Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit thotë se Qeveria i ka “hapur frontet” për punë në autostradat që po i ndërton “Bechtel dhe Enka”. Sipas tij, aktivitetet janë rritur për 90% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa këtë vit pret një rritje të re prej 70%. Ministria ka realizuar më shumë se 74% të mjeteve për investime kapitale.
I kemi hapur frontet për punë në segmentet autostradale që po i ndërton konsorciumi “Bechtel dhe Enka” për 90% në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024. Për këtë vit pres një rritje të re prej 70%, krahasuar me vitin 2025, theksoi zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë paraqitjes në podkastin “Studio e natës”, duke theksuar se projekti po ecën me dinamikën e pritur.
– Tani, duke pasur parasysh se llogaritë përfundimtare janë gati, mund të shihni se Bechtel ka rritje prej 90% kur e krahasoni vitin 2024 me vitin 2025, që do të thotë se ajo që e themi në publik, se ne ua hapëm frontet për punë dhe ua mundësuam të gjitha kushtet për të punuar, po dëshmohet në vepër, ndërsa këtë vit pres që të kenë diku rreth 70% rritje, në krahasim me vitin e kaluar. Pra, projekti po rritet, ashtu siç duhet të rritet, po përpiqemi t’i tejkalojmë dobësitë nga e kaluara. Ne trashëguam një projekt që kishte 0% shpronësim, zero dislokim të linjave dhe ku, përveç nënshkrimit të kontratave, nuk kishte asnjë aktivitet në terren – theksoi Nikolloski.
Ai informoi se tashmë po punohet në segmentet Prilep–Manastir, Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan, ndërsa realizimi i segmentit autostradal Trebenishtë–Qafë Thanë do të varet nga procedurat dhe vendimet e lidhura me UNESCO-n.
– Kemi nisur me aktivitete në terren edhe në Prilep–Manastir, edhe në Tetovë–Gostivar, edhe në Gostivar–Bukojçan. Situata me Trebenishtë–Qafë Thanë varet nga UNESCO-ja, por edhe atje kemi zgjidhje nëse marrim dritë jeshile – theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Më shumë se 74% e mjeteve për investime kapitale në Ministrinë e Transportit tashmë janë realizuar që në fillim të vitit. Jemi të gatshëm që në mënyrë të dedikuar të realizojmë edhe 40 milionë euro shtesë, natyrisht nëse ato mjete mund të sigurohen me ribalancin e Buxhetit, thotë zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë paraqitjes në podkastin “Studio e natës”.
Ai theksoi se ky rezultat i detyrohet planifikimit serioz dhe punës intensive që nga muajt e parë pas formimit të Qeverisë dhe theksoi se një realizim i tillë është një impuls i fuqishëm për ekonominë dhe sektorin e ndërtimtarisë në shtet.
– Kemi punuar mjaft intensivisht, nga zgjedhja deri verën e kaluar, në planifikimin serioz të aktiviteteve dhe tashmë nga pranvera-vera e kaluar po punojmë në realizim. Unë nuk jam i befasuar nga këto shifra dhe jam vërtet krenar që 3/4 e mjeteve të parashikuara për shpenzime kapitale në Ministrinë e Transportit janë shpenzuar, sepse këto mjete i japin stimul shtesë ekonomisë – theksoi Nikolloski.
Zëvendëskryeministri theksoi se Ministria është e gatshme të realizojë edhe 40 milionë euro shtesë, nëse ato mjete mund të sigurohen me ribalancin e Buxhetit.
– Sa i përket asaj se çfarë do të bëjmë në pjesën e mbetur të vitit, kjo është një pozitë e mirë dhe komode për ne, që gjatë ribalancit të Buxhetit të mund të kërkojmë mjete shtesë. Ne aktualisht kemi kushte të shfrytëzojmë diku rreth 2,5 miliardë denarë, ose mbi 40 milionë euro, mjete të cilat jemi të gatshëm t’i realizojmë shtesë gjatë vitit, jashtë asaj që është buxhet i Ministrisë së Transportit – tha zëvendëskryetari i Qeverisë, Aleksandar Nikolloski.
Ai shton:
– Projektet tona janë më të dukshmet dhe e gjithë kjo lëvizje e operativës ndërtimore nëpër shtet e tregon pikërisht atë që po e them.















