Ballina Aktualitet INTERVISTA E PLOTË E BILALL KASAMIT NË ALSAT M: VLEN po bëhet...

INTERVISTA E PLOTË E BILALL KASAMIT NË ALSAT M: VLEN po bëhet subjekt politik që do t’i përfaqësojë shqiptarët për një periudhë të gjatë

Intervista e plotë e Bilall Kasamit në prag të Kongresit të VLEN-it

Në prag të kongresit të VLEN-it. Në studio e kam njërin nga liderët e kësaj partie, zotin Bilall Kasami, me të cilin do të bisedojmë për të gjitha zhvillimet politike.
Zoti Kasami, mirë se vini në Alsat.

Bilall Kasami:
Mirë se ju gjejmë, faleminderit për ftesën.

Do të flasim për 9 majin, që është kongresi i VLEN-it. Më në fund, pas dy viteve qeverisje, po konkretizohet në një subjekt politik. Megjithatë, a janë tejkaluar të gjitha dilemat brenda VLEN-it dhe a është gati VLEN-i të dalë si një subjekt në vete?

Bilall Kasami:
Besoj se po. Këto dy vite ne arritëm të njihemi më mirë me njëri-tjetrin dhe të përgatisim një strukturë të tillë të subjektit, të cilin po e themelojmë edhe zyrtarisht më 9 maj, e cila do të reflektojë realitetin e pesë subjekteve politike që janë themeluese të VLEN-it.

E di që ka pasur presion nga opinioni që kjo të ndodhë shumë më herët, mirëpo ne vlerësuam që më mirë t’i sheshojmë të gjitha dallimet, të gjejmë modelet më të mira, t’i analizojmë të gjitha format e funksionimit të subjekteve politike në vendet demokratike, kur bëhet bashkimi i më shumë subjekteve politike, derisa të vijmë te modeli më i mirë.

Unë besoj se, në bazë të informatave që i kam nga grupi punues për përgatitjen e kongresit, edhe në aspektin e programit, edhe në aspektin e statutit, por edhe të marrëveshjes që kemi arritur, kemi arritur të kemi një marrëveshje që reflekton realitetin e VLEN-it. Dhe besoj se kjo marrëveshje do të jetë bazë për ngritjen e një organizate që për një periudhë të gjatë do t’i përfaqësojë shqiptarët.

Kishte dilema të përfolura për mënyrën se si do të funksiononte VLEN-i dhe si do të pozicionohej në zgjedhjet e ardhshme. Madje kishte informacione se Alternativa kishte dilema për kandidatët për deputetë në zonat zgjedhore. A janë tejkaluar këto probleme?

Bilall Kasami:
Po, patjetër që janë tejkaluar. Përndryshe, nëse do të kishim ende dilema, nuk do të shkonim në kongres. Të gjitha vendimet deri tani janë marrë me konsensus të plotë.

Është e vërtetë që në momente të caktuara kemi pasur dallime, madje edhe më të theksuara për çështje të caktuara, por kemi gjetur model që t’i fusim të gjitha në kuadër të një programi, statuti dhe marrëveshjeje për themelimin e VLEN-it.

Realiteti me të cilin po e themelojmë VLEN-in na nxori në një situatë ku u detyruam të studiojmë organizimet politike të shumë partive në Europë dhe kuptuam që nuk jemi rast unik. Ka shumë parti serioze në Bashkimin Europian dhe në Zvicër që funksionojnë me modele të ngjashme. Në konsultim me juristë dhe avokatë me përvojë, arritëm në përfundimin se edhe ligji këtu nuk e pamundëson një organizim të tillë.

Kongresi i VLEN-it vjen pak para rikonstruimit të qeverisë. A ka nisur analiza brenda VLEN-it për performancën e kuadrove në qeveri?

Bilall Kasami:
Deri tash VLEN-i ka pasur një realitet tjetër: pesë subjekte politike të organizuara në një koalicion qeveritar. Nga 9 maji do të jemi një subjekt politik ku të gjithë funksionarët do të jenë të VLEN-it.

Nuk do të kemi më ndarje politike, por të gjithë do të jenë VLEN. Secili nga ne, konform përgjegjësive, do të duhet të bëjë vlerësimin e strukturave më poshtë dhe të funksionarëve.

Besoj që riformatimi i qeverisë vjen në kohën e duhur, kur ne si VLEN duhet seriozisht të vlerësojmë rezultatet tona dhe të shohim ku kemi dështuar për të përmirësuar performancën tonë.

Patjetër që do të ketë ndryshime, jo vetëm për dy emrat që qarkullojnë në opinion, por edhe në nivele të tjera të ministrive dhe institucioneve. Nuk kemi më kohë për afate shtesë, sepse zgjedhjet e rregullta janë vetëm dy vite larg.

A është marrë vendimi që Fatmir Limani dhe Arben Fetai të mos jenë pjesë e VLEN-it dhe as ministra?

Bilall Kasami:
Personalisht kam pasur relacion korrekt me Fatmir Limanin. Nuk kam pasur konflikt të patejkalueshëm me të. Dy-tri takimet e fundit pas zgjedhjeve lokale kanë qenë normale, por fatkeqësisht më pas ai dilte me deklarata publike të cilat për mua ishin të pakuptimta.

Kjo solli vendimin në Kuvendin Qendror për shuarjen e organeve dhe përgatitjen për themelimin e VLEN-it, me çka ai pushon së mbajturi pozicione në Lëvizjen BESA. Në konsultim me liderët e tjerë të VLEN-it, ua përcolla se ata nuk do të jenë më propozime të ardhshme për pozicionet që kanë pasur.

Po me Arben Fetain?

Bilall Kasami:
Për shkak të specifikave të funksionimit të VLEN-it, ku ai ka qenë drejtues i Aleancës për Shqiptarët, nuk mund të flas shumë. Por mund të them se kemi pasur kundërshtime për mënyrën si ai i shihte zhvillimet brenda VLEN-it.

Ndoshta ai e pa se nuk mund t’i realizojë politikat në mënyrën që mendonte, sepse VLEN është strukturë komplekse dhe vendimet nuk mund të merren në mënyrë autoritare pa konsultim me të tjerët.

Mendoj se ai nuk e pa veten në pozitën për të kontribuar ashtu siç duhet dhe u tërhoq.

Sa janë të mundshme zgjedhjet e parakohshme?

Bilall Kasami:
Nëse e shohim interesin partiak të VLEN-it, periudha më e përshtatshme do të ishte pas kongresit dhe krijimit të strukturave të përbashkëta, ku do të ketë eufori te votuesit.

Por ne nuk jemi parti opozitare që të kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Jemi në qeveri dhe qytetarët na vlerësojnë për rezultatet dhe projektet që realizojmë.

Prandaj kemi thënë se vendit nuk i duhen zgjedhje të parakohshme. Maqedonisë i duhet normalitet dhe zgjedhje të rregullta, që qytetarët dhe bizneset të planifikojnë në bazë të një cikli katërvjeçar zgjedhor.

Sa do ta përmirësojë ligji për përfaqësim adekuat përfaqësimin e shqiptarëve?

Bilall Kasami:
Sipas informatave nga Avokati i Popullit, në vitin 2025 përfaqësimi i shqiptarëve është rritur, edhe pse pak.

Përfaqësimi adekuat është kategori kushtetuese dhe duhet të materializohet me ligj. Për 20 vite Bashkimi Demokratik për Integrim nuk arriti të sjellë një ligj të tillë dhe solli vetëm mekanizmin e njohur si “balancues”.

Me këtë ligj po mbushet ai boshllëk ligjor. Po, ligji nuk është perfekt, sepse nuk ka ligj perfekt, por ai mund të plotësohet dhe amandamentohet në të ardhmen.

Ky ligj krijon bazë ligjore për përfaqësimin adekuat dhe hap rrugën për mekanizma konkretë që do të monitorojnë punësimin dhe avancimin e komuniteteve.

Si e vlerësoni dështimin e reformës zgjedhore?

Bilall Kasami:
Do të japim kontributin tonë që Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë të rikthehet në debatin për Kodin Zgjedhor, sepse kjo është në interes të qytetarëve.

Pas 9 majit do të përpiqemi ta rikthejmë debatin dhe LSDM-ja të vazhdojë të jetë pjesë e grupit punues.

Ndryshimet kushtetuese?

Bilall Kasami:
Ky është proces që varet nga Brukseli, Shkupi dhe Sofja. Është shpresëdhënëse që në Sofje kemi qeveri stabile.

Ne do të jemi pjesë aktive në lehtësimin e komunikimit mes Shkupit dhe Sofjes për të pasur më shumë qartësi për rrugën europiane të vendit.

Kryeministri ka thënë se nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese, por kërkohet garanci se kjo do të jetë kërkesa e fundit dhe se vendi do të mbështetet në procesin eurointegrues.

A duhet të hiqet termi “20%” për gjuhën shqipe?

Bilall Kasami:
Po, ne e kemi thënë se termi 20% nuk është adekuat për shqiptarët. Besoj se do të kemi mirëkuptim edhe nga partnerët maqedonas që me hapjen e parë të kushtetutës të diskutohet largimi i këtij termi.

Edhe nga regjistrimi i fundit shihet se nuk ka komunitet tjetër afër 20%, prandaj kjo çështje duhet të zgjidhet.

Ju faleminderit për kohën.

Bilall Kasami:
Faleminderit juve. Ishte kënaqësi