Intervista e plotë/Bilall Kasami në TopNews – Protestat studentore, gjuha shqipe dhe ambasadori Mejdani
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në një intervistë për TopChannel ka folur për protestat e studentëve lidhur me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, deklaratat e ministrit të Drejtësisë, përdorimin e gjuhës shqipe në qeveri, si dhe peticionin për ambasadorin shqiptar në Shkup.
Protestat studentore dhe akuzat për keqpërdorim politik
Gazetarja: Protestat e studentëve kanë nxitur reagime të shumta. Ju thatë se protesta është përdorur politikisht nga opozita shqiptare. Si e komentoni këtë situatë?
Bilall Kasami: Protestat janë zëri qytetar, i cili korrigjon politikat e qeverisë. Fatkeqësisht, kjo protestë u keqpërdor nga eksponentë politikë, të cilët ishin shkaktarë të po të njëjtës situatë për gjashtë vite pas miratimit të këtij ligji, ku mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën amtare.
Po ashtu, dua të sqaroj opinionin se nga tre të arrestuarit, asnjëri nuk ka qenë student. Njëri prej tyre ka qenë maqedonas, pra ka qenë një konflikt mes dy protestuesve, të cilët nuk kanë qenë studentë, dhe një maqedonasi. Ata janë arrestuar dhe më pas, me procedurë të rregullt, janë liruar në mbrojtje të lirisë.
Deklaratat e ministrit Filkov dhe raportet në qeveri
Gazetarja: Si i komentoni deklaratat e ministrit të Drejtësisë, Filkov, i cili thotë se çështja e gjuhës shqipe është e mbyllur dhe nuk ka më nevojë për diskutim, ndërkohë që një ditë më parë kishit dakordim me kryeministrin për përdorimin e gjuhës shqipe?
Bilall Kasami: Ne jemi partneri i dytë në qeveri. Bashkë me kryeministrin jemi dakorduar që ne përfaqësojmë dhe mbrojmë të drejtat e shqiptarëve. Në pjesën tjetër, VMRO është ajo që është bartëse e pushtetit te maqedonasit.
Pa marrë parasysh se mund të ketë eksponentë të qeverisë që duan të bëjnë politikë me tema ndëretnike, ne bashkë me kryeministrin jemi dakorduar që këto tema duhet të mbyllen njëherë e përgjithmonë dhe Maqedonia e Veriut duhet të shikojë përpara, pa iu rikthyer temave ndëretnike.
@tn.lajmelokale Kasami për TopChannel: Protesta e studentëve u keqpërdor nga eksponentë politik të opozitës
Fatkeqësisht, në të kaluarën një parti ka udhëhequr për 20 vite dhe sa herë kanë ardhur zgjedhjet, ka hapur temat ndëretnike, ka fituar zgjedhjet dhe më pas ka vazhduar bizneset e saj për t’u bërë milionerë. Sot njihen si familje politikanësh që kanë bërë miliona nga pushteti që kanë keqpërdorur.
“Eksponentë të opozitës ishin pjesë e organizimit të protestës”
Gazetarja: Thatë se protesta u përdor politikisht nga opozita shqiptare. Çfarë faktesh keni për këtë?
Bilall Kasami: Faktet janë të njohura për opinionin. Eksponentë të po kësaj partie ishin pjesë e protestës. Organizatorë të protestës paraqiten fëmijët e funksionarëve të kësaj partie.
Po të njëjtët të rinj – jo të gjithë studentë të drejtësisë – shumica edhe të diplomuar, janë eksponentë të hapur, pjesë e strukturave të partisë opozitare dhe ishin në ballë të organizimit të protestës.
Edhe njëherë, ne mirëpresim çdo formë të protestës, por i përcjell një mesazh BDI-së se nuk do të mund të rikthehet në pushtet duke keqpërdorur këto situata. Edhe kjo çështje do të zgjidhet, ashtu si kemi zgjidhur shumë çështje të tjera për vetëm dy vite në pushtet – çështje të cilat BDI nuk i ka zgjidhur në të kaluarën.
Do t’u dalim në krah studentëve dhe qytetarëve shqiptarë, për të cilët kemi marrë mandatin për t’i përfaqësuar. BDI do të mbetet gjatë në opozitë.
Gjuha shqipe në mbledhjet e qeverisë
Gazetarja: Pse ministrat shqiptarë nuk flasin në gjuhën shqipe gjatë mbledhjeve të qeverisë, edhe pse kanë të drejtë ligjore dhe përkthyes zyrtarë?
Bilall Kasami: Fatkeqësisht, keni një informatë të gabuar në kohë. Bëhet fjalë për mbledhje të qeverisë paraprake, jo për këtë qeveri ku ministrat e VLEN-it janë pjesë.
Nëse nuk do ta kisha të konfirmuar, nuk do ta merrja guximin ta thoja publikisht në një media kombëtare si TopChannel. Ju kujtoj se ministrat e BDI-së gjatë viteve të fundit në të gjitha mbledhjet kanë folur vetëm në gjuhën shqipe.
Madje, në një takim zyrtar, dy ministra të BDI-së kanë folur para mediave dhe kanë komunikuar mes tyre në gjuhën maqedonase – mund ta konfirmoni lehtësisht në kanale të ndryshme mediatike.
Në këtë qeveri, ministrat shqiptarë flasin në gjuhën e tyre amtare në opinion, në mbledhje të qeverisë dhe në komunikim – diçka që e kanë të garantuar me ligj.
Peticioni për ambasadorin Mejdani
Gazetarja: Po qarkullon një peticion në lidhje me ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, zotin Mejdani. Çfarë dini për këtë?
Bilall Kasami: Unë kam respektuar çdo përfaqësues të shtetit shqiptar, në këtë rast edhe ambasadorin Mejdani, pa marrë parasysh qëndrimet e tij politike.
Ai duhet të përfaqësojë shtetin shqiptar duke komunikuar me institucionet dhe bartësit e institucioneve këtu, por më shumë ka komunikuar politikisht me subjekte politike.
Këtë peticion e shoh si një tentim për të sulmuar përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë dhe për të viktimizuar ambasadorin.
Nuk kam dijeni që nga qeveria ka pasur një kërkesë zyrtare për tërheqje të ambasadorit. Nëse ministri i Jashtëm ka vlerësuar punën e tij dhe ekziston ndonjë procedurë për tërheqjen e tij, kjo është çështje e shtetit shqiptar dhe jo e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Duke pasur parasysh publicitetin që i është dhënë kësaj çështjeje dhe angazhimit të ambasadorit, vlerësoj se numri i nënshkrimeve është i ulët dhe ambasadori duhet ta rishikojë pozitën e tij.
Bilall Kasami: Faleminderit për kohën dhe për të gjitha shpjegimet për këtë çështje shumë të rëndësishme, siç është përdorimi i gjuhës shqipe për provimin e jurisprudencës, por jo vetëm.















