’ i shkretë:
Ah, Verë! Verë! Verë! Trëndafilit
I lyp të skuqë faqezën e zbehtë.
Natën kur flija, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;
Ngreh-u! Sa rron, zbraz kupa dhe puth Çupa!
Ke shekuj që të flesh në qetësi.”
Më mirë bukë-that’ e rrobë-çqyer
Me ujë të rrjedhur, i lirë, poçe-thyer,
Se sa tiran prej skllevësh gjak përlyer
A skllav në zgjedhë shtypëse mbërthyer.
Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djem, o Verë sillmani,
Se fati na e thau lëngun sonte.”
Mos e përdor për shtypje shoqërinë,
Mbaj veten, zotëro me fre mërinë:
Në daç të shkosh në paqen e përfundme,
Goditje prit, po mos godit njerinë.
Dhe posa në Tavernën këndoi gjel,
Besnikët jashtë thirrë: “Portat çel-i!”
E shkurtër është Jeta, ja, u plakëm
Dhe mbetëm si kofini pas të vjeli.
Çudi, që parësia e titulluar,
Nga skllavëria balbur, shtazëruar,
Kur shohin një të varfër po të lirë,
E quajnë a të marrë a të mallkuar.
U bëra prapë djal’ i ri: Sill Verë!
Kërceni me flag’ e lumëri: Sill Verë!
S’ka gjë në qoftë e hidhur, mor Saki,
Se jeta ime në Persi: Sill Verë!
Rrëmbyen mall, memuriet e ar,
Dhe t’Urtin plak e t’urët shkencëtar
E quajnë Gjaur, se s’beson përralla,
Se s’qas mi supet, si ata, samar.
Sakinjtë derdhin Ver’ e vala Rrushi,
Në zëmrat shuajn’ afshin e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë balsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.
Të kisha ah! fuqi prej Perëndie,
I jepja shkëmbin kësaj Gjithësie
Dhe krenja Botë tjetër ku të kishte
Çdo plotësim dëshire dhe lirie.
Ah, mbushni Kupat! Zëmra na thërret,
Se koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s’na gjen;
Ç’mërziti kur e sotmja ka lezet.
Ah, nesër Botën plot shamat’ e lashë,
Nga qindra xhevahire njëz’ e dhashë:
Pa folur kanë mbetur qindra fjalë,
Se nuk i merrte vesh kjo Bot’ e trashë.
Me Verë, kur t’ap shpirt, kungomëni,
Me Verë Lamëni, bekomëni,
Me fletë Pjergulle pësthëllmëni,
Në kopsht me Këng’ e Rush mbulomëni.
Ah, nesër ndahem nga e murmija Botë
Ku shkova një Jetesë krejt të kotë:
Asnjë s’kam zgjidhur prej Enigmave,
Dyshimi më ka shtypur nënë rrotë.
Me Pemë, Trëndafij e me Hardhi
Varrin stolismani, qëndismani:
Rreth meje buzë-qeshur shtrihuni
Spërkatmëni me Ver’ e pihuni!
Për vdekjen s’dridhem as derdh fare lot;
Më e mirë gjë në botë s’gjendet dot:
Trëmben nga Jeta që i Madhi Zot
Më kot m’a dha – e un ia kthej më kot.
Që Varri im me Ver’ e Rrush të shirë
Tym, afshë të lëshojë si një Tirë
Sa kur të shkojë Musliman’ i mirë
Si në pus të dehet i papirë.
Pas Vdekjes nukë dua veç pushim;
Se sy e shpirt m’u tretnë me vajtim;
Më keq se sa kam vojtur në Ferr s’ka;
S’dua Parajsë! S’dua veç harrim!
Dhe kur të shkosh, moj Dorë-e-këmbë-argjënde
Për të gostitur miqtë n’ato vënde,
Ku pinim bashkë, e t’arrish ku rri,
Mos psherëti! – po zbraz-më Kupën tënde.
Miq, shpresa, Qjell e Tok’ e Djaj më lanë;
Zi brënda, lart e posht’ e anëmbanë;
Veç Verës s’më ka mbetur tjetër mik,
Dhe dua dhe në Varrin t’a kem pranë.
Dhe kur të shuhen nën Dhe të zi
Dhe kur të bëhem prapë Balt’ e Hi,
Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli –
Dhe shihni po s’u-ngjalla përsëri!
Edgar Allan Poe (1809-1849)
KORBI
Era frynte që përjashta
Rrihte perdet e mëndafshta
Dhe më ngjethte dhe me derdhte
Tmerre që s’i ndjeva kurrë.
Dhe tani që të pushonte
Zëmr’ e mjerë që lëftonte,
Goja po më bëlbëconte:
“Dikush do të hyjë brënda;
Ndonjë vizitor i vonët
Që kërkon të hyjë brënda.
Kjo do jet’ e asgjë më”.
Një mes-nate të bezdisur
Tek këndonja i salizur
Disa përralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dremitja i kapitur
Befas vjen një e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmbi derë t’odës sime.
“Dikush është, thashë, jashtë
Që troket mbi derën time
Vetëm kjo, dhe asgjë më.
Mblodha veten menjëherë
Edhe frikë më pa ndjerë:
“Zot, i them, a Zonjë, fajin
Ndjemani, ju lutem shumë,
Se për Zotin po dremitja,
Aq’ e hollë ish trokitja
Aq’ e lehtë ish goditja
Përmbi derë t’odës sime
Sa mezi ma zuri veshi.”
Dhe e hapa derën sheshit,
Errësirë e asgjë më.
Ah, e mbaj në mend fort mirë,
Ishte dimr’ i ftoht’ i ngrirë,
Dhe n’oxhakun shkrump të nxirë
Urët shuheshin në hi.
Desha të gdhihej dita,
Se më kot nga librat prita
Të më ngushëllonte drita
Për të lumurën Lenorë,
Vajz’ e rrallë dhe rezore,
Q’i thonë Engjëjtë Lenorë,
Përmbi dhe pa emër më.
Syrin thellë n’errësirë
Shumë ndënja në drithtirë,
Ëndrra duke shikuar
Që njeri s’ka ëndërruar;
Mirpo nat’ e errët heshtte
Edhe tjetër gjë s’më theshte
Veç një emër që më deshte
Pëshpëritur si “Lenorë!”
Këtë unë e pëshpërita,
Dikush m’u përgjegj: “Lenorë”.
Vetëm kjo, dhe asgjë më.
N’odë prapë më të kthyer
Shpirti ndezur, zemra thyer
Përsëri vjen një trokitje
Pak më e fortë se më parë.
“Pa dyshim, pa fjalë, thashë
Dikush është aty jashtë,
Duhet vajtur, duhet parë
Që të zgjidhet ky mister.
Hesht, mos zemër e zhuritur,
Që ta zgjidh këtë mister,
Era ësht’ e asgjë më.”
U çudita fort, pa masë
Kur dëgjova Korb të flasë
Ndonëse ajo përgjigje
S’kishte as kuptim as lidhje;
As asnjë s’mund të më thotë
Që ndonjë njeri në botë
Gjer tani ka parë shpëndë
Mbi derë t’odës tij,
Shpënd’ a shtazë mbi statujë
Mbi derë t’odës tij,
T’emëruar “Kurrë më.”
Hap atëherë xhamenime
Kur me shumë fërfëllime
Brënda hyn një Korb i mvrengitur
Madhështor i kohës vjetër.
As u fal as përshëndoshi,
As bën tjetër punë boshi
Po si zot më shkon trimoshi
Dhe qëndron mbi derën time –
Ngjitet mbi një bust Pjllade
Mbi derë t’odës sime –
Ngjitet, rri, dhe s’bën gjë më.
Mirëpo Korbi rrinte shtruar
Përmbi bustin e latuar
Dhe thoshte vetëm atë fjalë
Që nga shpirti plot me flakë.
Asnjë pendë më s’lëviste
Asgjë tjetër s’murmuriste,
Edhe zëmra më thërriste:
“Miqt’ e tjerë iknë e shkuan;
Nesër edhe ky do t’ikë
Si dhe shpresat që m’u shuan.”
Thotë Korbi: “Kurrë më”.
Më zu gazi, më shkoi tmerri
M’atë Korb të zi si Ferri,
Që po mbahej aq i rëndë
Aq i lartë, dhe i them:
“Ndonëse je perçe-prerë
S’ka dyshim, je trim i ndjerë,
Korb i mvrengitur, i vrerosur,
Arratisur zall më za;
Thuam’ emrin tënd me nam
Anës detit Plutonian!”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”
I habitur nga përgjigja
Që më dha kur nuk e prisja,
“Pa dyshim, kjo fjalë, thashë,
Ësht’ e vetmja që di
Që e mësoi nga i zoti i mjerë,
Derë-mbyllur, derë-sterrë,
Që e ndoqi, e dogji zia,
Dhe e shojti lebetia,
Gjer sa vaji i shpresës tij
S’qe veç dëshpërim i ri
Edhe kurrë, kurrë më.”
Edhe Korbi më mbëtheu
Dhe në gaz buzën ma ktheu.
Shpejt, pra, një kolltuk rotova
Edhe derës iu-afrova;
Dhe i ndënjur ëndërronja
Dhe me mëndjen po kërkonja
Që të gjenja, të zbulonja
ç’desh të theshte Korb’i zi,
Korb i mvrënjtur, i vrerosur
Arratisur zall më zall
Me dy fjalët “Kurrë më”.
“Profet, thashë, nëmë-rëndë,
Po profet, qofshë djall a shpëndë!
Qoftë se të çoj shtrënfata
A Shejtan’ i Ferrit Zi,
Të përhumbur, të patrëmbur
Tek ky vend i shkret’ i dhëmbur
Tek ky burg me tmerr i shëmbur,
Thuaj-më, vërtet, të lus:
A ka në Gallad balsam?
Thuaj, thuaj-më, të lus!
Thotë Korbi: “Kurrë më”.
Këtë desha të çkoqitja
Po as fjalë nuk i flisja
Korbit që me sy prej prushi
Zëmrën si me zjarr ma mbushi;
Kështu rrinja i trallisur
Pështetur kryet mbi përkresën
Kadifeje të qëndisur
Që e ndritte llamba sipër,
Mbi të cilën ah, e mjera
Do mos pështetet më përsipër
Do mos pështetet kurrë më.
Era u dend përmbi qëllimet
Me temjan nga Serafimet
Që u tingëllin zilet
Posht’ e lart në dysheme.
“Ja, me engjëj, mor i mjerë,
Të çon Zoti këtë herë
Prehje, prehje dhe nepenthë
Të harrosh Lenorën lart.
Pi, gëlltit këtë nepenthë
Dhe harro Lenorën lart!”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”
“Profet, thashë, nëmë-rëndë,
Po profet, qofshë djall a shpëndë!
Për një Qjell dhe Perëndi
Që po lusim un’ e ti,
Thuaj-m’i zëmrës që mban zi
A do shoh n’Eden të shenjtë
Q’i thonë Engjëjtë Lenorë?”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”
“Mbyll-e gojën, dreq a shpëndë!
Ngrihem dhe thërres më këmbë,
Çpru prapë në djall e në shpirt,
Në skëterrë dhe në zall!
Pendë mos me shkund të zezë
Të më rrej’ e të më ndezë;
Mos ler shenjë të gënjeshtrës
Që më the, po shko prej derës!
Nxirrm’a qipin tënd prej zëmrës
Thyej qafën jashtë derës!”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”
Edhe Korb’i zi i humbur
Qëndron edhe i patundur
Mbi të zbetin bust Pallade
Mbi derë t’odës sime.
Edhe sytë i shkëndritin
Si prej djajsh që ëndëritin
Edhe llamba që ndrit sipër
Ja hedh hien përmbi dhe;
Shpirti im nga ajo hie
Që valon atje mbi dhe
Do mos ngrihet – kurrë më.
ANNABEL LEE
Ka shumë e shumë vjet
Në një vend afër në det,
Ish një vajzë që mundni t’a njihni tani
Nënë emërin Annabel Lee;
Dhe kjo vajzë më donte edhe tjetër s’kërkonte
Veç t’a desha sikundër më desh.
Isha i vogël dhe ish e vogël në vjet
N’atë vend afër në det;
Po duheshim më tepër se me dashuri,
Unë dhe im Annabel Lee;
Me një dashuri që dhe Engjëjtë lart në lavdi
Që të dyve na kishin zili.
Andaj, tani e shumë vjet, tek ky vend afër në det,
Fryri veriu nga retë e m’a ngriu
Të bukurën Annabel Lee;
Edhe motrat e saj ëngjëllesha
M’a nëmbyen, m’a mbyllën në varr se e desha,
Dhe kështu më la shëndet
Nga ky vend afër në det.
Ëngjëjtë që s’kishin sa ne dashuri
Që të dyve na mbanin mëri.
Po përandaj, siç e dini vërtet
Te ky vend afër në det
Fryri veriu një natë e m’a ngriu
E m’a vrau tim Annabel Lee.
Dashuria që kishim ish më e fortë se çdo dashuri
S’e ka patur as plak as i ri,
As i marrë as i urtë njeri,
Dhe as Engjëjt e qiellit në erë,
As demonët përposh në skëterrë;
Shpirtin t’im s’mund t’a shqitë nga shpirti
I së bukurës Annabel Lee.
Se të hënë që ndrit, syri im ëndërrit
Për të bukurën Annabel Lee;
Dhe çdo yll që shkëlqen sytë e ëmbël rrëfen
Të së bukurës Annabel Lee;
Nat’ e ditë e shoh, edhe zemrën m’a ngroh
Shoq’ e dashura ime, e mjera jetime.
Përmbi varrin ku deti buçet
I rri pranë mbi varrin në det.
Charles Baudelaire (1821-1867)
ASAJ QË SHKOI
Rreth meje rruga ulërin edhe buçet,
E gjat’ e hollë, sterrë, kujë madhështore,
Një grua shkoi me një fustan të zi për direk
Q’e kolovitte posht’ e lart me salltanet.
Si engjëj, si statuj’ e gjallë vetëtin,
Si e shastisur dhe i çakërdisur unë,
Nga syr’ i saj si qjell që mbrun furtunë
Thëthinja mjaltë që magjeps, dëfrim që grin.
Ja shpejti dhe u err. Moj flutur e farosur,
Që me vështrimin tënd më bëre flak’ e furrë,
S’të shoh më vallë veç në jetën e pasosur?
Ah, gjetkë, tutje, tepër vonë, ndofta kurrë,
Se unë s’di ku ike, ti ku shkon s’e di,
Të desha, mos, e dinje, vetë moj, dhe ti.
Paul Verlaine (1844-1896)
JETIMI
Kam ardhur unë, një jetim,
Zengjin prej syve dhe belave
Në njerëzit e kasabave;
S’ma varrnë, s’më gjetnë qesqin.
Kur isha trim njëzetvjeçar,
U-përvëlova nga sevdatë,
I desha që të gjitha gratë;
S’më deshnë, më lanë beçar.
Pa patur mbret, vatan, a gjak,
Pa patur zëmër që të vrisja,
Në luftë vajta që të vdisja,
Po vdekja s’më përfilli aspak.
Kam ardhur von’ a tepër shpejtë?
Ç’po bëj në botën un’ i mjeri?
O shokë, më mbyti qederi;
Për mua lutuni, o të drejtë.
Fedor Ivanoviç Tjutçeff (1803-1873)
DASHURIA E FUNTME
Ah, kur na ngryset jeta, se ç’na tret
M’e nxehtë dhe m’e mprehtë dashuria!
Shkëndrit, mos dritë, që na le shëndet,
Mos dasm’ e fundme, shkrepëti nga zia.
Nga Lindja gjysm’ e qjellit na u err
Pak vetëm na shkëlqen nga Perëndimi;
Qëndro, qëndro, mos mbrëmë plot me vrer.
Vazhdo, vazhdo, o diell ngazëllimi.
Nga dimr’ i ftohtë gjaku na u mpi,
Po zëmra ndrit me lul’ e me lëndinë;
Mos nus’ e fundme, helm e lumëri,
Ç’ma dogje, ç’ma gëzove pleqërinë!
BIOGRAFIA E PESHKOP NOLIT
Hirësia e Tij Peshkop Fan Stilian Noli lindi më 6 Janar, 1882, në Qytezë, turqisht Ibrik-Tepe, një fshat Shqiptar të Thrakës afër Adrianopojës. Më 1906 ardhi në Amerikë, dhe u vendos në Boston, Mass. Studioi në Harvard University, New England Conservatory of Music, dhe në Boston University, ku mori doktoratën e filozofisë në histori.
Përfaqësoi Shqipërinë pranë Lidhjes së Kombeve në vitet 1920-1924. U bë Ministër i Punëve të Jashtme më 1921, dhe më 1924 Kryeministër i Shqipërisë.
U dorëzua prift më 1908 në New York prej Kryepeshkopit Rus Imzot Platon, dhe Peshkop Mitropolit i Dibrës në Korçë më 1923 prej Hirësive të Tyre, Imzot Kristoforit, Mitropolitit të Beratit, tani Kryepeshkopit të Shqipërisë, edhe Imzot Hierotheut, Mitropolit të Korçës, tani të ritiruar në Malin e Shenjtë. Vepron që më 1930 e këtej si kryetar i Peshkopatës Shqiptare të Amerikës.
Veprimtarinë kombëtare në Amerikë, Peshkop Noli e nisi më 1906 si ndihmës redaktor i gazetës Kombi, të drejtuar prej atdhetarit të shkëlqyer, Z. Sotir Peci nga Dardha. Pas largimit të këtij prej Amerikës, themeloi gazetën “Dielli”, të cilën e drejtoi që më 15 të Shkurtit gjer më 15 të Tetorit 1909; pastaj, për herën e dytë, që më 7 të Tetorit 1910, gjer më 7 të Korrikut 1911; pastaj për herën e tretë, që më 21 të Dhjetorit, 1915, gjer më 6 të Korrikut 1916.
Ka qenë një prej themeltarëve të Vatrës më 1912, dhe shërbeu si kryetar i saj në dy periudha, më 1915-1916 dhe më 1917-1918. Nënë kryesinë e tij Federata Vatra arriti kulmin e lulëzimit me nja pesë mijë anëtarë, dhe luajti një rol historik për shpëtimin e Shqipërisë. Për këtë shërbesë u zgjodh në Dhjetor të motit 1942 kryetar nderi i Vatrës, dhe e mban këtë ofiq gjer më sot.
ALBUMI II
Parathënie
Qëllimi kryesor i këtij albumi – albumi II, i Nolit, është që të mos lemë vjershat e fundme të mësuesit dhe udhëheqësit tonë të myken dhe të kalben në shtyllat e Diellit. Domethënë këtë vepër e quajta për detyrë që të bëj për Nolin atë që bëra për Faik Konitzën, kur mblodha brënda dy kapakësh dorëshkrimet e tij, nënë titullin: Albania: the rock garden of southeastern Europe. Titulli është i njëjtë i Konitzës, me një ndryshim të vogël: Konitza s’ma la mua porosi atë detyrë, po rasti më detyroi që të mos i le shkrimet e tij të çmuara të myken dhe të harrohen.
Në lidhje me Nolin çështja ndryshon. Kur u ndamë me të, më 18 të Nëntorit, 1964, Noli më tha: “Tani mos hajde të më shikosh, se më 20 të këtij muaji (dy ditë më vonë) shkoj të dimëroj në Florida, po të lutem shumë mblidhi të gjitha vjershat që janë botuar në Diellin këto vitet e fundit që t’i botojmë në një copë broshurë kur të kthehem nga Florida në Prill, po sido që të ndodhë, përkujdesu për to.”
E kuptova mirë se ku e kishte fjalën Noli. Si ai dhe unë realizuam faktin e hidhur që Nolit po i numëroheshin ditët.
Kështu pra, kur mora mandatin e Nolit, më 13 të Marsit, 1965, ndonëse isha i sëmurë, më erdhë shpesh ndërmend fjalët e tij të fundme dhe fillova të përgatis vjershat për botim.
Në Korrik, 1965, shkova për një çlodhje të shkurtër në Wells, Maine, një vend shumë i bukur për çlodhje, i cili bashkon detin me borigat madhështore.
Përveç bukurisë natyrale, Wells, Maine, ka një tjetër arësye tërheqëse për mua, se këtu pranë, në U. S. Route 1, ndodhet tregëtia e Zotit dhe Zonjës Sokrat Totoni, Maine Diner, të cilët s’kanë munguar kurrë të na presin me gëzim dhe të na gostitin kurdoherë që na shpinte udha atje, kështu pra, për neve Wells, Maine, është bërë një shtëpi e dytë.
Po ka dhe një tjetër arësye: pranë këtij vendi të bekuar, ndodhet komuniteti Shqiptar Biddeford-Saco, Maine, me këto dy koloni, të cilat i ndan vetëm një lumë, u themelua Dega e Vatrës Nr. 7, më 16 të Qershorit, 1912, me llo Andonë arkëtar. Zyrtarët e tjerë s’rrojnë më, po të gjithë ky shkronjës i parë njohur personalisht.
Posa mësuan shokët e Degës në fjalë që ndodheshim atje pranë, shpejtuan të na bëjnë një vizitë mirëpritëse. Të parët ishin veteranët Niço Vangjel Grabocka dhe Ilo Andoni. Pas tyre mbërritën dhe dy të tjerë, Ismail Mevlani dhe Xhelo Sherif Panarit.
Pas një dy ditësh na bënë një vizitë të dytë Ismail Mevlani dhe Xhelo Panarit. Vizitorët këtë herë na gjetnë në Maine Diner që përmendet më sipër.
Si në vizitën e parë ashtu dhe këtë herë, bisedimi u zhvillua rreth ndodhësve tona fetare dhe kombëtare pas vdekjes së Nolit. Në këtë bisedim bënin pjesë vetëm hosti bujar, Sokrat Totoni, Ismail Mevlani dhe Xhelo Sherif Panarit.
Në këtë bisedë informale u hap çështja e disa vjershave që la pas Noli, botuar në Diellin që më 1961 e gjer më 1963, të cilat natyrisht, s’janë botuar në Albumin e Nolit, dhe po të mos mblidhen brënda dy kapakësh, do të myken në shtyllat e Diellit.
Të tre shokët e pranishëm më nxitën që të mos i lemë xhevahiret e Nolit të kalben, dhe më siguruan se do të ndihmojnë materialisht në shpenzimet e shtypit. Zotimin që më dhanë e mbajtën njëqind për qind, ndonëse shumica e shokëve të këtyre të dy komuniteteve janë pothuaj të retiruar dhe rrojmë me pensionin që marrin nga qeveria.
Mjerisht ndihma e tyre nuk ishte mjaft për të përballuar shpenzimet e shtypit, kështu pra, posa u ktheva në Boston i bëra një vizitë një admiruesi të Nolit, të cilin s’e kisha parë që kur vdiq Noli. Personi në fjalë preferon të mbetet anonim, po pati fisnikërinë të më dhuronte me një shumë bujare. Po as kjo shumë nuk mbaronte dot punë.
Pas pak ditësh takova kryetarin e Vatrës, Zotin Anthony Athanas, dhe pasi i shpjegova çështjen, pa një pa dy, më dorëzoi plotësimin e shpenzimeve të shtypit.
Të gjithë emrat e kontributorëve do të botohen në një fletë të veçantë në fund të librit, po ndihmat, meqënëse janë për një vepër memoriale, nuk do të shënohen, se është kundër etikës të publikohen ndihma të tilla. Po i sigurojmë të gjithë kontributorët se shuma totale mezi mbulon shpenzimet e shtypit dhe autori nuk pasurohet. Ndërkohë i falënderojmë të gjithë ndihmëtarët për sakrificat e tyre, të cilat bënë të mundur botimin e librit.
Gjatë jetës së tij letrare Noli ka pas përdorur të paktën një pesë pseudonime. Pseudonimin e parë, Theofan Mavromati, më duket e përdori kur përktheu Gërqisht librin e Sami Frashërit: Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet. Këtë vepër Noli e përktheu në Egjypt dhe u botua me shpenzimet e Thanas Tashkos dhe Jani Vruhos. Pseudonimet e tjera që ka përdorur Noli nga koha në kohë janë: Ali Baba Qyteza, Rushit Bilbil Granshi, Bajram Domosdova dhe Namik Namazi që figuron në vjershat që botohen në këtë vëllim.
Në konkluzion vlen të shtohet që Noli është i vetmi Shqiptar n’Amerikë që figuron në Webster’s Biographical Dictionary.
Boston
Gusht 1, 1966
Qerim Panarit
Victor Hugo (1802-1885)
(Les Contemplations, Libër i Katërt, XIV)
LULE MI VARR
Mesnatë, nesër kur të zbardhet frush’ e shkretë,
Do nisem. Se më pret, e di që jam vonuar;
Do shkoj nga pylli dhe mali i përpjetë;
Më tepër s’mund të pres larg teje i mërguar,
Tani që shkova nga Parisi i vështirë.
Mermer, tavane, truall, mjegull nukë shoh,
Tani jam nënë lisa, nënë degë të shtrirë,
Dhe bukuria e qiejve mëndjen po m’a ngroh.
Do të varem me sytë në kujtimet kridhur
Pa parë asgjë, pa ndjerë asnjë shamatë;
I vetëm, i panjohur, krusur, duar-lidhur,
Vrerosur, edhe dita do më bëhet natë.
Tani nga zia që më çthuri si gërmadhë
I zbehtë i gjallë dal,
Më hyn në zemër paqja e natyrës madhe
Dhe qetësi më fal.
S’kam për të parë as perëndimin ar’ e zjarr
As lundrat me pëlhura tutje në luginë,
Dhe kur të arrij, më gjunjë do të vë mbi varr
Një tufë lule besilok e trëndëlinë.
Tani me valat det’ i gjerë më gostit,
Më prek i qeti, madhështor horizont;
Tani të thellat të vërteta po nxojnë,
Dhe lulet e lëndinës syri m’i gëzon.
“Dielli”, 11 janar 1961
Vjershëtori e shkroi më 1847, katër vjet pasi e bija 18 vjeçare u mbyt tok me të shoqin 26 vjeçar në lumin Sienë në një aksident.
E përktheu nga Frëngjishtja Namik Namazi.
VAJTIM PËR BIJËN
Tani, o Perëndi, po gjej fuqinë sterrë
Të shoh me syt’ e zinj
Të shkretin gur nënë të cilin vajz’ e mjerë
Fle gjumin pa mëngjes.
Nga pamjet perëndore mëndja m’u ndriçua,
Nga fushat, pyjet, brigjet, lumi i kulluar,
Shoh vogëlsinë time dhe çudit’ e tua,
Mbledh mëndjen, e di që je i math i pambaruar.
O Zot, përherë na rrethon me shkretinë
Me pranga dhe me fre;
S’ke dashur kurrë të na japësh sigurinë
Dhe gazin përmbi dhe.
Ja ku të vij, o Atë që besoj, o Zot,
Të sjell përunjësisht
Zëmrën që m’a ke mbushur me lavdi, dhe sot
M’a theve plotësisht.
Ja ku të vij, o Zot, dhe proklamoj që je
I mir’ i ëmbël’ i shëmpshur,
Perëndi i jetës, i vetëm që di se ç’bën edhe përse.
Njeriu është kallam i shëmbur i kënetës.
Sa shohim një të mirë, fati na e tret,
S’na dha asgjë në jetën rrot’ e rrotull
Që të qëndrojë dhe të themi, mor aman:
Kam një shtëpi, një arë, dhe një dashuri.
Çdo gjë e shohim për një çast të kufizuar
Dhe plakemi pa shtek;
Kështu na qenka, ashtu ka për të vazhduar.
I ranoj edhe s’e prek.
Të them që varri, kur të vdekurit mbulon,
Portën e qiejve hap,
Që jeta jonë tatëpjetë kur mbaron
Përpjetë nis me vrap.
Kjo botë, o Zot, kjo harmoni e pandryshuar
Përbëhet me vajtime edhe me kremtime;
Bërthama jemi në tufan të pambaruar,
Të mirët hipin, dhe të liqtë zhyten në mundime.
Je i pasosur, absolut, dhe i vërtetë
Ti vetëm, At i lartë e pranoj mbi gju;
Pranoj që është e mirë, është e drejtë
Që zemra m’u përgjak, se Zoti e deshi ashtu.
E di, o Zot, ke punë shumë, dhe s’ke ngë
Për ne të bëhesh vrer;
Për nënën vdekj’ e foshnjës djek si një rrufe,
Po ty s’të bën qeder.
Më s’kundërshtoj për asnjë gjë që po më ther,
Se ashtu deshe Ti;
Shpirti nga zi në zi, edhe nga vrer në vrer
Shkon në përjetësi.
E di që pema bie kur i fryn një erë,
Zogut i bie penda, lulja shkund aromën;
Krijesa është rrot’ e madhe si poterë,
Dhe sillet rrotull dule shtypur udhës llomën.
S’po shohim kurr’ asgjë përveçse nga një anë,
Tjetrën anë mbytet në mister e në furtunë;
Njeriu vuan nën zgjedh’ e s’e di shkaknë,
Çdo gjë i fluturon, asgjë s’i hyn në punë.
Se ditët, muajt, valat, sytë që vajtojnë
Kalojnë pa pushim,
Se bari do të mbinjë, foshnjat do të rriten,
Edhe, o Zoti im.
Në qiejt tënd përsipër reve të vështira,
Në kaltësirën e patundur madhështore
Po mbrun e po gatit kush e di ç’mirësira
Ku hyn si pjes’ e duhur dhëmbja njerëzore.
Me zëmrën të plagosur kaqë rënd’ u drodha
Të nëma me furi
Si foshnjë, edhe kundër teje ndofta hodha
Një gur në det të zi.
Për planet e panumërta që po përmban
Të duhet pa dyshim
Të mbytën bukurit’ e dheut në tufan,
Në zi, dhe në mjerim.
Kanunet që hartojnë fatin njerëzor
Nukë tronditen, nukë zbuten asnjë herë,
Se s’mund, o Zot, t’a çthuresh rendin botëror
I shtyrë nga mëshira për njerin’ e mjerë.
Kujto, o Zot, njeriu po dyshon kur vuan,
Se syri që po qan verbohet n’errësirë
Se në budrum ku është nukë çon,
S’të sheh, e s’të përfill, e s’të kërkon mëshirë.
Njeriu që fundoset thellë në greminë
Në pis’ e në katran,
Nuk është e mundur të gëzojë qetësinë
Të yjeve në mejdan.
O Zot i math, të lutem, hidh një sy mbi mua,
Shëroje shpirtin tim;
I ëmbël, i përunjur posi foshnj’ e grua
Të vij me adhurim.
Sot unë, që si nënë isha i dobësuar,
Në këmbë të përunjem nënë qiej të lirë,
Nga hidhërim’ i egër ndenjë që jam ndriçuar
Duke shikuar gjithësinë ca më mirë.
Kujto, o Zot, që kam punuar që në krye,
Që jam përpjekur, jam menduar, kam lëftuar,
Natyrën kam shpjeguar plot në arësye,
çdo gjë me kthjellësinë tënde kam ndriçuar.
O Zot, e di që jam i çmëndur pa kufi
Kur murmurit e shaj;
Pra hesht, s’mallkoj, e s’akuzoj, po nem liri
Të qaj e të qaj.
Detyrën time e mbarova besërisht
Përballa zëmërim,
Pra nuk prisja me të drejt’ e natyrshëm
Nga ty këtë çpërblim.
Më ler më kuj’ e lot, me vaj e vrer të ngrysem
Posa njerin’ e bëre për litar e hu;
Mbi këtë gur të ftohtë ler-më të përmbysem
Dhe të pyes: Moj bijë, a e di që jam këtu?
Nga e parëshikonja kurrë që dhe ti
Me krahun tënd të më goditje mund mbi kokë
Dhe mua që kam patur rrallë prokopi
Të m’a varrosje bijën kaqë shpejt në tokë.
Më ler t’i ulem mbrëmane mbi varr t’i flas
Kur bota rreth pushon,
Se ndofta engjëlli në qiej, kur të bëj gas,
Çel sytë, e më dëgjon.
Ajme, për kohën e kaluar kam zili;
Tani asgjë në botë ngushëllim s’më sjell;
Përherë atë çast me sy e shoh tani
Kur hapi krahët edhe fluturoi në qiej.
Vazhdoj me vjet si i vetmi gëzim
Që munda t’ëndërroj;
Tani, o Zoti madh, kupton se ç’hidhërim
Po ndjenj që s’e shikoj.
Nuk e harroj gjer sa të vdes çastin e zi;
Ç’të qava, o çast, më kot!
Bërtita: o Zot, qëparthi e kisha, dhe tani
S’e kam! dhe qava me lot.
Zot, mos u-zëmëro që sillem si i egër;
Kjo plagë pikon gjak, dhe s’ka asnjë shërim;
Sa vete helmi ashpërohet ca më tepër;
Jam i përunjur, po s’kam më aspak durim.
Zot, mos u-zëmëro, faqen m’a dhe për hall,
Syrin m’a dhe për lot.
Po forcë dhe takat s’më dhe që t’i përball
Zullumet botë e botë.
Shiko, fëmijët po na duhen pa dyshim,
O Zot; se fati na përmbytë, n’errësirë,
Na thuri me andralla, helm e hidhërim,
Po një mëngjes na zbardh me hir edhe mëshirë.
Një foshnjë lind, një kok’ e dashur dhe e shtrenjtë,
E vogël, gaz përhap,
E bukur sa beson që dor’ e saj e shtrenjtë
Portën e qiejve hap.
E pashë lulen që Imzot në kopsht më mbolli,
U rrit me hir, me ëmbëlsi, dhe kthjellësi,
E dashura nga nata në mëngjes na solli,
Na ndriti si një diell zemër dhe shtëpi.
Shkruar më 1844 dhe titulluar në origjinal “A Villequier”, ku ishte varrosur së bashku me të shoqin e bija e vjershëtorit pas aksidentit në lumin Sienë.
E përktheu nga Frëngjishtja Namik Namazi.
WATERLOO
(I dedikohet Faik Konitzës)
U bë një furrë ku metalet shkriheshin,
Gremisë ku taboret posi mure gurë
Po binin shtroheshin posi kallinj të arirë
Me daulle të gjat’ e kokëpendë
Të shëmbur, të plagosur thell’ e rëndë.
Tmerr, kasaphan’ e lebeti. Ushtari e dinte
Që nëpër duart e bëteja vaj-shkrinte.
Waterloo, Waterloo, Waterloo, fushë e shuar,
Si valë që po zien në shtëmbën e rashuar,
Në këto pyje, brigje, dhe lugina horre
Vërviti vdekja veteran’ edhe tabore:
Nga njëra an’ Evropa, Franca tej m’at’ anë,
Në gjak u mbytën! Frëngtë u nxinë si katranë;
Vitorja e kapitur i braktisi, ajme!
Moj Waterloo, po qaj çirem pa çare:
Këta ushtarë të bëtejës fundme çenë
Të dorës së parë: Kishin mundur tërë dhenë;
Përmbysën njëzët mbretër; shkuan Alpet, Rinin;
Dhe shpirtet me trumbeta trunxhi u blegërinin.
Po ngrysej; ndeshja isht’ e zjarrtë, burrat koren;
Kishte ofensivën, mend fitoj vitorën:
Mbërthyer përmbi pyllin Wellington’ e mbante;
Me një dylbi në dorë herë sehit bënte
Bëtejën mund në mest, përleshjen e vështirë,
Përfytyrën njerëzore, bubë edhe trazirë,
Dhe befas tha me gaz. “Grouchy-u!” Ishte Blucher-i,
U hodh m’at’ anë shpresa, ndeshja frymë ndroi.
Përleshja u përhap, si flakë përvëloi,
Se batareja Inglize trumbat na i dërmonte,
Bajraku ynë i çjerur n’erën drithëronte,
Dhe fushat ku të vrarët përpëliteshin
Prapa një bregu Gard’ e Mbretit ishte mbledhur;
Tani e fundmja shpresë Garda kishte mbetur.
Dhe komandari tha: “Tani lëshoni Gardën!”
Lloçnar’ e grenadinj të mbathur me ovgjalën,
Dragonj që Roma i merrte për legjionarë,
Topçinj që zbrazin vetëtima, dhe shqytarë
Me një helm që ndrit a me kallpak të zi
Trimat që u çquan në Friedland, në Rivoli,
Kuptuan që tani do vdisnin në mejdan,
I thirrën difit, të përpjetë në tufan,
Si më një goj’ e më një klithmë: “Roftë Mbreti!”
Pastaj ngadalë, të patrëmbur nga tërmeti,
Të qetë dhe me gaz përballin topin hasmë
Dhe me muzikën Gard’ e Mbretit hyn në dasmë.
Ajme! Napoleoni Gardës iu drejtua
Dhe i shikoi që dolën në shesh radhuar
Në zjarr edhe në squfur që çfryn top’ i lig,
Njërin pas tjetrit pa taboret shkëmb çeliku
Të treten si qiri në flak’ edhe në furrë.
Me armë shkuan kryelartë dhe stoikë,
Asnjë s’u praps. Ju lumtë, trima heroikë!
Pasardhësit, s’kuxonin të cenin përmbi ta,
E panë Gardën që u çduk. Atëherë pra,
Dishfata llahtarisur dhe fytyrëshur,
E zbehtë e ngriti zërin befas dëshpëruar,
Na i çkallmoi taboret, na i handakosi,
Bajraket na i çori dhe na i rreckosi.
Si një fandazmë tymi dhe si një stuhi
U ngrit, u tur, mbi çdo tabor dhe ushtëri;
Dishfata del përpara çdo ushtari e batalioni,
Bërtet krahë-përdredhur: “Ikni dhe shpëtoni!”
Pra, iknë të shpëtonin. Turp e tmerr! Të gjithë
Bërtisnin; nëpër fushë të xhindosur krisnë
Sikur një erë fryri edhe i marrosi,
Në araba dhe në kazane i kruspullosi,
U futnë nëpër thekrat, pronjtë, dhe bataket,
I hodhën teshat tej, dyfëqet dhe bajraket,
Përpara shpatës së dushmanti Prusian,
Dhe veteranët qajn’ e ikin mor aman.
Si kasht’ e djegur, humbën n’erë në një çast
Ky nam i tërë botës, ky Asqer i Math.
Kjo fushë ku po ëndërrojmë sot, ajme,
Pa q’ikën ata që bënë botën t’ikte dje!
Kaluan vjet, dhe kjo tok’ e neveritur,
kjo Waterloo, ky shesh i mbytur i dremitur,
Ky Ferr ku Fati mbledhi tok sa hiç-katranë
Na dridhet se i pa kur iknë ata viganë.
“Dielli”, 7 Gusht, 1963
SULLTANI DHE KABINETI
Shokë, sot karu panair,
Shokë, bëmëni sehir;
Sillni kupat e gostisë,
Sillni shishet e rakisë!
Kup’ e parë, jam Aga,
Kup’ e dytë, janë Pasha,
Kup’ e tretë, çpall ferman,
Ngjesh një pajë e jam Sulltan.
Jam imami e jam dovleti,
Padishahu e Muhameti,
Jam Xhenemi e jam Xheneti,
Kijameti e selameti.
Jam xhamia e jam namazi,
Jam zinxhiri e jam kafazi,
Jam budrumi e jam zullumi,
Kush ngre kokën e mërzitet.
Kush do ligj’ e republikë
Me status e me llogjikë
E ka pisk, dhe ngordh si horr
Në konop si tradhëtor.
Jua nisa historinë
Dhe ju solla prokopinë;
Lë pas meje dinasti
Për vazhdim dhe për lavdi.
Këtë urdhër çpalle me vrap:
Libër, ti laik, mos hap;
M’Ungjillin dhe Kuranin
Merret Prifti me Imamin.
Nukë pata parë-ardhës,
Po ju le një bir pasardhës
Gjyrrën time të pasonjë
Dhe vatanin t’a sundonjë.
Me këta të dy pastaj
E ujdis Dervish Pashai;
Papazllarë e hoxhallarë
Janë vllezër të panërrë.
Shkruaj ti, o Bash-Qatip,
Shkruaj mpreht’ e me tertip,
Lidh-i llomatit e mia
Shkrep-i nesër tek xhamia.
O Kalam, kaur beki,
Ty të bëra bash-Myfti;
Çpall: Rakija është e lirë
Për Myslimë e për Qafirë.
Ty, Abdull-Jezid Sersem,
Ty të bëra Sadrazem;
Nxir nga burgu çdo rezil,
Çdo kusar dhe çdo katil.
O Turgut, o Turk i lig,
Ty të bëra Bash-Pat-ik;
Çpall: Kauri s’merr dot grua,
Se prej Krishtit u ndalua.
Ty, Abdul-Xhahil Nefec,
Ty të bëra Serasder;
Bjeri armiqve, shuaji,
Thyeji dhe bluaji.
Grat’ i marrin kapedanët,
Pashallarët dhe Sultanët;
Dhe kështu bashkohën fetë
Në këtë dhe n’atë jetë.
Ti, Halim që s’di këndim,
Je vezir për arësim;
Mbyll-i shkollat, se na nxinë
Me kalemn’ e tradhëtisë.
Leri hapur medresetë,
Seminaret dhe teqetë,
Po me gjuhët Arabishte,
Hebraishte dhe Gërqishte.
Kështu thotë Ungjill’ i Shenjtë
Për të gjithë të mëdhenjtë:
I ka bërë Perëndia
Të na zërë llatharia.
Ti, Selim, Vezir Kusr,
Ruaj arkën me hanxhar;
Sillm’a plot me çdo çare,
Merr dhe ti ndonjë meze.
Çelo, hudhër tarator,
Ty të bëra Ambasador;
Qorr Maliq, o martalloz,
Ty të bëra konçolloz.
Bëj-më dollma me japrak,
Bëj-më kos e kaçamak;
Pimë mish e pastërma,
Kavurma dhe kapama.
Ty, Haxhi Domuz evlat,
Ty të bëj Vezir Xhelat;
Lith litar, dhe mpreh sëpatë,
Varri e ther, po pa shamatë.
Bëj-më imam-bajildi,
Kukurec edhe janji;
Mbush një torbë kashkavall
Dhe m’a lith në kapistall.
Vraji, preji kundrështarët,
Si të fundmët dhe të parët,
Se m’a prishën qetësinë,
M’a çkallmuan mbretërinë.
Bëj-më hallv’ e bakllava,
Kadaif e dondurma,
Hyshnjeri, muhalebi,
Teleme dhe revani.
Të pabesët me sevap
Piq-i paq si shishqebab,
Të paudhët me usull
Ziej-i, bëj-i si qull.
Bëj simit’ e bëj kulaç
Bëj lakror e bëj sytliç,
Petulla për çdo mëngjez
Plot me mjaltë e me pekmez.
Ty, onbaş, të bëj bimbaş
Shpejt e shpejt, o dinkafdaş;
Ty hajdut, të bëj policë,
Vitha pa frik’ e me shumicë.
Bëj llokum e bëj hoshaf,
Mos çaj kokën për mastraf;
Këtë pun’ e ka Hajdari,
Hesapçiu e taksildari.
Ty, Mazllum, o arkadaş
Ty të bëra Akçi-Baş;
Ziej çorbë dhe tërhanë
Me tenxhere e me kazan.
Bëj bollgur e bëj pilaf,
Bostantavë, orman-qebap;
Bëj-më qoftë dhe çomlek,
Paçe e shqembe edhe byrek.
Mos harro, jam trim dhe ha
Sa një buall dhe një ka;
Pastaj sill-më tri kafe
Dhe dy shishe nargjile.
Si të ha, bëj temena,
Ngri-më një maskara,
Më vendos mbi një sofat
Urt’ e but’ e me rehat.
Gjellët siç i kam gëlltitur
Leri, s’duhen kolovitur;
Ndryshe krisa si rrufe
Që nga qiejt gjer mbi dhe.
Ty të çqepi tirania,
Mua hamja dhe rakia;
Që të gjitha, o Perëndi
Na i bënë me urtësi.
Kur të shtrihem, nga çdo anë
Vër-më nga një shishe pranë,
Vër-më kupa dhe meze,
Ndryshe gjumi, or vlla, s’më zë.
Dhëmp na dhe, tërbohemi,
Çkul-e, qetësohemi;
Mend na dhe, çpikim barut,
Dhe ia shkrepim në tabut.
Posa të lëshoj shkëndija,
Rendni, zjarr m’u ndes rakia!
Vala ujë shtirëmëni
Dhe nga furra nxivërmëni.
Na dhe shpatë dhe kërbaç,
Tani gje-na një ilaç;
Se me luftë pritemi,
Digjemi dhe vritemi.
Ty, or Hajrullah Sevda,
Ty të bëj Këzllar-Aga;
Ti haremin m’a përmbush
Plot me çupa sheg’ e rush.
Na dhe brirë mbretërorë,
Na stolise me kurorë,
Na lëshove nëpër dhëmbë
Dhe na fluturuan mendët.
Sill-më lule dhe burbyqe
Qimezeza, qimekuqe,
Ca të vogla, ca të gjata,
Ca të kolme, ca të thata.
Sill-më, o xhan, dhe nja dy çupa,
Sill-më, o xhan, dhe nja tri çupa;
Eni, çupa, hidhuni,
Shkunduni, përdridhuni.
Xhan, mos u-çudit me mua,
Që të gjitha nuk i dua;
Që të gjitha do t’i mbledh,
Njëzë vetëm do të zgjedh.
Atë njëzë, or vlla hadëm,
Ty t’a dhashë për hanëm,
Ty t’a fala si dhuratë,
Sehir bëj-e dit’e natë.
Eni, zëmrën ngrohmëni,
Eni, mëndjen rrokmani.
Zot, nga hyqi s’heqim dorë
Mos bëj dashur me këmborë.
“Dielli”, 5 Korrik, 1961
E përktheu nga Persishtja Namik Namazi më 17 të Janarit 1961, dhe e plotësoi sipas një dorëshkrimi që u zbulua në bibliotekën e Gollomboçit.
NË MUNÇ (IF)
Në mung të kesh një zemër, trup e kokë
Që të shërbejnë sa të bëhen trokë
Dhe të vazhdoj i djegur shkrumb në furrë,
Dhe të thërret vullneti: “Mbau, or burrë!”
Në mung të mbash në kokë terezinë
Kur shokët çmenden dhe fajtor të nxijnë;
Në mung të kesh besim, kur të dyshon
Kushdo, dhe s’ka njeri që të beson;
Në mung të presësh, dhe pritjen s’e kursen,
Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen.
Në të urrefshin, ti s’i çan me brirë,
Dhe s’hiqesh as më i mençur as më i mirë.
Në mung të zbresësh në tum’ e të mbash rzetin,
Të hash me mbretin, e të pish me njerin:
Në mos të ngaftë do as mik as hasmë,
N’i daç të gjithë, po asnjë për dasmë:
Në mung për çdo minutë të përpjetë
Të rendësh tamam sekunda gjashtëdhjetë;
Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,
Dhe ca më mirë, qenke trim, o bir!
Në mung të çndërrosh e të mendosh,
Dhe nga këto më mos u robërosh;
Në mung të presësh Triumfin dhe Hatanë,
Dhe t’i shkelmosh të dy si kallpazanë;
Në mung të mbahesh, kur një dreq ta dredh
Të drejtën dhe në lak sylesh heth,
Kur sheh kalan’ e jetës të rëzuar
Dhe prap’ e ngre me veglën e çkallmuar;
Në mung të vësh mbi grumbull çdo thesar,
Edhe t’i loç të gjitha me një zar,
T’i humpç edhe të nisesh përsëri
Pa thën’ asgjë për këtë batërdi;
E përktheu nga Anglishtja Namik Namazi më 23 Tetor, 1961
Rudyard Kipling (1865-1936)
“Dielli”, 1 Nëntor, 1961
DASHURIA E FSHEHTË
Në shpirt kam një sekret, në jetë një mister,
Një dashuri pa funt, të kapur në një vrap.
E keqja s’ka derman, pra sheshit nuk e nxjerr,
Dhe ajo që e shkaktoi s’e mori vesh aspak.
SAGA E SERMAJESË
Jam kusar e jam beqar
Dua grua pa zarar.
S’kam para dhe s’gjej para t’a ble,
Puna duhet bërë me hile.
Ajme, kalova pran’ asaj i pashikuar,
Përherë afër saj, po i vetëm gjithënjë,
Dhe jetën përmbi dhenë e kam mbaruar
Asgjë pa lypur fare, edhe pa marrë asgjë.
Dal në breg, bërtas në tym katshi:
“Eja pa! këtej, or çelebi!”
Erdhi, i tregova meselejnë:
“Vem’ e dhe rrëmbejmë Semajenë!”
E ëmbël e dashur, Zoti siç e ka krijuar,
Vazhdon udhën e saj pa ndjerë e pa dëgjuar
Sevdanë e murmuritur çap për çap kudo.
Më dëgjoi, më pa në sy,
M’u përgjegj pa një pa dy:
“Posa çashke dasmë, jam gati,
Sill-na snishen me raki!”
Pimë, hërgërmë e u ngjeshëm
Dhe punës u përveshëm.
Unë i hipa kalit,
Dhe ai gomarit;
Kapedan gomarit, kali kapedan.
E lidhur pas detyrës saj të patronditur
Kur të këndojë këtë vjershë e çuditur
Pyet se ç’grua qe, dhe s’di të qe ish vetë ajo!
Emrin unë kam Orhan
Dhe ai ka Turhan.
Unë dhëntë me kurorë;
Ai kumtë me këmborë,
Nus’ e bardhë si dëborë,
Në behar pakëz e zeshkë,
Rumbullake porsi breshkë.
Emrin e ka Sha-Name
Dhe llagapin Sermaje.
Ia vuri syrin Orhani,
U-çudit i tër’ Irani;
Kurdistani dhe Afganistani,
Turkestani edhe Hindustani.
“Orhan Be më paç, më qafë,
Mos m’a thuaj atë fjalë,
E di mirë këtë arë;
Kjo ësht’ ar’ e Qor-Hasanit,
E hajdutit, kapadanit,
Që të vret, dhe del i larë,
Se s’ka sy, dhe s’të ka parë.”
I mban sytë mbyllur, dhe s’të sheh,
Dhe pastaj, or vlla Orhan,
Njerin sy e hap, dhe merr nishan,
Dhe ja shkrep, e të vret, e s’ke derman.
Kur u nisëm,
Qe një krismë,
Qe një drithmë!
Kur u nisëm u tund dynjaja,
Dhe u err, u nxi havaja.
Ja kështu Moska u drodh,
Napoloni kur iu hodh;
Dhe kështu u mbrojt Stalin,
Kur iu sul Hito Katili
Dhe Benito Mussolini.
De or de, moj mesele,
Ruaju, moj Sermaje,
Sermajeja nukë çante kokën:
Po gërvishte dhe prashitte tokën.
Kruan kokën trim Turhani,
Se iu trubullua xhani,
Dhe pyet; “Më thuaj, Orhan Be,
Nusen e bukur ku m’a ke?”
Thotë Orhani: “Ja, atje,
Prapa drizave dhe misrave!”
Syt’ i hapën kur qëllon,
Dhe njeri nuk i shpëton.
Ler-e dasmën, hajde shkojmë,
Ikim shpejt, dhe shpëtojmë!
Thotë Orhani: “s’ më vret dot askush,
Jam i vrarë edhe i djegur prush!”
Atje ishin, atje mbetën,
E kërkuan dhe e gjetnë;
Sermajeja pret përpara,
Qor-Hasani të vret prapa.
Si babai edhe e bija;
Ja, mor, dashuria, lebetia!
Dhe kështu, mor u martuan
Dhe për jet’ u trashëguan.
Dhe e vjedh ajo, s’e vjedh ai
Po ashtu e dashnë që të dy.
Mor kusar, mor budalla,
Kur të vjedhësh, vith para.
Leri çupat mos i nga,
Mos i merr as badjava,
Se të kap sevdaja,
Dhe të mbyt belaja,
De or de, moj mesele,
Rofsh e qofsh, moj Sermaje!
“Dielli”, 27 Mars 1963
E përktheu nga Persishtja Namik Namazi, Isfahan, Shkurt 11, 1963.
Johann Wolfgang Von Goethe (1749-1832)
1. QETËSIA
Përmbi çdo majë mali
Ka qetësi:
Mbi asnjë majë mali
Asgjë s’lëviz, as pipëtin;
Në pyllin zogjtë e vegjël po pushojnë:
Prit pak, se shpejt a vonë
Gjen qetësi dhe ti.
2. VIJA (The Brook)
Moj vij’ e kthjellt’ e kjartë ergjënd,
Ngaherë rend nga vënd në vënd
Në breg qëndroj dhe po me të një:
“Nga po më vjen, ku po më shkon?”
“Vij prej një burgu shkëmp greminë
Rjedh nëpër lule dhe lëndinë,
Qjellin e kaltër bukuri
E pasqyroj me dashuri.”
3. KËNGA E NATËS
Që nga jastëku i butë i qëndisur
Dëgjo-me pak. kur ëndërtoj
Kur los violinën e zhuritur
Fli! Tjetër gjë, mor xhan, ç ‘kërkon?
Kur los violinën e zhuritur,
Tabor’ i yjve m’a bekon
Çdo ndjenjë lart nga qiejt e zhuritur
Fli! Tjetër gjë, mor xhan ç ‘kërkon?
Çdo ndjenjë lart nga qiejt zbritur
Më ngre përpjet’ e më shpëton
Nga zhurm’ e dheut e mërzitur
Fli! Tjetër gjë, mor xhan, ç ‘kërkon?
Nga zhurm’ e dheut e mërzitur
Më shqit edhe më lundëron,
Më fal mëngjesin e alladitur,
Fli! Tjetër gjë, mor xhan, ç ‘kërkon?
Më fal mëngjesin e alladitur.
Për gjumë n’ëndërr më dëgjoj
Ah, nga jastëku i butë i qëndisur
Fli! Tjetër gjë, mor xhan, ç ‘kërkon?
4. I PERËNDISHMI
Vetën njeriu ka në dorë
Të bëjë të pamundurën;
E ndan të bardhën nga e zeza.
Zgjedh e gëzon;
Di dhe zgëron.
Çastin e vogël e madhon.
Vetëm aty ka zotësi
Të mirin ta shpërblejë.
Të ligu ta dënojë:
Të shëroj’ e të shpëtojë.
Të bashkojë për shërbim
Të lajthiturit e t’arratisurit.
Kështu pra, i nderojmë
Ata që janë të pavdekur
Sikur të ishin njerëz,
Sikur të kenë bërë madhërisht
Atë që më i miri vogëlisht
Ka bërë e ka dëshëruar.
Burri bujar duhet të jetë
Gati për ndihmë dhe i mirë;
Duhet të jetë i palëkundur
Për shërbim e për të drejtë;
Duhet të jetë një pasqyrë
E Shpëtimtarit që po ëndërrojmë.
“Dielli”, 12 Qershor, 1963
I përkthyer nga katër nga Gjermanishtja Namik Namazi 27-30.5.1963
Heinrich Heine (1797-1856)
GRENADIRËT E NAPOLEONT
Për Franc’ u nisën të dy grenadirët;
Na ishin zënë robër në Rusi
Dhe në kufi të Gjermanisë kur arrinë
Kokën e varrnë e zunë vaj e zi.
Dëgjuan lajmin q’u pikoi në xhan
Që Franca ishte e humbur plotërisht,
Që Asqer’ i Math ishte mundur mor aman,
Dhe Mbreti o Mbreti na u zu jesir.
Atëherë qanë hidhur grenadirët
Kur muarë mandate për vajtim;
Dhe njëri tha: “Ajme, zëmra më çirret,
Më ther një plagë e vjetër pa shërim!”
Dhe tjetri tha: “Havazi mori funt!
Një lloj të vdes me ty dhe unë dua,
Po kam foshnjë e grua në katund
Dhe do të mbeten udhëve pa mua.”
“O mall s’të kam për foshnj’ e grua plakë,
Kam një dëshirë më të lartë, or bir;
Ngordhtë e gjithë ruga liparakë,
Kur Mbreti o Mbreti na u zu jesir.
“Këtë dëshirë m’a mbaro, or vlla,
Nëqoftëse tani të lë shëndet:
Trupin m’a shpjerë në Francë, në vatan,
Në Francë më mbulo me salltanet,
“Kryqin kordhellë-kuq, nishanin tim,
M’a varr, të lutem, përmbi zëmrën time,
Dhe në të djathtën time dyfekun tim,
Edhe në brezin ngjish-më shpatën time.
“Kështu pra, do të shtrihem, do të pres
Në varr si në kaushin gardian
Gjer ditën kur topi gjëmon, kërcet,
Dhe kali hingëllin mbi çdo dushman.
“Atëherë Mbreti më kalon mbi varr,
Këllëçët vetëtijnë edhe kërcasin;
Dhe unë i armatosur dal nga varri
Dhe Mbretin o Mbretin për të mbrojtur mos m’angasin.”
“Dielli”, 19 Qershor, 1963
Charles Pierre Baudelaire (1821-1867)
KAPAKU I TENXHERES
Kudo që vete nëpër tok’ e nëpër det,
Ku klima ngroh, e dielli të ngrin mynxyrë,
Dishepull i Jezusit, a derr pa selamet,
Lipës i humbur, a miliunar i fryrë.
Fshatar a qytetar, i çkafët, a tembel,
Me trurin që lëvrin, a që gërret e fle.
Njeriu, lëmsh prej një mysteri teveqel,
Më kot përpjetë i drithëruar syt, i ngre.
Dhe qiejt si kube qëndron prej shpelle gufe,
Tavan i ndritur prej një operaje bufe
Kuçdo xhambaz mbi pëlhurë prej gjaku po kërcen.
Përmbi këtë tenxhere të mbyllur, të mpiksur,
Përdridhet njeriu i mjerë, i vogël, i rrasur,
Me sy shkëlqim të zbehtë nëpër vrimë të madhe.
“Dielli”, 3 Korrik, 1963
Përktheu nga Frëngjishtja Namik Namazi më 6/10/1963.
Leib Neidus (1890-1918)
E DUA PYLLIN
E dua pyllin e përpjetë
Që arrin në qiej ku dielli ndrit:
Ah jo, jo pyllin, po patekën
Që përmes pyllit më shtetit.
Dua patekën që ka vetëm
Ca lule të egra dhe ca gjemba;
Jo, jo patekën, po shtëpinë e shkretë
Ku shpie kjo pateke brenda.
Dua shtëpinë e gjelbëruar
Në mes të pyllit si kuvli;
Jo, jo shtëpinë, dua zogën,
Një vajzë q’atje brënda rri.
“Dielli”, 26 Qershor, 1963
E përktheu nga Jiddishtja Namik Namazi më 5/28/1963.
William Knox (1789-1825)
KOTËSIA NJERËZORE
Shkëndij’ e syrit edhe frym’ e jetës,
Lul’ e shëndetit, edhe shkrumb’ i vdekjes,
Rëzohen në savan nga kulg’ i artë:
Pra, qysh njeriu është kryelartë?
“Dielli”, 14 Gusht, 1963
Përse njeriu është kryelartë?
Si re e shpejtë, meteor i zjartë,
Si dritë vetëtimë, si valë na vëngon,
Nga jeta në pushim, në varr kalon.
Nga dushku dhe nga shelgu bie çdo fletë,
Përndahen rrotull, shtrihen tatëpjetë,
Të vogla, të mëdha, të ra, të thata
Përmbysen tok dhe hidhen në gërmadha.
Kurora e një kokë mbretërore
Me mitrën dhe krabën priftërore,
I dituri dhe i urti zemërmadh
Mbërthehen në qivur, zbresin në varr:
Çdo shpresë, dëshpërimi, helmi gazi
Çkalimohen nga tufani dhe përpjazi,
Çdo lot e buzëqeshje, vaj e valle
Dërmohen porsi vala nëpër zalle.
Chidiock Tichborne (1558-1586)
NË VENGJILLËN E VDEKJES
Lul’ e rinisë m’u bë pellk merakesh,
E kremt’ e gazit m’u bë vurk mëkatesh,
Gruri që koura dolli ergj’ e therne,
E tër’ e mira ime dolli shpres’ e vreme.
Ditë më shkoi, dhe diellin s’ e pushë.
Tani po rroj, tani jetën e lashë.
Halli m’u duk, po unë nuk e çfaqa,
Penda më ra, po fleta s’m’është tharë.
Rininë e kam mbaruar, po s’u plaka,
E pashë botën, bota s’më ka parë.
Peri m’u pre, po i patjerur rashë,
Tani po rroj, tani jetën e lashë.
Kërkova vdekjen dhe në zemr’ e gjeta,
Kam dashur jetën dhe kufomë mbeta,
Barita tokën, varrin tim e miha,
Tani po vdes, kur jetën time nisa,
Kupa m’u mbush, tani m’u zbras, u vrashë,
Tani po rroj, tani jetën e lashë.
“Dielli” 4 Shtator, 1963
Shënim: Albumi u botua në 1948 me këtë shënim në frontespic:
Albumi
Dyzetëvjeçar në Amerikë 1906-1946
I Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli
E botoi Federata Vatra. Boston, Massachusetts, 1948
Në këtë botim janë përfshirë edhe ato lirika e shqipërime të Nolit që nuk i kishte “Albumi” botuar më 1948 në Boston. Lirikat e shqipërimet e shtuara janë nxjerrë nga Albumi, Tiranë 1958, mbledhur e redaktuar nga Vebi Bula. Gjithashtu, për disa saktësime datash e botimesh, jemi konsultuar me botimin akademik “Fan S. Noli – Vepra I”-Tiranë 1987, redaktuar nga Nasho Jorgaqi dhe botimin “Fan S. Noli – Albumi”, Rilindja, Prishtinë – 1968, me redaktor biblioteke Ali Rexha.
“Albumi II” përfshin vjershat e Nolit botuar në gazetën “Dielli” 1961-1963, të cilat i mblodhi e përgatiti për shtyp Qerim M. Panariti, botuar në Boston 1966.
FAN S. NOLI
Albumi















