Ballina Aktualitet Intervista e plotë e Blerim Sejdiut për Klan News Shqipëri

Intervista e plotë e Blerim Sejdiut për Klan News Shqipëri

Anëtari i kryesisë së VLEN-it, Blerim Sejdiu në një prononcim për TV Klan ka garantuar se provimi i jurisprudencës, ashtu siç e bënë të ditur edhe bashkëkryetarët e VLEN, Izet Mexhiti e Bilall Kasami do të jepet edhe në gjuhën shqipe.

INTERVISTA E PLOTË:

Linda Karadaku: Blerim Sejdiu është kryetar i Komunës së Zhelinës dhe anëtar i kryesisë së VLEN-it, koalicionit shqiptar që është në pushtet në Maqedoninë e Veriut bashkë me VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Blerim, përshëndetje, faleminderit shumë që je me ne sot.

Blerim Sejdiu: Përshëndetje, faleminderit për mundësinë.

Linda Karadaku: Atëherë, pyetja shumë e drejtpërdrejtë: siç tha Bekim Sali, zëvendëskryeministri, është vendosur tashmë që provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe?

Blerim Sejdiu: Siç keni parë edhe ju, dje dy liderët e VLEN-it kanë pasur takim me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ndër temat kryesore që është biseduar ka qenë edhe provimi i jurisprudencës, që është një kërkesë e vjetër e studentëve.

Është absurde që në vitin 2026 studentët shqiptarë ende të detyrohen të protestojnë për një të drejtë elementare. Kjo është pasojë direkte e përfaqësuesve politikë shqiptarë që për 22 vjet i përdorën shqiptarët vetëm për vota, ndërsa çështjet reale i lanë të pazgjidhura.

Sot ne po e zgjidhim përfundimisht këtë çështje dhe garantojmë se provimi i jurisprudencës do të jepet edhe në gjuhën shqipe.

Linda Karadaku: Problemi më i madh dhe akuzat që vijnë nga opozita kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, pra me zbatimin e Ligjit për gjuhët. A po respektohet Ligji për gjuhët?

Blerim Sejdiu: Ne duhet ta dimë një gjë: ata që sot protestojnë nuk janë vetëm studentët, por aty kanë qenë edhe eksponentë të opozitës që për 22 vjet i kanë përfaqësuar shqiptarët në qeveri.

Nëse ata thonë se gjuha shqipe është e zgjidhur, atëherë për çfarë protestojnë sot? Sepse edhe eksponentë të lartë partiakë të opozitës qëndruan në protestë.

Ne vazhdimisht kemi thënë se në letër po, por në praktikë gjuha shqipe nuk ka qenë e zbatuar plotësisht. Për këtë jemi zotuar se do ta zbatojmë gjuhën shqipe siç duhet.

Fakti që gjuha shqipe nuk është zbatuar plotësisht u dëshmua edhe nga prania e eksponentëve të opozitës në protestë. Studentët kanë të drejtë legjitime. Kjo është një e drejtë që u është mohuar për 22 vjet.

Linda Karadaku: Baza e gjithë kësaj që po diskutojmë është Marrëveshja e Ohrit. Edhe vetë Ligji për gjuhët është pasqyrim i Marrëveshjes së Ohrit. Ka probleme me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit? Dhe nëse nuk ka, pse duhet dërguar në Komisionin e Venecias?

Blerim Sejdiu: Ligji për gjuhët dhe disa ligje të tjera patjetër duhet të dërgohen në Komisionin e Venecias, për arsye se direktivat janë të tilla.

Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e respektuar, por ajo ka pasur edhe afatet e saj të zbatimit. Dihet se kjo marrëveshje ka pasur një afat për implementim dhe përgjegjëse e drejtpërdrejtë ka qenë BDI-ja, pasi për 22 vjet pa ndërprerje ka qenë në pushtet.

Marrëveshja e Ohrit është dashur të ishte implementuar para 10 vjetësh, por nuk është implementuar. Prandaj ne sot po sjellim edhe një ligj të veçantë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ku shqiptarët do të kenë mundësinë, për herë të parë historike në aspektin institucional, të përfaqësohen në institucione ashtu siç kanë merituar për më shumë se dy dekada.

Gjatë këtyre dy dekadave shqiptarët janë keqpërdorur dhe janë shfrytëzuar emocionalisht, duke u mbajtur vazhdimisht në ndjenjë rreziku, pa u zgjidhur problemet thelbësore që u kanë takuar.

Sot kemi ligjin për përfaqësim të drejtë, provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe së shpejti duam ta zgjidhim përfundimisht edhe çështjen e gjuhës shqipe, duke hequr nga Kushtetuta termin përbuzës me të cilin shqiptarët janë quajtur dhe quhen ende: “20 për qind”.

Mos harrojmë se ne jemi vetëm dy vjet në qeverisje.

Linda Karadaku: Do ta fusni ju konceptin “gjuha shqipe” në vend të “20 për qind”? Dhe a keni mbështetjen e kryeministrit Mickoski dhe të VMRO-DPMNE-së për këtë?

Blerim Sejdiu: Po. Kur flasim për këto çështje, ne flasim për gjëra që i bëjmë bashkë me partnerin tonë qeverisës, pra me kryeministrin aktual Hristijan Mickoski.

Ne jemi zotuar se do t’i zgjidhim këto çështje. Por pyetja është: pse nuk janë zgjidhur për 22 vjet? Ata kanë pasur mundësinë t’i zgjidhin.

Sot të njëjtët njerëz protestojnë dhe keqpërdorin momentin e studentëve, të cilët kërkojnë një të drejtë që është dashur t’u zgjidhej moti.

Linda Karadaku: Edhe një pyetje të fundit kam për ju. Ka pasur akuza që vijnë edhe nga njerëz të afërt me ju, pra me koalicionin VLEN, se ka pasur përpjekje për destabilizim të Maqedonisë së Veriut. A ka përpjekje të tilla dhe cilat janë arsyet që tani të kërkohet destabilizimi i Maqedonisë së Veriut? Kush përfiton?

Blerim Sejdiu: Sa herë që humbin pushtetin, disa tentojnë të krijojnë tensione dhe pasiguri për të shpëtuar veten politikisht.

Qytetarët tashmë e kanë kuptuar këtë skenar. Ata që për 22 vjet kontrolluan çdo institucion dhe nuk zgjidhën asnjë problem të shqiptarëve, sot tentojnë të paraqiten si shpëtimtarë.

Ne nuk do të lejojmë të ndodhë destabilizim. Shqiptarët nuk kanë nevojë për krizë artificiale, por për shtet funksional, ekonomi të fortë dhe institucione që respektojnë çdo qytetar njësoj.

Linda Karadaku: Blerim, të falënderoj shumë që ishe me ne sot.

Blerim Sejdiu: Faleminderit shumë. Faleminderit edhe juve.

@tn.lajmelokaleIntervista e plotë e kryetarit të Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, për gazetaren Linda Karadaku në KlanNews Shqipëri♬ original sound – TN – Lajme Lokale